Ndikimi i internetit në lajmin e mirëfilltë në kohë pandemie

28 Shtator , 2020 • Etika dhe Cilësia, Kryesoret, Shkrimet më të fundit • by

Praktika e publikimit të lajmeve të rreme, po vazhdon edhe në këto ditë pandemie. Shpejtësia për të publikuar lajme minutë pas minute, po bën që ato të mos të kenë fakte, të mos kalojnë në filtrat e redaktimit dhe lektorimit. Mos ndjekja e këtij zinxhiri gazetaresk, lajmi i pavërtetë po merr dhenë. Por kjo duket që po bëhet me vetëdije të plotë nga ana e vetë mediave, kryesisht e atyre online. Për arsye se synimi i vetëm i tyre është interesi i lloj – llojshëm i politikave  redaktuese si dhe marrja e sa më shumë klikimeve.

Në anën tjetër, lexuesit e lajmeve të tilla po përballen me frikë e ankth.  Në këtë periudhë, kur të gjithë po kërkojmë të mësojmë nga mediat çfarë po ndodh rreth këtij virusi vdekjeprurës që bllokoi mbarë globin. Në të shumtën e rasteve, shohim lajme me tituj bombastikë, dhe jo më përmbajtje cilësore.Të tilla vazhdojnë të qarkullojnë kryesisht nëpër rrjete sociale. E  kujtojmë lajmin  që kishte  të bënte më atë se si të shërojmë virusin COVID-19 në kushte të shtëpisë në bazë të një recete, e cila ngjalli reagime të shumta.

Mirëpo, fatkeqësisht ky nuk është lajmi i vetëm i këtij lloji, në Kosovë deri më tani thuhet se janë shpërndarë diku afër 2000 lajme të tilla.  E prodhimi i këtyre  lajmeve pa burime po ndikon në informimin jo të saktë të publikut dhe po ia humb vlerën lajmit të mirëfilltë gazetaresk. Andaj, nga njohësit e fushës së gazetarisë, kjo çështje është krijuar si  shkak i qëndrueshmërisë jo të mirë financiare të këtyre mediave dhe si shkak i ndikimit politik në to.

Ligjëruesi në Fakultetin e Gazetarisë në Universitetin e Prishtinës, Dren Gërguri ka thënë se, padyshim interneti e ka ndryshuar rrjedhën e informacionit, bashkë me të edhe mënyrën e informimit. Sipas tij, “në rastin e Kosovës, ndikimi është edhe më i madh për faktin se qasja në internet është në shkallë të lartë. 93% e familjeve në vendin tonë kanë qasje në internet, mesatare më e lartë se të gjitha shtetet që na rrethojnë”, është shprehur Gërguri.

Ai gjithashtu ka potencuar se,në portalet tona gjenden edhe lajme të cilat janë pa burime fare, dhe në këtë mënyrë, lajmet e servuara për publikun sipas Gërgurit janë lajme të cilat nuk u përmbahen standardeve profesionale, përfshirë edhe lajme pa burime apo me vetëm një burim mund t’i shohim nëpër portale, sikurse që mund të lexojmë edhe lajme të cilat nuk japin informacionet e mjaftueshme për një çështje të caktuar”, ka theksuar Gërguri. Ai ka treguar edhe shkaktarët se pse kemi lajme të këtij lloji. Në mesin e këtyre shkaktarëve ai përmend financimin jo të qëndrueshëm  si dhe kushtet jo të mira për punë për gazetarët.

“Shkaktarë për lajme të tilla është paqëndrueshmëria financiare. Modeli i funksionimit të portaleve te ne nuk është i bazuar në financim të qëndrueshëm dhe ka portale të cilat mbajnë gazetarët pa kontrata pune dhe pa kushtet e nevojshme për të kryer detyrën. Përmbajtjet cilësore do të jenë në numër më të madh atëherë kur portalet të jenë ekonomikisht të qëndrueshme, rrjedhimisht do të krijohen kushtet e favorshme për profesionalizëm”, është shprehur Gërguri.

