Fundi i gazetarisë së shekullit të Skënderbeut

24 Dhjetor , 2012 • Gazetaria e Medias, Media dhe Politika • by

Kombin e mban gjallë media. Disa, edhe nga dëshira për seriozitet, kërkojnë nga media e printuar të realizojë ato funksione që në fakt asnjë shtyp nuk mund t’i realizojë.

Media, komunikimi me publikun dhe politika – tri hallka të një ekuacioni që sot përcakton ritmin social dhe kulturor të Shqipërisë. Profesor Artan Fuga shtjellon në intervistën për gazetën “Shekulli” këtë marrëdhënie që përbën limfën e shoqërisë dhe njëfarësoj shëmbëllen me identitetin tonë duke krijuar në të njëjtën kohë mundësitë e komunikimit me botën. “Gazetarin e kanë ende frikë”, shprehet prof. Fuga dhe kjo, sipas tij, “nuk është pak”. Por kjo nuk mjafton dhe në këtë konstatim del një nga problemet kryesore për shtypin e sotshëm shqiptar, për median në tërësi e cila, me fjalët e Fugës, është krijuese e një axhende kolektive, pa të cilën do të kishim vetëm kaos.

Z. Fuga çfarë roli luan sot shtypi i shkruar në jetën publike shqiptare krahasuar kjo si me nxitjen e madhe që ai solli në fillim të viteve ’90 ashtu dhe me rolin e vet në një shoqëri të hapur? 

Nuk besoj se mund të krahasohet roli i shtypit të shkruar i fillimit të viteve ’90 me tani. Janë dy botë krejt të ndryshme. Dhjetëra mijëra kopje shtypeshin dhe shiteshin gazetat e mëdha të asaj kohe, ndofta lexoheshin nga qindra mijë vetë, “Rilindja Demokratike”, “Zëri i Popullit”, “Koha Jonë”, etj. Po të bëjmë pak krahasimin me ditët e sotme, do të vëmë re sesa është rrudhur bashkësia e lexuesve, jo vetëm nga pikëpamja e sasisë, por edhe grupmoshave që lexojnë shtypin. Modeli i marrëdhënieve midis publikut dhe gazetës së shkruar në letër ka dështuar përfundimisht. Nuk është një dukuri shqiptare. Atëherë, nga vetë koha, në shtyp kishte një aspekt ideologjik të gjithë pranishëm, debate ideologjike mbi sistemet, një gjuhë transformuese; shtypi ishte si një vazhdim i mitingjeve dhe antimitingjeve në rrugë. Partitë politike kontrollonin shtypin në mënyrë të drejtpërdrejtë, pastaj, gradualisht, situata nisi të ndryshojë me Koha Jonë, Shekulli, e të tjera media të shkruara të pavarura nga partitë. Pyetjen tuaj unë e ndaj në tre pjesë:

Pjesa e parë: Çfarë është shtypi i shkruar sot ? Shtypi i sotëm sipas meje luan disa role: Së pari një rol si një regjistrues i ngjarjeve të mëdha politike dhe sociale që shenjojnë kohën që jetojmë. Së dyti, si një hapësirë publiciteti dhe marrëdhëniesh publike për produktet, shërbimet, personalitetet politike dhe partitë politike, sidomos në periudha elektorale. Së treti, si një lloj relatuesi dhe zgjatimi i zyrave të marrëdhënieve publike të agjencive politike. Së katërti, në funksion të marrëdhënieve me qeverinë, me subvencionet e ardhura nga fuqia publike, apo informacionet e saj, apo me opozitën. Media e shkruar luan edhe rolin e zgjatimit administrativ të qeverisë, apo të opozitës politike. Së pesti, ai është edhe një lloj raportuesi i skandaleve të mëdha që shpërthejnë herë pas here, si në çdo shoqëri, apo edhe i ngjarjeve tronditëse.  Së gjashti, si një lloj paraqitje e jetës rozë të një lloj marketingu të personaliteteve publike, si artistë, shkrimtarë, politikanë, njerëz të modës, sportistë të shquar, etj. Së shtati, një lloj mburoje për sipërmarrjen private, apo agjencitë influente sociale, të cilat nëpërmjet shtypit, lajmeve, kronikave, kritikave, zhbirilimeve, sulmeve, gjuhës së ashpër, mundohen ose të mbrohen nga konkurrentët, ose të lehtësojnë operacionet për mbarëvajtjen e bizneseve të tyre; pra mjete presioni të lobimeve. Së fundi, si një lloj kanali ku ndërtohet një lloj agjende kolektive e ditës, pa të cilën nuk kemi dot opinion publik, pra komb. Kombin e mban gjallë media, qoftë edhe kur ajo debaton ndonjë ditë për lloje tortash, apo çmime autobusësh. Nuk ka rëndësi shpesh se cila është agjenda e ditës, rëndësi ka të ketë një të tillë.

