E dinim që s’do të ishte e lehtë. Për gazetat tradicionale siç është Diário de Notícias (DN) – një gazetë e përditshme me një redaksi konservatore, ndryshimi kurrë nuk ka qenë i lehtë. Por nga ana tjetër, kanë ndodhur ndryshime në ADN-në tonë, dhe mbase kjo mund të na e ketë bërë disi më të lehtë për ne.
Botimi për herë të parë i kësaj gazete 154 vite më parë shënoi fillimin e industrisë së gazetarisë portugeze. Ishte gazeta e parë që u botua duke përdorur një proces modern industrial dhe e para që adoptoi një model biznesi të ri që mbështetej tek reklamimi, në mënyrë që lexuesit të mos paguanin çmimin e plotë të gazetës.
Ishte gjithashtu gazeta e parë që u dallua për objektivitet, duke iu dhënë prioritet fakteve, jo opinioneve.
Këto ishin idetë e reja që çuan në themelimin e DN, dhe kontribuan në përhapjen e tregut të lajmeve në Portugali gjatë shekullit XIX. Çmimi – prej dhjetë réis – vazhdonte të ishte i njëjtë deri vonë në shekullin pasardhës. Motoja e gazetës ishte: “e disponueshme në çdo buxhet, e lehtë për t’u kuptuar nga të gjithë”.
Për herë të parë në Portugali, një gazetë, për shpërndarjen e saj, mbështetej ndaj një grup gazetarësh, të cilët dikur i shpërndarnin lajmet duke thirrur nëpër lagjet e Lisbonës – një ndryshim tjetër kryesor i cili kontriboi në popullaritetin e DN-së. Në ditët e sotme, një statujë e famshme jashtë zyrave qëndrore të gazetës nderon figurën ikonike të gazetarit të DN-së ose siç quhet ndryshe ardina.
Ndryshim gjatë natës
Megjithatë, kohët ndryshuan dhe gjërat u vështirësuan në biznesin e medias, sidomos gjatë viteve të fundit. Tirazhi i gazetës ra dhe audiencat online po rriteshin gjithnjë e më shumë. Kështu, në vitin 2018, bordi mori vendimin për të kaluar në format dixhital. Që atëherë, DN-ja do t’i fokusonte burimet e saj tek edicioni online, duke u publikuar në letër vetëm gjatë fundjavave.
Ishte një vendim radikal, por në këtë rast, ndryshimi rezultoi të ishte më i drejtpërdrejtë se sa ç’e kishim pritur për stafin e redaksisë. Pa dyshim që jo të gjithëve ju dukej e lehtë – por ia dolëm mbanë.
Ne ndryshuam gjithçka brenda natës – një qasje disi joortodokse, në bazë të ideve për menaxhimin e ndryshimeve që në përgjithësi pranoheshin. Në datën 1 qershor, fluksi i punës filloi të përqëndrohej tek prodhimi dixhital. Kjo do të thoshte se dy gjëra kryesore kishin ndryshuar. I pari ishte itinerari i publikimit: artikuj lajmesh u shfaqën online fiks në kohë reale. Gjëja e dytë ishte mënyra se si artikujt ishin formuluar – me video, grafika etj.
Para ndryshimit, ne kishim një departament të vogël për lajmet më të fundit dhe pjesa tjetër e stafit punonte kryesisht për edicionin e gazetës në letër. Versioni online kryesisht përmbante përshtatje të lajmeve të agjensisë dhe gjërat më të kërkuara në rrjetet sociale. Pas ndryshimit, të gjithë – nga stazhieri më i ri tek reporterët e famshëm – punonin deri në orët e vona me lajmet më të fundit.
Fluksi i lajmeve duhet të riorganizohej. Redaktorët e vjetër vendosën se çfarë dhe kur duhet të publikohej, dhe se cilët artikuj do të mbahen deri në edicionin e ditës së ardhshme. Vendime të tilla ishin shumë më të informuara se kurrë më parë, falë analitikave më të fundit.
Ruajtja e balancës
Ndryshimi më i rëndësishëm që kishte ndodhur në redaksi në vitet e fundit ishte përdorimi i paneleve për matjen e audiencave dhe analitikave. Në zyrat e DN-së ne u siguruam se çdokush mund t’i shihte ato në një ekran brenda redaksisë. Gazetarët mbetën të çuditur në fillim. Por më pas, ata donin të dinin më shumë: kush i kishte lexuar artikujt e tyre, për sa kohë, dhe nëse shkrimet kishin luajtuar ndonjë rol në shndërrimin e lexuesve në abonues.
Siç kanë thënë Rasmus Kleis Nielsen dhe Federica Cherubini në studimin e tyre “Editorial Analytics” për institutin Reuters: “ajo që shfaqet në anketimet tona nuk është rezistenca, por sfida që ndihmon gazetarët të arrijnë një kuptim të vërtetë të të dhënave dhe se si të veprojnë ndaj tyre”. Nielsen dhe Cherubini dolën në përfundimin se kjo mund të jetë një lojë shumë e rrezikshme për t’u luajtur dhe me nivel të lartë varësie. E ndryshon modelin nga pikëpamja e prodhimit në një pikëpamje më shumë të orientuar ndaj lexuesit. Gjithashtu, ajo vjen në kundërshti me atë që gazetarët e kanë ditur për një kohë të gjatë: “të mbajnë një balancë midis asaj që audienca ka nevojë ta dijë dhe asaj që audience dëshiron që ta dijë”, siç kanë shkruajtur Raul Ferrer-Conill dhe Edson C. Tandoc Jr. në studimin e tyre “The Audience-Oriented Editor”.
