Media shqiptare ka njohur rritje sa i takon zbatimit të teknologjive bashkëkohore, moderne dhe pajisjeve e makinerive apo infrastrukturës që shoqëron atë. Sidomos media vizive, nuk gabojmë po të themi se është nga sektorët e pakët që ka bërë një revolucion të vërtetë teknik.
Shqipëria në fakt ka qenë dhe mbetet një vend me demokraci të brishtë, faktorët e të cilave kanë qenë objekt i analizave të mjaft gazetarëve e politologëve. Në pamje të parë duket sikur kemi demokraci popullore, por de fakto ajo si pushtet është dhe administrohet nga një elitë e ngushtë qeveritare. Roli dhe qëllimi kryesor i mediave në vendet demokratike është mjaft i rëndësishëm dhe nganjëherë përcaktues si mjet informimi e komunikimi publik. Ndikimi i sektorit të mediave në botë është i veçantë dhe kësisoj konsiderohet si pushtet i katërt, kurse në Shqipëri media shfaqet herë si pushtet absolut dhe herë-herë pa kurrëfarë pushteti. Kjo vjen nga fakti se media si aset e ka burimin tek pushteti, politikanët dhe pushtetarët ekzekutiv që investojnë paratë publike në interes të pushtetit vet personal ose të një grupimi të caktuar politik. Pra, jo gjithmonë media përfaqëson interesat publike e të popullit sepse i duhet shpesh të përfaqësojë zërin e përfaqësueseve të pushtetit.
Sigurisht, kur analizojmë e japim ndonjë opinion për sektorin mediatik nuk mendojmë se plagët e saj janë unikale e të përveçme dhe as ndryshe nga plagët që ka sot Shqipëria. Ato janë pjesë përbërëse e kësaj shoqërie të sëmurë, e cila ka një shoqëri civile të krijuar nga forcat politike e shteti, ka patur ngahera qeveri, drejtësi e administratë publike të përfolur e mjaft të korruptuar edhe sipas opinionit ndërkombëtar. Është e drejtë të thuhet se gazetarët sot janë në udhëkryq, pse jo dhe të pashpresë, nga mënyra se si e përcjellin lajmin, debatin publik dhe emisionet e programet me profile e formate të ndryshme. Kjo është e thjeshtë të vërtetohet se mjaft gazetarë e moderatorë kalojnë nga një televizion në tjetrin, apo nga një gazetë në tjetrën, se janë nën presionin e padronit apo të politikës që e zotërojnë atë si aset. Në televizionet tona private mungon problematika, analiza, prognoza dhe opinionet e mirëfillta. Disa nga të përditshmet i kushtojnë rëndësi kronikave të zeza, politikës dhe ngjarjeve të cilat nuk përbëjnë lajm dhe as kanë kurrfarë interesi. Gazetave tona dhe televizioneve i mungojnë gazetarët invenstigues e monitorues. Kështu, qeveria cila do qoftë ajo bën qejf, sepse nuk ka kush e kontrollon punën e saj dhe as investigon.
Televizionet, tashmë, në programet e tyre kopjojnë njëri tjetrin, duke ndryshuar vetëm, formalisht emrat e emisioneve. Pra përmbajtja është gati e njëjtë, forma e ndryshme. Vëmë re se televizionet tona nuk pasqyrojnë plagët dhe shqetësimet e shoqërisë shqiptare. Nuk shikojmë një film edukativ, i cila ka në fokusin e tij luftën kundër trafikut të drogës dhe organeve për transplant, kundër korrupsionit apo krimit të organizuar. Nuk jepet një film i cili të pasqyrojë çështjet e familjes dhe problemet e njerëzve në nevojë apo ato të moshës së tretë. Kohët e fundit, dhe kjo ndodh në muajt e verës, jepen dokumentarë nga televizionet me gazetarët e vet, sepse të duash të bësh një film dokumentar do disa miliona lekë dhe kësisoj e bëjnë pa lekë dhe për njëri-tjetrin lidhur me historitë familjare apo karrierën e tyre. Po të ndjekë rrjetet sociale, sigurisht një “Like” ta japin, sepse shpesh kërkohet me ngulm, por është dhe pa para. Pra i bëjnë fresk njëri-tjetrit, paçka vlerave që ka programi. Duke marrë në konsideratë çfarë shikojmë e çfarë ndodh me median dhe raportin e tyre me publikun, kam arritur në përfundimin se jemi vërtet në rrezik. Nga ana tjetër edhe në ato programe që kanë pak “krypë”, moderatorët ftojnë njerëz jo me integritetin e duhur, jo profesionistë dhe pa asnjë status. Për rrjedhojë, programet, debatet, bëhen të bezdisura dhe thelb. Ti themi troç gjerat: populli është i mërzitur dhe mjaft i lodhur nga varfëria, papunësia, fenomenet e gjakmarrjes e hakmarrjes, hallet e dertet, dhe nëse edhe programet bëhen me karakter privat e personal, pa kuptim e përmbajtje, të jemi të sigurtë se demokracia jonë e brishtë rrezikohet dhe media do të bëjë hapa pas.
Kur vjen fushata elektorale e zgjedhjeve, televizionet marrin rolin e protagonistit dhe shpesh i hedhin benzinë zjarrit dhe acarojnë klimën politike në vend sepse kështu i ka urdhëruar padroni. Të shkruash një artikull apo të bësh një analizë është bela e madhe, sepse pas përfundimit duhet të mendosh se ku do ta dërgosh për botim. Në se e ke kritikuar opozitën, disa gazeta nuk ta botojnë dhe e kundërta në se kritikon qeverinë, disa të tjera përsëri nuk ta botojnë. Por disa gazeta përfaqësojnë bizneset dhe kësisoj profili e formati i gazetës duhet të mbrojë interesat e biznesit qoftë dhe padrejtësisht. Në se guxon e shkruan kundër asaj kompanie, nuk ka shans askush të shkruaj në atë gazetë. Pra të jesh gazetar, në të tilla kushte, është mjaft vështirë.
Organizata ndërkombëtare “Freedom House”, në raportet e saj të përvitshme mbi lirinë e medias e konsideron Shqipërinë pjesërisht të lirë. Shqipëria renditet e 98-ta; Kosova e 96-ta; Serbia e 74-ta; Mali i Zi e 78-ta; Kroacia e 83-ta; Bosnja e 103-ta etj. Më keq renditen vendet që tashmë janë në luftë e kriza si Egjipti, Libia, Libani, Turqia, Jordania dhe sigurisht dhe vendet e tjera të Afrikës veriore. Sigurisht që ka gazeta dhe televizione që mbrojnë me fanatizëm profilin e tyre dhe tentojnë paanësinë, neutralitetin dhe pavarësinë, dhe sigurisht që ato duhen mbështetur dhe përgëzuar për punën dhe kontributin që japin për publikun që e ndjek si dhe për demokratizimin e shoqërisë shqiptare
Botuar në Koha Jonë, datë 3 shtator, 2014