Pjesa e dytë: Çfarë nuk mund të jetë shtypi i shkruar? Disa, edhe nga dëshira për seriozitet, kërkojnë nga media e printuar të realizojë ato funksione që në fakt asnjë shtyp nuk mund t’i realizojë. Shtypi nuk është as shkollë, as institut kërkimesh shkencore, as libër, as roman, as media ku bëhen prognoza zhvillimi afatgjatë, as vend ku tirrren pa fund rrëfime për historinë shekullore, as “telenovelë”, pra rrëfim me seri e së njëjtës intrigë. Media kërkon aktualitetin e ditës, do histori për të treguar, synon detajin dhe një gjuhë dhe stil penetrues te lexuesi i gjerë. Të gjithë ankohen se mediat, sidomos media e shkruar nuk është cilësore dhe shpesh bie pre e interesave dhe ka një cilësi mediokre profesionalisht. Dakord. Ndërkaq bëni prove që nja dy javë të mos ketë as gazeta dhe as revista, as radio dhe as televizione në këtë vend. Menjëherë gjithçka degradon dhe nis një kaos social i paparë, ankthi kolektiv shkon në Qiell dhe jeta sociale dhe administrative bjerret edhe më shumë. Sado i dobët të jetë statusi i gazetarit, ende mund të them se nivele të caktuara të pushtetit, administratorë të ndryshëm, trafikantë, me ose pa pushtet politik ose ekonomik, individë spekulatorë, mashtrues të opinionit dhe të blerësve të shërbimeve, i druhen atij. Kjo nuk është pak. Kjo është shpresa dhe roli i këtij sektori. Nuk është gjithçka, por nuk është pak. Shtypi ende e tmerron të keqin. Të paktën i del në ëndërr.

Pjesa e tretë: Çfarë duhet të ishte dhe nuk është? Shtypi ynë është i ndarë nga jeta lokale, nuk ndjek trendin e sotëm se lajm është “hiper-lokalja”. Nuk ka raportim të aktualitetit ndërkombëtar. Jetojmë si në një ishull ku nuk ka tela me gjemba, por nga ishulli gjithsesi mund të largohet vetëm ai që di not, gjuhë të huaj, etj. Pavarësia e gazetarit dhe analizat e pavarura janë harruar. Nuk ka investigim dhe zhbirilim të aferave të mëdha; gazetari përdoret deri në gjysmë të rrugës dhe pastaj ndalohet të shkojë më tutje. Mungon analiza ekonomike, sociale, kulturore, a thua sikur këto fusha mbulohen vetëm me kronikën. E mbi të gjitha, shtypi ynë nuk është një hapësirë e lirë publike për zërin e qytetarit, të intelektualit. As “watch dog”, pra ruajtës i demokracisë nuk është gjithmonë, sepse qëndron midis administratës dhe mediave, midis politikanëve dhe pronarëve të medias, midis politikanëve të krahëve të ndryshëm. Dhe si pjesë e rivaliteteve dhe marrëveshjeve mes tyre, sipas rastit e kryen ose jo këtë rol. Por, jo si qëndrim i pavarur i gazetarit në shërbim të opinionit publik. Shtypi i shkruar i shërben atij që e paguan; përderisa blerjet nga audienca janë “lopë të dobëta”, atëherë opinioni publik shërbehet shumë pak.

Për shkak të realitetit të kronikës, vihet re një mësymje titujsh dhe shkrimesh për serinë e krimeve që ndodhin thuajse përditë. Mendoni se gradualisht po kultivohet një opinion i brendshëm për kriminalizimin e shoqërisë shqiptare, apo kjo është një detyrë informuese, të cilën shtypi nuk mund ta neglizhojë? 

