Audiopreferencat e shoferëve shqiptarë

9 Tetor , 2012 • Gazetaria e Medias • by

Për herë të parë në Shqipëri u organizua një studim mbi dëgjueshmërinë e programeve radiofonike dhe burimet e personalizuara nga drejtuesit e automjeteve në udhëtim.

Ndjekja e programeve radiofonike ose e burimeve të personalizuara (audiokaseta, cd, mp3 etj.) mbetet një mënyrë e pakonkurrueshme informimi dhe argëtimi për drejtuesit e automjeteve. Me mënyrën që ofron sot teknologjia dhe komforti i automjeteve, por dhe legjislacioni për qarkullimin e tyre në rrugë nuk mund të ndjekësh media të tjera. Është një aventurë e rrezikshme që me duart në timon, kur makina ecën, të ndjekësh në kroskot ose në çdo pikë tjetër të kabinës së automjetit transmetimet me figurë, pra nga një ekran televizori, sikundër është e pamundur që të shfletosh në rrethana të tilla faqet e shtypit, ose të qëmtosh në pajisjet elektronike më të fundit që të ofrojnë shërbime online.

Marrja e informacionit, ose përpjekja për “të fotografuar” gustot dhe preferencat e drejtuesve të automjeteve në kohën e tyre të udhëtimit është një angazhim i frytshëm edhe për një shkak tjetër thelbësor. Tregu, ose rrjeti i qarkullimit të automjeteve është shumë dinamik. Po t’i referohemi të dhënave zyrtare nga Ministria e Punëve Publike e Transporteve në Shqipëri janë rreth 301 mijë automjete të regjistruara. Ky numër do të vijë gjithmonë në rritje, për shkak të rritjes së nevojave që kanë qytetarët për ta përdorur automjetin për qëllime biznesi, familjare, argëtuese etj., si dhe për vetë përmirësimin në vijim të kushteve të infrastrukturës jo vetëm në rrugët kryesore, por dhe ato dytësore, tretësore etj.

Për herë të parë në Shqipëri u organizua një studim mbi dëgjueshmërinë e programeve radiofonike dhe burimet e personalizuara nga drejtuesit e automjeteve në udhëtim. Me titullin “Foli shoferit!” studimi u shtri në 5 qarqe të vendit, në Tiranë, Vlorë, Shkodër, Korçë dhe Elbasan. Përzgjedhja e qarqeve u bë në respektim të peshës specifike që ato kanë për sasinë e automjeteve të regjistruar në territorin e tyre (janë 57% të totalit në shkallë vendi), si dhe në respektim të shtrirjes gjeografike.

Një pyetësor i unifikuar iu shpërnda 1424 drejtuesve të automjeteve në të 5 qarqet, ku interesimi ishte për çështje të tilla si: çfarë lloj programesh preferoni të dëgjoni kur udhëtoni me makinë; ndiqni më shumë stacionet lokale apo të tjera; cili është stacioni që parapëlqeni më shumë, sa i ndiqni emisionet që emetohen njëkohësisht në radio dhe në TV; çfarë tematike do të dëshironit të kishte më shumë në transmetimet e radios etj. Me një ekip prej 21 vetësh në terren, kryesisht studentë të gazetarisë dhe komunikimit, koha e realizimit të anketimit zgjati 3 muaj (7 mars-7 qershor 2012). Kampioni i përzgjedhur respektonte raportet e treguesve të moshës, gjinisë, arsimimit, vendbanimit në qytet a në komunë etj.

Në bazë të rezultateve shikohet se për të 5 qarqet vetëm 64% e drejtuesve të automjeteve ndjekin në udhëtim programet radiofonike që emetojnë stacionet lokale, ato ndërkombëtare apo të huaja. Pjesa tjetër prej 36% parapëlqen që të dëgjojë burime të personalizuara audio, si cd, mp3 apo audiokaseta. Me futjen në shkallë të gjerë të aparateve të avancuar celularë do të jetë e pashmangshme dhe frekuentimi nga kabina e makinës e radiove online, që e zgjeron kështu pa limit menynë e ofertës.

Për ata që ndjekin programet radiofonike në udhëtim, nga njeri qark në tjetrin varion dhe shija: në Tiranë dhe në Korçë më të ndjekura janë temat kulturore; në Elbasan dhe në Shkodër preferohen më tepër temat sociale, ndërkohë që drejtuesit e automjeteve në Vlorë pëlqejnë më shumë temat politike. E ndryshme është dhe zgjedhja nëse ndiqet stacion lokal apo stacion tjetër. Sipas të dhënave të studimit, pëlqehen më shumë stacionet lokale në qarkun e Korçës dhe të Shkodrës, por kjo ndjesi më e pakët është në Vlorë. Vihet re se janë rreth 8% e drejtuesve të automjeteve që preferojnë të ndjekin kur udhëtojnë vetëm stacione të huaja nga vendet fqinjë me Shqipërinë, italiane, greke, maqedonese, malazeze etj. Nga kontaktet me drejtuesit e automjeteve kuptohet se një pjesë e tyre këtë e bëjnë për shkak të shijeve që ata kanë, por për të tjerë ndjekja e stacioneve të huaja është për arsyen e vështirësive në përhapjen e sinjalit nga radiot shqiptare nga terreni i thyer etj.

Në qarkun e Tiranës “torta” e ofertës radiofonike ndahet në rreth 40 operatorë lokalë, kombëtarë a ndërkombëtarë. Në bazë të studimit, stacionet më të ndjekura në makina janë: Top Albania, 12.2%; Club FM, 7.2%; Radio Tirana, 6.7%; Plus 2 Radio, 6.2 %; Vesa, 6.1%  etj.  Në qarkun e Elbasanit renditja e radiostacioneve më të pëlqyera është: Top Albania, 15.6%; Radio Klea, 14.4%; Radio Tirana, 12.8; Club FM, 10.6%; Albanian FM, 8.3% etj. Në Korçë në krye të listës me 18.3% është Top Albania, pastaj vijojnë Club FM me 15%, ABC Radio me 14.4%, Radio Tirana 11.7%, Radio Logos 7.2% etj.

Në qarkun e Shkodrës bie në sy fakti se 15% e shoferëve janë shprehur se nuk ndjekin asnjë stacion radioje kur udhëtojnë.  Për ata që preferojnë transmetimet radiofonike lista paraqitet e tillë: Top Albania, 18.9%; Radio Tirana, 10.6%; Top Gold, 8.8%; Radio Jehona, 7.8 %. Në qarkun e Vlorës janë 10.6% e drejtuesve të makinave që pëlqejnë të dëgjojnë stacione të huaja. Kurse nga  sinjalet shqiptare më shumë pëlqehen Top Albania, 15%; Radio Tirana, 11.7%; Radio Klan, 10%; Club FM, 8.8% etj.

*Autori është korrespondent i radios Dojçe Vele.

Marrë nga gazeta Mapo, 9 tetor 2012

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend