Të bësh politikë me televizione e rrjete sociale

10 Maj , 2014 • Media dhe Politika • by

Teknologjia moderne sot e ka garantuar politikën në rrugëtimin e saj demagogjik. Qeverisjet e kanë gjithnjë e më të lehtë të bëjnë të “vuajturin”, ndërsa shpërdorojnë paratë tona, të bëjnë të “ndershmin”, teksa shesin e blejnë me paratë tona interesa personale. Kujdesi i tyre i vetëm është përdorimi sa më i shpeshtë dhe efikas i medias. Kjo ndodh kudo në botë. Por ka vetëm një ndryshim: opinioni, i cili konsumon ose jo këtë demagogji. Në vendin tonë, u bënë gati 15 vite që shqiptarët mbajnë sytë nga televizionet për të shpresuar në ndonjë dritë jeshile për veten. Por më kot. Gjendja e tyre ekonomike dhe sociale ka ecur në përpjesëtim të drejtë me këtë demagogji. Po t’u referohemi kohëve më të vona, mund të them se sa më shumë fliste z. Berisha për sukseset e vendit, sa më shumë shfaqej ai ose ministrat e tij në televizione, duke folur për rritje ekonomike, aq më shumë degradonte ekonomia e vendit dhe varfërohej xhepi i shqiptarëve. Ndaj dhe fytyra e z. Berisha që shfaqej çdo ditë në televizor, u shndërrua në sëmundje sociale. Pasoja? Njerëzit e kundërvotuan për të mos e parë më në televizor. Në të gjithë këtë përshkrim nuk mund të mos nxjerrim një konkluzion që ka të bëjë pikërisht me opinionin publik. Sjellja e këtij opinioni në zgjedhjet e fundit tregoi se ai ka filluar të kuptojë demagogjinë, ka filluar të mos e pranojë më trajtimin si turmë. Rilindja fitoi pikërisht, sepse opinioni publik kërkoi të largonte nga sytë e tij demagogjinë berishiste! Pra ishte një votë kundër! Të paktën Rilindja kështu duhet ta lexojë. Premtimet e saj lindën shpresa të mëdha. Por në të njëjtën kohë krijojnë shumë mundësi që të sjellin zhgënjime të mëdha. Në këtë sfond politik, çdo vonesë në politika publike, çdo përsëritje e gabimeve të paraardhësve e bën edhe më zhgënjyese qeverisjen e re.

Send this to a friend