Lajme të rrejshme, shpifje, krime, mosnjohje e rregullave elementare të gazetarisë, shkelje të etikës – kjo është gazetaria shqiptare sot. Ata që respektojnë standardet profesionale duhet të luftojnë shumë përballë kësaj epidemie.
Është e pabesueshme me çfarë shpejtësie mediat në trevat shqiptare po e demontojnë, po e shkatërrojnë vetveten. Është e tmerrshme që në këtë varrim të gazetarisë po marrin pjesë vetë gazetarët. I kanë marrë lopatat dhe po ia hapin varrin gazetarisë. Ose thënë më mirë: me-nder-me-thënë-gazetarët po e groposin gazetarinë. Duke qenë profesion i pambrojtur me ligj, siç është, ta zëmë, profesioni i avokatit, çdo idiot mund të thotë se është gazetar. Dhe çdo gazetar mund të merret me idiotizma nëse sheh një apo disa burime financiare. Çdo idiot po ashtu mund të ndërtojë një faqe në internet, ta quaj portal lajmesh dhe të shpërndajë rrena – për interesa të mafies politike, mafies së drogës, mafies së ekonomisë së zezë.
Për çdo ditë në hapësirën mediale shfaqet një portal i ri për të vazhduar kryerjen e krimeve mediatike. Shumica e portaleve nuk kanë as adresa, ndërsa nuk dihet po ashtu sa gazetarë kanë, as kush mban përgjegjësi për përmbajtjen. Nga tematika e lajmeve që postojnë mund të supozohet se cilit kamp politik i takojnë. Pushteti ka më shumë mjete dhe përmes financimit të tërthortë nga ndërmarrjet publike apo private mban gjallë portale që shërbejnë veç për njollosje të kundërshtarit politik dhe për lartësim të figurave të pushtetit. Qëmoti në moçalin e mediave shqiptare aplikohet rregulli i çmendur: hap zjarr së pari, pastaj pyet. Qëllimi nuk është informimi i opinionit, por propaganda më primitive, më bizare në betejën për pushtet.
Portalet e moçalit zakonisht mbijetojnë duke vjedhur lajmet e mediave të tjera, serioze. Vidhen edhe komente, intervista, kolumne, portrete, reportazhe, vështrime historike. Vidhet gjithçka, sepse për të vjedhur gjithçka janë krijuar portalet e moçalit. Fundja edhe vetë financuesit e tyre janë vjedhës. Kështu vetëm zgjatet zinxhiri i vjedhjes. Nëse, helbete, një gazetar merr guximin të kërkojë nga portali vjedhës të fshijë lajmin e vjedhur, menjëherë shpërthen sherri: pronari i portalit vjedhës mund të të akuzojë që po ia prish qetësinë. Pastaj mund të fillojë një fushatë shpifëse kundër gazetarit që vetëm po e mbron punën e tij të ndershme.
Një metodë e re gazetareske që po praktikohet jo vetëm nga portalet me «një gazetar», por edhe prej mediave më serioze, është botimi i deklaratave dhe broçkullave që politikanët i postojnë në Facebook – pa asnjë ndërhyrje gazetareske. Ky rrjet social është një hapësirë ku politikanët mund të flasin çfarë të duan, pa u ballafaquar me pyetje kritike. Ndryshe flasin e llomotisin politikanët në Facebook, ndryshe do të flisnin para gazetarëve, për shembull në një konferencë për shtyp. Për t’iu ikur konferencave për shtyp, ballafaqimeve me media, shumë politikanë prononcohen vetëm përmes Facebookut. Pastaj politikanët e kanë të garantuar titullin: «Godet fuqishëm Filan Fisteku». Kur hap këtë lajm, e sheh se goditja ka qenë, më së shumti, një lëvizje gishti, një kotësi, që na shitet si lajm me titull bombastik.
