Instikti gazetaresk dhe dëshira për të zbuluar dicka të re e solli për herë të parë në Shqipëri në korrik të vitit 1990, atëherë kur mijëra shqipëtar pushtuan ambasadat dhe dëshironin vetëm të largoheshin. I shtyrë nga profesionalzmi dhe dëshira për të bërë dicka me vlerë arriti që në 23 prill të 1993 të nxirrte në treg numrin e parë të “Gazetës Shqipëtare”. Të gjithë eksperiencën dhe aftësitë gazetareske i vuri në shërbim të gazetës dhe stafit të saj duke u bërë në të njëjtën kohë edhe një lloj shkolle për të gjithë gazetarët e rinj të asaj kohe. Carlo Bollino, tashmë i vendosur në Bari të Italisë ku është drejtues i ‘La Gazzetta dell’Mezzogiorno”, e njeh fare mirë realitetin mediatik shqiptar dhe ndjen keqardhje për mosfunksionimin e organizatave të gazetarëve. Ndaj Bollinos ditët e fundit është marrë edhe një vendim nga Gjykata e Tiranës se ai duhet të dëmshpërblej në një shumë të konsiderueshme një ministër, vendim që Bollino e quan tërësisht absurd. Carlo Bollino shpjegon për gazetën “Reporteri” këtë histori dhe arsyet pse ende nuk kemi media të lira në Shqipëri.
Sa e lehtë është të bësh gazetari në Shqipëri?
Në Shqipëri, gazetaria nuk është më e vështirë se në vendet e tjera. Madje do të thoja se disa gjëra janë më të lehta. Për shembull, në Shqipëri shumë akte të administratës publike, qeverisë apo parlamentit mund të gjenden në internet, gjë që nuk ndodh në Itali. Çështja është se duhet të kesh guximin për të shkuar përtej tyre dhe akoma më shumë për ti publikuar. Në Shqipëri, gazetarët përballen me probleme të tjera, tipike e një vendi të vogël në të cilin sundon politika.
A ndjehen gazetarët të kërcënuar në punën e tyre?
S’ka dyshim se gazetarët janë nën presion nga politika dhe krimi. Por gjithashtu nën presion nga redaktorët e tyre, dhe ky është një tjetër problem serioz që herët apo vonë gazetarët do të duhet të përballen. E vetmja mënyrë që mendoj unë se do ti bënte më të fortë gazetarët përballë kërcënimeve të çdo lloji është që ata vetë të bashkohen në një përfaqësim unik mes tyre.
A keni pasur ju personalisht apo gazetarët tuaj kërcënime apo sulme nga njerëz të veshur me pushtet?
Shteti në ditët e sotme nuk kërcënon në mënyrë të drejtëpërdrejtë siç bënte njëzet vjet më parë. Tashmë forcën e tij shteti e shfaq me presione ekonomike. Nëse dëshiron të jesh një gazetar apo një redaktor që e bën mirë punën tënde duke mos publikuar disa lajme që prekin interesat e tyre ata të ndihmojnë ekonomikisht, dhe këtë gjë ata mund ta bëjnë me një mijë mënyra. Por nëse zgjedh të jesh një gazetar apo një botues i pavarur që dëshiron të mbetesh i lirë për të shkruar të gjitha, atëherë menjëherë fillojnë të të shtrëngojnë financiarisht. Madje të çojnë në gjykatë për një “krim” që nuk e ke kryer.
Ndaj jush para pak ditësh është marrë një vendim gjyqësor sipas të cilit ju duhet ti dëmshpërbleni një ministri një shumë prej 75 mijë eurosh . Si ka ndodhur e gjithë kjo histori?