Të menduarit në mënyrë strategjike
Ne kishim vendosur të mos lejonim që interpretime të thjeshta të analitikave të na diktonin politikat tona redaktoriale. Ndërkohë që iu nënshtruam transformimit nga shtypi tek formati dixhital, ne në zyrat e Diário de Notícias, u siguruam të hidhnim një hap mbrapa për t’i dhënë kohë vetes të mendonim në mënyrë strategjike.
Vendosëm të mos fokusoheshim tek shifrat e pakuptimta dhe të përqëndroheshim tek ato që ishin më interesante: koha e angazhuar, sa lexues të rinj bëhen besnikë dhë përqindjet e konvertimit. Ne krijuam role të reja siç janë “redaktori jashtë platformës” – një redaktor i cili merret me përhapjen e materialeve të gazetës në adresat e mediave sociale dhe çdo lloj platforme tjetër që nuk kontrollohet nga ai ose nuk është pronë e tij. Ne diskutuam për numrat në një kontekst editorial. Dhe kjo sigurisht që na ndihmoi të vazhdonim më tej tek faza tjetër e evolucionit tonë dixhital.
Gazetaria 1.0
Për të cituar titullin e një raporti të Institutit Reuters të shkruajtur nga Julie Posetti, mbase “ka ardhur koha për t’iu larguar gjërave të shndritshme”. Duhet të jemi më të vëmendshëm ndaj zhvillimeve më të fundit të medias, sidomos kur kjo ka të bëjë me risitë e teknologjisë, por është e rëndësishme të mos i ndjekim risitë për hir të risisë, pa patur në mendje pasojat në praktikë. Realizimi i një gazetarie më të mirë dhe më të dobishme gjithmonë duhet të jetë synimi kryesor.
Në zyrat e Diário de Notícias, ne synuam të bëjmë gazetari të mirë në mënyrë serioze. Kjo do të thoshte të ktheheshim tek gjërat themelore. Siç ka thënë gazetarja dixhitale amerikane Kim Bui – e cila ishte e para të shpikte frazën “sindroma e gjërave të shndritshme” – rreziku më i madh i këtyre gjërave të shndritshme është se ato “na largojnë nga raportimi, dhe ne rrezikojmë të harrojmë se kush jemi”.
I gjithë fenomeni i keqinformimit dhe i lajmeve false, i cili u bë shumë i pranishëm në media, në fakt na ndihmoi të përqëndrohemi në atë që bëjmë. Ai ishte momenti kur u kthyem tek gazetaria 1.0, tek verifikimi, duke i marrë gjërat shtruar dhe duke i parë gjërat nga këndvështrime të ndryshme. Ashtu siç ishin një herë e një kohë kur ne kërkonim për ndonjë lajm dhe nuk kopjonim gjënë më të kërkuar në mediat sociale. Në atë kohë kur ne publikonim vetëm atë që mund ta vërtetonim.
Përse e gjithë kjo?
Para se të bësh ndryshimin, duhet të bësh pyetjet e duhura. E vetmja pikë e inovacionit është që të ndihmojë për të prodhuar gazetari më efikase dhe interesante. Na u desh të përmirësonim efikasitetin falë ndryshimeve të tregut. Ulëm kostot dhe filluam të kërkonin për mënyra më të mira për t’i kryer gjërat. Kjo na ndihmoi të bënim një punë më të mirë dhe të bëhemi më të dobishëm për lexuesit tanë.
Për gazetën Diário de Notícias të jesh i dobishëm do të thotë të jetë më i saktë dhe më i rreptë. Kjo është marka jonë – nuk jemi të shpejtë, por jemi gjithpërfshirës. Siç e ka përmendur Nic Newman në studimin e tij të institutit Reuters “The rise of social media and its impact on mainstream journalism”, “organizatat e lajmeve që tani po i braktisin përpjekjet për të qënë të parët për lajmet më të fundit, duke u përqëndruar në të qënurit më të mirët në verifikimin dhe kurimin e lajmit”. Ne po kontribojmë me projektin tone të investigimit të lajme false (e mbështetur nga Fondacioni Gulbenkian në bashkëpunim me Institutin Universitar në Lisbonë/ISCTE) dhe me programin tonë të ri për literacinë e medias.
Për të patur një impakt të madh, inovacioni duhet të jetë një proces i bazuar tek publiku. S’ka qënë gjithmonë kështu në mediat e lajmeve. Mediat e gazetarisë, në shumicën e rasteve, nuk janë përshtatur aq shpejt sa duhet, dhe sigurisht që nuk kanë qënë në krye. Në shumicën e rasteve, dixhitalizimi ka ardhur si rezultat i presionit të tregut. Dhe mbase ky mund të ketë qënë rasti tek Diário de Notícias. Pak a shumë.
Siç thotë Lucy Kueng në raportin e saj të Institutit Reuters “Going Digital”, “organizatat nuk mund të transformohen, por ato mund të ndryshojnë drejtim”. Në fund të fundit, që të gjithë ne po punojmë brenda një zone shumë të vjetër dhe tradicionale të aktivitetit njerëzor – raportimi gazetaresk. Dhe tek gazeta Diário de Notícias, raportimi është ende epiqëndra e gjithçkaje që ne bëjmë.