Autocensura si forma më e përsosur e censurimit të shtypit

28 Maj , 2018 • Kryesoret, Marrëdhëniet Publike, Shkrimet më të fundit • by

Muajin që kaloi, Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) botoi raportin vjetor mbi të drejtat e njeriut anë e mbanë botës, përfshirë dy shtetet shqiptare, Shqipërinë dhe Kosovën. “Zëri i Amerikës” në gjuhën shqipe, në një përmbledhje të raportit mbi Shqipërinë, njoftoi se problemet më të konsiderueshme të të drejtave të njeriut, në vitin 2017, në Shqipëri, ishin “Kufizimet në lirinë e shprehjes dhe të shtypit, përfshirë autocensurën dhe frikësimin e gazetarëve, shkaktuar nga interesat financiare dhe politike, si dhe korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisë”.

Për sa i takon lirisë së shprehjes dhe të medias, “Zëri i Amerikës” në gjuhën shqipe njoftoi më 20 prill, se në raportin e DASH mbi të drejtat e njeriut në Shqipëri, thuhet se qeveria shqiptare në përgjithësi i respektoi këto të drejta, por shton se pati njoftime se qeveria, bizneset dhe grupet kriminale u përpoqën të ushtrojnë ndikimin e tyre tek media në mënyrë të papërshtatshme, duke cituar drejt për drejt raportin e DASH, në të cilin nënvizohet se,“Media e pavarur ishte aktive dhe shprehu një larmi të gjerë pikëpamjesh, megjithëse pati disa përpjekje për të ushtruar presion direkt dhe indirekt politik dhe ekonomik ndaj medias, përfshirë kërcënime dhe dhunë ndaj gazetarëve që punonin për histori investigative për krimin dhe korrupsionin”, theksohet në raport. 

Po ashtu, nënvizon VOA shqip, “presioni politik, korrupsioni, mungesa e fondeve e ndrydhën median e pavarur të shkruar”, dhe problem mbeti autocensura. Shembulli më i fundit i autocensurës nga një numër i konsiderueshëm gazetash me rëndësi dhe portalesh në Republikën e Shqipërisë, ndodhi dy ditë më parë. Kishte të bënte me lajmin mbi deklaratën e Presidentit të Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, i cili ndërkohë që po fliste për Shqipërinë – para studentëve të huaj që studiojnë në Turqi – udhëheqësi turk u shpreh se është duke bërë përpjekje gjithnjë e më të avancuara, për të ndërhyrë në sistemin arsimor të Shqipërisë.

Deklaratën e Z. Erdogan, se “Do marrim kontrollin edhe në Shqipëri”, shumë media shqiptare me të drejtë e cilësuan si një deklaratë “bombë”, sepse e tillë ishte deklarata e tij, për një vend të pavarur e sovran siç është Shqipëria. “Sigurisht, ne vazhdojmë bisedimet. Herët a vonë ne do ta shkatërrojmë këtë lëvizje”, duke iu referuar lëvizjes “Gylen”, që mban emrin e kundërshtarit të tij. “Çdo ditë ne avancojmë. Fondacioni ynë “Maarif” në Shqipëri vazhdon procesin e marrjes së kontrollit ndaj institucioneve të atjeshme arsimore”, shtoi ai. Se pse dy kundërshtarët politikë të Turqisë po zhvillojnë betejën e tyre, për jetë a vdekje dhe për influencë, pikërisht në trojet shqiptare dhe pse lejohen të bëjnë një gjë e tillë, është përgjegjësi politike dhe kombëtare e udhëheqësve aktualë në Tiranë dhe në Prishtinë.