Unë jam urdhëruar nga gjykata se duhet të kompensojë ministrin Sokol Olldashi me një shumë prej 75.000 euro për një artikull të botuar në “Gazetën Shqiptare” në mars 2011. Gjykatësi më ka dënuar mua njësoj sikur unë të kisha qënë autori i shkrimit kur në fakt unë as e kam shkruar dhe as nuk e kam lexuar ndonjëherë atë shkrim. Në ligj është e shkruar se përgjegjësitë janë individuale për çdo shkelje por ligjin kur nuk u shkon përshtat kurr nuk u intereson ta lexojnë. Në vitin 2007 unë isha në Lindjen e Mesme si korespondent i ANSA dhe më pas në vitin 2008 unë përfundimisht vendosa të jetoj në Bari, ku jam drejtor i “Gazzetta del Mezzogiorno” . Pra dua të them që në vitin 2011 unë jo vetë që nuk jetoja në Shqipëri por nuk kam qënë as pronar i asaj kompanie. Ministrin Olldashi mund ta kem takuar jo më shumë se dy herë gjatë gjithë jetës time dhe relatat mund të mos jenë pozitive por në një një vend demokratik dhe një gjyqësor i cili duhet të jetë i pavarur kjo nuk mund të jetë arsyeja për një dënim. Gjithsesi unë do ta apeloj këtë vendim absurd.
Ky është rasti i parë që përballeni me gjykatën për shkak të profesionit tuaj apo ka pasur edhe raste te tjera?
Në një mënyrë të tillë të drejtpërdrejtë, po. Por më kujtohet një rast tjetër, në vitin 1996 kam bërë një padi për një gazetë afër PD-së e çila pati shkruar me mijëra herë shkrime shpifëse kundër meje (duke më quajtur mua mafioz, trafikant droge, spiun etj) . Për më tepër ngriti akuza që lidheshin me familjen time dhe me babain tim. Por edhe atëher vendimi ka qënë po aq qesharak sa edhe ky i tanishmi. Gazetari u la i lirë pasi unë (pala paditëse) nuk kisha siguruar provat e mjaftueshme për të treguar se gazetari shpifte për ato që shkruante. Sigurisht të gjithë e di se barra e provës në një gjyq për shpifje, është në dorë të atyre që ofendojnë, jo të atyre që janë të ofenduar. Unë ndaj mendimin se më parë se çdo sektor tjetër në Shqipëri duhet që të reformohet në mënyrë të menjëhershme drejtësia. Ato ligje famoze që aq shumë u përfolën nuk kanë asnjë vlerë në një vend ku qytetarët e tij janë çdo ditë viktima të padrejtësive në sallat e gjyqit.
Po në Itali egzistojnë probleme mes gazetarëve dhe drejtësisë?
Italia të paktën nga ky këndvështrim duket se është në rrugën e duhur. Nuk mund të them që gjykatësit në Itali nuk bëjnë gabime apo marin gjithmone vendime të drejta por për një gjë jam i bindur se vendime të tilla arbitrare dhe amatoreske nuk ka. Unë nuk them që gazetarët të mos dënohen nëse ata bëjnë diçka të dënueshme pasi edhe në vendin tim sa herë ka ndodhur kështu gazetarët janë dënuar sipas ligjeve në fuqi. Por në Itali egziston një grupim i gazetarëve që reagon sa herë që ka raste në të cilat shkelen të drejtat e një gazetari, për fat të keq në Shqipëri këto organizata janë inegzistente dhe çdo gazetar ndihet i vetëm në përballjet e tij me këdo të veshur me pushtet.
Cilat janë sygjerimet tuaja për një gazetari të lirë, të pavarur dhe jashtë influencës së shtetit?
Gazetarët duhet të jenë të lirë dhe të pavarur ekonomikisht. Një gazetar i varfër për fat të keq nuk do të jetë kurr i pavarur krahasuar me fuqinë dhe influencën e shtetit. Në Shqipëri ka jashtëzakonisht shumë media dhe kjo mendoj unë se është një prej faktorëve më të rëndësishëm pse nuk ka sot media të pavarura. Thuajse të gjithë gazetat apo televizionet dalin me humbje për shkak se tregu në të cilin ato operojnë është shumë i vogël. Kjo është arsyeja që shumë media sot në Shqipëri janë të lidhura (direkt ose indirekt) me qeverinë apo me ndonjë parti pasi ato kanë nevojë vërtet për para nga politika. E gjitha kjo është paradoksale por duke pasur më pak media në të ardhmen besoj do të ketë edhe më shumë gazetar dhe mediume të lira.
Botuar në gazetën Reporteri, tetor 2013