Kur në një moment gjatë Luftës së Dytë Botërore Uinston Çërçillin e pyetën, nëse duheshin shkurtuar fondet e kulturës për të rritur ato të luftës, ai u përgjigj: ‘Po atëherë, pse po luftojmë ne?’ Kjo është një nga thëniet që ripërsëritet shpesh për të treguar rëndësinë e kulturës për një shoqëri dhe faktin e identifikimit të saj me kulturën.
Gazetaria e kulturës është një sfidë, sidomos në median shqiptare. Duke i përkitur një medieje, e cila ende nuk ka dalë nga tranzicioni, gazetaria e kulturës mbetet më e paqëndrueshmja dhe më e keqpaguara në çdo redaksi, sepse këqyret si një ‘shtojcë’ shpesh e parëndësishme nga drejtuesit dhe financuesit e mediave. Një vështrim i shpejtë i vendit të reporterit dhe gazetarit të kulturës, mbase është një mundësi për të parë pak më shumë rreth ‘evolucionit’ të këtij profili gazetarie në vite.
Rënia e sistemit monist krijoi mundësi lirie edhe për median. Por, nëse liria ishte një mundësi, profesionalizmi ishte një premisë e munguar në fillimet e viteve ’90. Një ndër gazetat kryesore të kohës, e cilat shquhej për rubrikat cilësore të kulturës, ishte ‘Zëri i rinisë’. Ajo vijoi të botohej dhe për disa vite nuk e bjerri cilësinë. Gazeta ‘Drita’, organ i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, vijoi gjithashtu të botohej, por ajo nuk kishte më cilësinë dhe rëndësinë e dikurshme, si emetuese e vlerave dhe orientuese e lexuesit për kulturën. Revista ‘Nëntori’, gjithashtu, për mungesë fondesh dhe stafi e humbi vijueshmërinë dhe rëndësinë e mëparshme. Gazetarët dhe redaktorët e njohur të kulturës në këto organe, me ndërrimin e sistemit, nuk iu kushtuan më profesionit të gazetarit, në të shumtën e herës. Megjithatë disa prej tyre mbeten si modele për t’u ndjekur nga gazetarët e rinj të kulturës, në mediat e reja, që filluan të ngriheshin; sigurisht, duke përjashtuar ideologjinë nga shkrimet e tyre, në rastet kur merreshin si referenca për më të rinjtë.
Duhet pohuar se ishin gazetat ato që dominuan tregun në fillimet e viteve ’90. Më së shumti gazeta partiake, të cilat kishin herë pas here edhe lajme nga kultura. ‘Koha jonë’ ishte gazeta e parë e pavarur, e cila me rubrikat dhe organizimin fiks të saj nisi të bëhej një pioniere edhe e gazetarisë së re në vend. Tregu i gazetave të pavarura nisi të merrte formë, sidomos në fund të viteve ’90. Krahasuar me vendet e tjera të Lindjes, evolucioni mediatik shqiptar mbetet ende një çudi për studiuesit e huaj të mediave. Vendet e tjera të Europës Juglindore patën një rritje të madhe të numrit të gazetave, radiove dhe televizioneve në vitet e para të ndërrimit të sistemit, ndërsa Shqipëria nuk e njohu këtë trend. Rritja në vend e numrit të mediave ndodhi në fund të viteve ’90 dhe në fillim të viteve 2000. Ndërsa në pjesën tjetër të ish kampit socialist në fund të viteve ’90 mediat filluan të tkurreshin dhe të arrinin kufijtë normalë të raportit me popullatën dhe me tregun.
