Nivelet e piraterisë në vendin tonë vazhdojnë të jenë të larta, ndërsa nga dita në ditë po humbasin milionat e autorëve dhe krijuesve, të cilët në këtë situatë kaq problematike pohojnë së shumë pak e shikojnë fuqinë e shtetit. Regjisori i njohur i filmit shqiptar, Saimir Kumbaro pohon se në kaq vite nuk ka parë diçka konkrete sa i takon mbrojtjes së të drejtës së autorit, ndërsa thekson se ende ka shumë për të bërë nga organet shtetërore, të cilat duhet ta mbrojnë këtë të drejtë.
Në intervistën dhënë për gazetën Sot, regjisori i njohur pohon se nuk mungon dhe problematika e ligjit, dhe kjo ndodh sepse nuk e kanë krijimtarinë artistike në konsideratë. Regjisori Saimir Kumbaro, autor në dhjetëra prodhime televizive e në disa gjini filmi, pohon se i shikon filmat e tij të shfaqen në disa ekrane, ndërsa nuk ka asnjë kontratë me këto televizione. Sipas regjisorit, institucione si KKRT dhe ZSHDA duhet të jenë më në funksion të kësaj të drejte, ndërsa pohon se sot shumë pak shpresë shihet për reduktimin e piraterisë.
Jeni një nga emrat më të njohur të kinematografisë shqiptare, çfarë mund të na thoni për të drejtën e autorit sot në vendin tonë. Sipas jush, sa problematike është sot situata?
Pirateria nuk më ka dëmtuar vetëm mua, por të gjithë krijuesit. Janë të rrallë ata televizione që mund të prodhojnë një herë në vit ose dy herë në vit filma. Ka dy momente në prodhimin e filmit, produksioni dhe postproduksioni, i cili është kur prodhohet filmi dhe postproduksioni është pasi mbaron faza e dytë e filmit që rrit shumë vlerën, kështu që asnjë televizion pa pagesë që është në Shqipëri nuk ka interes të bëjë postproduksion, prandaj e kanë shumë më kollaj të marrin ose daulodojnë filma. FMAA nuk mund të bëhet inspektor policie dhe të na mbrojë. Kodi penal në një nen të tij thotë, që dënon me gjobë deri dy vjet burg një njeri që përdor veprën e tjetrit pa autorizimin e tij. Ti hysh këtij kalvari, ku unë të shkoj në gjyqe dhe të marr avokat, tek ne nuk është se ka gjyqtarë që e njohin mirë ligjin e së drejtës së autorit.
Këtu duhet të ndërhyjë fuqishëm shteti me institucionet e tij. Ai ka KKRT, e cila në momentin që bën një kontratë me një nga televizionet që mbulojnë territorin e Shqipërisë, dhe janë rreth 70-80 televizione që transmetojnë vepra ku në masën 90 për qind janë pirate, askush nuk reagon. Kjo sepse ata nuk e kanë krijimtarinë artistike në konsideratë, artin. ZSHDA për mua është një institucion virtual dhe ka 5 vjet që po vërteton që nuk ka funksion. Që në vitin kur kjo zyrë është krijuar unë nuk di se çfarë funksioni ka kjo zyrë, e cila ka vetëm disa workshope dhe ka një konsumim fondesh që arrin qindra mijëra euro. Problemi qëndron se çfarë rezultati ka kjo zyrë? Për mua si krijues, a ka mundësi që kjo zyrë ta ndalojë piraterinë? Është shteti që funksion, i cili ka një MTKRS. Shteti ashtu si nuk lë që të shes verë false, pa pullë, duhet të marrë edhe këtu masa. Filmin tim “Ne dhe Lenini” e shfaq edhe “Klan Kosova”, kur unë nuk kam asnjë kontratë, ose një film dokumentar që e jep një televizion në mes të Tiranës me të cilin unë nuk kam asnjë kontratë, dhe këtu duhet të ndërhyjë shteti, sepse ky televizion paraqet kontrata diku.
Sipas jush, deri më tani shteti çfarë ka bërë?
Si një njeri që blen një mall, si miell, makarona, djathë, kështu duhet konsideruar edhe kjo, mall pa faturë. Pra Zyra e Tatimeve duhet që të mos vuajë, dhe që të mos vuajë duhet të kuptojë që edhe filmi është mall pa faturë. Që unë të prodhoj një film duhet të regjistrohem në QKR, unë bëj biznes dhe jam si një njeri që shet qofte në pazar, por unë nuk kam asgjë dhe sërish tatohem njëlloj si ai. Madje i kam thënë edhe kryetarit të bashkisë, që më gjej një njeri që unë të laj taksat ty (qesh), sepse ai premtoi që do na i heqë taksat dhe do bëjë mirë që ti heqë taksat regjisorëve, sepse ne nuk prodhojmë mall. Unë paguaj taksë si shtëpi filmike, por kjo është virtuale, sepse nuk është se ne prodhojmë mall që të sjell fitim, sepse ne prodhojmë mall që ia japim të tjerëve dhe i lutemi të na e shfaqin. Unë deri tani kam shfaqur disa herë filmin “Martirët” dhe nuk kam marrë asnjë lek, asnjë qindarkë që t’ia jap taksave vendore.
