Nga Emiljano Kaziaj.
Fakti që media shikohet si alternativë e parë për zgjidhjen e problemeve tregon për një mangësi të madhe në funksionimin e gjithë sistemeve të tjera në shoqëri.
Gjatë ditëve të fundit (19.05.2016), një lajm për pesë nxënës të cilët denonconin mësuesen e tyre, drejtpërdrejtë në një emision televiziv, u publikua në disa media, si një sensacion i radhës në morinë e lajmeve për dhunë dhe abuzime seksuale të fëmijëve. Nuk dua të ndalem tek historia e marrëdhënieve të mësueses me nxënësit e saj (siç u prezantua prej fëmijëve të pranishëm në emision) dhe as tek dhjetëra çështje shqetësuese që ngre ky rast konkret për gjendjen e fëmijëve në shkolla, marrëdhëniet me prindërit, niveli i kualifikimit të mësuesve, sistemin e referimit të dhunës në shkolla dhe komunitete, apo sigurinë e fëmijëve.
Dua të përqendrohem tek roli i medias në gjithë këtë histori për të shpjeguar se si logjika mediatike dhe turravrapi për të ‘bërë lajm’ shkel çdo parim etik të medias në marrëdhënie më fëmijët. Shpresoj që kjo analizë të shërbejë për të parandaluar raste te ngjashme si dhe për të sinjalizuar autoritetet e monitorimit të medias në Shqipëri që t’i japin vëmendjen e duhur kësaj çështjeje.
Kodi i transmetimit të mediave audiovizive në Republikën ë Shqipërisë (Nr. 01, datë 27.01.2014) i cili bazohet në Ligjin për Mediat Audiovizive (Nr. 97/2013) dhe Ligjin për mbrojtjen e te Drejtave të Fëmijëve (nr. 10347/ 04.11.2010), përcakton se :
Veprimtaria e transmetimeve audiovizive respekton në mënyrë të veçantë të drejtat, interesat dhe kërkesat morale e ligjore për mbrojtjen e të miturve.( pika 1.4). Më konkretisht në seksionin 5 te këtij kodi ku flitet për Fëmijët në Transmetimet Audiovizive, përcaktohet se:
Ofruesit e shërbimit mediatik audiovizivë (OSHMA-të) duhet të shmangin çdo raportim apo transmetim, që çon direkt apo indirekt në identifikimin me pamje dhe zë, me gjeneralitete, adresë apo përshkrues të çdo fëmije qe mund të jetë ose është viktimë, dëshmitar, i hetuar, i akuzuar apo deklaruar fajtor për kryerjen e një vepre penale. (pika 5.1). Ndërkohë gazetarja i pyeti dy herë fëmijët nëse mund të artikulonin më qartë dhe me zë më të lartë emrat e tyre (sepse kjo do t’i qetësonte prindërit të dinin që ata ishin në ‘duar të sigurta’.
Për më tepër :
Intervistimi i fëmijëve duhet të bëhet me praninë ose të paktën me dijeninë e përfaqësuesit të tij ligjor ose një personi të caktuar prej tij (pika, 5.10).
Dukshëm asnjë nga këto pika nuk u morr parasysh ditën e djeshme, kur fëmijët e klasës së pestë, pasi kishin udhëtuar vetëm nga Cërriku drejt Tiranës me taksi dhe pa dijeninë e prindërve (!!!), bujtën në një studio televizive për t’u bërë protagonistët e radhës në një emision televiziv. Vetëm seria e absurditeteve që përmenda tek fjalia më sipër do kishte mjaftuar që punonjësit e medias ku fëmijët u drejtuan të ishin shqetësuar së pari për sigurinë e tyre, të informonin prindërit për vendndodhjen e fëmijëve, t’i shoqëronin fëmijët në një mjedis më të specializuar sesa studioja televizive për të shprehur shqetësimin e tyre dhe me pas organet kompetente të merrnin në shqyrtim rastin. Kjo sjellje do ishte të mendosh në ‘interesin më të lartë të fëmijës’.
Por ‘interesi më i lartë i medias’ është shumë më i fortë për ta lejuar këtë rast t’i ikë nga duart. Fëmijët u futën menjëherë në një studio televizive, u rreshtuan në formën tradicionale të programeve debat që mbushin ditët dhe mbrëmjet tona dhe me një mikrofon përpara filluan të tregojnë së çfarë i shqetësonte. Secili prej tyre, të joshur nga ekrani televiziv, mundësitë që të jep dalja në televizor, ka menduar se kjo është mënyra më e drejtë në Shqipëri, për të zgjidhur problemin që ata kanë. Ne jemi të gjithë dëshmitarë se si media i trajton për ditë e ditë më radhë historitë me kamera të fshehta dhe përgjime, publikime skandalesh dhe abuzimesh.
Gjithçka lind dhe vdes në kronika lajmesh pa mundësi për t’u ndjekur më tej nga organet kompetente dhe për t’u zgjidhur siç do e kërkonte rasti. Edhe fëmijët, fatkeqësisht, kanë menduar po të njëjtën, gjë: media është zgjidhja. Fakti që media shikohet si alternativë e parë për zgjidhjen e problemeve tregon për një mangësi të madhe në funksionimin e gjithë sistemeve të tjera në shoqëri, qofshin ato norma, pra marrëdhëniet brenda familjes dhe shoqërisë apo politika, funksionimi i sistemeve të referimit te dhunës në shkolla, apo komunitete.
Nga ana tjetër të vendosësh besimin tënd tek media si zgjidhje, duke njohur problemet madhore që sistemi mediatik ka në Shqipëri- si pasojë e marrëdhënies së ndërlikuar me politikën (lexo: politikanët) – do të thotë që në Shqipëri ka një nevojë urgjente për edukim mbi median. Ajo që quhet ‘media literacy’ ose alfabetizëm mbi mediat, ngrihet si një nevojë e madhe që njerëzit kanë për të mësuar si t’i interpretojnë mesazhet mediatike, si të gjykojnë mbi prodhimet mediatike dhe si të kenë një të menduar kritik mbi rolin e medias në shoqëri.
Për sa kohë kjo nuk ndodh, kthimi i gjithçkaje në një show (probleme brenda familjes, probleme në institucionet e kujdesit të fëmijëve, në institucionet shëndetësore, arsimore, të drejtësisë, etj.), që vetëm argëton, do të jetë modeli mbizotërues i programeve mediatike në Shqipëri. Kjo shkon në të njëjtën linjë me ‘interesin më të lartë të medias’, që përdorin çdo mënyrë (përfshirë edhe shkeljen e ligjit) dhe gjithkënd për më shumë audiencë.
Emiljano Kaziaj është kandidat i Doktoraturës në Shkenca Komunikimi në Universitetin e Ghentit, Belgjikë dhe anëtar i qendrës kërkimore për Studime të Medias dhe Kinemasë
Tags:fëmijët, Interesi publik, media