Ka shumë arsye që e shpjegojnë këtë rrugë të kundërt të zhvillimit të medias në Shqipëri krahasuar me pjesën tjetër të vendeve ish socialiste, por mbase më kryesorja mbetet arsyeja që mediat në vend nuk janë kurrë një biznes mediatik, por gjithmonë shtojca të bizneseve të tjera. Ato vetëm në raste shumë të rralla kanë mundur të balancojnë raportin e parave të shpenzuara për prodhimin e tyre me paratë e fituara pas shitjes së tyre. Pronarët e mediave në përgjithësi nuk vijnë nga bota e medias dhe drejtuesit që ata zgjedhin vihen shpejt në shërbim të interesave të pronarëve, në këmbim të pagave marramendëse. Nuk është e rastit sot të gjesh paga drejtuesish mediatikë që, krahasuar me reporterët, janë disa dhjetëra herë më të larta. Mungesa e ligjit dhe shkalla e ulët e zbatimit të tij mbeten gjithashtu arsye se pse media shqiptare ‘ecën mbrapsht’ krahasuar me trendin normal të zhvillimit. Mënyra se si media funksionon ka nxitur hyrjen në këtë industri të njerëzve që nuk shqetësohen për interesin e publikut, madje në disa raste ata e pohojnë natyrshëm se kjo nuk hyn në prioritetet e tyre. Nisur nga interesat e ngushta personale shpesh drejtuesit e medias ushtrojnë presion mbi reporterët dhe në disa raste nuk bëhet më fjalë për censurë, por për autocensurë, sepse vetë reporterët e dinë ‘vijën e kufirit të lejuar’ nga media në të cilën punojnë dhe as që nxiten të shkruajnë për çështje, të cilat bien ndesh me interesat e pronarit të medias ku ata marrin rrogën. Ndërhyrja e politikës në media është, gjithashtu, e dukshme dhe është e qartë se kjo mbetet një nga arsyet kryesore të gjendjes jonormale të medias shqiptare. Mbi të gjitha mungesa e statusit të gazetarit dhe puna në të zezë e njerëzve të këtij profesioni, që nuk është thjesht profesion, e dëmton rrënjësisht misionin e medias në shoqërinë shqiptare.
Por çfarë ndodh me gazetarinë e kulturës? Sikurse iu referuam fillimeve të medias së lirë, disa nga gazetarët e kulturës të viteve të para në dekadën ’90, nisën punën në gazetën e parë të pavarur, disa të tjerë i patën fillimet në gazetat partiake. Është fakt se nga ata, që nisën punën si reporterë kulture dy dekada më parë, sot vetëm pak syresh vijojnë të merren herë pas here edhe me kulturën. Përgjatë dy dekadave të fundit, në trajnimet dhe takimet me gazetarë europianë dhe amerikanë, atyre u bën përshtypje fakti që gazetarët shqiptarë nuk kanë karriera të gjata dhe nuk investohen gjatë karrierës së tyre në një fushë të caktuar. Rasti i gazetarëve të kulturës është rasti tipik i një karriere të paqëndrueshme dhe të papërcaktuar. Gazetarët e kronikës së zezë, ata të sportit dhe të politikës, janë mbase më të qëndrueshmit, nëse e shohim në vijimësi ecurinë profesionale. Pse gazetarët e kulturës ndërrojnë shpesh profil? Kjo ndodh, sepse në çdo redaksi rubrika e kulturës është më e keqpaguara dhe në vizionin e drejtuesve ajo shpesh është e parëndësishme. Nëse ka nevojë për më shumë faqe, sepse diçka e rëndësishme ka ndodhur, nuk është çudi që kulturës t’i hiqet faqja atë ditë në gazetë.
Vetë gazetarët e kulturës tentojnë të ndërrojnë profil, të ndodhur përpara një realiteti i cili është më deprivues për ta, sesa për kolegë të rubrikave të tjera. Janë me dhjetëra rastet e ndërrimit të profilit të gazetarit të kulturës në çfarëdo rubrike tjetër, vetëm pse paga e ofruar është më e lartë, sesa tek rubrika e kulturës. Duke qenë të fundit për nga rëndësia në perceptim dhe në pagesë, gazetarët e kulturës mbeten midis dilemës së të qenit idealist, apo pragmatik. Dhe rëndom zgjedhin pragmatizmin, duke ndërruar rubrikë.
Ka vetëm pak reporterë kulture që spikatin që në fillimet e tyre, sepse kanë një formim të mirë dhe që kultura e tyre u rezonon me rubrikën në të cilën punojnë. Duke qenë një fushë që kërkon patjetër një përgatitje të përgjithshme disavjeçare, shumë reporterë nuk e përballojnë dot mbulimin e rubrikës, edhe si pasojë e pamundësisë konkrete për ta mbuluar. Boshllëqet në kulturë dhe mungesa e dëshirës për t’u rritur profesionalisht janë shpesh arsyeja se pse një reporter i ri nuk e vijon më punën në rubrikën e kulturës. Në jo pak raste reporterët e rinj të kulturës e shohin stazhin e tyre në atë rubrikë si një mundësi kontaktesh dhe përfitimesh personale dhe jo si një angazhim në funksion të publikut.