Për mua abuzimi me kronikën e zezë ka arritur maja. Është një spekulim për të shitur gazetën me lajme horrori, duke luajtur me psikologjinë e njeriut për të estetizuar të keqen, për të qenë spektator i ngjarjeve tronditëse që prekin të tjerët. Frika e bën gazetën të blihet. Keni parë sa shumë njerëz shohin filma horror? Krimi mund të raportohet kur përbën një ngjarje sociale, kur është në raport me një ngjarje madhore, shumë të rëndë, kur ka një analizë pas, por jo kur nga mijëra raportime të policisë shfaqet në faqe të parë, hapet gazeta me ndonjë krim sado banal e të shëmtuar, por nga ata që ka pafund në çdo shoqëri. Nuk është detyrë informuese e shtypit; atëherë kur nuk ka ngjarje politike, faqja e parë hapet me raportim krimesh. Kur politikanët janë me pushime, vëmendja e shtypit shkon drejt lloj-lloj hajdutësh, kriminelësh, vrasësish. Krim dhe politikë, kjo është faqja e parë, seks dhe modë, ky është suplementi, marrëdhënie publike dhe marketing, në vend të informacionit, këto janë faqet e brendshme. Ky model është modeli i një gazete në krizë, që ka gërryerje financiare dhe që e administron krizën duke e përkeqësuar edhe më shumë cilësinë e “mallit” informacion që jep. Kjo është e rrezikshme për mediat. Unë i qëndroj idesë sime se mediat tona kanë dy probleme madhore: E para, nuk kanë model biznesi në kushtet e teknologjisë dixhitale dhe të Internetit. E dyta, nuk kanë formatuar stilet dhe format e reja të shkrimit, raportimit dhe redaktimit në kushtet e komunikimit online. Po nuk zgjidhën dot këto dy probleme, për të cilat ka zgjidhje, mediat tona shpejt do ta hapin krahun për media alternative.

Pse ky kriminalitet sipas jush dhe mund të gjendet një shpjegim për natyrën demonstrative të egërsisë me të cilën ekzekutohen aktet e dhunshme në Shqipëri?

Krimi gjithandej është i egër. Nuk besoj se ne shqiptarët kemi kriminelë më të egër e të pamëshirshëm sesa vendet e tjera. Dhjetëra njerëz vrau ai personi në një vend skandinav para një a dy vjetësh. Dhe nuk ia bëri syri “dritë”. Kriminel. Njëzetë e gjashtë fëmijë vrau ai i çmenduri në SHBA përpara disa ditësh. Për të mos folur për krimin politik, terrorizmin, për të mos folur për gjenocidin, që shoqëritë ballkanike, jo Shqipëria, janë të njohura edhe në dy dekadat e fundit. Kam përshtypjen se mediatizimi i krimit shkon edhe me prirjen për ta treguar krimin te ne si të veçantë, për të inkriminuar natyrën shqiptare. Jo, jo, është naivitet.

Në vijim, apo jetojmë një tranzicion të ri, atë që po e çedon ekuilibrin politik shtetëror drejt një bashkimi nacional?

Jemi ende shpejt për të folur për këtë. Klasat politike shqiptare ende nuk janë përgatitur për ta ndarë “tortën” e një pushteti mbishtetëror, pra të një bashkimi nacional, sikurse thoni ju. Temë e gjatë shumë.

Cili është mendimi juaj për çështjen e standardit gjuhësor për të cilin janë hedhur ide të rishikimit? 

Unë jam i mendimit se është një problem që zgjidhet edhe duke ruajtur gjuhën standarde të pasuruar me disa elemente më të gjera të pasurisë sonë gjuhësore, por edhe duke iu dhënë dialekteve rolin që duhet. Thonë se gjuha zyrtare ka ngritur në normë gjuhën toske, kundër asaj gege. Por, unë as dialektin tim beratas, të gjyshërve të mi nuk e shoh atje. As fierak, as korçar, as lushnjar, pra të krahinave me të cilat kam lidhje kulturore të ngushta. Gjuha zyrtare diçka do të braktisë. Nuk mund të bëhen shkresat e shtetit me dialekte të ndryshme. Por, nga ana tjetër t’i privosh fëmijës nga Devolli apo nga Shkodra, nga Myzeqeja apo nga Hasi, të mësojë në shkollë gjuhën dialektore të nënës së vet kulturën kombëtare, edhe ky është një stalinizëm gjuhësor, sipas të cilit “gjuha është neutrale”, se është për të gjithë njësoj. Ne kemi nevojë të bëjmë spastrimin e stalinizmit gjuhësor në trajtimin e politikave gjuhësore. Kjo zgjidhet me regjionalizimin e shumë aspekteve të edukimit shkollor, një traditë kjo në fuqi në kohët moderne. Mos të fshihemi si struci, në kushtet kur çdo fshat mund të ketë televizionin e vet, si mund të mos njohësh dialektet në politikat shkollore e gjuhësore? Mediat e sotme janë ato të ringjalljes së dialekteve regjionale. Janë brenda një gjuhe, të shqipes, pse do të na përçajnë?

