A e do publiku Radio-Televizionin Publik?

5 Tetor , 2013 • Liria e medias • by

Para një viti isha i ftuar në tryezën që organizoi PS-ja me analistë, gazetarë e pronarë të mediave shqiptare rreth reformave që ajo parashikonte për këtë sektor të rëndësishëm për konsolidimin e demokracisë sonë të brishtë. Një nga shqetësimet që u ngrit në tryezë ishte ai rreth njëanësisë së skajshme të Radio-Televizionit Publik. Dhe unë ofrova në atë tryezë disa ide për reformimin e tij, të cilat po i ndaj me lexuesin, ngaqë janë fare aktuale sot që PS-ja është në pushtet.

Radiot dhe televizionet publike, në shumicën dërrmuese të vendeve, financohen kryesisht me paratë e taksapaguesve. Kjo sepse, si shumë shërbime të tjera që ofrohen nga shteti, ato konsiderohen si të mira publike (të mirat publike ose nuk ofrohen dot nga privatët, ose nuk janë fitimprurëse për ta). Por në disa vende, radio dhe/ose televizione publike financohen në mënyrë vullnetare nga vetë publiku.

Kështu për shembull, në SHBA, radioja dhe televizioni publik, ndërkohë që nuk i ndërpresin programet me spote publiçitare (siç bëjnë simotrat e tyre private), financohen kryesisht prej pagesave vullnetare të dëgjuesve e shikuesve dhe prej sponsorizimeve të kompanive të ndryshme (subvnciontet e shtetit zënë një peshë të vogël).

Një model i tillë financimi ka të mirën se teston drejtpërdrejt vlerën që kanë programet e stacioneve publike për dëgjuesit/shikuesit e tyre, ndërkohë që nuk u kalohet barra financiare taksapaguesve që nuk janë të interesuar t’i ndjekin ose që nuk mendojnë se ia vlen të paguash për to. Por a do të funksiononte një model i tillë në Shqipëri? Ndoshta jo.

Shumica e dëgjuesve/shikuesve të programeve të Radio-Televizionit Publik mund të jenë njerëzit me aftësitë më të vogla financiare për të kontribuar vullnetarisht për mbajtjen e tij në këmbë. Ndërsa shumë nga ata që i kanë xhepat e ngrohtë, falë mpirjes së ndjenjës së komunitetit, ndoshta nuk do ta merrnin mundimin t’i dërgonin vullnetarisht ndonjë çek Radio-Televizionit Publik.

Në mungesë të testimit të drejtëprdrejtë të vlerës që kanë programet publike për dëgjuesit/shikuesit e tyre, dhe duke presupozuar se ato do të duhet të mbahen në këmbë me paratë e taksapaguesve, vlen të zhvillohet një vrojtim statistikor rreth preferencave të shtetasve shqiptarë për programet që ata nuk i gjejnë dot në stacionet private, dhe që do të dëshironin të transmetoheshin në Radio-Televizionin Publik. Sepse nuk ka kuptim që paratë e taksapaguesve të përdoren për financimin e një kopjeje jokonkuruese të radiove dhe televizioneve private, ndërkohë që këto të fundit mund të ndiqen falas pothuaj në çdo cep të vendit.

Vrojtimi statistikor rreth programacionit të Radio-Televizionit Publik mund të zbulojë se sa interes ka publiku për emisionet rreth historisë kombëtare, gjeopolitikës së vendit e rajonit, kulturës shqiptare, sportit, zhvillimit të arsimit, për tema të diasporës, të zhvillimit ekonomik, të përvojave të përparimit dhe emancipimit shoqëror, të jetës së përditshme të qytetarit, etj. Gjithashtu vrojtimi mund të zbulojë se ç’fraksion të programacionit duhet të përbëjnë emisionet e lajmeve dhe debatet e karakterit politik.

Dhe meqenëse këto dy të fundit kanë qenë mollë sherri mes krahëve kundërshtarë të politikës që prej lejimit të pluralizmit, vlen të pyeten të intervistuarit nëse do të deshin që Radio Televizioni Publik të kishte dy departamente paralele të lajmeve – njërin të kontrolluar nga pozita, e tjetrin nga opozita.

Në rast se publiku preferon dy departamente lajmesh paralele, mund të ndiqet modeli italian i TG-1 dhe TG-2, të cilat i transmetojnë lajmet me gjysëm ore diferencë dhe debatet politike jo në të njëjtën ditë dhe/ose orë. Gjithashtu, duke ndjekur shembullin e TG-1 dhe TG-2, standardet e gazetarisë profesioniste do të duhet të zbatohen nga të dyja departamentet. Sepse, përndryshe, emisionet e tyre ndoshta do t’i ndiqnin vetëm militantët e zjarrtë përkatës. Pra, që kjo të mos ndodhë, çdo deklaratë, intervistë, lajm, qëndrim, e koment i njërës palë do të duhet të ballafaqohet me ato të palës tjetër. Ndërkohë, secili department mund të zgjedhë vetë se cilave lajme do t’i kushtojë më shumë kohë e cilave më pak.

Në një model të tillë, departamentet paralele të lajmeve do të funksiononin si entitete më vete, të cilat thjesht do të përdornin pa pagesë studiot dhe dy frekuencat aktuale të Radio-Televizionit Publik. Dhe në këtë mënyrë, puna e KDRTSH-së do të bëhej shumë më e lehtë. Sepse ky këshill nuk do të kishte më barrën e ekuilibrimit politik të programacionit – ai do të kujdesej kryesisht që emisionet jopolitike të plotësonin kërkesat që publiku ka për to.

Mazhoranca aktuale mund ta bëjë reformimin e Radio-Televizionit Publik sipas modelit të mësipërm, apo sipas ndonjë modeli tjetër (madje edhe ta shkrijë fare, si Gardën e Republikës), por një gjë nuk duhet ta bëjë – të vazhdojë ta mbajë atë si një megafon propagandistik të partisë së rradhës në fuqi!

Botuar në Respublica, date 30 shtator

Send this to a friend