Korrupsioni i programeve televizive si fatkeqësi

9 Maj , 2016 • Kryesoret, Marrëdhëniet Publike, Shkrimet më të fundit • by

Nga Fitim Zekthi.

Media në Shqipëri është në një gjendje të shëmtuar, bartëse dhe ushqyese njëherazi e disa prej sëmundjeve më të urryera të njeriut dhe shoqërisë. Ajo është një nga shkaqet bazë e të gjithë gjendjes së rëndë të vendit në çdo aspekt; krimit, korrupsionit, situatës në arsim, në kulturë, politikë dhe kudo.

Ka së paku dy arsye për këtë gjendje: korrupsioni moral dhe injoranca e thellë. Qeniet njerëzore në gjendjen e tyre të dhënë zotërojnë vetinë e oikofilisë: dashurisë për oikosin, që do të thotë jo vetëm shtëpinë, por njerëzit që janë në të dhe ngulimet rreth e rrotull që pajisin shtëpinë me konturin kohëgjatë dhe idenë e vazhdueshme të mirësisë. Roger Scruton, një nga filozofët më të njohur sot, thotë se oikos është vendi, i cili nuk është thjesht i imi dhe i yti, por i yni. Ai është skena e ndërtuar në vetën e parë shumës të politikës, lokusin, njëherazi i imagjinuar dhe real, ku “ndodh gjithçka”.

Virtyte si: të qenit i drejtë, respektues, të përgjegjshëm lindin përmes rritjes sonë si persona, duke krijuar vlera të domosdoshme. Për të përftuar këto virtyte, ne duhet të kufizojmë “arsyen instrumentale” që qeveris jetën e Homo oeconomicus. Njeriu nuk mund ta shohë gjithçka si të shitshme, nuk mund ta shohë gjithçka si çështje tregu. Ka gjëra që nuk kanë çmim, që nuk shiten dhe që nuk blihen. Kjo është vendosja e oikos tek oikonomia. Njerëzit bëhen pjesë e një shoqërie “ne”- një vendi, një komuniteti dhe një mënyrë jetese që është e “jona”. Nevoja për këtë “ne” nuk është pranuar kurrë nga komunistët, internacionalistët apo nga revolucionarët socialistë.

Homo oeconomicus është njeriu ideal për këto prerje dhe dihet se ç’i bëjnë një shoqërie prerje të tilla. Ky lloj njeriu është në zemër të medias sonë sot. Drejtuesi i një prej emisioneve më të rëndësishme në Shqipëri shprehej gati me mburrje në një intervistë në gazetën “Panorama” se ai kishte për kriter të emisionit vetëm audiencën. “Shikuesi është mbreti ynë, thoshte ai, dhe ne kujdesemi vetëm të pasur një numër sa më të madh”. Ai i referohej vrasjes së dy vëllezërve në Shkodër dhe thoshte se ne pamë se publiku ndiqte me ngulm çdo informacion që vinte nga ajo ngjarje. Ai shprehej se, “nëse shihesh je i suksesshëm dhe nëse jo, ke dështuar”.

Në këtë mënyrë funksionon pak a shumë gjithë media në Shqipëri. Askush prej tyre nuk sheh askund më një “ne”. Të gjithë këta ngatërrojnë interesin publik me atë që i intereson publikut. Këta nuk kanë për ta mësuar kurrë se ajo që i intereson publikut mund të mos jetë interes publik. Newton Minow, president i Komisionit Federal për televizionet, iu drejtohej kohë më parë pronarëve, drejtuesve, producentëve dhe gazetarëve të televizioneve në SHBA duke u thënë se “transmetimi televiziv duhet t’i shërbejë publikut, duhet të ketë shpirt dhe vetëdije, dëshirë përvëluese për të shkëlqyer dhe për të pasur shikues. Ai duhet të ndërtojë karaktere, qytetarë, njerëz dhe intelektualë të fortë dhe të lirë”. Ideja se këto gjëra duan njerëzit nuk është vetëm e mjerë, cinike, por edhe justifikim për paaftësinë.

Detyra e medies nuk është të krijojë kërkesë, është të krijojë ofertë. Ndërkohë, media tek ne pa ndalur, dhunshëm ka krijuar kërkesë. Paaftësia bën që të zgjedhësh më të lehtën: t’u drejtohesh instinkteve të njerëzve. Shumica e televizioneve dhe e faqeve të gazetave mbushen me idiotësira që flasin për seksin, veshjet dhe zhveshjet, me sa plumba u vra, si u vra, ku e blenë vezën protestuesit, si u rrahën këta, si u zhvesh kjo, kush është më e bukur, kush votohet më shumë online.

