Alba Malltezi: Media shqiptare në depresion

22 Dhjetor , 2012 • Gazetaria e Medias, Media dhe Politika • by

Drejtoresha e Përgjithshme e Free and Fair Media Group (Shqiptarja.com dhe A1Report), Alba Malltezi, në një intervistë për gazetën „Shekulli“ dhënë gazetares Emanuela Sako, tregon për aktivitetin e saj në media por edhe gjendjen e gazetarisë në vend.  Sipas Malltezit që e ka nisur karrierën e saj si reportere e spektaklit dhe kulturës në “Gazetën Shqiptare” në fillim të viteve 90,  media shqiptare po kalon një lloj „depresioni“ jo vetëm në rrafshin ekonomik, por edhe atë përmbajtësor.

Në çfarë momenti ju duken mediat tona?

Po kalojnë një depresion. Po flas për ato media që sot janë në vështirësi ekonomike. Nëse gazetari nuk ka një shpërblim ekonomik të mirë dhe në kohën e duhur, nuk do jetë shumë i motivuar. Askush nuk do ishte i motivuar në rast se në fund të muajit nuk do kishte rrogën të siguruar dhe kjo është një nga arsyet mendoj unë që ka shkatërruar shpirtin e punës së gazetarëve në Shqipëri. Megjithatë nuk është vetëm kjo. Sasia e madhe e mediave në Shqipëri kërkon dhe një numër të lartë gazetarësh në treg dhe sasia ka goditur shumë cilësinë. Mediat sot i shoh si shoqëria shqiptare: në krizë.

E keni fjalën për sistemin mediatik, por do ta thoshit të njëjtën gjë për ata që ushtrojnë zanatin e gazetarit?

Ka një problem thelbësor: Gazetarët e rinj janë arsimuar në periudhën e tranzicionit dhe nxënia në këtë periudhë ka një rezultat jo të mirë në formimin gjuhësor dhe kulturor të gazetarëve. Vërej që shumë gazetarë ose studentë që dëshirojnë të futen në fushën e gazetarisë kanë një handikap shumë të madh të njohjes së gjuhës shqipe. Nuk njohin lakimin e emrave, bëjnë gabime drejtshkrimore, nuk dinë të përdorin ë-në. Megjithatë, mes tyre kam gjetur dhe elementë shumë të mirë, të cilët sot punojnë në redaksinë tonë.

Si i shihni e aktualitetin politik shqiptar?

Politika mbetet pjesë agresive e realitetit tonë, edhe pse kam shpresa dhe shoh realisht elementë të mirë në kampe të ndryshme. Ajo është timon që çon përpara shoqërinë, por mbetet akoma e hutuar në një luftë primitive. Ashtu si në familje, kur pyesim se pse burri dhunon gruan, kjo ndodh edhe në politikë. E shikoj politikën si një familje më të madhe ku shpesh agresiviteti sundon mbi logjikën, tolerancën apo respektin e të kundërtave. Në politikën tonë nuk ka respekt mes rivalëve.

Sa ndikohet media nga politika?

Kjo është diçka personale. Ka gazetarë që e ndiejnë veten të lirë. Janë të lirë. Kanë respekt në radhë të parë për vetveten dhe kanë krijuar personalitetin e tyre, dinjitetin e tyre. Media punon dhe bashkëpunon me politikën, nëse manipulohet prej saj kjo bëhet e dukshme, është e lehtë të kuptohet nga lexuesit apo teleshikuesit dhe kthehet në bumerang në dëm të profesionalizmit të medias. Në Shqipëri ndikohet media nga politika: shpëtojnë prej saj disa gazetarë me dinjitet dhe integritet.

Ç’thotë për këtë përvoja personale?

Jo, nuk e kam ndjerë ose më mirë bëj sikur nuk e ndjej. Politika bën punën e vet. Ajo kërkon të joshë apo të blejë, por ka edhe politikë të ndershme. E megjithatë çdo gjë varet nga unë, se çfarë unë do të zgjedh. Nuk mund të them që jam e frikësuar ose nën presionin politikës.

Gazetarët shpesh janë konfuzë dhe nuk e dinë kush është lexuesi i tyre. Ju besoni te një impakt i penës suaj?

Një shkrim nuk mund të ndryshojë mentalitetin. Nuk e ka forcën. Mund të jetë shembull i mirë për të marrë një ide, një frymëzim. Të gjithëve na ka qëlluar të lexojmë një libër që na ka lënë mbresa të jashtëzakonshme. Ka shembuj edhe me shkrime, intervista, episode që kanë ndryshuar rrjedhën e jetës së njerëzve, por duhet të jesh i hapur që ta kërkosh këtë gjë. Nëse njerëzit kërkojnë të bëhen më të mirë, unë them se e arrijnë. Unë do të dëshiroja shumë që ndonjë fjalë, fjali, apo një shkrim i imi të ketë ndikuar sadopak për të ndryshuar dhe përmirësuar diçka. Nuk e di nëse ka ndodhur kjo.

Stil konciz e drejt e në thelb të problemit. Këtë kemi vërejtur në shkrimet tuaja të shkurtra.

Mendoj se shtypi i shkruar sa po vjen dhe po tkurret. Kjo nuk po ndodh vetëm në Shqipëri. E kam perceptuar këtë vite më parë. Po tkurret në të gjitha kuptimet, ka gjithnjë e më pak njerëz që lexojnë shtypin e shkruar. Unë mendoj se dy faqe gazetë duhet të jenë shkruar shumë mirë që të detyrojë dikë ta lexojë. Janë të rrallë talentet që shkruajnë shumë mirë. Shkrimet e mia përfaqësojnë karakterin tim: unë jam njeri fjalëpak. Më pëlqen më shumë të dëgjoj se sa të flas. Nuk kam dashur ta bezdis lexuesin.

Marrë me shkurtime nga gazeta „Shekulli“, 15.12.2012. Për më tepër lexoni artikullin e plotë: http://shekulli.com.al/web/p.php?id=11218&kat=104. Titulli i shkrimit në origjinal “Alba Malltezi: Dashurojmë shumë dhe urrejmë për vdekje, ne shqiptarët”

 

 

 

Tags:,

Send this to a friend