Mediat sociale, besimi dhe polarizimi: Raporti i Lajmit Dixhital 2017

13 Korrik , 2017 • Ekonomia e Medias, Kryesoret, Marrëdhëniet Publike, Shkrimet më të fundit • by

Audiencat janë përgjithësisht të pakënaqura me cilësinë e lajmeve dhe komentet, veçanërisht në mediat sociale, zbulon Raporti i gjashtë i Lajmit Dixhital.
Raporti,i realizuar nga Instituti Reuters për Studimin e Gazetarisë, është bazuar në një anketim online të 70,000 personave nga 36 vende. Ai zbulon se, megjithëse më shumë se gjysma e të anketuarve (54%) i përdorin mediat sociale si një burim lajmesh, vetëm çereku (24%) i tyre mendon se mediat sociale bëjnë një punë të mirë në ndarjen e faktit nga trillimi, krahasuar kjo me 40% të mediave të lajmit.

Në shtete si SHBA (20%/38%) dhe Mbretëria e Bashkuar (18%/41%), njerëzit kanë dy herë më shumë gjasa për të besuar mediat e lajmeve krahasuar me mediat sociale. Vetëm në Greqi ka më shumë njerëz që mendojnë se media sociale po bën një punë më të mirë, kryesisht sepse ata kanë besim shumë të ulët në mediat e lajmeve (28%/19%).

Besimi në media dhe paragjykimi politik

Besimi tek media ndryshon në mënyrë të konsiderueshme përgjatë 36 vendeve në studim. Pjesa e atyre që  i besojnë lajmeve është më e lartë në Finlandë (62%), dhe më e ulët në Greqi dhe në Korenë e Jugut (23%).
Në shumicën e vendeve, ne gjejmë një lidhje të fortë midis mosbesimit ndaj medias dhe paragjykimit politik të përceptuar. Kjo është veçanërisht e vërtetë në shtetet me nivele të larta të polarizimit politik. Në SHBA, polarizimi politik bën që të anketuarit t’i besojnë më shumë burimeve të lajmeve që përdorin rregullisht (53%) sesa lajmeve në përgjithësi (38%). Në Mbretërinë e Bashkuar, duket se rënia e shkaktuar nga vota e Brexit në qershor 2016, ka çuar në një rënie prej 7% në besimin e përgjithshëm ndaj medias nga 50% në 43%.

Nivelet e besimit ndryshojnë në varësi të besnikërisë politike

Në SHBA, njerëzit e të djathtës  politike kanë pothuajse tre herë më shumë gjasa të shprehin mosbesim ndaj lajmeve në përgjithësi, krahasuar me të majtët, kurse në Mbretërinë e Bashkuar është e kundërta. Kjo reflekton diferencën midis mediave në çdo vend.

Kjo situatë ka krijuar hapësirë për websajte të reja partizane dhe dixhitale që po hyjnë në treg – siç është Breitbart që arrin të ketë si lexues 7% të të anketuarve amerikanë si dhe websajti i mbështetur nga Jeremy Corbyn, The Canary, që arrin të ketë 2% të përdoruesve javorë në Mbretërinë e Bashkuar.

Ndryshime rajonale në pagesat për lajmet online

Mesatarisht në të gjitha vendet, vetëm rreth një e dhjeta  (13%) paguajnë për lajmet online, por ka ndryshime të mëdha nga një rajon në tjetrin. Rreth një e katërta e të anketuarve paguajnë për lajmet online në Norvegji (26%) dhe rreth një e pesta në Suedi (20%) krahasuar me vetëm 6% në Greqi.

Raporti thekson se kjo ka të bëjë me nivelin e të ardhurave, si edhe me kulturën e abonimit në shtyp, e cila u transferua në mjedisin dixhital përmes kombinimeve me pagesë dhe atyre falas. Por mund të ketë edhe faktorë të tjerë në disa vende. Një nga anët pozitive të polarizimit dhe të besimit të ulët ndaj mediave sociale and mediave të lajmeve në përgjithësi, ka qenë rritja e jashtëzakonshme e numrit të individëve që janë gati për të paguar për lajmet online në SHBA, duke u shkuar nga 9% në 16% të mostrës sonë online. Donacionet për organizatat e lajmeve gjithashtu janë trefishuar.

Shumica e abonimeve të reja dhe e pagesave të tjera kanë ardhur nga individët e të majtës politike, një e treta e të cilëve deklarojnë se ata duan të “ndihmojnë në financimin e gazetarisë”. Një rritje e rëndësishme ka ardhur nga grupmoshat deri në 35 vjeç, duke korrigjuar dukshëm idenë se grupmoshat më të reja nuk janë gati për të paguar për mediat online, sidomos për lajmet.

Ka patur rritje të ngjashme të pagesës për lajmet online edhe në një mjedis tjetër përgjithësisht të polarizuar, në Australi. Numri i australianëve që paguajnë për lajmet është rritur nga 10% në 2016  në 13% në 2017, me 25% e të cilëve paguajnë duke thënë se motivimi i tyre më i rëndësishëm është “të ndihmojnë financimin e gazetarisë”. Gjithashtu ka nivele përgjithësisht të larta edhe  të donacioneve për lajmet në Australi.

Polarizimi në rritje mund të sjellë përfitim për organizatat e mediave

Biznesi i medias po përjeton një periudhë sfidash dhe rritja e polarizimit, e lajmeve të rreme si dhe rënia e besimit në mediat sociale  po shkaktojnë shqetësim kudo. Por në disa vende, ka shenja se i njëjti polarizim mund të çojë tek grupe të caktuara në lindjen e dëshirës  për të mbështetur organizatat e mediave ndaj të cilave ata ndihen më të afërt. Anësia politike mund të shkaktojë një lidhje në rritje me organizatat e mediave, të paktën në disa vende, dhe mund të jetë një mënyrë për të ndihmuar në mbështetjen e të ardhmes së gazetarisë së bazuar tek financimi komercial.

Imazhi: RISJ, DNR 2017

Ian Clark, Flickr CC licence

 

Tags:, , , ,

Send this to a friend