Dihet botërisht që po t’u drejtohesh instinkteve, do të kesh shikues. Çështja është, a mund t’i drejtohesh dot të menduarit? A mund ta lësh biologjinë si një mënyrë për të bërë media, a mund t’i vësh oikos fjalës oikonomia? Kjo është njëra anë e sëmundjes, një anë që ushqen instinkte, që promovon suksesin përmes veshje-zhveshjes, që krijon, siç thotë një nga filozofët më me ndikim i kohëve të sotme, Jean Baudrillard, një hiperrealitet që është më “real” sesa realiteti i vërtetë. Ky hiperrealitet është kusht i mjaftueshëm për skllavërim të plotë.

Ana tjetër ka të bëjë me mbulimin e të vërtetave. Mediat dhe sidomos emisionet televizive nëpërmjet diskutimeve kujdesen që gjithçka të humbë kuptimin e saj. Kjo bëhet duke injektuar sa më shumë informacion, i cili për pasojë prodhon gjithnjë e më shumë moskuptimësi. Për shembull duke hedhur në diskutim pa fund shifra për investimet, papunësinë, punësimin, krahasime në vite, dhe duke i dhënë mundësinë gjithkujt të flasë dhe të prodhojë lloj – lloj informacioni, askush nuk kupton më se çfarë ka ndodhur me papunësinë apo me investimet. A janë rritur, janë ulur, ka më shumë vende pune apo më pak? Po ashtu duke folur për vrasjet dhe duke dhënë lloj- lloj shifrash, lloj-lloj justifikimesh, lloj-lloj shpjegimesh, duke bërë lloj-lloj krahasimesh, duke futur inserte, duke marrë opinione njerëzish, intervista, duke krijuar një mal pa fund informacioni, askush nuk e di se ç’ka ndodhur.

Jean Baudrillard thotë se në këtë rast, kemi shpërthim së brendshmi të kuptimit, pra ai bie brenda ngrehinës së vet. Dhe të gjithë e kemi parë se si televizionet në kërkim të audiencës, në realizim të postulatit madhështor “në qoftë se je i shikueshëm, je i suksesshëm”, prodhojnë pa fund informacion që askush nuk mund ta sintetizojë të tërin dhe të kuptojë se ç’po ngjet.

Një tjetër element që e shkatërron të vërtetën është edhe diskutimi teknik ose diskutimi për gjëra anësore, por që u drejtohen instinkteve dhe lejohen. Për shembull, nëse jemi duke folur për ngjarjen e Gërdecit, gjithmonë ka kujdes që dikush të nisë të flasë për numrin e targës së makinave, për mënyrën se si u ndez shkëndija, se si ajo në fillim u përpëlit dhe më pas, dikush tjetër nis e flet për shërbimet sekrete, për mënyrën se si rekrutojnë, se si i përdorin kodet, se si përgjojnë. Dhe kështu, askush nuk mere vesh ç’ndodhi? Cili ka përgjegjësi dhe si do e mbajë këtë etj.

E njëjta gjë edhe për ngjarjet kriminale të rënda, ku studiove njerëz të ndryshëm flasin për detaje të tilla idiote si: ku u dogj makina, me kë kishte lidhje drejtuesi i mjetit, nga cila linjë mund të jetë trafiku, sa linja ka, si bëhet trafiku nëpër Europë dhe botë, ç’duhet të bëjë policia etj. Kjo bën të mundur largimin nga diskutimi mbi përgjegjësitë e ministrit, të qeverisë dhe nga elementë të tjerë që mund të jenë inkriminimi i shtetit.

Kjo gjë ndodh në televizionet në Shqipëri, që nga ora e parë e mëngjesit deri në mbrëmje vonë, që nga emisioni i gatimit ku rrinë bashkë politikanë dhe femra seksi e deri tek emisionet e pasditeve apo të motit (emisione moti nga top-modele veç nesh ka në Meksikë, Brazil, por askund në Europë apo Amerikë.) Sa i takon një sëmundjeje tjetër edhe më të ndyrë, asaj të korrupsionit politik në media, kjo nuk ka nevojë të diskutohet. Është faqëza e të gjithëve. Gjithë kjo gjendje është krijuar sepse njerëzit që kanë rol të rëndësishëm në media nuk funksionojnë si qenie njerëzore që në gjendjen e tyre të zakonshme zotërojnë vetinë e oikofilisë, pra të dashurisë për oikosin, jo vetëm shtëpinë, por edhe njerëzit që janë në të dhe ngulimet rreth e rrotull….

Burimi: Mapo

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, ,

Send this to a friend