Pasi kishte deklaruar se Kosova është Turqi, tani Erdogani i është kthyer Shqipërisë, ku siç u shpreh ai, “Do marrim kontrollin”. Ky është një subjekt tjetër, por ajo që desha të theksoj kësaj radhe është mënyra, se si fillimisht u njoftua lajmi që shumë media shqiptare e cilësuan si “bombë”, “tronditës” e të tjera. E lexova me shqetësim këtë lajm ashtu si edhe shumë lexues të tjerë, me disa prej të cilëve edhe komunikova. Por, pas nja 2-3 orësh vura re se shumë gazeta dhe portale të rëndësishme shqiptare e kishin shlyer këtë lajm “bombë”, siç duket nën presion nga ente që veprojnë në interes të Turqisë dhe Z. Erdogan – ndoshta përfshirë këtu edhe Ambasadën e Turqisë në Tiranë. Thashë me vete, ja shembulli flagrant i autocensurës nga gazetat dhe gazetarët shqiptarë, ndaj ushtrimit të “presionit direkt dhe indirekt politik dhe ekonomik ndaj medias”, në Shqipëri. Me përjashtim të gazetës “Telegraf”, asnjë prej gazetave më të mëdha në Shqipëri nuk e kishte njoftuar këtë lajm në edicionin e të hënës, ndërkohë që mediat turke e kishin njoftuar lajmin, siç duket pa asnjë problem. Veprimi i disa prej mediave shqiptare do të quhej në anglisht, si “selfcensorship in action”. Shembull më të mirë dhe më aktual se ky, të autocensurës në veprim, nuk ka. Thuhet se disa mediave të caktuara shqiptare iu bë presion ta shlyenin lajmin, duke u premtuar atyre fonde për reklama, në qoftë se do e tërhiqnin lajmin “bombë” mbi deklaratën e Presidentit Erdogan. 

Nuk e di, nëse gazetat dhe gazetarët – që me këtë rast u dorëzuan para presioneve politike ose ekonomike – por që jetojnë në një shoqëri që pretendon të jetë demokratike dhe e lirë, janë të vetëdijshëm se një shoqëri nuk mund të ekzistojë gjatë si e tillë, pa një shtyp të lirë dhe pa ndërhyrje të influencave të brendshme dhe as nga jashtë. Liria e shtypit është një e drejtë themelore për çdo shoqëri demokratike të lirë ose gjysmë të lirë, siç kategorizohet Shqipëria. Liria e shtypit pra, edhe për shqiptarët është një vlerë dhe e drejtë bazë që duhet të mbrohet, të kultivohet dhe mbi të gjitha të zbatohet, por mbi të gjitha të mbështetet, sidomos nga influencat e huaja siç është rasti i ditëve të fundit.

Mbrojtja e lirisë së shtypit nuk është vetëm e drejtë dhe obligim i autoriteteve qeveritare, por është njëkohësisht edh e edhe përgjegjësi morale si individë dhe detyrim kombëtar dhe profesional edhe i vet gazetarëve. Por, në qoftë se roli i shtypit të lirë mbrohet ndërkombëtarisht, ndër të tjera, me qëllim për të ekspozuar pa drejtësitë, krimin dhe abuzimet nga ana e qeverive dhe zyrtarëve të tyre, atëherë gazetarëve kudo – përfshirë Shqipërinë – duhet t’u sigurohet një mjedis pune ku të mund të veprojnë në gjendje sigurie, në mënyrë të pavarur, pa ndërhyrje, pa kërcënime dhe pa fyerje nga ata që, në të vërtetë, duhet të jenë mbrojtësit më të fortë të tyre dhe të lirisë së shtypit në përgjithësi, që është alfa dhe omega e të gjitha lirive të tjera bazë të njeriut.

Autocensura e ushtruar nga disa gazeta dhe gazetarë, për të shlyer lajmin “bombë”, bazuar në deklaratën e fortë të Presidentit turk, Erdogan se do “marrë kontrollin mbi Shqipërinë” – nga disa portale dhe gazeta më të njohurat në vend, me disa përjashtime aty këtu – është një pikë e zezë mbi gazetarinë shqiptare dhe mbi ushtrimin e fjalës së lirë në atë vend. Autocensura është forma më e keqe por edhe më e përsosur e censurimit të fjalës së lirë, sidomos kur ajo zbatohet nen presione politike dhe ekonomike, me urdhër të një fuqie ose autokrati të huaj.

Burimi: http://telegraf.al/opinion/frank-shkreli-autocensura-si-forma-me-e-persosur-e-censurimit-te-shtypit/

Tags:, ,

Send this to a friend