Parimi i interesit publik nënkupton saktësinë dhe besueshmërinë e informacionit. Sidoqoftë, veçanërisht në ekosistemin e ri të mediave, përdoruesit gjithashtu prodhojnë përmbajtje dhe e bëjnë këtë në një mënyrë të shpejtë, duke e bërë të vështirë konfirmimin e saktësisë dhe besueshmërisë së informacionit, duke hyrë në ciklin e prodhim-konsumit më shpejt se shpejtësia në konsumin e përmbajtjes tradicionale të mediave. Në këtë proces, i cili quhet “ngarkesë e informacionit” (1999, 2006) nga JanVanDijk[i], përmbajtja që kalon dhe përhapet në rrjedhën e hapësirës kibernetike me një shpejtësi prej një klikimi para nesh krijon një re mjegullore ndaj informacioneve të kualifikuara.
Një rritje e papritur e lajmeve, për shembull për kriza të ndryshme shoqërore duke përfshirë këtu edhe pandemi që lidhen me shëndetin njerëzor mund të tregojnë se këto probleme sociale po përkeqësohen. Prandaj, edhe përmbajtja mediale shndërrohet në një “ngarkesë informative”. Nga kjo pikë e tutje, mbulimi i lajmeve mbi këtë temë duket se shpërthen në një valë të madhe, duke mbizotëruar në faqet e para dhe ndonjëherë duke shkaktuar frikë ose madje edhe panik në audiencë. Valët e tilla të lajmeve mund të nxisin frikën dhe ankthin midis njerëzve të përfshirë në një mënyrë ose në një tjetër në pasojat e krizave. Njerëzit kanë tendencë të pranojnë shpjegimet e ofruara nga mediat dhe t’i integrojnë ato në historinë e tyre për ankesat e tyre shëndetësore.
Koncepti i ngarkesës mediale (informative) përdoret këtu për të përshkruar ato valë lajmesh që tregojnë dinamikën e tyre, dhe zhvillimin e një përzierje eksplozive të fakteve, deklaratave dhe mendimeve, duke nxitur kureshtje, zemërim apo ndonjëherë edhe panik. Kjo shpesh rezulton në një mbulim të shtrembëruar, mbi-raportim të incidenteve dhe një inflacion të fenomenit të zbuluar rishtazi. Gjatë ngarkesës mediale (media hype) gjenerohen më shumë lajme mbi temën duke raportuar incidente të krahasueshme, duke interpretuar përsëri incidentet në të kaluarën, duke gërmuar në prejardhje, duke (vlerësuar moralisht ose ideologjikisht) ngjarjet dhe shfaqjet, dhe duke i kushtuar vëmendje reagimeve të shoqërisë të shkaktuara nga vala e mëparshme e lajmeve. Gazetarët kërkojnë konfirmim dhe priren të përqendrohen në të gjitha ngjarjet dhe deklaratat që e ofrojnë atë.
Nga ana tjetër media po ashtu luan një rol pozitiv në kohë krizash: media mund të ketë një efekt të dobishëm në komunitet duke informuar, edukuar ose komunikuar me njerëzit. Duket se kur media dhe profesionistët e shëndetit publik punojnë ngushtë së bashku, duke informuar dhe edukuar publikun me informacion të saktë, efektet përfituese mund të arrihen dhe mirëqenia e komunitetit të krizës mund të përmirësohet.
Mjegulla informative në mediat sociale
Ne tashmë e dimë se algoritmat e të gjithave platformave të mediave sociale, na kanë vendosur në eko dhoma (echo chamber) dhe fllucka filtruese (filtre bubble), atëherë mund të kuptojmë se mundësia e hasjes në përmbajtje, përveç informacionit që hasim në rrjedhën tonë të përmbajtjes, është po aq e kufizuar sa ndryshon rrënjësisht stili i jetës tonë. Ashtu siç thekson Slavko Splichal, “Filtrat algoritmikë të lajmeve që filtrojnë përmbajtjen sipas preferencave të përdoruesve, izolojnë përdoruesit nga mendimet alternative që bien ndesh me mendimet e tyre subjektive, krijon një ekologji lajmesh në internet që i mbyll ata në balona filtruese – ose eko dhoma – me ata që mendojnë ngjashëm.” Pra, nga njëra anë, ekzistojnë një bollëk informacioni në platformat e mediave sociale, dhe nga ana tjetër, nënkuptojmë se kemi përvojë të mungesës së informacionit të kualifikuar, të besueshëm dhe të saktë.
Pas njoftimit të Organizatës Botërore të Shëndetit për koronavirusin u vërejt një prodhim i përmbajtjeve që rridhnin nga përdoruesit dhe të cilat përfshinin edhe dezinformata të shumta, teori paniku dhe konspiracioni. Sidoqoftë, në një rrjedhë kaq të fortë të informatave, ndarja e “interesit publik” të një burimi të besueshëm për këtë temë ishte jashtë rrjedhës ose u zhduk gjatë rrjedhës së informacionit.