Drejtoresha e ZSHDA tha në muajin nëntor që ligji për të drejtën e autorit miratohet në dhjetor. Ne ishim në nëntor dhe kanë kaluar disa muaj, dhe akoma asgjë nuk është bërë. Për të prodhuar një ligj gjysmë të gatshëm, duhet të kalojnë disa muaj. E keqja është se këtu nuk duan, sepse po të duan kjo bëhet. KKRT p.sh thërret televizionin RTSH dhe i thotë më jep listën e filmave që ke shfaqur, më sill kontratat që ke marrë këtë mall dhe do të shohim që ky televizion vjedh artistët shqiptarë dhe të huaj. Këtë e bëjnë për të mbushur programet, dhe nuk i prodhojnë vetë edhe pse janë të detyruar të prodhojnë vetë. Në kohën e Partisë së Punës, diktaturës, TVSH prodhonte serialë, koncerte, dokumentarë, etj, dhe nuk shfaqte në mënyrë pirateske ose blinte, sepse ata e kuptonin se nuk duhej të vidhnin. Për fat unë kam edhe një vajzë që punon në Këshillin e Europës me ligjin dhe pronësinë, dhe quhet pronë filmi. Unë nuk jam optimist, se këtu mund të bëhet ndonjë gjë. Televizionet duhet të shkojnë në KKRT dhe të paraqitin kontratat që këto që shfaqin i kanë të blera, ku duhet të jetë shënuar qartë se kush e paguan të drejtën e autorit, televizioni që e ka blerë apo personit të cilit ia ka blerë.
Ju rendisni disa probleme, por dhe etikimi si pa funksion, kjo nuk pranohet nga institucionet shtetërore, ndërsa nuk kanë munguar edhe takime, seminare, etj?
Mendoj se këto janë vetëm për të mbushur raporte, për të thënë se edhe ne do të punojmë, do ta respektojmë. Në kohën e Enverit, thoshin që këto bëjnë sikur punojnë dhe qeveria bën sikur i paguan. Me këtë ne do ti tregojmë të huajve sikur i respektojmë të drejtat e autorëve. Në fakt kjo është një problematikë, që është gjithandej, edhe me pronat tjera, sepse nuk duan të punojnë. Që të paguaj taksat unë nesër do të shkoj të marr pensionin. Ne prodhojmë art dhe kulturë pa para se ato na i jep shteti, dhe unë nuk njoh ndonjë privat të na japi lekë.
Çfarë mendoni se do të përmirësojë ligji i ri i së drejtës së autorit?
Unë di që të drejtë autori kanë tre veta, skenaristi, regjisori, kompozitori. Për këngën është poeti, kompozitori, pronësi juridike-ekonomike ka vetëm producenti që e prodhon. Interpretët janë me honorare, të cilët kërkojnë të drejtën dhe nuk ka pse të bëhen 20 forume? Nëse një producent e sheh që diku po i shfaqet filmi pa leje, atëherë ai i drejtohet gjykatës. Tek ne ka shumë për të bërë reforma, por tjetrit po i preke kafshatën e bukës, të bën armik. Unë nuk kam parë diçka konkrete në këto vite në të drejtën e autorit, por edhe ZSHDA nuk ka faj, sepse nuk ka fuqi ekzekutive, dhe këtë punë mund ta bëjnë vetëm tatimet, të cilat ashtu si shkojnë në një dyqan dhe shohin një mall pa faturë, ashtu edhe duhet të trajtojnë krijimtarinë. Nëse televizionet që janë pa pagesë shfaqin prodhime, institucionet shtetërore duhet të kërkojnë kontratën. Jo më larg se në Maqedoni, Mal të Zi, etj, të shkojnë të shohin se si zbatohet kjo e drejtë legjitime e pronësisë intelektuale dhe fiziko-juridike, dhe nuk ka nevojë të bëjnë seminare e workshope pa fund. Sa i takon agjencive, ato nuk janë për të vepruar si taksambledhës, unë mendoj se mjafton një KKRT, si dhe agjencitë që mbulojnë muzikën dhe kinemanë.
Intervistoi: Julia Vrapi
Botuar më 11 maj 2012, në gazetën Sot
Shënim i redaksisë së EJO: Shkrimet e publikuara në këtë faqe shprehin mendimin personal të autorit dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e redaksisë së EJO në shqip