A janë portalet një biznes i mirë në Shqipëri?

26 Dhjetor , 2015 • Kryesoret, Modele Biznesi, Shkrimet më të fundit • by

Nga Deada Hyka.

Pjesa më e madhe e portaleve kryesore në vendin tonë janë ata të cilët “mbështeten fort” nga një media e madhe, qoftë kjo televizion apo gazetë, dh puna e këtij portali pasqyrohet bindshëm në transmetimin e informacioneve dhe të qenurit një ndër më të aksesuarit për publikun. Por, ç’ndodh me portalet e tjera të pavarura? Drejtues të strukturave të tilla tregojnë për Monitor se vështirësia më e madhe që ata hasin në tregun shqiptar, tashmë të mbingopur me iniciativa të tilla transmetimi lajmi, është aftësia për të marrë reklama, kundrejt mediave tradicionale (apo portaleve që mbështeten nga të tilla), ndonëse portalet kanë të dhëna të sakta të matshme të audiencës së tyre…

Rritja e raportimit dixhital

Teksa redaksitë e printit vijojnë të shkurtojnë vende pune, dhjetra gazetarë janë duke punuar tashmë në botën në rritje të lajmeve dixhitale, një pjesë e madhe e të cilave janë portale lajmesh unike (ose të pavarura), që nuk kanë “si mbështetje” nje television apo gazetë të madhe.

Duke qenë se numri i tyre është gjithnjë në rritje, lind pyetja: a ka ngopje tregu e hapësirave të tilla? Themeluesi i portalit Albeu.com, z. Idaver Sherifi tregon se Tregu shqiptar është i vogël për kaq faqe sa ekzistojnë në shqip dhe është e pamundur që këto portale të mund të funksionojnë normalisht. Nga ana tjetër, administratori i “Noa.al” Edison Kurani thotë për Monitor se, mes shumë portalesh në Shqipëri, lufta është për mbijetesë, jo vetëm në raport me informacionin por, edhe me reklamimin, ku mediat e mëdha kanë pjesën më të madhe të “tortës”.

Ndërsa, administratori i “Lajmi i Fundit” Taulant Çela thotë se lista e portaleve që janë shfaqur dhe janë zhdukur është shumë e gjatë, por të pakta janë mediat “kokëulur” që punojnë profesionalisht. Sipas tij, audienca të zgjedh edhe përmes këtij kriteri, por përkundrejt kësaj, “biznesi i lajmit” sipas tij kërkon përkushtim “24 orë”, pasi rritja e aksesimit dixhital të publikut në kohët e sotme, të vendos ty në pozicione të forta pune, për të arritur rezultatet që kërkon. Sipas z. Çela, pikërisht vështirësia e të mbajturit portale në Shqipëri kjo është: rritja e aksesimit kundrejt kostove të tyre.

Lajmi si biznes

Pyetjes se a është “lajmi on-line” një biznes i mirë, drejtuesit e këtyre portaleve u përgjigjet thuajse njësoj: “është në kufijtë e mbijetesës”.

Dhënia e informacionit “falas” në ditët e sotme (portalet ende nuk kanë akses me parapagesë sikurse ndodh jashtë), ndërkohë që marrja, grumbullimi, klasifikimi dhe shpërndarja e informacionit po bëhet gjithnjë e më kushtueshme, bën që modeli i portalit aktualisht të mos ketë një logjikë financiare tregu, sikurse theksojnë studiues të ndryshëm perëndimorë të ekonomisë të mediave.

Të nisura si media dhe sipërmarrje private që funksionojnë në treg, ky sektor ka ecur drejt një modeli shumë më të ndërlikuar, i cili nuk mund ta sigurojë “cilësinë” e kërkuar nga drejtuesit sipas këtyre mekanizmave.

 

E gjitha kjo ka sjellë që mediat të mos ta shohin misionin e tyre kryesisht si informim objektiv, sa më i plotë, dhe i dobishëm i publikut, por ta konsiderojnë informimin publik si një vlerë që nënrenditet ndaj strategjive të tjera që ushqejnë mediat me burime financiare.

Në një deklaratë të pak kohëve më parë, Unioni i Gazetarëve ka bërë të ditur se janë 250 websajte dhe gazeta online të celura përgjatë periudhës 2014 e gjer më sot, në të cilat rezulton të jenë punësuar mbi 320 gazetarë. Por, ata kanë shtuar se vetëm në 50 prej tyre ka një sistem modest pagesash, ndërsa në 200 prej tyre ka një realitet informal të tmerrshëm.

Raporti i ri dhënës-marrës

Për herë të parë në ekonominë e medias përgjatë historisë së saj, me ardhjen e internetit dhe kalimin e mediave në komunikimin dixhital, me zhvillimin e teknologjive të reja të komunikimit si telefonia celulare dhe kompjuteri e mjetet e tjera si iPad, kanë krijuar marrëdhënie të reja midis “shitësit” dhe “blerësit” të informacionit, pra midis agjencive të mirëfillta mediatike dhe audiencave. Konsumatori i informacionit, tanimë, është jo vetëm pritës dhe përfitues i shërbimit, por ai del edhe në “tregun” e informimit publik, në hapësirën publike, në “mainstream” dhe paraqet aty komentet, interpretimet e tij ose bëhet nga ana e tij burim i një informacioni të ri. Një pjesë e madhe e gazetarëve në këtë fushë tregojnë se, komentet e ardhura në fund të një lajmi të caktuar apo edhe mesazhet private kanë “ushqyer” gazetarët me informacione të reja. Dixhitalizimi solli një aspekt të tillë, që ekspertët e konsiderojnë si “pa kosto”, të marrjes së informacionit, shpeshherë, edhe të një shkrimi krejtësisht të gatshëm.

Kosto e gazetarit online

Në fazat e sotme të gazetarisë shqiptare, shpenzimet për pagesën e punës së gjallë të gazetarit të spikatur profesionist, kanë ulur mundësitë për të fituar nëpërmjet reklamës, por, nga ana tjetër, janë ulur shumë shpenzimet për qarkulluar informacionin. Portalet kanë një strukturë të tillë që informacioni ruhet për një kohë të gjatë, publiku mund t’i rikthehet herë pas here. Për më tepër, në kuadër të kostove që mund të kenë stafi redaksional i një portali, duhet theksuar, siç tregojnë edhe drejtuesit e këtyre strukturave, se janë ulur shpenzimet e komunikimit në distancë midis gazetarit në terren dhe redaksisë virtuale, si dhe mbi të gjitha kanë ardhur duke u zvogëluar shpenzimet që duhen bërë për komunikimin midis redaksisë dhe agjencive të ndërmjetme përpara sesa informacioni të shkojë tek audiencat, pra shtypshkronjës, rrjeteve të shpërndarjes, etj., duke mundësuar forma të reja editimi dhe shpërndarjeje.

Botuar tek Monitor.al

Send this to a friend