Media dhe komunitetet e margjinalizuara

10 Shkurt , 2018 • Etika dhe Cilësia, Shkrimet më të fundit • by

Gazetarët vazhdojnë të nxisin diskriminim dhe gjuhë urrejtje ndaj individëve dhe grupeve shoqërore të margjinalizuara, zbuloi një monitorim i publikuar së fundmi.

Një monitorim i publikuar të martën nga organizata Pro LGBT dhe redaksia Historia Ime zbuloi se gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi vazhdon të jetë i pranishëm në median shqiptare dhe se në shumicën e rasteve shprehet në mënyrë direkte.

Monitorimi, që synon të identifikojë rastet e gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit u shtri në katër media kryesore e të klikuara online – Balkanweb, Gazeta Tema, Opinion.al dhe Syri.net gjatë periudhës tetor-dhjetor 2017 dhe shqyrtoi rreth 7730 artikuj nga rubrika politike, sociale dhe kronikë.

Autorët e projektit pilot të monitorimit, i cili u zhvillua për të tretin vit radhazi, identifikuan 974 artikuj që përmbajnë gjuhë urrejtje dhe/ose gjuhë diskriminuese.

Sipas monitorimit, 84% e gjuhës së urrejtjes/diskriminimit shfaqet në mënyrë direkte në titull, tekst apo citime, ndërsa 16% e artikujve përhapin diskriminim përmes fotografive dhe elementëve të tjerë multimedial shoqërues.

Monitoruesit vërejtën se artikujt diskriminues dhe ata që nxisin urrejtje vazhdojnë të publikohen në shumicën dërrmuese të rasteve pa autorë, ndërsa tërhoqën vëmendjen ndaj diskriminimit apo urrejtjes të ardhur nga burimet e cituara nga gazetarët.

Burrat dhe gratë e përfshirë në artikujt diskriminues/me gjuhë urrejtje qenë respektivisht të përfaqësuar me 52% dhe 48%.

Ndryshe nga vitet e mëparshme të monitorimit, këtë vit politika zuri vendin e parë si rubrika ku hasej më shumë gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi, pasuar nga kronika dhe rubrika sociale.

Autorët sqaruan se ky kalim nga artikujt diskriminues ndaj grupeve të margjinalizuara drejt individëve të përfshirë në politikë, u shkaktua kryesisht për shkak të mbizotërimit të temave politike në median shqiptare, krahasuar me ato sociale.

Kjo do të thotë se mediat fokusohen pak te raportimi ndaj komuniteteve egjiptiane dhe rome, LGBT dhe ato me aftësi ndryshe, por dhe në rastet kur ka mbulim mediatik, ky shfaqet me flamuj të kuq diskriminimi.

“Besojmë që mediat mund të ndikojnë si në gjithëpërfshirje sociale në shoqëri, por edhe në thellimin e hendekut midis minoriteteve dhe mazhorancës së popullsisë ndaj është e rëndësishme t’i vendosim mediat përpara pasqyrës me qëllim përmirësimin e mënyrës së raportimit,” tha për BIRN, Marinela Gremi, drejtuese e organizatës Pro LGBT.

Gremi shprehu shqetësim për mënyrën e mbulimit mediatik të komuniteteve të margjinalizuara në Shqipëri, ku sipas saj ka të meta që vijnë kryesisht nga mungesa e njohurive dhe terminologjive korrekte për komunitetet nga gazetarët, por edhe në artikujt korrekt, diskriminimi në disa raste vjen prej shoqërimit me foto apo tituj diskriminues.

“[Rekomandojmë} përfshirjen e komuniteteve të margjinalizuara në media jo vetëm në lajme që përforcojnë perceptime klishe dhe trajtojnë vetëm anën e errët dhe të trishtë të grupeve vulnerabël por edhe shembuj pozitivë që thyejnë stereotipe,” shtoi Gremi.

Format kryesore të përhapjes së gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit në median shqiptare ishin argumentimet me të meta (23.77%), gjuha që përkrah dhe nxit dhunën, metaforat dehumanizuese, faktet e pavërteta dhe gjuha përçarëse.

Gjuha mediatike jo-korrekte preku sipas studimit në 52% të rasteve individët dhe në 48% të rasteve grupet shoqërore.

 

Burimi: https://www.reporter.al/media-vazhdon-te-diskriminoje-dhe-nxise-urrejtje-ndaj-komuniteteve-te-margjinalizuara-thote-monitorimi/

Titulli në origjinal: Media vazhdon të diskriminojë dhe nxisë urrejtje ndaj komuniteteve të margjinalizuara, thotë monitorimi

Tags:, ,

Send this to a friend