Pse na duhet Edukimi Mediatik?

17 Qershor , 2017 • Kryesoret, Marrëdhëniet Publike, Shkrimet më të fundit • by

Lajme të këqija kudo

Kriza politike që ka përfshirë Shqipërinë këto muaj të fundit ia ka dalë që të shfaqet në mediat, duke pushtuar ekranet e televizionit dhe celularëve, shtypin, radiot dhe rrjetet sociale. Me orë të tëra çdo ditë në edicionet e vazhdueshme të lajmeve, përsëriten kërcënime dhe kundërkërcënime, thirrje për luftë (metaforike shpresojmë, edhe pse dyshojmë se paqartësia është e qëllimshme), si përplasje epike dhe konflikte kataklizmike. Nëse do të lexosh gjithë artikujt e portaleve online, dhe do dëgjosh fjalosjet e gjata të analistëve në televizion, sigurisht që situata do të vijë duke u bërë gjithnjë e më dramatike, por jo aq për të gjithë Shqipërinë, sepsa për ty, nëse e lë veten të bëhesh shënjestra e kësaj stuhie histerike lajmesh të këqija.

Në lajme të tjera nga vendi mund të dëgjosh për trafik droge, vrasje, tentativa për vrasje, vetëflijime, grabitje, aksidente të rënda rrugore apo ushqime që mund të na helmojnë. Në fund, nëse përpiqesh të marrësh vesh ndonjë lajm nga bota, edhe mund të gjesh, por kij parasysh se ato më të shumtat kanë të bëjnë me sulme terroriste mbi viktima të pafajshme që shkonin në punë, rrëzimin e ndonjë avioni diku apo kërcënimin koreanoverior për të shkaktuar një apokalips bërthamor. Pasi ta kesh marrë gjithë këtë dozë lajmesh të këqija, do ta mirëkuptoja nëse do të të duhej një gotë për të mbledhur veten.

Por ka edhe lajme të mira, dhe i pari që dëshioj t’ju jap është se gjërat nuk janë vërtetë kaq keq sa duken. Nuk jam duke thënë se lajmet e sipërpërmendura janë të pavërteta, në fakt ato janë, por mënyra sesi përzgjidhen, rreshtohen, komentohen dhe sillen tek publiku është tepër e rëndësishme. Sot në Shqipëri ne jetojmë përballë një ekrani të madh virtual, i cili tenton të na ndikojë veprimet dhe mendimet në mënyra të dukshme dhe të padukshme. Nga njëra anë kemi media pro-qeveritare të cilat rendin të pasqyrojnë sa më mirë qeverinë dhe të zmadhojnë arritjet, e në anën tjetër, media që përpiqen të nxijnë gjithçka. Pikërisht këtu qëndron nevoja për gazetarët profesionistë, të pandikuarit politikisht, që nuk autocensurohen e nuk tremben.

Por, për të qënë realistë, edhe pse gazetarë të mirë ka, ka gjithnjë më shumë interesa të fshehtë të kompanive që kontrollojnë mediat dhe politikanëve që bashkëpunojnë me ta. Situata mund të ishte më e mirë por nuk do të jetë kurrë e përkryer. Do të ketë tani e në vazhdim Fake News, ashtu siç do të ketë media të papërgjegjshme, që kanë si qëllim të budallallepsin publikun, të zbardhin apo nxijnë situatën sipas interesave që përfaqësojnë, duke u bërë kështu, si Nimfat që i këndonin Odiseut për ta robëruar. Ndaj sot është shumë e rëndësishme që ashtu sikundër kërkojmë që të kemi një media cilësore dhe të ndershme, duhet të kemi qytetarë konsumatorë të medias të cilët dinë të kuptojnë, analizojnë dhe kritikojnë lajmet që marrin. Me fjalë të tjera, nëse media përpiqet të na e hedhë, na duhen qytetarë që i njohin hiletë e saj.

Edukimi mediatik ndihmon

Edukimi mediatik, i njohur në anglisht gjerësisht me termin Media Literacy do të thotë që konsumatori i medias duhet të jetë në gjendje të bëjë disa pyetje lidhur me sa lexon online apo sheh në televizion. Ai duhet të dijë më së pari se cila media është burimi i informacionit, e më tej, kush është/janë pronarët e kësaj media dhe ç’interesa kanë ata. Natyrisht, një qytetar nuk mund të dijë gjithçka për gjithkënd, por në një vend të vogël si Shqipëria, të mos dish se kush po të informon është një naivitet flagrant. Si konsumatorë të lajmeve gjithashtu duhet të mësohemi të bëhemi më kërkues. Të kërkojmë Burimin e informacionit, dhe nëse ky nuk na jepet në artikull, kjo duhet të na bëjë skeptikë. Sepse aty ku burimet mungojnë, dhe “faktet” kalojnë të pakontrolluar ka potencial për propagandë, dezinformim dhe abuzim.

Mjaftojnë pak minuta në një prej gazetave online në vendin tonë për të parë sesa shumë volum lëshohet tek publiku, e sa pak thelb ka në të gjithë këtë informacion. Fjala e një deputeti në parlament, apo deklarata e një politikani në çadër, ndahet në nga pesë deri në shtatë pjesë, të cilat kthehen në shtatë artikuj, të cilët përmbajnë secili vetëm një paragraf. Kjo është mënyra sesi bëhet gazetari sot. Në vend të sintetizimit, përmbledhjes dhe shpjegimit të ngjarjeve, gazetarët nxitojnë të shkruajnë sa më shumë artikuj, me tituj gënjeshtarë, të cilët kanë si qëllim kthimin e ngjarjeve në spektakël, dhe përdorimin e medias për të krijuar favore tek njerëzit me pushtet.

Jetojmë në epokën dixhitale, ku informacioni na vjen nga të gjitha anët, i pandalshëm e i papërballueshëm për pskikikën tonë të pamësuar. Në epokën tonë, celularët, mediat, informacioni dhe dixhitalizimi janë pjesë e jetës së përditshme, që nga fëmijëria, deri në moshën e tretë, ndaj ashtu siç u mësojmë fëmijëve mbi kafshët dhe planetet, bletët dhe dallëndyshet, duhet  medoemos t’i mësojmë sesi të përballen me stuhinë e papushimtë të informacionit me të cilin do të përballen në jetë. Por jo vetëm fëmijët, edhe ne që jemi të rritur, kemi nevojë të kuptojmë sesi funksionon kjo “lojë luftrash” me informacionin për të ruajtur veten dhe shoqërinë nga ana e errët e makinerisë së medias.

Burimi: https://citizens-channel.com/2017/05/02/e-pse-na-u-dashka-edukimi-mediatik/

Tags:,

Send this to a friend