Përse barazohen mediat online me dyqanet e rrobave?

16 Prill , 2016 • Kryesoret, Liria e medias, Shkrimet më të fundit • by

Nga Adi Shkëmbi.

Qeveria ka përgatitur disa ndryshime ligjore në ligjin “Për tregtinë elektronike”, ku thotë se ka për qëllim një disiplinim në mediat online sa u përket komenteve që vijnë nga lexuesit dhe që etiketohen si fyerje, sharje apo nxitje të urrejtjes. Për këtë qeveria i referohet zbatimit të një direktive të Bashkimit Europian.

Nuk e vë aspak në dyshim përmbajtjen e direktivës dhe e marr atë si të mirëqenë, pa e lexuar fare. Nuk vë aspak në dyshim qëllimin e mirë të qeverisë për të disiplinuar dhe ndaluar komentet fyese dhe atyre që nxisin urrejtjen në portalet që tregtojnë mallra dhe shërbime. Por ky ligj nuk ka aspak lidhje me mediat online.

Së pari, mediat online janë përhapur me një shpejtësi të madhe vitet e fundit, edhe pse ato sot që flasim nuk kanë një ligj të mirëfilltë mbi të cilin të funksionojnë. Sot kemi një ligj për mediat audiovizive, kemi edhe një ligj me një nen për mediat e shkruara, por nuk kemi asnjë ligj për mediat online.

E para pyetje që të vjen në mendje është se përse qeveria e bën këtë ndryshim në ligjin për tregtinë elektronike dhe jo në ligjin për mediat? Apo, përse qeveria nuk propozon një ligj të ri për mediat online?

Për këtë qeveria nuk jep ndonjë shpjegim konkret, por thotë “ta nisim nga ky problem njëherë dhe pastaj të vazhdojmë me çështjet e tjera”. Së dyti, mediat online kanë sot shumë probleme, kanë shumë çështje për t’u diskutuar dhe për t’u rregulluar.

Por t’i vendosësh mediat online në një kazan me portalet që shesin rroba apo këpucë, kjo të bën të mendosh që propozimin e ka bërë një mendje naive, në rastin më të mirë, dhe një mendje dashakeqe, në rastin më të keq. Ai që e ka propozuar këtë nen, e ka shndërruar lirinë tonë kushtetuese të informimit në një mall.

Sipas qeverisë, informacioni që sot përcjellin mediat online (përfshi këtu edhe komentet që vijnë nga lexuesit- jo ato që kanë përmbajtje me fyerje personale dhe pa etikë) është një mall që shitet dhe blihet në pazar dhe për këtë duhet të trajtohet njësoj si blerja e rrobave në një dyqan që ka edhe një faqe interneti. Liria e informimit, si një e drejtë kushtetuese, e sanksionuar në ligjin themeltar të shtetit, nuk është mall, ne atë as nuk e shesim dhe as nuk e blejmë.

Nëse kjo qeveri miraton këtë ligj, me apo pa dashje, bëhet viktimë e filozofisë se me mediat mund të bëhet pazar dhe mediat mund të shndërrohen në mallra, njësoj si dyqani i këpucëve. Qeveria me të drejtë mund të kërkojë sot disiplinimin e portaleve tregtare, pasi mund të ketë informacion se aty bëhet thirrje për terrorizëm, nxitet urrejtja, ka sharje dhe fyerje të dënueshme nga Kodi Penal.

Por kjo nuk mund të rregullojë portalet e mediave online. Së treti, institucioni që e trajton lirinë e fjalës si mall, minimalja që mund të thuhet është se ai synon të censurojë fjalën e lirë. Çfarëdo qëllimi që mund të ketë ai që e propozon këtë ndryshim ligjor, e ka censurues ndaj mediave dhe fjalës së tij.

E sigurt është qëllim të mirë nuk ka. Së katërti, tentativa e ministres është edhe e pazbatueshme sepse mediat online nuk janë objekt i ligjit të tregtimit online. Për pasojë, çdo dispozitë që shtohet, hiqet, apo ndryshohet te tregtia elektronike, nuk mund të zbatohet për mediat online.

Një ligj vepron vetëm për fushat që janë objekt i tij. Do apo nuk do ministrja, nuk e ka zgjidhur “hallin” që ka. Do apo nuk do ministrja, nuk e zbaton dot këtu direktivën e Bashkimit Europian. Këshilla e vetme për të mund të ishte ngritja sa më shpejt e një grupi pune për të filluar urgjentisht hartimin e një ligji që do të rregullojë veprimtarinë e mediave online. Nëse do një sugjerim nga t’ia nisësh, mund tua japim.

Fillimisht nise me rregullimin e ligjit të së drejtës së autorit, në mënyrë që mediat që investojnë dhe janë serioze, të mbrohen nga kopjimi i lajmeve pa asnjë kriter nga disa portale pirate.

Pasi të rregullohet kjo pikë, që në vetvete përmban një sërë çështjesh që duhen diskutuar e debatuar (që nga përdorimi i lajmeve, fotografive, videove, citimi i burimit, vendosja e linkut), mund të kemi luksin të merremi edhe me moderimin e komenteve. Por me rregullimin e faqes online të dyqanit të rrobave, nuk e disiplinon dot median online.

A ka lidhje kjo iniciativë me afrimin e supozuar të fushatës zgjedhore, apo me denoncimin në portale të disa aferave? Kjo ndoshta mund të jetë pak herët për t’u thënë. Por është evidente se qeveria po nxiton t’i bëjë njësh portalet me dyqanet e rrobave. Dhe kjo nuk është aspak një shenjë e mirë.

Panorama Online

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, ,

Send this to a friend