Dizajni editorial dhe grafik i gazetave në vitet e fundit

29 Nëntor , 2011 • Reklama dhe Marketingu • by

Nga Sami Neza

Duke i hedhur një vështrim shtypit shqiptar të periudhës 2005-2011 shohim ndryshime të shpeshta të formatit të gazetave, modelime të reja dhe rimodelime, hyrje dhe dalja rubrikash apo faqesh që ekspozojnë tema dhe subjekte krejt të reja për gazetat.

Brenda pesë vjetësh përmbysja në median e shkruar, qoftë në dizajnimin editorial dhe atë grafik ka qenë shumë më e madhe se ritmi i demokratizimit të shtypit përgjatë pesë viteve të para të pluralizmit, dhe shumë më i shpejtë se sa shfaqja e profesionalizmit në të shkruarit e lajmit apo paraqitjes së lajmeve në pesëmbëdhjetë vitet e mëparshme.

Duke iu përmbajtur disa prej titujve kryesorë të shtypit në këto vite: Panorama, Shekulli, Shqip, Gazeta Shqiptare dhe Koha Jonë, përpara se të marr në shqyrtim cilësitë e gazetarëve dhe ndryshimet e tyre, do trajtoj përpjekjet editoriale dhe grafike për të rritur impaktin e shtypit të shkruar brenda impaktit të medias në përgjithësi dhe për të realizuar mbijetesën në ritmet e shpejta të ndryshimit të teknologjisë dhe mjeteve të komunikimit.

Dizajni editorial

Hapat e parë të ndryshimit të dizajnit editorial u shfaqën me shpeshtësinë e trajtimit të temave të ndryshme nëpërmjet një zhanri që i përafrohet “feature-it” ose specialeve, si edhe dossier-it. Fillimisht kishim futjen e specialeve që kanë të bëjnë me historinë në trajtën e dossier-it. Tematika e zgjedhur për speciale apo dossier nuk shkon fort me politikat editoriale që lidhen me qëndrimin politik të gazetës në përgjithësi. Speciale apo dossier botonin në mënyrë frekuente Panorama, Shekulli, Shqiptare. Asnjë nga titujt e gazetave të viteve 90 nuk kishte dossier. Kemi vetëm dy përjashtime; gazeta “Rilindja” e Prishtinës (qëndroi në tregun e gazetave në Shqipëri deri në vitin 1999) e cila kishte një rubrikë gati të përditshme të dossierit, dhe botimi i dossierit për gjyqet e grupeve armiqësore në gazetën RD. Specialet po ashtu ishin të rralla dhe kryesisht kishin letërsi apo erotikë. Ndryshimet në dizajnin editorial u përforcuan me futjen e suplementeve në fund të vitit 2005 pothuajse në të gjitha gazetat. Panorama nis me suplementin rozë ditën e shtunë duke u pasuar pak më vonë me suplementin “Psikologjia”, për ta zëvendësuar atë me “Gruaja” të dielën. Gazeta Shqiptare pak më herët se Panorama kishte filluar me një suplement të tipit gossip ditën e shtunë, për të vazhduar me Milosaon të dielën. Për më tepër Gazeta Shqiptare, për të theksuar këtë prirje edhe më shumë, shtriu suplementet e saj edhe në ditët e javës si psh “Gjimnazistët” etj.

Edhe gazeta Shekulli kishte po të njëjtën prirje. Më herët ajo do të shfaqej me një supplement të një natyre tjetër, atë të verës që i dedikohej një gjendje relaksi të lexuesve të saj dhe me të cilin kishte sukses në treg. Suplementi shitej bashkë me gazetën dhe kryesisht përmbante tematikë rozë, gossip dhe anekse të tjera që lidheshin me zbavitjen e lexuesve. Pothuajse në të njëjtën kohë me një supplement vere do të shfaqej edhe Gazeta Shqiptare, por me një tematikë më të theksuar rozë, dhe më të lirshme.

Ndërkaq Shekulli kreu një kapërcim të guximshëm nga viti 2006, por me një pamje krejt tjetër dhe siç duket edhe me një synim shumë më afatgjatë se dy gazetat e mësipërme. Ajo shkriu pjesë të medias sociale me faqet profesionale të gazetës duke pritur një rritje të numrit të lexuesve për shkak të përafrimit me ta, por ky suplement nuk arriti të merrte impaktin e shpresuar, edhe pse nuk u hoq nga faqet e saj.

Gazeta “Shqip” e cila doli në treg në pranverën e 2005, filloi që në start me një suplement të përditshëm, kryesisht i ngjashëm në përmbajtje dhe përzgjedhje me portalin e madh të lajmeve Haffington Post, me një tematikë të zgjedhur me subjekte joshqiptare, por mjaft joshëse. Në një formë të ngjashme, ka qenë edhe suplementi i përditshëm tek “Metropol”. Suplementi i “Shqip” ishte më këmbëngulësi nga të gjitha format e suplementeve të shfaqura deri atëherë në faqet e shtypit shqiptar dhe dukej se ajo gazetë e kishte bazuar një pjesë të prezantimit të mirë të saj pikërisht në tema të tilla.

