Gazetat rajonale përballen me rimodelimin në internet

7 Prill , 2013 • Mediat e Reja • by

-Nga Safet Kabashaj dhe Drazhen Remikoviç për Southeast European Times në Prishtinë dhe Zagreb.

Për të dytën herë në më pak se dy vjet, Kosova humbi një gazetë të përditshme kur Express ndali shtypjen e saj. Gazeta e botuar prej 8 vitesh gjendet tani vetëm në internet.

Ndonëse shumë gazeta anembanë Ballkanit dhe nëpër botë kanë kaluar nga shtypi në në internet, është vendimtare për uebsajtet e reja të ruajnë standarde të larta gazetareske për të ofruar një forum që jep raportim të sigurt dhe liri të medias, thanë analistët.

Nëpërmjet ruajtjes së besueshmërisë, media në rajon shërben si një burim përgjegjësie kundër korrupsionit dhe një mjet për të shpënë përpara lirinë e shtypit.

“Media e shtypur ka një të ardhme, por ajo kërkon mjaft para dhe një plan të mirë ekonomik për të mbijetuar”, tha për SETimes Zhenko Duka, president i Shoqatës së Gazetarëve Kroatë dhe redaktor pranë të përditshmes kroate Novi List . “Nga ana tjetër, gazetaria në internet po ul kriteret etike dhe unë mendoj se media në internet duhet të respektojë të gjitha kodet etike që përfaqësohen në median tradicionale”.

Nehat Islami, kreu i Këshillit të Shtypit të Kosovës tha për SETimes se të gjitha degët e medias së shtypur të vendit kanë nënshkruar një kod etike dhe se Express do të vazhdojë ta ndjekë atë si një agjenci në internet.

“Unë besoj shumë se ata do t’u përmbahen parimeve të gazetarisë edhe si media në internet dhe do të respektojnë kodin e etikës të Këshillit dhe etikën e medias”, tha Islami.

Çështja e besueshmërisë është e rëndësishme, pasi disa uebsajte në rajon nuk e shfaqin pronësinë e tyre dhe kanë ribotuar artikuj nga agjenci të tjera pa lejen apo atributet e duhura.

Evliana Berani, profesoreshë universiteti dhe pronare e Info Globi një agjencie lajmesh në internet, tha për SETimes se ka uebsajte me standarde të ulëta profesionale, por në fund të fundit agjencitë e lajmeve janë të vulnerabël ndaj identiteteve që ato i krijojnë vetes.

“Skena e medias do të filtrohet nga publiku”, tha ajo.

Redaktori i Express Shpend Limoni tha se vendimi për të ndërprerë shtypjen ishte një masë strategjike për shkak të zhvillimeve teknologjike dhe vështirësive financiare.

Limoni tha se studimi tregoi se 17 përqind e popullsisë në Kosovë e merr informacion nga interneti ndërsa vetëm 2 përqind nga gazetat. Ai shtoi se mbajtja e një edicioni të shtypur është kokëçarje financiare.

“Të gjitha të përditshmet në Kosovë shesin vetëm 12 000 kopje në ditë, ndërsa reklamat që janë të ardhurat kryesore financiare për një gazetë, po ulen çdo ditë”, tha Limoni për SETimes.

Pesëmbëdhjetë muaj më parë, një tjetër gazetë e Kosovës, Infopress, ndërpreu aktivitetin.

Duka tha se shitja e medias së shtypur në Kroaci ra nga 10 në 15 përqind në vitin 2012. Vitin e kaluar, e përditshmja 72 vjeçare kroate Vjesnik ndërpreu shtypjen për shkak të problemeve financiare. Pas ca muajsh si një publikim në internet, Vjesnik ndërpreu aktivitetin.

E njëjta gjë ndodhi me të përjavshmen Nacional, që doli në shtyp për herë të fundit në korrik 2012. Pronarët u përpoqën të mbajnë një botim në internet, por revista 17 vjeçare u tërhoq nga biznesi me miliona euro borxhe.

Disa gazeta në Bosnjë e Hercegovinë (BiH) kanë ndaluar botimin në dy vitet e fundit, duke përfshirë të përditshmet Fokus nga Banja-Luka dhe San, nga Sarajeva. Si në BiH dhe në Kroaci, gazetarët janë lënë pa punë apo pa asistencë papunësie apo ndonjë përfitim tjetër për punonjësit.

Tatjana Duronjiç, profesoreshë e shkencës së informatikës në fakultetin e shkencave politike në Banja-Luka, tha se e ardhmja e kompanive është në internet.

“Tendenca në rritje e të përjavshmeve dhe të përditshmeve të shquara dhe transferimi u tyre në botime në internet konfirmon hipotezën se e ardhmja e gazetarisë është në botimet në internet”, tha Duronjiç për SETimes. “Audienca është më e madhe në internet, hapësira është më e madhe. Në një kohë kur situata financiare ka prekur të gjitha sferat e shoqërisë është më e lirë të kesh prodhim në internet se sa në kopje të shtypur”.

Redaktorët e medias në internet theksojnë se ka një dallim të ndjeshëm në numrin e lexuesve midis medias së shkruar dhe asaj në internet. Limoni tha se uebsajti i Express ka deri 100 000 vizitorë në ditë.

“Është shumë më e lehtë të informohem nëpërmjet internetit se sa në disa stenda gazetash”, tha për SETimes Dajan Grubniç, 23 vjeç, student sociologjie nga Zagrebi. “Unë kam një mundësi të gjerë zgjedhjeje mes gazetave, shumë më tepër informacion dhe një mënyrë më të lehtë për të renditur lajmet”.

Megjithatë, Engjëll Blakaj, 56 vjeç, një lexues i pasionuar gazete nga Prishtina, tha se botimet në internet nuk mund të zëvendësojnë gazetat e shtypura tradicionale.

“Jo për shkak të mungesës së informacionit, por për shkak të mungesës së durimit të lexuesve për të ndaluar te një artikull apo histori e caktuar mes kaq shumë aksesi në informacion në internet”, tha Blakaj për SETimes.

“Botimet në internet po prodhojnë lexues me një njohuri dhe vëmendje sipërfaqësore ndaj problemeve, kështu që brezi i ri, përgjithësisht është më pak i informuar se brezi im”, shtoi Blakaj. “Për shkak të internetit ata janë bërë të varur, jo të etur të mbajnë mend gjërat, zhvillimet dhe të organizojnë një lidhje logjike midis tyre”.

 

Send this to a friend