Nuk çuditem kur dëgjoj që mediat online kanë më tepër lexues se mediat tradicionale. Njerëzit sot e kanë kuptuar se realiteti po manipulohet, dhe kërkojnë me çdo mënyrë një burim të ri që ta thotë të bardhën mbi të zezë; më mirë akoma, të thonë mendimin e tyre dhe aty ku vetëm pakkush duket se e ka këtë të drejtë, editorët.
Me gjithë këtë mori informacionesh që qarkullojnë online dhe jo, besueshmëria që krijon një media dhe parimet që e udhëheqin në përzgjedhjen e informacioneve, janë esenciale për të ruajtur ekulibrin në transmetimin e tij. Të gjithë e dimë sa janë të ekuilibruara mediat tradicionale shqiptare, apo jo ?!
Interneti u jep njerëzve publikime më një përmbatje më njerëzore, (meqë janë vetë njerëzit ata që bëhen pjesë e historisë që tregojnë). Këto ngjarje që tregohen nuk i kushtojnë rëndësi vetëm temave politike apo argumenteve të mëdha, (rreth të cilave sillen vetëm pakica, por jo shumica e njerëzve), por zgjedhjeve të përditshme që prekin qytetarët, duke filluar nga cilësia e ushqimeve të përditshme qe vënë në tavolinë.
Njerëzit janë vetë protagonistë të informacionit (kujtoni lajmet me ngjarjet që publikohen në profilet e Facebook-ut dhe me pas merren nga mediat), e duan skenën e tij, iu përshtatet, madje e ndërtojnë dhe sipas preferencave. Përveç kësaj kanë mundësi të zgjedhin nformacionet që marrin. Ju kujtoj se motori i kërkimit Yahoo, i jep individit opsione të personalizojë faqen e vet brenda tij, nëpërmjet My Yahoo.
Janë të gjitha forma që zgjidhen, organizohen, vendosen për të qenë platforma informative. Gazetaria tradicionale, ashtu siç e njohim ne, po dobëson sferën ndikuese në opinionin publik, sidomos tani që Wikileaks ka nxjerrë skandale që në një media vështirë se do të publikoheshin. Me këtë nuk dua të them se interneti është vetëm i besueshëm. Informacioni brenda rrjetit është i kontrolluar pak, pikërisht sepse kushdo ka të drejtë t’a publikojë, por mos harroni, besimi që lexuesit i japin një gazete online është esencial në punën e saj dhe konkurrueshmëria e fortë është shtysë për ta thënë të vërtetën brenda saj.
Në internet ekziston sepse ndiqesh, ndryshe “të riciklojnë” shumë shpejt. Në botën dixhitale është shumë e lehtë që njerëzit të largohen për diku tjetër. Prandaj për të njëjtat arsye pse zgjidhesh, po për të njëjta arsye mund të braktisesh. Bota online e informacionit ka këtë armë të fortë (lirinë e fjalës), por, nëse nuk e përdor si duhet, mund të të kthehet kundër.
Cili është efekti social dhe psikologjik i të qënit online?
“Kompjuteri është një pasqyrë e re, është makina e parë psikologjike”, shkruan Sherry Turkle nga Instituti Teknologjik i Massachusetts, në librin e saj “Jeta Në Ekran: Identiteti në Moshën e Internetit” (Life on the Screen: Identity in the Age of the Internet). Sipas saj interneti ofron një kompromis ndërmjet frikës së qëndruarit vetëm dhe konfidencialitetit. “Mbi kompjuter mund të jesh i vetëm, por kurrë i vetmuar. Mund të ndërveprosh me të tjerë dhe nuk, ke nevojë të ndjehesh vulnerabël ndaj një personi tjëtër. Simbol bashkëveprimi ndërmjet makinës dhe jetës sonë emocionale. Kompjuterat na shtyjnë të refelektojmë mbi atë se kush jemi në të vërtetë.”
Jeta jonë po ndryshon dhe nëse nuk zhytemi brenda saj, pra nëse nuk i përshtatemi, rrezikojmë të shkojmë drejt një kulture devide, të izolohemi nga bota reale. Është njëlloj sikur të ushqehesh vetëm me embëlsira. Nuk kujtohesh sa shumë po i bën dëm vetes derisa një ditë ngrihesh nga tavolina overdoze. Interneti, apo pjesë që të vë në kontakt me botën, duhet të shërbejë për t’u takuar me njerëzit në botën reale dhe kurrsesi për të jetuar virtualisht.
