Po më dhimbset Hysni Burgaj. Nuk e njoh nga afër, por nga larg gjithmonë e kam parë si një njeri të pafuqishëm, që kish pranuar një detyrë për të mos qenë në krye të detyrës. Nuk kishte fuqi as të të mbronte nga Berisha, as nga Flamuri, dhe po ashtu nuk kishte fuqi të të jepte tendera, të mos të të jepte tendera dhe aq më shumë të fitonte ndonjë lek nga tenderat.
Kallëzimi i fundit i Saimir Tahirit për të, është gjesti i duhur zyrtar që duhet bërë për këdo që ka nënshkruar milionat për kompanitë klienteliste të pushtetit. Por ajo që më bën përshtypje është se ministrat dhe Drejtorët e Përgjithshëm do të shkojnë të gjithë me radhë në prokurori për milionat e Frangajt, dhe njeriu që i ka urdhëruar ata ta paguajnë, Sali Berisha, po hesht.
Unë nuk kam fuqi t’i them sot Adriatik Llallës t’i shpallë të pafajshëm këta dhe të marrë të pandehur Sali Berishën, pasi ai boll është i frikësuar të hetojë dhe këta. Nuk jam i prirur po ashtu që të shmanget zbatimi i ligjit, meqë këta janë viktima të urdhëruara. Duhet një leksion i fortë dhe për ushtarët, që të mos firmosin qorrazi çdo letër që i urdhërojnë në telefon. Por politikisht jam i prirur dhe besoj se është e ndershme që Sali Berisha dhe Lulzim Basha, duhet t’i vënë gjoksin këtyre akuzave. Sali Berisha është njeriu, në emër të të cilit kanë shkuar rreth 18 milion euro nga buxheti i shtetit tek llogaria e Frangajt, për propagandë gëbelsiane dhe është e ndershme që ai t’i dalë zot këtij krimi. Ashtu siç i del zot pallatit të djalit të tij në Vlorë, ashtu siç i doli zot masakrës së djalit të tij në Gërdec, ashtu siç i doli zot vrasjeve më 21 Janar, ai duhet t’i dalë zot dhe kësaj masakre që po çon në dyert e burgut gjithë nëpunësit e tij, krejt të pafuqishëm për të dhënë aq lekë, për të vjedhë aq lekë dhe sidomos për të mos firmosur ato pare për Frangajt. Ky zinxhir denoncimesh do të vazhdojë. Gazeta TemA ka siguruar dokumente të tjera të frikshme ku bëhet fjalë dhe për financime pa objekt për këtë medie dhe për aktivitete të parealizuara. Me këto kritere, i bie që për shkak të Frangajt të shkojë në burg gjithë administrata e nivelit të dytë të ministrive, që kanë firmosur urdhëruar nga Sali Berisha, milionat për të.
Ndaj në këto kushte është mirë që Sali Berisha t’i dalë zot Frangajt dhe mos të bëjë kurban për të nëpunësit e tij të bindur. Frangaj po ashtu është mirë t’i dalë zot Sali Berishës dhe jo t’i lëpihet Edi Ramës. Ai duhet t’i dalë zot atij që i ka mbajtur në këmbë një medie të rreme, një piramidë financiare, sponsorizuar nga paret e buxhetit të shtetit dhe një media, e cila ka përfituar në mënyrë të tërthortë miliarda të tjera duke kapur shtetin. Janë ende në këmbë pallatet e legalizuara të Frangajt me nga 5 kate shtesë, të tjera që janë ndërtuar duke i hyrë në pjesë territoreve sportive, janë ende të pambyllura tendera për rikonstruksione bankash e hotelesh që i përfitonin kompani të lobuara prej tij, janë ende të hapura letra për fshatra turistikë dhe koncesione të marra me telefon duke zaptuar gjithë tokat e Kinostudios me pronarë të gjallë, në emër të Sali Berishës.
Në këto kushte unë nuk ndjehem aspak i qetë se ligji po zbatohet duke çuar bedel disa nëpunës gojëkyçur të Sali Berishës, që nuk i kanë hyrë kujt në punë as kur kanë qenë në detyrë. Së paku, meqë nuk kemi një formalitet ligjor, për të dënuar ata që duheshin dënuar, të kemi një qartësi politike për përgjegjësit e kësaj masakre mbi buxhetin e shtetit. Ata janë Sali Berisha dhe vëllezërit Frangaj. Të paktën këta dy lloj burracakësh duhet t’i dalin zot pisllëqeve të tyre dhe të mos cojnë koka turku në prokurori, nëpunës që kanë qenë nën terrorin e tyre.
E them këtë, se jam shumë skeptik tek prokuroria dhe më pas tek gjykatat, që do të bëjnë diçka. Jam akoma më skeptik, që do të sekuestrohen pronat e tyre të përfituara, të gjitha duke kapur shtetin, dhe se do të ketë ndëshkim real për këto abuzime. Me këtë sistem drejtësie që kemi, të gjithin të prodhuar nga telefoni i Berishës dhe Sandrit, ka pak shanse të kemi një produkt real ndëshkimi. Ndaj në vend të tij të kemi së paku fajtorë të qartë publikë. T’i shikojmë bashkë dhe në të njëjtën llogore sërish Berishën dhe Frangajn, tani duke mbrojtur ato që kanë vjedhur. Kjo është së paku gjysma e ndershmërisë.
Botuar në gazetën Tema, 15 dhjetor 2013