Rast për studim është historia e «pordhës së kalit» për nuancat e duhmës të së cilës garuan në Facebook Jakup Krasniqi dhe Isa Mustafa. I pari ka qenë zëdhënës i UÇK-së, ministër, kryetar Kuvendi, kryetar shteti (në detyrë). I dyti ka qenë ministër i Financave në Qeverinë në ekzil, kryetar i Prishtinës, aktualisht është kryeministër. Mustafa madje është anëtar i Akademisë së Shkencave, një institucion ku prej vitesh e sheh veten anëtar edhe Jakup Krasniqi. Në rrethana normale Krasniqi e Mustafa do të ishin shembuj të komunikimit publik. Nuk janë. Në një status në Facebook Jakup Krasniqi shkroi: «Mos na e fyeni inteligjencën! Prandaj Kryeministër, <mos shitë pordhë kali> për moral e ndershmëri!» Mediat nuk reaguan kundër kësaj rrëshqitjeje verbale të Krasniqit. Gazetarët seriozë do të duhej ta ballafaqonin atë me pyetje kritike. Gazetarët e moçaleve kosovare ia futën gjumë dhe pritën përgjigjen e Isa Mustafës. Dhe ai përgjigjen ia servoi të gatshme opinionit, gazetarët vetëm duhej ta postonin në por(dh)talet e tyre. Isa Mustafa nënvizoi se Jakup Krasniqi po bëhet merak për fatin e LDK-së, ndonëse nuk i ka bërë kurrë nderime Ibrahim Rugovës – së paku te varri. Pa ia përmendur emrin Jakup Krasniqit kryeministri nënvizoi se ata, dmth. kritikët e LDK-së, «ishin shërbyer edhe me prapanicën e kalit. Ata mund t’i fryjnë kësaj prapanice natë e ditë». Gazetarët e moçalit por(dh)talesk fërkonin duart në pritje të reagimit të Jakup Krasniqit. Dhe Krasniqi reagoi duke e pyetur Isa Mustafën se çfarë po bënte ai te bythët e kalit. Dreqi e marrtë: krejt kjo storje kaloi pa asnjë përpunim gazetaresk. Gazetarët ishin vetëm shënues të procesverbalit nga debati virtual mes Krasniqit dhe Mustafës. Do të mund të shkruheshin disa komente dhe ese për degradimin e gjuhës publike në Kosovë. Nuk u shkruan, sepse në gazetari janë futur shumë Kuaj Troje, nëse e ruajmë imazhin e kalit e pelës të skicuar nga dueti Krasniqi & Mustafa.
Rast për studim është edhe lajmi i shpërndarë këto ditë nga portalet e moçalit se Kroacia e ka dënuar ish-kryeministrin Ivo Sanader dhe ia ka konfiskuar atij tërë pasurinë. Portalet krijuan përshtypjen se Sanader ishte dënuar javën që shkoi. Pra, në mars të vitit 2016. Në fakt Sanader është dënuar në vitin 2012. Ndërkohë Gjykata Kushtetuese e Kroacisë e ka anuluar vendimin për shkak të shkeljeve procedurale. Asnjë dreqi nuk i intereson kjo në Kosovë. As në Shqipëri. Vëllezërit tanë të gjakut, mendjes, shpirtit, zemrës, veshkave nga Kukësi në Sarandë janë po aq të gatshëm të shpërndajnë lajme të rrejshme si idiotët e gazetarisë kosovare. Jemi një!
Rast për studim është edhe manipulimi i lajmit për dhunimin e një fëmije me origjinë serbe nga një irakian në Austri. Në mediat e moçalit shqiptar dhunues u bë fëmija serb, viktimë irakiani. Në vitin 2016 po shihet se paratë që i kanë dhënë BE, OSBE, OKB dhe organizata të tjera për të aplikuar standarde serioze të gazetarisë në Kosovë, Shqipëri dhe në Maqedoninë shqiptare – janë para të djegura. Ata gazetarë që respektojnë standardet profesionale duhet të luftojnë shumë përballë kësaj epidemie. Nuk duhet pasur shpresë se në viset shqiptare do të merret seriozisht nga të ashtuquajturit gazetarë kjo porosi e disidentit dhe gazetarit polak Adam Michnik: «Perëndia jonë që na priu e na nxori nga skllavëria ka dy emra: Liria dhe e Vërteta. Kësaj Perëndie duhet t’i nënshtrohemi e t’i jepemi me mish e me shpirt. Kjo Perëndi është xhelozie. Ajo kërkon besnikëri absolute. Në qoftë se u përulemi perëndive të tjera – shteti, kombi, familja, siguria publike – në kurriz të lirisë dhe së vërtetës, do të ndëshkohemi me humbjen e besueshmërisë. Pa qenë i besueshëm, kurrkush nuk mund të jetë gazetar.
Liri do të thotë liri njëlloj për të gjithë, jo vetëm për mua, por gjithashtu edhe për kundërshtarin tim, për këdo që mendon ndryshe nga unë. Ne duhet të mbrojmë lirinë e të gjithëve, sepse ky është edhe thelbi i profesionit tonë, i zanatit që ushtrojmë. I vetmi kufi për lirinë tonë është e vërteta. Neve na lejohet të shkruajmë gjithçka, por na ndalohet të gënjejmë. Gënjeshtra në penën e gazetarit nuk është thjesht një mëkat kundër parimeve të profesionit tonë, por gjithashtu është edhe një blasfemi kundër Perëndisë sonë. Gënjeshtra të skllavëron. Vetëm e vërteta ka forcë të të japë lirinë».