Deepfake apo Fake News 2.0, virusi i ri për gazetarinë e sotme

24 Janar , 2019 • Kryesoret, Mediat e Reja, Shkrimet më të fundit • by

Deepfake është versioni i ri i Fake News apo ndryshe lajmit të rremë. Fjalori i Macmillanit termin deepfake e definon si audio dhe video e një personi, e manipuluar për t’u dukur dhe tingëlluar si një person i vërtetë, duke thënë diçka që ai person kurrë nuk e ka thënë. Shprehja deepfake rrjedh nga kombinimi i dy fjalëve, deep (i/e thellë, thellë) dhe fake (i/e rremë, rrenë, trillim, mashtrim). Nëse vitet e fundit është diskutuar shumë për lajmet e rreme, për rrezikun që na kanoset prej tyre dhe për mënyrat se si të mbrohemi nga to, muajve të fundit fokusi çdoherë e më shumë po kalon të deepfake – rrenë e thellë, trillim i thellë, mashtrim i thellë. Deepfake si përmbajtje e rreme nuk është vetëm tekstuale, por kalon edhe në përmbajtje të rreme vizuale.

Fake News 2.0, apo Deepfake është një teknologji e bazuar në inteligjencën artificiale që përdoret për të prodhuar ose ndryshuar videopërmbajtjen në mënyrë që të paraqesë diçka që në fakt nuk ka ndodhur. Me anë të programeve të ndryshme mund të kombinohen ose mbivendosen imazhet dhe videot e rreme mbi imazhet ose videot ekzistuese. Teknologjia e krijimit të videove të rreme tregon se në ditët e sotme, më shumë se kurrë më parë, duhet të jemi jashtëzakonisht të kujdesshëm në çka besojmë, madje edhe kur e shohim nuk duhet ta besojmë apriori. Studiuesit e etikës në media, Philip Patterson dhe Lee Wilkins, duke iu referuar mediave tradicionale, thonë se “të shohësh nuk do të thotë se është e besueshme”. Por, nga viti 2009, kur ata botuan librin ‘Etika në media: çështje dhe raste’, tashmë problematika për shoqërinë është shumëfishuar, sepse përveç mediave tradicionale, nga të cilat edhe sot duhet pasur kujdes, tashmë rreziku kryesor për mashtrim ekziston në botën e internetit. Një video e rreme ku një politikan deklarohet për një temë të caktuar mund të jetë deepfake, mund të shpërndahet në rrjetet sociale dhe është vështirë e dallueshme për secilin. Manipulimi nëpërmjet një videoje të rreme e forcon thënien e studiueses amerikane, Sheila Reaves që më 1987 i quajti videot, “lëng i kontrolluar”.

Deepfake është një virus shumë i rrezikshëm për gazetarinë. Përderisa njerëzit nuk mund të besojnë më atë që shohin dhe atë që dëgjojnë, është e lehtë për çdo lider politik të mohojë çdo raportim që nuk i pëlqen duke e cilësuar si një trillim. Nuk është e rastësishme deklarata e presidentit amerikan, Donald Trump, kur iu tha qytetarëve që të mos harrojnë se çfarë shohin dhe çfarë lexojnë, nuk është ajo që po ndodh. Natyrisht, referencë e Trumpit nuk kanë qenë lajmet e rreme apo deepfake, por mediat tradicionale, mainstream në shtetin amerikan. Pra, në çfarëdo rrethane, deepfake mund të rezultojë edhe më me ndikim, sesa lajmet e rreme.

Krijuesit e deepfake përdorin një shumëllojshmëri të teknikave, duke përfshirë ndërrimin e fytyrës, vendosjen e shprehjes së fytyrës mbi fytyrën e dikujt tjetër, apo sinkronizimin e lëvizjes së buzëve. Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, mediat mainstream tashmë kanë filluar të trajnojnë gazetarët se si mund t’i detektojnë deepfakes.

Një prej mënyrave për të zbuluar se videoja është deepfake është kontrollimi i atyre videove duke përdorë programet e video editimit. Duke kontrolluar pamjet për çdo kuadër, mund të vërehen ndriçim apo lëvizje të panatyrshme, dallime në ngjyrën e lëkurës apo ndonjë shenjë afër gojës.

Trajnimi i gazetarëve është shumë i rëndësishëm, por misioni nuk përmbushet nëse edhe audienca nuk edukohet për një fenomen të tillë. Trendët e tillë e bëjnë më të rëndësishme se kurrë më parë edukimin medial, dhe nevojën që ajo të jetë pjesë e planprogramit të shkollimit të mesëm të lartë edhe në vendin tonë. Skandali pizzagate është një tregues i ndikimit që mund të ketë publikimi i një lajmi të rremë.

Ky skandal ka të bëjë me publikimin e lajmit se në picerinë “Comet Ping Pong” në Washington, fëmijët ishin abuzuar seksualisht dhe aty ishin përfshirë edhe kandidatja për presidente të SHBA-së, Hillary Clinton dhe krahu i saj i djathtë gjatë fushatës zgjedhore, John Podesta. Përveç mesazheve me kërcënime për jetë që kishin shkuar në adresë të pronarit të picerisë, një 28-vjeçar nga Karolina e Veriut kishte udhëtuar për në Washington për t’u konfrontuar me pronarin dhe punëtorët e picerisë. Ai i mllefosur nga lajmi që e kishte lexuar, i cili në fakt ishte i rremë, kishte gjuajtur me armë brenda picerisë, por fatmirësisht nuk kishte lënduar askënd.

Një studim i Institutit të Teknologjisë të Massachusetts-it zbuloi se lajmeve të vërteta, për të arritur te 1500 persona në Twitter, iu duhej gjashtë herë më shumë kohë sesa lajmeve të rreme. Në këtë mes, natyrisht rol të rëndësishëm luajnë botët, të cilët zakonisht përdoren që të përshpejtohet shpërndarja e lajmeve të rreme. Faktet do të vazhdojnë të humbasin fuqinë e tyre pasi që videot e bëra dhe fotografitë bëhen më të sofistikuara, duke hedhur dyshime mbi materialin primar. Fjalimet e pavërteta të politikanëve apo të çdokujt tjetër do të vazhdojnë të shpërndahen në rrjetet sociale dhe shoqëria do të vijojë të jetë viktimë e këtyre video mashtrimeve, sepse imitimi i figurave të ndryshme që realizohet me programe të avancuara kompjuterike është vështirë i dallueshëm. Tre vjet më parë, post e vërteta ishte zgjedhur fjala e vitit nga fjalori i Oxford-it. Nuk do të befasohesha nëse për vitin 2019, deepfake do të jetë fjala e vitit.

Print Friendly, PDF & Email

Tags:,

Send this to a friend