Qindra mijëra euro për reklamat jotransparente të Qeverisë së Kosovës

16 Janar , 2019 • Kryesoret, Marrëdhëniet Publike, Shkrimet më të fundit • by

Vetëm Ministria e Infrastrukturës për vitin 2018 ka shpenzuar mbi 100 mijë euro në reklama në portalet kosovare, ndërsa një pjesë e madhe e ministrive nuk janë aspak transparente në publikimin e shpenzimeve të tyre për reklamim. Nuk dihet po ashtu se cilat portale përfitojnë nga paratë e buxhetit të shtetit.

Nga 21 ministri sa ka gjithsej Qeveria e Republikës së Kosovës, nëntë prej tyre janë përgjigjur në kërkesën për qasje në të dhënat zyrtare për buxhetin që ndahet për marketing në media online dhe ato sociale për vitin 2017 dhe 2018. Ministria e Financave, Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Infrastrukturës, ajo e Punëve të Brendshme, Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë, Ministria e Drejtësisë, dhe Ministria për Kthim dhe Komunitete – kanë kthyer përgjigjje në kërkesën mbi shpenzimet e reklamimit gjatë dy viteve të fundit (17/18).

Por, jo të gjitha i kanë bërë publike kontratat dhe emrat e mediave të angazhuara për të bërë marketing me paratë e buxhetit të Kosovës. Nga të dhënat rezulton se Ministria e Infrastrukturës nuk është shpenzuesja më e madhe vetëm e buxhetit të përgjitshëm shtetëror në dy vitet e fundit. E udhëhequr nga Pal Lekaj nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kjo ministri radhitet lartë në listën e shpenzimeve edhe në kategorinë e reklamimit për mediat online me mbi 110 mijë euro të shpenzuara nga taksat e qytetarëve.

Në një përgjigje të shkurtër të Ministrisë së Infrastrukturës thuhet se për vitin 2018 nga Ministria e Infrastrukturës, për marketing, shpallje e publikime në portale dhe gazeta JANË shpenzuar 110’953 euro.«Shto këtu edhe shpenzimet shtesë për shpallje, publikime, kampanja informuese që mund të dalin pa planifikim si pasojë e ndonjë situate të caktuar», thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Infrastrukturës. Kjo ministri nuk i ka bërë publike emrat e mediat në të cilat shpenzon buxhetin në këmbim të reklamës për punën e saj, sikurse nuk i ka publikuar shpenzimet e vitit 2017 dhe shpenzimet e paplanifikuara.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik të Kosovës (MZHE) ka shpenzuar afër 22 mijë euro për reklama në media online gjatë vitit 2017.

Janë gjithsej 20 portale me të cilat MZHE-ja ka të lidhur kontratë për reklamim në periudhën kohore 2017-2020. Ato janw: www.telegrafi.com, gazetaexpress.com, kosovapress.com, indeksonline.net, lajmi.net, ekonomiaonline.net, zeri.info, koha.net, kosovaonline.info, gazetafjala.com, insajderi.com, infokusi.com, gazetablic.com, orainfo.com, reporteri.net, gazetametro.net, ekonomia-ks.net, fishmedia.com, gazetaprishtine.com, epokaere.com Shumica prej tyre janë anëtare të Këshillit për Mediat e Shkruara (KMSHK). Por, të tjerat janë portale të cilat – sipas analizës në momentin që po shkruhet artikulli – funksionojnë vetëm në Facebook apo nuk e kanë të publikuar impresumin dhe të dhënat e botuesit; rrjedhimisht konsiderohen si anonime.

Ministria e Punëve të Brendshme ka deklaruar se ka të lidhur vetëm një kontratë me afat trevjeçar dhe si e tillë kjo kontratë mbyllet në vitin 2019. Sipas kontratës kornizë, vlera e saj është 29 mijë euro dhe shërbimet do të kryhen nga kompania «DNW» nga Prishtina; sipas agjensisë së regjistrimit të bizneseve «DNW» është biznes individual që ka si aktivitet primar këshillimin e bizneseve. Në bazë të kontratës, kompania ka për detyrë të realizojë tri spote televizive në vlerë prej 8 mijë euro, të blejë hapësirën reklamuese për shfaqjen e spoteve në vlerë prej 16 mijë euro si dhe të blejë hapësirë reklamuese për shfaqjen e spoteve në portale online në vlerë prej 5 mijë euro.

Zyra për Informim e Ministrisë së Brendshme njofton se «kompania ka pasur të lidhur marrëveshje me këto portale: Telegrafi, Indeksonline, Koha.net, Zëri dhe Blic». Për dallim nga Ministria e Brendshme, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në vitin 2017 kanë shpenzuar mbi 127 mijë euro në kategorinë e informimit publik, botimeve dhe publikimeve. Ndërsa për vitin 2018 deri në muajin tetor janë shpenzuar 21’638’50 euro. Sipas tyre këto shuma janë të justifikueshme për shkak të volumit të madh të reklamimit dhe shpalljeve.