Ka një kontradiktë në mënyrën se si konceptohet gazetari i kulturës nga media ku ai punon dhe në mënyrën se si receptohet ai nga publiku. Lajmet e kulturës nuk janë ato që ‘shesin gazetën’, por, ama, nëse janë të shkruara mirë dh,e nëse e mbulojnë siç duhet terrenin, gazetarët e kulturës i sigurojnë integritet dhe cilësi gazetës. Ka një kategori lexuesish që e blejnë atë vetëm për faqet e kulturës, kur ato janë shkruar me profesionalizëm.
Një kontradiktë që e prodhon vetë sistemi është rekrutimi i gazetarëve të rinj. Ata më së shumti i fusin tek rubrika e kulturës, meqë edhe i paguajnë më pak. Nuk u kërkohet dhe nuk u bëhet ndonjë test për formimin dhe mundësitë reale që kanë për të mbuluar këtë fushë. Në dekadën e parë të medias së lirë në Shqipëri përzgjedhja e gazetarëve të rinj kishte kritere dhe ekzistonte konkurrenca brenda rubrikës; por në dekadën e dytë, sidomos në vitet e fundit, nuk ekziston më as gëzimi i botimit të një lajmi nga një reporter i ri. Redaksitë nuk kanë filtra dhe reporterëve u kërkohet të mbushin faqe që në ditën e parë të punës. Hierarkia profesionale nuk i ka më hallkat e zinxhirit. Nuk ka më redaktorë që paguhen vetëm si të tillë. Madje shpesh, në gazeta të vogla, të gjithë mbushin faqe, duke e kthyer daljen e gazetës në një sfidë të mbushjes së sipërfaqes dhe jo në një përzgjedhje dhe përcjellje profesionale të lajmeve tek lexuesi.
Investimi në burime, në literaturë, në trajnime, udhëtime dhe në gjithçka tjetër që e rrit profesionalisht një gazetar kulture, është diçka e panjohur për ata që drejtojnë median dhe për ata që e financojnë. Kjo mungesë financiare reflektohet në shtrembërimin në pasqyrim. Po të shohësh gazetat e përditshme, ato të servirin lajme për kulturën në një masë të madhe vetëm brenda Tiranës, sepse reporterët nuk dalin përtej kryeqytetit dhe reporterët e rretheve po pakësohen me shpejtësi, sepse i kanë të pasigurta pagesat.
Le të ndalemi brenda rubrikës së kulturës. Shefi i kulturës nuk është gjithmonë gazetari më me përvojë dhe as redaktori më i mirë në sektor, i cili e drejton rubrikën sepse e njeh mirë dhe sepse ka treguar aftësi. Rëndom ai e ka atë pozicion nisur nga lidhjet me pronarin dhe me drejtuesin e medias. Aq e vërtetë është kjo, saqë në një nga redaksitë e njërës prej gazetave më të mëdha në vend, para disa vitesh, një lexues kërkonte shefen e kulturës në telefon, por përmendte emrin e vartëses . Kur shefja i doli në telefon, ai e refuzoi duke i thënë se po kërkonte vartësen, sepse nga perceptimi i tij si lexues, vartësja vlente më shumë dhe ai e kishte ndërtuar hierarkinë sipas shkrimeve të botuara në gazetë dhe jo sipas njohjeve dhe aferave brenda gazetës.
Një problem mjaft i madh brenda vetë rubrikave të kulturës mbetet mungesa e profililizimit të gazetarëve. Ka pak gazetarë që dinë të trajtojnë mirë çështjet që lidhen me gjuhën shqipe, me librin, me monumentet, me muzikën, me pikturën, me teatrin, me filmin, me folklorin dhe me gjithçka tjetër që i përket trashëgimisë kulturore. Në termat e gazetarisë profesioniste, një gazetar bëhet thuajse specialist, nëse ai për disa vjet rresht mbulon të njëjtin sektor. Por kjo nuk ndodh në mediat shqiptare. Gjithë mënyra e funksionimit të tyre është kundër rritjes normale të një profesionisti dhe kundër profilizimit të tij.
