Në një dokument të vitit 1963 me titullin Inter Mirifica, në të cilin flitet për raportin e Kishës Katolike me mediat thuhet: “Kisha…pranon se këto instrumente nëse përdoren si duhet, i ofrojnë gjinisë njerëzore përparësi të mëdha, pasi ndihmojnë me efikasitet për të ngritur dhe pasuruar shpirtin, përveçse edhe për të përhapur e forcuar mbretërinë e Hyjit. Por ajo e di edhe se njeriu mund t’i përdorë kundër projektit të Krijuesit dhe t’i kthejë për shkatërrimin e vetvetes”.
Media në vetë etimologjinë e saj na çon në fjalën medium, që do të thotë instrument. Për çfarë është ky medium? Çfarë qëllimi do të arrijë? Komunikimin me..dhe për, d.m.th me dikë dhe për diçka. Unë jam i bindur, se mjetet e komunikimit shoqëror janë ndër dhuratat që Zoti i ka bërë njerëzimit nëpërmjet inteligjencës së vetë njeriut. Si shumë gjëra të tjera, edhe në këtë rast kemi të bëjmë me mënyrën se si njeriu i përdor këto dhurata sikurse u theksua edhe më lart.
Ajo çka i bën mjetet e komunikimit shoqëror t’i përgjigjen natyrës së tyre është pikërisht dimensioni i tyre personal, d.m.th komunikimi ndërmjet personash. Dhe si të tilla, këto mjete duhet të jenë pikësëpari në shërbim të personave dhe të mirës së tyre.
Për t’iu përgjigjur pyetjes së kësaj jave do të citoj një përkufizim që Gjon Pali II i ka bërë mediave, duke i quajtur ato aeropagë të kohës moderne. Çfarë ishte aeropagu? Në historinë biblike është vendi ku simbolikisht krishterimi takohet me kulturën filozofike greke e ku Pali u predikon athinasve të mbledhur në aeropagun e Athinës, Ungjillin. Duke e hequr paksa nga konteksti i saj zanafillor, në të vërtetë mediat janë sot vendet ku takohen njerëzit dhe rrahin e diskutojnë teoritë, mendimet, dëshirat dhe idetë e tyre. Kjo është një arritje dhe një komoditet i madh që njerëzimi i ka krijuar vetvetes. Të gjithë pothuajse sot komunikojnë me këto mjete, madje janë bërë edhe forume të vërteta ku politika, biznesi madje edhe kultura “shet” prodhimet e veta. Pra është edhe një pazar i madh shitjesh dhe blerjesh.
Në këtë kontekst realiteti shqiptar paraqitet, sipas mendimit tim, shumë sui generis. Ne gjejmë edhe në agoran mediatike të njëjtat ndjenja, mënyra të të sjelluri dhe shprehish sikurse në jetën e përditshme. Po ashtu ky realitet që ne jetojmë përditë po transferohet edhe në botën virtuale. Një nga këto elemente është konfliktualiteti, i cili krijon edhe në media krahë dhe përplasje të tyre.
Në Shqipëri, problemi i të ashtuquajturës panpolitikë (një term i imi ky) ka vërshuar sigurisht edhe në botën mediatike. Zënia e hapësirave publike nga ana e atyre që merren me politikë është një “ves” i kahershëm. Kjo përveçse krijon një lloj inflacioni të gjuhës dhe realitetit politik duke e çuar atë drejt një situate bajate, ndikon edhe në rritjen e konfliktualitetit në jetën dhe psikikën e njerëzve. Ka shumë gjëra të tjera sigurisht, me të cilat media duhet dhe mund të merret përveçse me realitetin politik. Duke sjellë edhe një herë në vëmendje përmasën personale, çka do të thotë një përmasë antropologjike e mediave, mund të listoj në sintezë disa situata të cilave mediat jo vetëm mund, por duhet t’u përgjigjen e t’u lënë vend e hapësirë.
Së pari, unë jam i bindur se media duhet t’i kthehet një lloj vokacioni zanafillor që gjendet qysh në etimologjinë e saj, një medium komunikimi, d.m.th një mjet që i vendos njerëzit në komunikim njëri me tjetrin. Mirëpo të thuash komunikim ke thënë communio, d.m.th bashkim zemrash, mendjesh, krijimin, të themi të një familjeje. Mediat duhet të jenë larg një logjike konfliktualiteti e të përcjellin te njerëzit motive shprese për të ardhmen e tyre. Mbjellja e panikut shpesh është një funksionim i keq i mediave. Këtë ne e kaluam pak kohë më parë me idenë absurde të fundit të botës.
Së dyti, mediat duke parë pushtetin që realisht kanë, dhe ndikimin në jetën e njerëzve, duhet të kthehen në një vend mundësie për të gjithë. Tashmë ato janë të vetmet që kanë mundësi t’u ofrojnë njerëzve një mundësi pjesëmarrjeje në jetën e vendit. Kjo do të thotë se ata duhet të bëhen zë i të pazëve, sidomos shtresat më të mënjanuara e më të varfra. Një media që u jep zë personave p.sh me aftësi të kufizuara, fëmijëve, atyre që janë të sëmurë etj., etj.
Së treti, mediat duhet dhe mund të bëhen një kanal përçues i atyre vlerave më genuine të natyrës njerëzore dhe të shoqërive. Këto vlera morale dhe religjioze mund të gjejnë dhe duhet të gjejnë tek mediat bashkëpunëtorë të mirë dhe të vlefshëm për të kryer pikërisht këtë mision përçues. Pasqyrimi i jetës shpirtërore të njerëzve, pa edhe i dimensionit të tij fetar duhet të kërkohet nga mediat, jo vetëm në nivel informues, por edhe formues. Hapësirat e shpirtit në mediat laike e jo vetëm me natyrë fetare nuk duhet të jenë një tabu, përkundrazi shërbimi i madh që mund t’u bëhet njerëzve ndërmjet trajtimit të temave të tilla është jashtëzakonisht i madh.
Së katërti, mediat nuk duhet të bien pre e dëshirës për të bërë komercialitet me anë të së keqes e sidomos me jetën private të njerëzve.
Mediat duhet të merren me politikë, por mediat nuk mund të lihen të totalizohen nga politika dhe të kthehen në mjete ideologjizimi të masave. Sensi kritik i mediave dhe pavarësia e tyre janë një pasuri e madhe për rritjen e një shoqërie dhe formimin e ndërgjegjeve, përveçse një shërbim për demokracinë dhe mbarëvajtjen e atdheut. Relativizimi i politikës në hapësirën mediatike, informative dhe formative do të jetë një avantazh i madh. Kjo do të ridimensiononte politikën dhe në të njëjtën kohë mediat.
Botuar në gazetën Mapo, 19 janar 2013