E për ta mbyllur këtë kapitull, më poshtë po citoj artikullin tim të datës 23 Gusht 2012, që është botuar në të përditshmen online Hermesnews me titull “Interneti i shërbën jetës, nuk e zëvendëson atë”. Kultura jonë po bëhet gjithnjë e më shumë e hapur dhe njohëse e botës ku jetojmë falë internetit. Njerëzit shkëmbëjnë vlera, ide, lidhin interesa pune dhe e gjitha kjo duhet t’i kompletojë ata, jo t’i izolojë siç kam parë disa herë. Njeriu ka nevojë dhe për shumë interesa të tjerë, që nuk janë as vetëm interneti, as vetëm televizioni apo çdo gjë tjetër e marrë “vetëm”. Ju propozoj përdorimin e të gjithave bashkë në sasinë që ju duhet ju, jo atyre.
Shqipëria, një hap afër dhe larg rregullimit të informacionit online
Disa rregullime për mediat online, janë futur brenda projektligjit të ri për “Tregtinë elektronike të ndryshuar” nr 10128, dt 11/05/2009. Në nenin nr 3 të këtij p/ligji, pika 2, shkruhet se “Shërbimet e shoqërisë së informacionit përfshijnë veprimtaritë ekonomike që konsistojnë në shitjen e mallrave online, në shërbimet e ofruara pa pagesë siç janë shërbimet që ofrojnë informacion, komunikime tregtare, mjete të kërkimit të informacionit, aksesin dhe shkarkimin e të dhënave në internet…”
Qeveria shqiptare kërkon regjistrimin e mediave online në QKR, të paktën ato media që operojnë në territorin e Republikës së Shqipërisë. Një media online (gazeta online) mund të operojë ose jo në territorin e Republikës së Shqipërisë, pasi siç dihet askush nuk e pengon që serveri i mediave online të jetë dhe jashtë Republikës së Shqipërisë, dhe dipas ligjeve europiane, përgjegjsia për shkelje bie në atë vend ku ndodhet serveri. Pra në një farë menyre, me rregullat e reja, Shqipëria ndodhet një hap më afër botës së komunikimit, meqë po bën përpjekje të rëndësishme për ta kuptuar, por dhe një hap larg duke qenë se bie ndesh me normat dhe direktivat europiane për përgjegjësinë e shkeljeve online.
Regjistrimi i mediave online, nuk është mjaftueshëm për të ndalur shpifjet, apo informacione e pakontrolluara që shkelin etikën dhe parimet e vertetësisë se informacionit.
Një tjetër moment i rëndësishëm i këtij projektligji (Neni 17. Pika b.) është dhe heqja e komenteve brenda 48 orëve nga marrja e njoftimit nga një palë e cënuar, ose brenda 24 orëve nga vendimi i gjykatës.
Kohë e pamjaftueshme, dhe përveç kësaj mungon me siguri dëshmia (prova) që tregon marrjen e këtij njoftimi, dhe mënyra sesi dërgohet ky njoftim (email, postë). Veç kësaj nuk janë trajtuar rastet kur komentet janë të lidhura më faqen e Facebook-ut. Kush është përgjegjës media që i publikon, apo Facebook që i përmban?
Në fund me gjithë vullnetin e mirë për të respektuar palët e prekura dhe editorët e mediave online, kemi të bëjmë më një ekuilibër shumë të brishtë dhe tejet të vështirë për t’u sistemuar, problem që mund të zgjidhet me kohën. Për këtë, kërkohet pjesëmarrja e të gjithë aktorëve, debati, dhe studimet mbi inovacionin dhe teknologjinë, për të filluar ngadalë të vëmë disa pika mbi etikën e mediave online, në shërbim të interesit të përgjithshëm publik. Dhe ky është një proçes i vazhdueshëm.
*Autorja është Drejtoreshë e Hermesnews.al
Burimi: https://citizens-channel.com/2017/03/14/mediat-online-si-pjese-e-teknologjise-debatit-dhe-etikes/
Tags:Etika, mediat e reja, teknologjia