Libri universitar, shkencor, i përkthyer, bashkëkohor, dhe më tej, libri shkencor i ardhur nga studimet shqiptare, të dyja këto lloje krijimtarie intelektuale të dorës së parë, kanë mbetur në një gjendje pothuajse të mjerueshme në Shqipërinë e këtyre njëzet vjetëve.
Nuk do të desha të isha nihilist deri në atë pikë sa të mos pranoja realitetin e ndonjë botimi, shumë i rrallë, tek e tuk, që edhe mund të jetë e bërë, ndonëse e shoh me një dyshim të spikatur. Cilët janë disa nga parametrat teknikë të kësaj gjendjeje? Përkthehen tituj të shkencëtarëve në zë, por janë përkthyer titujt e punimeve më periferike, e botimeve të tyre më të vulgarizuara dhe jo kuintesenca e veprave të tyre voluminoze, atje ku gjendet thellësia e mendimit dhe e zbulimeve të tyre. “Princi” i Makiavelit është një vepër e rëndësishme, por për ta kuptuar kontributin e Makiavelit në kulturën e Rilindjes, duhet patjetër të kishim refleksionet e tij mbi Tit Livin dhe historinë e perandorisë romake. Hegeli, nuk barazohet dot me ca forma përkthimesh mbi punime krejt anësore të tij, por ai gjendet te “Logjikat” e tij, që as nuk mund t’i afrohet asnjë shtëpi botuese në Shqipëri sado e fryrë të jetë në pretendimet e veta. Kush mund të pretendojë se paska sjellë Aristotelin në shqip kur jemi vite e vite larg nga mundësia për të pasur në gjuhën tonë “Analitikët” aristotelianë.
Nuk po flas për revistat shkencore që as që gjenden dot në bibliotekat shkencore apo universitare në Shqipëri. Kurse autorët bashkëkohorë janë shumë larg për të qenë të pranishëm. E vërteta është se ndonjë libër fondamental edhe është botuar, por le ta shohim çështjen drejt dhe pa stërhollime të gënjeshtra dhe demagogjike. Këto përkthime janë realizuar më shumë brenda një kulture mecenati, pra një donacioni fondacionesh të huaja, apo të ndonjë ambasade, a ku e di unë se çfarë tjetër, dhe jo brenda logjikës së privatit apo të tregut. Financimi i librit shkencor shqiptar apo e përkthimit të librit shkencor të huaj me logjikën e financimit nga blerjet prej audiencave, pra nga lexuesit, logjika e vërtetë private, ka dështuar. Tregu në rastin tonë shqiptar, së paku, për këta njëzet vite, nuk ka mundur të prodhojë dhe pastaj të qarkullojë kulturën e vërtetë elitare shkencore.
Flas për librin shkencor të huaj, se kur është fjala për botimin e librit shkencor nga autorë vendas – këtu gjendja është edhe më katastrofike. Që të qetësohen paksa kundërshtuesit e mundshëm të kësaj teze, le të japin shifra sesa prej doktoraturave të mbrojtura në njëzet vit kanë arritur të botohen në formën e librit shkencor që gjendet në libraritë masive.
Autorët bashkëkohorë në shkencat humane dhe sociale, sepse në shkencat teorike të natyrës gjendja është e pashpresë fare, duken si yje të largët që askush nuk iu afrohet për t’i përkthyer në shqip.
Diktatura i censuronte për shkaqe ideologjike, kurse shoqëria e hapur e sotme, e hapur kulturalisht përpara të gjitha rrymave kulturore globaliste, nuk arrin të përthithë kulturën e vërtetë shkencore perëndimore sepse sipas meje tregu dhe logjika e varfër e operatorëve privatë, në kushtet kur politikat publike nuk aktivizohen, kanë dështuar ose gjenden në vështirësi të rrezikshme në financimin e kësaj pasurie.
Janë bërë ndofta dhjetë vitet e para të tranzicionit edhe disa botime përkthimesh të shpejta. Por, ku janë ato tani? Libra të zverdhur, të zhuritur në tezga rrugësh, që nuk i prek askush më me dorë. Figurojnë të përkthyer një herë e mirë ata autorë në kulturën shqipe, statistikat dalin shumë të mira. Puna është se edhe ato vëllime kanë dalë jashtë përdorimit. Moda e pasionet e lexuesit për libra të ndaluar të kohës së monizmit kaloi shpejt. Ku është interesi i lexuesit të ri t’i kthehet Frojdit, Jungut, Adornos, Fromit etj.? Sigurisht që mungon sepse atë duhet ta ushqejë shkolla, aktivitetet kulturore, familja, debati shoqëror në media, revistat elitare kulturore, kontakti i shpeshtë me botën evropiane dhe më gjerë. Përndryshe, librat mbesin stok.
