Nëse lajmi ndërkombëtar ofron një dritare për të parë botën, atëhere kjo dritare për dëgjuesit e radios në Republikën Çeke është relativisht e vogël. Studjuesit e Universitetit Palacký në Olomouc
zbuluan se lajmet ndërkombëtare më së shumti fokusohen në Europë dhe në Shtetet e Bashkuara, bazohen në burimet anglo-saksone të informacionit dhe ofrojnë një diversitet të vogël në mbulimin e lajmit.
Studimi u përqendrua në dy programe lajmesh (Četba ze zahraničního tisku – Lexim i shtypit të huaj; Svět ve 20 minutách – Bota në 20 minuta) të transmetuesit kombëtar publik Czech Radio për një periudhë 4 javore në janar 2017.
“Dominimi i rajonit euro-amerikan nuk përbën surprizë”, thotë Zdenka Burešová, një nga autorët e studimit. “Gjithsesi, mbulimi i pabarartë i vendeve të ndryshme shkon paralel me stereotipet tematike. Rezulton se temat me konotacione pozitive shpesh asociohen me rajonin euro-amerikan kurse kontinentet e tjera prezantohen në lidhje me evente negative, si aksidentet, fatkeqësitë natyrore apo epidemike”.
Amerika e para
Gjysma (50%) e raportimeve ndërkombëtare për të dy programet merreshin me SHBA. Megjithatë, duke qenë se periudha e studimit përkonte me zgjedhjen e Donald Trump, kjo gjë ka influencuar mbi raportimin. Vendet europiane ishin gjithashtu gjerësisht të mbuluara gjatë raportimit, sidomos Mbretëria e Bashkuar (27%) dhe Rusia (23%). Vendet e tjera shfaqen më rrallë, ndërkohë që rreth një e treta e vendeve të botës nuk përmenden fare. Burimet më të cituara të informacionit ishin Guardian dhe The New York Times.
Pothuajse dy të tretat e lajmeve ndërkombëtare fokusoheshin në temat politike dhe ekonomike. Sipas studjuesve, kjo ka ndikuar në një pasqyrim të pakët të temave sociale, kulturore apo shkencore, gjë që korrespondon me kompozimin tematik të stereotipizuar të shumicës së mediave çeke.
Gjithsesi, struktura tematike e lajmeve ndërkombëtare nuk reflekton ndonjë praktikë sistematike. “Përzgjedhja e temave është më së shumti arbitrare”, dhe ndikohet shpesh nga zgjedhjet individuale të redaktorëve, thotë Burešová. “Si rrjedhim të dyja programet mund të përshkruhen si të pabalancuara dhe si të njëanshme. Ekzistenca e rregullave më të qarta apo e procedurave të selektimit do të duhet të ishte më transparente dhe në përputhje me kuadrin etik dhe legjislativ të transmetuesit kombëtar publik.”
Raportimi ndërkombëtar i mediave shpesh përqendrohet tek elita ndërkombëtare politike. Donald Trump ishte nga liderat botërorë më prezentë. Nga ana tjetër, analiza nuk identifikon ndonjë prirje tabloidizimi drejt raportimeve për celebritetet apo për tragjeditë njerëzore.
Izolim i përkryer
Studjuesit identifikuan tre korniza të ndryshme analitike për lajmin ndërkombëtar, në varësi të vendit apo rajonit që analizohej: Në mënyrë tipike lajmet paraqesin diferencimin mes “ne”, “ata” dhe “pjesa tjetër” e botës. Shumica e mbulimit dominohet nga “bota jonë”, e cila paraqitet në mënyrë neutrale apo pozitive, si një botë demokratike, e lirë dhe liberale. Edhe pse gazetarët nuk neglizhojnë tërësisht problemet e “botës sonë”, ata kanë prirjen t’i marxhinalizojnë ato dhe t’i paraqesin si devijime të veçanta, siç ishte përshembull zgjedhja e Donald Trump.
Në kornizën e dytë analitike, “bota e tyre” është një botë jo e lirë, e rrezikshme dhe armiqësore. Sipas analizës, vendi më i përmendur në këtë kontekst është Rusia. Gjithsesi është interesante të shihet se si raportet rrallë merren me lajmet e përditshme ruse, përkundrazi ato në përgjithësi e transmetojnë Rusinë si një kundërshtar i vendeve të tjera, veçanërisht i Shteteve të Bashkuara. “Kjo pa dyshim mbështet një perceptim bipolar të botës, në të cilën Rusia luan një rol të rëndësishëm antagonist”, thotë Burešová. (Diskursi antirus në radion çeke është studjuar edhe në një punim tjetër). Në kontrast me “botën tonë”, “bota e tyre” përshkruhet përmes “praktikave narrative të diskutueshme, si etiketimi, skualifikimi semantik apo mjetet stilistike ekspresive, të cilat përdoren më gjerësisht në këtë rast”, thotë studjuesi.
Në raportimin ndërkombëtar të Radios Çeke, “pjesa tjetër” e botës është e marxhinalizuar dhe shpesh e injoruar tërësisht. Sipas autorëve, toni i raportimit për këto vende, të cilat përbëjnë dy të tretat e popullsisë së botës është ose negativ ose sensacional.
Sfidat për raportimin e lajmeve ndërkombëtare
Krahasuar me mediat komerciale, raportimi ndërkombëtar në mediat publike çeke është më i gjerë dhe më gjithëpërfshirës. Kjo rrjedh nga detyrimet e tyre ligjore, si dhe nga rrjeti i reporterëve dhe korrespondentëve ndërkombëtarë që nuk gjenden në mediat komerciale.
Si përfundim mund të themi se shkaqet për një mbulim të pakët dhe stereotipik të lajmeve ndërkombëtare në media të ndryshme të Çekisë janë të shumta. “Tek faktorët përfshihet varësia e fortë e mediave nga një numër selektiv agjensish si dhe praktikat tradicionale gazetareske si dhe rutina e mediave”, thotë Burešová. “Tre të katërtat e gazetarëve çekë janë gjeneralistë, sipas një anketimi të kryer me gazetarët çekë nga World of Journalism Study. Kjo e limiton raportimin ndërkombëtar dhe pengon një diversitet më të madh apo një kontekstualizim të eventeve aktuale”.
Botuar fillimisht në faqen e EJO në gjuhën çeke. Përkthyer nga faqja e EJO në gjuhën angleze
Tags:Mediat në Çeki, Radio Çeke, raportimi nderkombetar, Republika Çeke