Mediat e Polonisë po bëhen gjithnjë e më të ndara, të polarizuara dhe tribale. Një studim i ri, i bazuar në intervistat me gazetarët më të njohur ka zbuluar se objektiviteti po zëvendësohet me një lloj “gazetarie identiteti” të sapolindur – me diskurs të angazhuar ideologjikisht që ndihmon në ndërtimin e një komuniteti të audiencave me të njejtin mendim – e zhvilluar dhe e paraqitur nga mediat e krahut të djathtë të vendit.
Këto ndryshime reflektojnë transformimet më të fundit të terrenit të medias në Poloni, të përshpejtuara nga fitorja parlamentare e partisë populiste konservatore Ligj dhe Drejtësi (PiS). Gjatë dy viteve të fundit, qeveria e PiS ka marrë nën kontroll transmetuesit shtetëror dhe ka premtuar kthimin e medias nga publike në “nacionale”. Si një lëvizje e kohëve të fundit, rregullatori i medias polake, Këshilli Kombëtar i Transmetimit, javën e shkuar gjobiti transmetuesin televiziv privat në pronësi amerikane, TVN24 me afërsisht 350,000 euro për pasqyrimin e protestave jashtë parlamentit në vitin 2016. TVN24 u akuzua për “promovimin e aktiviteteve të jashtëligjshme dhe inkurajimin e sjelljeve që kërcënojnë sigurinë”.
Fuqizim i shtypit të krahut të djathtë në Poloni
Studimi im “A ekziston mundësia për media jo-partizane në Poloni?” argumenton se peisazhi i medias polake nisi të ndryshojë pas përplasjes së avionit Smolensk në vitin 2010, ku u vra Lech Kaczynski, presidenti i vendit i asaj kohe. Kaczynski gjithashtu ishte vëllai binjak i Jarosłaë Kaczyński, drejtuesi aktual i partisë PiS.
Bazuar në intervistat me gjashtë gazetarë të njohur polakë – tre nga organet e mediave liberale (Gazeta Wyborcza, Polityka Weekly dhe Onet.pl), dhe tre nga mediat konservatore (Wnet Radio, Sieci Weekly dhe Belsat TV) – studimi përshkruan se si shtypi i krahut të djathtë – politikisht i parëndësishëm mes viteve 1989 (pas rënies së komunizmit) dhe 2010 – u bë shumë i qartë dhe partizan pas përplasjes së avionit Smolensk në vitin 2010. Ndryshimi ishte pjesërisht i shtyrë edhe nga interneti, i cili hoqi barrierat ndaj medias, dhe si rrjedhim, inkurajoi një ekonomi të shtyrë nga media sociale, nga shpejtësia dhe thjeshtësimi. Që atëhere, partishmëria dhe paragjykimi politik janë bërë një realitet i zakonshëm.
Në këtë rend të ri të medias, përplasja Smolensk provoi të ishte një katalizator potent për ringjalljen e ndarjeve të vjetra të para vitit 1989 të cilat ende funksionojnë thellë në shoqërinë polake. Që nga viti 2015, veprimet e partisë Ligj dhe Drejtësi për riformimin e sistemit të medias së vendit, së bashku me ndryshimet në shkallë të gjerë të sistemit të jurispredencës dhe të mënyrës se si funksionon shoqëria civile kanë sjellë kritika të përhapura ndërkombëtare.
Mediat shtetërore, tashmë të kontrolluara më shumë nga qeveria, e kanë anuar mbulimin e tyre në të djathtë, dhe mesazhi tani është kryesisht (dhe jo-çuditërisht) pro-qeverisë. Në botën e polarizuar dhe të politizuar të medias polake, ata që përfaqësojnë të djathtën e spektrit politik e shikojnë këtë si një ndryshim pozitiv, duke theksuar pluralizmin dhe duke i dhënë zë grupimeve të nënpërfaqësuara të shoqërisë konservative polake. Megjithatë, përfaqësuesit e së majtës e shohin si një sulm ndaj medias së lirë dhe demokracisë.
Çfarë mendojnë gazetarët polakë për peisazhin e medias së Polonisë
Të gjithë gazetarët e intervistuar kanë të përbashkët besimin së mund të ketë një distancë më të madhe midis politikës dhe gazetarisë në Poloni. Por në një vend ku historikisht ka qënë e turbullt ndarja mes të dyja profesioneve, nuk ka një fund të menjëhershëm ose të parashikueshëm për krizën politike dhe gazetareske.
Objektiviteti – sado i dëshiruar të jetë – nuk është më një qëllim final për gazetarët polakë, përkundrazi, avokacia dhe angazhimi politik vazhdojnë të mbizotërojnë peisazhin e medias së vendit.
***************
Studimi, “A ekziston mundësia për media jo-partizane në Poloni?” gjendet këtu.
Gazetarët e intervistuar ishin::
Adam Michnik, kryeredaktor i Gazeta Wyborcza
Bartosz Węglarczyk, drejtor programacioni i Onet.pl
Adam Szostkiewicz – kolumnist tek Polityka weekly
Krzysztof Skowroński – kryeredaktor i Wnet Radio dhe kryetar Polish Journalists Association
Jacek Karnowski – kryeredaktor i Sieci weekly
Agnieszka Romaszewska-Guzy – kryeredaktor i Belsat TV.
Tags:e djathta, gazetaria e identitetit, kontrolli mbi median, media polake