Gjatë shpërndarjes së një informacioni me etiketim të caktuar (p.sh.# Covid19), duke klikuar në rrjedhën “e përshpejtuar” si frymë e shekullit 21 ne përhapim përmbajtjen me një tjetër klikim. Gjatë këtij shumimi të përmbajtjes në vend që të shpërndahet informacioni i saktë dhe i besueshëm, shpërndahen ato informacione që janë interesante, argëtuese dhe madje edhe qesharake dhe të pasakta. DavidSchenk[ii] (1997) i quan këto fenomene thjesht “smog i të dhënave”. Ai pretendon se furnizimi i informacionit tonë është kaq i kontaminuar me të dhëna të padobishme dhe të tepërta sa që informacioni nuk është më i vlefshëm ose fuqizues, por është jashtëzakonisht i bollshëm dhe po na bën të pafuqishëm.“Bollëku i informacionit tani ka filluar të prodhojë stres, konfuzion dhe madje injorancë, në vend se të ngrejë cilësinë tonë të jetës,” thotë Shenck. Pra, në vend që të shpërndahen informacione mbi masat kryesore që duhen marrë – higjiena, distanca sociale etj, për të parandaluar përhapjen e Covid-19, shpërndahen informacione të dyshimta me pamje vizuale tërheqëse. Pra, një smog informacioni në lidhje me fenomenin…dhe kërkohet shumë përpjekje për të marrë informacionin e duhur brenda këtij smogu.
Çfarë duhet të bëjmë kur kërkojmë informacion të saktë përballë krizës globale të shkaktuar nga pandemia në platformat e mediave sociale? Sipas studiueses Mutlu Binark[iii], duhen ndjekur burimet e duhura për informacionin e duhur. Në vend të “zërave ekspertë” që janë larg njohurive shkencore që qarkullojnë në media, është e nevojshme të ndiqni faqe që flasin me referenca shkencore, faqe të institucioneve globale dhe kombëtare që prodhojnë përmbajtje në bazë të parimit të interesit publik. Në këto raste duhet provuar arsyetimi kritik ndërsa perceptojmë dhe ndajmë çdo përmbajtje, duke qenë të vetëdijshëm për përgjegjësinë për të prodhuar përmbajtje të saktë dhe të kualifikuar në lidhje me pandeminë. Përndryshe, ne do të kontribuojmë në mbingarkimin e informacionit dhe ndotjen e tij. Sidoqoftë, në krizat globale, veçanërisht në ngjarje që prekin tërë botën, është e nevojshme të mendojmë edhe një herë për cilësinë e postimeve tona, të cilët i përmendim apo i shpërndajmë. Sidoqoftë ashtu siç shprehet gazetari i Los Angeles Times, MattPearce, “ne jemi të gjithë reporterë (gazetarë) të koronavirusit”.
Fati i lajmit në kohën e pandemisë
Teoricieni i komunikimit Neil Postman[iv] në librin e tij “Amusing Ourselves to Death” shprehet se sado e “dhimbshme” të jetë ngjarja, njerëzit pas një kohë fillojnë të “mërziten” dhe humbin interesin për atë ngjarje. Sipas Postman, shumica e lajmeve tona të përditshme janë inerte, të përbëra nga informacione që na japin diçka për të folur, por nuk mund të çojë në ndonjë veprim kuptimplotë.
Gjatë kësaj periudhe njerëzit meqenëse qëndrojnë në shtëpi lajmet në televizion i ndjekin rregullisht. Pandemia i ka shtyrë njerëzit më shumë të lexojnë lajme dhe të shikojnë edicionet informative në televizion. Saqë edhe në bisedat telefonike në mes njerëzve lajmet zënë hapësirën më të madhe. Po ashtu është krijuar edhe një përpjekje për t’u informuar për atë se çka po ndodh në pjesë të ndryshme të botës në lidhje me pandeminë. Shifrat e njerëzve të viktimizuar nga virusi të publikuar në lajmet e ndryshme kanë ndikuar te njerëzit të krijohet një “ndjenjë shifrore” (nëse mund ta quajmë) për njerëzit. Sado që pas një mërzie të krijuar njerëzit po mundohen të shkëputen nga lajmet, por prapë gjendja serioze e pandemisë po i kthen ata drejt lajmeve më të reja.
Sipas Bill Kovach dhe Tim Rosenstiel[v] “Qëllimin e gazetarisë nuk mund ta përcaktojë teknologjia. Parimet dhe qëllimin e gazetarisë e përcakton një gjë më thelbësore: funksioni i lajmit në jetën e njerëzve”. Prandaj, shumë qendra hulumtuese, gazetarë e redaktorë botërore janë munduar që të sjellin sugjerime se si duhet të raportohet drejt në lidhje me pandeminë në mënyrë që të mos krijohet smog informativ në mesin e njerëzve. Sugjerimet kryesore përfshijnë: zvogëlimin e përdorimit të përcaktorëve subjektivë në raportim, për shembull: sëmundje “vdekjeprurëse”. Fotografitë të përdoren me kujdes për të mos përhapur mesazhin e gabuar. Të shpjegohen veprimet parandaluese; kjo gjë mund ta bëjë rrëfimin më pak të frikshëm. Përqendrimi të jetë në raportim dhe jo analiza. Më shumë kujdes me shifrat e publikuara se jo të gjithë shifrat janë të sakta.
Ne përballemi me një krizë globale të shëndetit publik në epokën e një dezinformimi të paparë dhe të shfrenuar – këshilla të mira shëndetësore mund të bëjnë ndryshimin midis jetës dhe vdekjes. Në mes të një pandemie, qasja në informacion cilësor zë vendin e dytë pas punës së mjekëve dhe shkencëtarëve.
——————
[i]Van Dijk, J., (2006).The Network Society: Social Aspects of New Media. Houten: SAGE Publications.
[ii] Shenk, D., (1997). Data Smog: Surviving the Information Glut.HarperOne
[iii]Binark, M., (2020). KüreselPandemiKriziAnındaEnformasyonYüklenmesiveEnformasyon Sisi. yenimedya.wordpress.com
[iv] Postman, N., (1985). Amusing Ourselves to Death: Public Discourse in the Age of Show Business. New York: Penguin Books
[v] Kovach, B., & Rosenstiel, T., (2007). Elements of Journalism: What Newspeople Should Know and the Public Should Expect. New York: Three Rivers Press.