Çfarë bëjnë vetë gazetarët e kulturës për rritjen e tyre profesionale, shpesh u dedikohet lidhjeve me grupet e caktuara të profesionistëve në art dhe kulturë. Por këtu vërehen shpesh devijime nga pikëpamja profesionale. Kur një gazetar kulture sponsorizohet nga një shoqatë kineastësh për të ndjekur një festival filmi, në të cilin marrin pjesë edhe disa nga anëtarët e shoqatës, ai ka konflikt interesi. Nuk mund të shkruajë lirshëm çfarë mendon dhe ndien, sepse është i kushtëzuar nga financimi i kineastëve. Dhe nuk janë të pakta rastet kur gazetarët e kulturës krijojnë miqësi dhe bëhen zëdhënës të grupeve dhe klaneve, vetëm sepse këto grupe dhe klane i financojnë dhe u japin mundësi atyre herë pas here, mundësi të cilat nuk ua jep kurrë redaksia, që e ka për detyrë.
Një problem mjaft i madh mbetet orientimi i publikut. Duke mos pasur gazetarë profesionistë, njëkohësisht duke mos paguar me honorare specialistë të fushave të ndryshme të kulturës dhe letërsisë, redaksitë dëmtojnë publikun. Në gazeta botohen lajme, recensione dhe kritika të cilat nuk janë objektive. Një lexues i zakonshëm nuk do të mund të orientohej dot saktë, nëse ai do t’u referohej vetëm gazetave dhe televizioneve e radiove për të ndjekur se çfarë ndodh në kulturë.
Gazetarët e kulturës nuk e kanë si qëllim promovimin e vlerave dhe as të talenteve të reja. Puna e tyre reduktohet shpesh vetëm në mbushjen e faqeve. Prandaj nuk është rastësi që në faqet e shtypit, ose në median elektronike, asnjëherë nuk mund të gjesh shkrime dhe materiale që u paraprijnë zhvillimeve kulturore, ose që lajmërojnë për suksesin e artistëve dhe shkrimtarëve të rinj. Njëkohësisht e pambuluar mbetet ndjekja e aktivitetit të artistëve shqiptarë jashtë vendit. Zakonisht lajmet kulturore lajmërohen nga vetë të interesuarit dhe gazetari i kulturës shkon me porosi të mbulojë një aktivitet ose një zhvillim dhe jo e kundërta. Nuk është e rastit që shkrimtarët dhe artistët, të cilët kanë më shumë aftësi menaxheriale, gjenden më shumë të pasqyruar në media dhe ata që nuk janë menaxherë të mirë të vetes, thuajse nuk e njohin publicitetin.
Një nga problemet që po bie shumë në sy së fundi është transformimi i gazetarit të kulturës në një gazetar të argëtimit, të thashethemeve dhe në një farë paparaci të kombinuar. Kanë mbetur vetëm pak gazeta që e kanë ruajtur profilin e tyre të papërzier me tabloidët. Fenomeni i shfaqjes së jetës private të njerëzve të njohur dhe i thashethemeve po merr terren tashmë edhe në televizione. E në këtë transformim edhe gazetarët e kulturës po i shkojnë pas trendit dhe nuk po e krijojnë ata trendin.
E mbetur në skajet e vëmendjes dhe të financimit, gazetaria e kulturës tashmë është krejtësisht në dorën e atyre reporterëve dhe gazetarëve, të cilët nuk e shohin këtë profesion si një mundësi tranzit për të shkuar diku tjetër. Gazetaria e kulturës, ashtu si gjithë media dhe shoqëria shqiptare reflekton problemet e kohës dhe nuk është e as mund të shihet e shkëputur nga koha e tashme. Por, sikurse edhe e përmendëm në paragrafin e parë, nëse nuk jemi një shoqëri që investojmë për kulturën dhe për ata që e bëjnë dhe e pasqyrojnë kulturën, atëherë çfarë shoqërie jemi?