Dizajni grafik

Ndryshimet në dizajnin grafik shprehen kryesisht me ndryshime në faqen e parë të gazetave. Përdorimi i fotove të mëdha në faqen e parë u bë një specifikë për dhjetë vitet e fundit duke u transformuar pothuajse në normë pesë vitet e fundit. Në tentativë për të bërë më mobile faqet e gazetës, të gjitha gazetat e mësipërme reformuan faqet e tyre të para përgjatë vitit 2004, 2005 e në vijim duke ndryshuar pamjen e germave të titujve kryesorë nëpërmjet një boldimi edhe më të fortë apo përforcuar foton kryesore. Panorama zgjeroi foton e parë por ndërkaq ruajti strukturën fillestare të faqes së parë, po ashtu edhe gazeta “Shekulli”. Ndërkaq Gazeta Shqiptare shtriu aperturën në të gjithë faqen e parë duke ndryshuar strukturën e faqes së parë të gazetës. Gazeta Shqip e sapoardhur në treg kishte mundësinë të komunikonte me lexuesin me një faqosje të menduar mirë dhe që mund të ndryshonte me vështirësi, më shumë një prirje e faqosjes klasike, por me një përmbajtje të vogël të formave të tabloidit. Në fakt gazetat tjera u miksuan në faqen e parë me tabloidin, një teknikë që nuk e përcollën në faqet e brendshme. Vetëm një gazetë guxoi për një kohë të gjatë të eksperimentonte me tabloid, gazeta “Korrieri” por që nuk funksionoi. Të njëjtin fat pati edhe “Zëri i popullit” apo gazeta “Ekspres”.

Por ndyshimi i dizainit editorial është shoqëruar ndërkaq edhe më ndryshimin e peshave për redaksi të ndryshme brenda gazetës duke bërë një rishpërndarje të re të tyre që pasohen me përforcime për disa e dobësim apo zhdukje për të tjera. A ka pasur zmbrapsje, reduktim, zhvlerësim ndaj disa produkteve përgjatë këtij procesi. Sigurisht që po. Gazetat janë sjellë konform tregut dhe rregullave të tij. Malli që nuk shitet nuk prodhohet më.

Reduktimi apo zhdukja e lajmeve nga bota.

Pothuajse asnjë gazetë në asnjë ditë nuk boton më shumë se një faqe me lajme nga bota. (Duhet mbajtur parasysh fakti i diferencës mes lajmit nga bota dhe specialeve apo raportimeve të gjata nga bota). Por edhe kjo faqe e mbetur është më e rrezikuara të hiqet nga numri i ditës kur gazeta ka prurje të mëdha lajmesh vendi. Është e para që hiqet nga redaktorët. Deri tani ka vetëm një matje të efektit të zvogëlimit të lajmit të botës: nuk ka ulur lexues. Por nuk ka ndodhur që ndonjë gazetë të eksperimentojë duke hapur gazetën me një lajm nga bota: qoftë edhe për të matur efektin, pasi ky efekt është i pamatur qartë.

Reduktimi i lajmeve sociale dhe ekonomike.

Në përgjithësi sjellja e redaktorëve ndaj këtyre lajmeve është shfaqur në dy forma. Ose vendi që zënë lajmet sociale dhe ekonomike është ruajtur në nivelet e mëparshme ose është zvogëluar. Por nuk kemi shtim hapësirash për lajmet e këtyre dy rubrikave.

Reduktimi i lajmeve të sportit

Edhe këto lajme erdhën duke u tkurrur për dy arsye: së pari dolën në treg një numër i madh gazetash sportive. Në janar 2005 kishte të paktën nëntë të tilla, një inflacion për lajmet në këtë fushë; së dyti vendi që zinte sporti në gazetat e përditshme të llojit të përgjithshme nuk plotësonte nevojat e lexuesve ndërkohë që rritja e kësaj sipërfaqeje për lajmet sportive mund të rendonte financat e gazetave apo të tkurrte sadopak një lexues politik të gazetave. E përbashkëta që përshkruan reduktimin e lajmeve sociale dhe ekonomike, atyre nga bota si dhe lajmeve sportive kishte të bënte me  një fakt tjetër kësaj here i lidhur më fort me politikat editoriale dhe më pak me marketingun. Gazetat pas vitit 2000 filluan të ndjenin krizën e tregut dhe krizën e reklamës. Ato po shiteshin gjithnjë e më pak. Nevoja për të kompensuar humbjet kërkoi ndryshime në sjelljen e tyre ndaj tregut me pasoja për pavarësinë dhe profesionalizmin. Rruga e mbijetesës ishte ajo e ndërtimit të influencave që deri diku kompensonin humbjet e gazetës. Lajmet nga bota, ato sociale dhe sportive nuk ndërtonin influenca. Sërish nuk kemi futjen në lojë të gazetave të specializuara për fusha të ndryshme.

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend