Media ‘‘autiste‘‘- e prirur drejt lajmeve brenda vendit

8 Dhjetor , 2014 • Gazetaria e Medias • by

Influenca ruse në Ballkanin perëndimor ka qenë në fokus të mediave ndërkombëtare, por mediat në Shqipëri nuk kanë treguar interes tepër të madh. Sa interes ka media dhe publiku në Shqipëri për zhvillimet jashtë vendit?

Në një kohë kur të gjitha mediat ndërkombëtare kanë në fokus kryesor të tyre influencën ruse ndaj Ballkanit perëndimor, sidomos pas deklaravete të kancelares gjermane, Angela Merkel mbi këtë temë në samitin e G20-s në Australi, në Shqipëri këto zhvillime thuajse nuk marrin vëmendjen e duhur nga media shqiptare. Përse në këtë çështje që prek Ballkanin, pjesë e së cilës është dhe Shqipëria, mediat informojnë pak. Sa është interesi i mediave e për pasojë i publikut shqiptar për ngjarjet që ndodhin jashtë territorit?

Jonila Godole, pedagoge pranë departamentit të Gazetarisë në Universitetin e Tiranës veçon lajmet e politikës dhe kronikës së zezë si më dominantet në interesin e publikut, por kjo vjen sipas perceptimit të gazetarëve. Ajo thotë për Deutsche Welle se mungesa e kritereve të përzgjedhjes së lajmeve nga bota, njësoj siç përzgjidhen lajmet brenda vendit ndikon në interesin e publikut ndaj këtyre lajmeve. ‘’Nuk kemi statistika dhe matje shkencore që të na tregojnë që publiku ka apo jo interes për lajmet nga bota. Por në perceptimin e gazetarëve, publiku shqiptar është më shumë i interesuar për politikën dhe kronikën e zezë. Nga ana tjetër, lajmi i jashtëm nuk përzgjidhet sipas kritereve të duhura siç përzgjidhen lajmet nga vendi në varësi të aktualitetit, të rëndësisë dhe sensibilitetit të publikut, ndaj dhe publiku nuk ka interesin që duhet.” shprehet Godole.

Interesimi për botën i varur nga zhvillimet në vend

Në një këndvështrim më të gjerë nga hapja e kufijve e deri sot, Godole rendit faktorë të tjerë të interesimit të publikut shqiptar për lajmet nga jashtë, ku veçon vitet e para të tranzicionit e deri sot ,ku Shqipëria është duke u testuar nga Evropa.‘’Pas kolapsit të shtetit më 1997 shqiptarët u përqendruan në problemet e të përditshmes dhe luftën për mbijetesë ekonomike. Njëkohësisht ata kishin menduar naivisht se pas rënies së sistemit totalitar gjithë bota, sidomos Europa do t’i priste krahëhapur, por në fakt ata u ndeshën me një Europë që kishte problemet e veta të brendshme, u përballën me kufij dhe porta që u mbylleshin gjithandej. Lëvizja e lirë e afroi qytetarin shqiptar me atë europian, kurse kritikat e vazhdueshme nga instancat e larta të BE që shoqërohen me kanosje të gishtit tregues e kompleksojnë atë dhe në rastin më të keq, e bëjnë mosbesues ndaj vetë Europës”, vijon Godole.

Forcimi i kuadrit ligjor mbi informacionin dhe gazetarë të specializuar

Karin Karlekar, drejtore e projektit për lirinë e shtypit pranë shoqatës amerikane ”Freedom House‘‘ fokusohet me shqetësim tek transparenca dhe përmbajtja e lajmit, ku këtu nuk bën përjashtim edhe lajmi që raportohet nga jashtë Shqipërisë. E pyetur nga Deutsche Welle ajo tregon se akuzat për shpifje ndaj gazetarit në Shqipëri janë një faktor që e pengon rolin hulumtues të gazetarit. ” Një nga problemet më të mëdha, me të cilat ballafaqohen gazetarët shqiptare është kërcënimi ligjor për shpifje, që legjitimohet në kodin penal dhe civil të vendit. Kjo përforcon një klimë të vetë-censurës, që është i dëmshëm jo vetëm për gazetarët, por edhe për shëndetin e medias në përgjithësi. Një kuadër ligjor më i fortë mbi informacionin që përforcon rolin e gazetarit është i rëndësishëm në këtë drejtim ” thotë Karlekar.

Ndërsa Godole shkon më tej duke e lidhur përmbajtjen edhe me mungesën e gazetarit të kualifikuar. ‘’Ka shumë pak gazetarë të specializuar për politikën e jashtme dhe marrëdhëniet ndërkombëtare. Përgjithësisht përkthyesit pranë redaksive janë „specialistët“ e lajmeve nga bota. Vetëm në raste konfliktesh të forta, si në Ukrainë me Rusinë, apo në rajon, ftohen ish-diplomatë dhe historianë, pra ekspertë nga jashtë medias, të cilët natyrisht garantojnë më shumë cilësi.” thekson ajo.

Në raportin e njohjes së publikut shqiptar më atë çfarë ndodh jashtë territorit, Godole sheh me prioritet pasurimin e lajmeve në drejtim të ndërmarrëdhënieve politike dhe kulturore mes Shqipërisë dhe shteteve të tjera. ”Të mos shkojmë larg, por të paktën të njohim vendet e rajonit, fqinjtë tanë, të cilët janë të pranishëm në ekranet shqiptare vetëm në raste konfliktesh, pra përherë të asociuara me probleme.” thekson ajo.

Media – zëri i qytetarit

Një tjetër veçori që është lehtësisht e dallueshme në sektorin e informacionit në media është anonçimi i lajmeve të njëjta. Veçanërisht lajmet që vijnë nga bota jepen në mënyrë të shkurtuar dhe me pak detaje. Karlekar e lidh këtë problematikë në mënyrë direkte me mungesën e gazetarisë investigative në Shqipëri dhe kostos së ulët që kërkohet për prodhimin e lajmit. ‘’Gazetaria aktuale investigative në Shqipëri është shumë e pazhvilluar. Shumë gazetarë punojnë në një sistem informal pagash dhe shumë pak kompani mediatike kanë krijuar një model të qendrueshëm biznesi. Një mungesë e tillë e burimeve është një pengesë e madhe për gazetarinë investigative‘‘ shprehet Karlekar.

Krahas kritikave për formën dhe përmbajtjen e lajmeve që vijnë nga bota, Godole nuk mohon interesin e madh që ka publiku për t’u njohur me botën jashtë jashtë dhe media duhet të përforcojë aksesin e publikut në imazhin e saj. Godole: ‘‘Media mund të transmetojë dokumentarë mbi BE sa të dojë, por ndjesia e të qenit qytetar shqiptar nuk është një artific, një karficë me logon e BE që mund të mbërthehet mbi jakën e xhaketës për bukuri. Media duhet të jetë më e hapur për debate alternative qytetare në lidhje me BE, ta lejojë më shumë të dëgjohet zëri i qytetarëve duke mos rënë në autizëm, e mbyllur në një rreth të ngushtë narcist dhe vicioz brenda vetes.”

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:,

Send this to a friend