Ju keni shkruar një libër ku e përkufizoni komunikimin nën Diktaturë si një lloj monologu që synonte të riprodhonte disa të vërteta klishe dhe kufizuese për shoqërinë. Po sot, a jemi në kushtet kur shoqëria po rihyn në koordinatat e një izolimi të ri, në të cilin po inskenohet konkurrimi vetëm me veten, duke iu përvjedhur dialogut të vërtetë me kulturat e tjera? 

Unë them se ne jetojmë kohën e një hapjeje në planin politik me botën, në kuptimin që askush nuk e pengon komunikimin me kulturat e tjera. Por, jemi në kushtet e një izolimi kulturor që sjell vetë tregu i lirë, etj. Ja, a nuk përmendëm se nuk kemi reporterë të mediave shqiptare nga bota e jashtme? Shihni sa i pranishëm është libri në gjuhë të huaj në bibliotekat shqiptare apo në libraritë tona! Shihni sa shkrimtarë, artistë, apo profesorë të huaj hyjnë! Shihni sa pak autorë të huaj përkthehen në shqip! Shihni nivelin e mësimit të gjuhëve të huaja në shkollat tona! Shihni sa revista të huaja të profilizuara hyjnë në institucionet tona! Ka nevojë për politika kulturore alternative për hapje kulturore.

Cila është kriza më e madhe që përjeton sot identiteti shqiptar?

Identiteti shqiptar, pra kombëtar, sot jeton fazën e vet më të mirë përgjatë gjithë historisë së vet. Unë jam gati të jap prova për këtë. Është në krizë identiteti social i shoqërive shqiptare, sikurse edhe i etnive të tjera në Ballkan, por jo identiteti kombëtar.

Kanë kaluar 22 vjet qëkurse ndryshimi i sistemit u formalizua me lindjen e pluralizmit. Kemi një sistem ekonomik të ri, proceset e migrimit thuajse janë kryer dhe kemi daljen në skenë të një brezi që ka lindur le të themi në liri. A janë këto sipas jush kritere për ta konsideruar të mbyllur tranzicionin social-politik në Shqipëri? 

Ka disa tranzicione të mbivendosura. Sapo kryhet një pjesë e tranzicionit lidhur me kalimin nga socializmi në kapitalizëm, dalin procese të tjera që kanë të bëjnë me tranzicione drejt objektivave të tjerë. Për shembull media sapo mbylli disa etapa të kalimit nga totalitarizmi drejt tregut të lirë të informacionit; tani ka hapur para saj një tranzicion tjetër edhe më të gjerë, por edhe më të thellë: atë të kalimit nga media e Gutenbergut, e modelit të kohës të Skënderbeut të themi, drejt medias së kohës të informacionit dixhital. Kështu me të gjitha fushat. Pra kemi disa tranzicione të mbivendosur te njëri-tjetri dhe që bashkëveprojnë me njëri-tjetrin. Ideja e një tranzicioni linear, është shumë mekanike, dhe e gabuar.

Është dështimi i multikulturalizmit katalizator drejt një nacionalizmi të ri në Europë? 

Nuk mendoj se multikulturalizmi në Europë ka dështuar. Nuk mund të marr si përfundim të mirëqenë një fjali, e ta analizoj si reale, të cilën nuk e pranoj as si konstatim paraprak rreth një koniunkture të caktuar. Në epokën e komunikimit planetar online, të thuash se multikulturalizmi dështoi dhe fitoi nacionalizmi – kjo nuk ka vend.

Intervistoi: Skerdilajd Zaimi

Botuar në gazetën Shekulli, datë 21.12.2012

 

 

Send this to a friend