Cili botues do të guxonte të paguante pa fund përkthyes të kualifikuar për një libër që do të shitej në një rreth shumë të kufizuar lexuesish dhe brenda një kohe të shkurtër do të digjej, do të zhvlerësohej nga moda e bestsellerëve pa shije, pa ngjyrë, pa erë, që harxhojnë edhe atë fond të pakët që mund të vendosë në funksion të blerjes së librave familja e rraskapitur shqiptare në planin kulturor? Libri, aq më tepër ai shkencor, nuk është një produkt çfarëdo që t’u bindet të njëjtave ligje të tregut si një mall tjetër banal, vulgar, ndonëse i rëndësishëm për barkun, si domatja, kastraveci apo po të doni edhe banania. Tregu në librin shkencor ka prodhuar kulturë mediokre, ndërsa diktatura e mëparshme e masakronte ideologjikisht këtë krijesë sublime njerëzore. Libri i trajtuar si domate nuk prodhon veçse kalbësira të vjetra, si treg rrobash të përdorura.
Parashikimi i Didëroit
Në një pamflet të botuar aty nga vitit 1767, pra rreth 350 vjet më parë, Didëroi, mendja e mprehtë e zgjuar e iluminizmit evropian, artikuluar si një letër drejtuar nëpunësit të mbretit që merrej me librin, është domethënëse për çështjen që trajtojmë sot.
Didëroi që askush nuk mund ta akuzonte si ndonjë partizan i absolutizmit ruajalist, “qan” heqjen dorë nga mecenati i subvencionit mbretëror ndaj librit në kushtet e liberalizimit të zakoneve të asaj kohe. Sipas tij, librin po e shkatërronte fakti i piratimit të lehtë me anë të teknikës së shtypshkronjës të kopjeve origjinale, çka e bënte botuesin e ndershëm të falimentonte, si edhe një sërë faktorësh të tjerë sikurse do të ishin ulja e çmimit të shitjes së librit në kufijtë minimalë, moda labile në kulturë që i nxjerr librat jashtë qarkullimit afatgjatë dhe prirja për fitime e librarëve dhe botuesve, të cilët nën veprimin e faktorëve të tregut preferojnë që librin e vulgarizuar ta preferojnë më mire se librin shkencor, me shpenzime më të mëdha, me lexues shumë të kufizuar, me qarkullim të ngadalshëm, pra pa rentabilitet financiar.
Liberali politik Didëro shprehet se liberalizimi ekstrem i tregut të kulturës e vret kulturën dhe në radhë të parë atë shkencore. Liberalizimi i përmbajtjes së librit, dhuratë autentike e demokratizimit politik, hyn në sherr, në konflikt, në kontradiktë, me liberalizimin ekonomik, që për shkak të ligjeve të tregut, e banalizon kulturën. Rezultati do të ishte një kulturë libreske e liberalizuar, por gjithmonë e më banale, vulgare, e tërhequr drejt një nivelimi për nga poshtë.
Pse ka dështuar deri më tani botimi i librit të përkthyer shkencor të financuar sipas logjikës së tregut privat? Fakti është aty, arsyetimi le të jetë i lirë për ta gjetur. Librat më të mirë të përkthyer në këtë fushë janë ata të financuar nga ambasada apo fondacione, pra nga operatorë publikë ose që funksionojnë jashtë tregut. Le të mos skandalizohen dhe u ngrihen flokët përpjetë partizanëve dogmatikë të tregut të lirë. Me treg të lirë, pra kur njeriu e braktis librin te ligjet e hekurta të fitimit, vjen një çast kur libri shkencor e braktis njeriun.
Libri shkencor i huaj duhet përkthyer. Shpenzimet e përkthimit janë të rënda, nëse duhet bërë një përkthim i vërtetë. Po kështu, librat e vërtetë shkencorë janë shumë voluminozë, shpenzimet e tyre të editimit janë relativisht të mëdha. Ndërkaq, paradoksi është se sa më shumë përmbajtja e një libri shkencor të jetë e sofistikuar, pra sa më shumë shpenzime duhen për ta botuar atë, aq më pak lexues ai ka fatalisht. Pra, shpenzimet rriten, ndërsa fitimet bien. Kjo është logjika, e kundërt me atë fitimit maksimal. Ja, pra, përse tregtia e librit nuk është e njëjtë me tregtinë e domateve në pazarin me miza të tregut fshatar të një qyteti gjysmurban e gjysmërural të dikurshëm.
Edhe shansi për të “detyruar” studentët që të lexojnë librat e përkthyer nuk ka sjellë asnjë shpëtim. Nuk është zgjidhja që pritet. Është më tepër një detyrim i blerësit për të konsumuar një mall që ai nuk e pranon vullnetshëm nëpërmjet metodave autoritare sesa një krijim tregu harmonik dhe natyror.
Botuar në gazetën “Standard”, më 28 korrik 2012