Të një mendimi me gjithë shkaktarët e përmenduar nga ligjëruesi Gërguri, është edhe kryetarja e Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës Gentiana Begolli – Pustina . Sipas saj, “gazetarët në Kosovë, e kryesisht ata të mediave online punojnë me nga 200 euro apo 300 euro në muaj kur e dimë çfarë tregu i egër është në Kosovë sa i përket gazetarisë, kjo domosdoshmërisht i bën ata që të jenë më të strukur dhe të mos e kenë atë pavarësinë e duhur. Andaj, mendoj që pagat e ulta, kushtet jo të mira mungesa e kontratave të punës, mungesa e shqyrtimit të lëndëve të tyre në organet e drejtësisë i bën ata që pa dëshirën e  tyre të struken karshi normave profesionale gazetareske”, është shprehur Begolli – Pustina.

Në anën tjetër ligjeruesi Dren Gërguri, ka dhënë edhe arsye të tjera rreth rreth kësaj çështje. Një prej tyre është shpejtësia për të publikuar lajmet, duke mos respektuar rregullat elementare të lajmit të mirëfilltë, ka treguar Gërguri. Sipas tij, portalet në Kosovë janë ende në zhvillim dhe derisa nuk kemi një stabilizim të një numri portalesh, lajmet e publikuara mund të mos i përmbahen gjithnjë interesit publik sepse për të mbajtur lexuesin afër, disa portale do të vazhdojnë të publikojnë informacione sa për klikime”,ka thënë Gërguri.

Ndërkaq, njohësi i fushës së gazetarisë dhe ligjëruesi Abit Hoxha, nuk i ka përgjithsuar të gjitha mediat online, ai ka thënë se ka portale të cilat funksionojnë duke prodhuar lajme në formë cilësore, e disa vetëm për të fituar klikime. “ Disa media online janë shumë cilësore e disa nuk janë. Nuk besoj se mund të përgjithësoj e as abstragoj këtë aspekt. Ka portale të cilat ekskluzivisht fokusohen në lajme apo gjysëm lajme vetëm për klikime ndërsa ka portale të cilësisë së lartë”, ka thënë Hoxha. “Marrja e lajmeve nga një portal në tjetrin është çështje e etikës. Portalet janë edhe disidenca e medias kosovare por edhe dekadenca e medias kosovare. Në këtë rast janë dekadenca sepse jo vetëm se marrin pa të drejtë lajmet por edhe nuk citojnë burimet, nuk konfirmojnë lajmin etj. Pra, lajmi nuk kalon nëpërmjet filtrave të duhur të redaksive”, është shprehur Hoxha.

Ai nuk e sheh as ligjin për media si zgjidhje të kësaj çështje. “Jo. Nuk mund të rregullohet kjo çështje me ligj. Do të ishte ligj jo-demokratik, censurues dhe do të invalidonte skenën e gazetarisë në Kosovë, ka vlerësuar Hoxha. Pjesë e lajmeve të pavërteta janë edhe mediat  nga rajoni dhe bota, e që padyshim kjo është vënë në pah edhe gjatë periudhës së pandemisë. Në Shqipëri, u publikuan lajme , foto e video të rreme. Madje, kjo ndodhi pikërisht në kohën, kur filluan masat e rrepta në luftë kundër COVID – 19. Në këtë periudhë atje u publikuan edhe lajme, se si të shërohet  virusi corona në kushte shtëpie, ngjajshëm si ndodhi edhe në Kosovë. Duke  përdorë hudhra, mjaltë qepë e përbërës të tjerë, lajme të cilat drejtpërdrejtë ndikonin për të sjellë panik dhe hamendje në opinion.

Ndërkaq, në  Bosnjë Hercegovinë, janë marrë masa ndëshkuese, nëse në media sociale  qarkullojnë informacione që mund të shkaktojnë panik në kohën e pandemisë. Gjë e cila po  rrezikon të kufizojë punën e gazetarëve dhe lirinë e shprehjes në platformat e mediave sociale në këtë vend.  Pjesë e masave ndëshkuese, dekreteve ose vendimeve të tilla, janë marrë edhe në shtetet e tjera, por që ishin kundërshtuar fuqishëm nga zyrtarë të Këshillit të Evropës për të Drejtat e Njeriut.

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, , ,

Send this to a friend