«Në këto vlera hyjnë shpenzimet për fushata mediale në portale online, pagesat për kompaninë e kontraktuar për zhvillimin e videospoteve publicitare, publikimet e ndryshme me interes të institucionit tonë (Ministrisë së Bujqësisë) siç janë: konkurset, shpalljet, thirrjet për aplikim për fermerë», sqaron Zyra për Informim e kësaj Ministrie. Ministria e Bujqësisë ka sqaruar se vetëm për fushata mediale në portale online gjatë vitit 2017 janë shpenzuar rreth 97 mijë euro.

Divizioni për Komunikim me Publikun menaxhon faqen zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë përmes faqes zyrtare në rrjetin social Facebook dhe Instagram. «Në këto aplikacione varësisht prej nevojave e paguajmë një shumë të caktuar të mjeteve për të rritur targetin e ndjekësve në këto rrjete, mirëpo në vitin 2017 dhe këtë vit nuk kemi shpenzuar në këtë kategori», njofton Ministria.

Kontratat për kompanitë të cilat kontraktohen për kryerjen e shërbimeve bëhen varësisht prej projektit dhe zakonisht janë një vjeçare.

Ndërsa Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë është kontradiktore në përgjigjjen e saj. «Ministria e Inovacionit dhe Ndërmarrësisë nuk ka marrëveshje me asnjë media online për marketing, pasi siç jeni në dijeni ne nga themelimi për çështje të caktuara jemi shërbyer nga marrëveshjet me Ministrinë e Integrimeve Evropiane». Në anën tjetër ajo pohon diçka tjetër në po të njëjtën përgjigje.

«Aktualisht kemi kontratë për përcjellje te ngjarjeve të MIN me ‘Ekonomia Online’, por sa i përket marketingut nuk funksionojmë me kontratë».

Ndryshe nga Ministritë përkatëse, Zyra e Kryeministrit deklaron se nuk ka ndarë mjete buxhetore për reklama në mediat online dhe ato sociale. Donjeta Gashi, zëdhënëse e kryeministrisë, bën të ditur se ekziston një kontratë simbolike me një media për publikimin e konkurseve të zyrës së kryeministrit. Ajo nuk e ka bërë publike emrin e medias dhe shumën e buxhetit që harxhohet. Çdo gjë tjetër, sipas saj, reklamohet në Radio Televizionin Publik (RTK) pa pagesë. Ndonëse zëdhënëse e kreut të ekzekutivit, Gashi nuk komentoi mbi kontratat e Ministrive tjera duke kërkuar që pyetjet të drejtohen në adresë të secilës prej tyre veç e veç.

Janë të paktën tri ministri të cilat janë përgjigjur në kërkesën për qasje në të dhënat zyrtare e të cilat kanë deklaruar se nuk paguajnë mediat online për reklama. Bëhet fjalë për Ministrinë e Financave, Ministrinë për Kthim dhe Komunitete si dhe Ministrinë e Drejtësisë.

Monitorimi në kuadër të projektit «E vërteta online» tregon se logot e ministrive dhe reklama të ndryshme janë të pranishme vazhdimisht në portalet kosovare si dhe ministra dhe zëvendësministra të caktuar bëjnë marketing në media sociale, veçanërisht në Facebook. Ata nuk kanë qenë të gatshëm të bëjnë publike shumën e buxhetit që ndahet për këto kategori si dhe nëse ajo pjesë e buxhetit derdhet nga llogaria personale apo nga ajo e shtetit.
Në indeksin rajonal të hapjes së të dhënave, Qeveria e Kosovës zë vendin e fundit në listë ndërsa Zyra e Kryeministrit të Kosovës është kampione për mostransparencë.

Organizimi i informacionit, prokurimi publik dhe transparenca e buxhetit janë tri komponentet mbi të cilat është analizuar niveli i transparencës në pushtetet ekzekutive në gjashtë vendet e rajonit. Kosova ka plotësuar vetëm 29 përqind të kritereve, prandaj është ranguar e fundit në rajon. Një nga mangësitë kryesore në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës është mungesa e transparencës në shpenzimin e buxhetit. Qindra mijëra euro taksa të qytetarëve të shpenzuara në reklama nëpër mediume dhe pa një transparencë të mirëfillët, i bëjnë të pabesueshme thirrjet dhe zotimet publike të qeveritarëve për rritje të transparencës.

Ky artikull është përkrahur në kuadër të projektit të financuar nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe i zbatuar nga BIRN dhe AGK. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e autorit dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian ose BIRN-it dhe AGK-së. 

Burimi: https://zeri.info/zerat/234721/qindra-mijera-euro-per-reklamat-jotransparente-te-qeverise-se-kosoves/

Print Friendly, PDF & Email

Tags:,

Send this to a friend