Gjuha e urrejtjes- rastet krahasuese në raportet europiane

3 Korrik , 2018 • Kryesoret, Liria e medias, Shkrimet më të fundit • by

Edhe pse shprehja ‘gjuha e urrejtjes’ është bërë shumë e zakonshme, nuk ka ende një përcaktim të saktë se çfarë në të vërtetë është ‘gjuha e urrejtjes’. Në fakt, kërkimi për një përkufizim të përbashkët bie ndesh me debatet juridike, politike-filozofike dhe kulturore mbi kufijtë e lirisë së shprehjes. Që këtej lind pyetja; atëherë si mund ta definojmë se çfarë është në të vërtetë ‘gjuha e urrejtjes’, pa i vendosur një cak lirisë themelore të shprehjes? Një dilemë e tillë mbetet mbizotëruese në media. Revolucioni dixhital sipas ekspertëve, është një prej arsyeve themelore të ringjalljes së këtij debati.

  • Vështrim historik

Përkufizimet e ndryshme të ‘gjuhës së urrejtjes’  ndajnë një bazë të përbashkët në dokumentet e prodhuara nga institucionet ndërkombëtare pas Luftës së Dytë Botërore. Sipas një rek. të Këshillit të Evropës në vitin 1997, gjuha e urrejtjes përfshin “të gjitha format e shprehjes që përhapin, nxisin, promovojnë ose justifikojnë urrejtjen racore, ksenofobinë, antisemitizmin apo dhe forma të tjera të urrejtjes të bazuara në intolerancë, duke përfshirë intolerancën e shprehur nga një nacionalizëm agresiv dhe etnocentrizmi, diskriminimi dhe armiqësia ndaj pakicave, emigrantëve dhe njerëzve me origjinë emigrantësh.”

Megjithëse shprehja ‘gjuha e urrejtjes’ fitoi terren gjatë viteve 1990, vëzhgimi i fenomenit dhe angazhimi për ta kundërshtuar atë nuk janë fenomene të reja (më herët, shprehja ‘të nxisësh urrejtje’ ishte e ajo e preferuara). Për shumë dekada, fokusi mbetej urrejtja racore, antisemitizmi dhe revizionizmi historik. Me mijëvjeçarin e ri, ndërgjegjësimi për këtë temë ka përfshirë pakicat fetare (sidomos myslimanët, të orientuar gjithnjë e më shumë nga kërcënimet dhe diskriminimi) dhe së fundi, gratë, personat LGBT, invalidët dhe të moshuarit. Por për ta përmbledhur, pavarësisht nga forma (shkruar ose orale, verbale ose joverbale, e qartë ose e nënkuptuar) dhe statusi juridik që ajo mbart, ‘gjuha e urrejtjes’ përfshin çdo shprehje të dhunës dhe diskriminimit ndaj personave ose grupeve të tjera. Derisa ‘gjuha e urrejtjes’ i shënjestron personat mbi bazë të karakteristikave dhe/ose kondicioneve të tyre personale, reagimet që priten më pas ndaj tyre bazohen mbi kontekstin social, ekonomik, politik në të cilat nis dhe kjo mënyrë aksioni joetik.

Përpjekjet për të kundërshtuar ‘gjuhën e urrejtjes’ përballen sot më të tjera dilema që ofron epoka dixhitale. Në një raport të kohëve të fundit (shtator 2017), Këshilli i Evropës e trajtoi ‘gjuhën e urrejtjes’  brenda një çështje më të gjerë; duke përfshirë edhe informacionin ose lajmin, ne një paraqitje globale të përmbajtjeve ku ‘gjuha e urrejtjes’ dhe të ashtuquajturat ‘lajme të rreme’  kryqëzohen diku në një pikë: në këtë pikëpamje, dezinformimi rrjedh nga takimi mes informatave të gabuara (përhapja e lajmeve që janë të rreme, por të padëmshme) dhe keqinformimi (përhapja e lajmeve autentike me qëllim për të dëmtuar).

  • A është ‘gjuha e urrejtjes’ një fenomen në rritje?

Megjithëse debati mbi nxitjen e urrejtjes ka një histori të gjatë, vëmendja që i kushtohet ‘gjuhës së urrejtjes’ si dukuri, padyshim është rritur gjatë viteve të fundit, në hapësirën dixhitale. Siç shihet në grafikun më poshtë (që tregon shfaqjen e termit në botimet në gjuhën angleze të indeksuara në Google Books), shprehja është bërë e zakonshme vetëm gjatë 30 viteve të fundit, ndërsa shumica e nismave nga autoritetet dhe shoqëria civile janë edhe më të reja.

  • Gjuha e urrejtjes – Gjetjet e fundit në Ballkan, viti 2016

Mungesa e një përkufizimi të përbashkët të ‘gjuhës së urrejtjes’ e bën grumbullimin e të dhënave në nivel evropian të pamjaftueshëm ose në rastin më të mirë të pabarabartë. Vetëm gjatë këtyre viteve të fundit, organe si OSBE ose Agjencia e BE-së për të Drejtat Themelore filluan të paktën të sistemojnë mbledhjen e të dhënave kombëtare mbi ‘gjuhën e urrejtjes’.  Që nga viti 2016, OSBE ka mbledhur statistika dhe praktika krahasuese me të dhënat e duhura mbi këtë dukuri prej autoriteteve të shteteve anëtare. Po atë vit, pra në 2016 në kuadrin e Këshillit të Europës dhe të projektit të BE-së “Përforcimi i ekspertizës gjyqësore mbi lirinë e shprehjes dhe medias në Evropën Juglindore” janë organizuar disa takime rajonale me objektivin për të diskutuar rreth çështjeve të rëndësishme me të cilat ndeshen të gjitha organet rregullatore. Një prej tyre ishte dhe ‘gjuha e urrejtjes’. Konferenca  u ndoq nga përfaqësuesit e organeve rregullatore të Shqipërisë, Bosnjë-Hercegovinës, Malit të Zi, Maqedonisë dhe Serbisë. Në këto takime u propozua edhe përgatitja e një botimi mbi gjuhën e urrejtjes, i cili do të përmbante informacione rreth rasteve me të cilat organet rregullatore janë ndeshur: file:///C:/Users/User/Downloads/Media%20regulatory%20authorities%20and%20hate%20speech.pdf.

Lajm i mirë është se këta shembuj do të shërbejnë si udhëzues dhe rekomandime të mëtejshme në raste të ngjashme. Sigurisht edhe Shqipëria ka kontributin e saj me Këshillin e Ankesave pranë AMA-s, si një përpjekje e përbashkët e punës së përfaqësuesve të autoriteteve rregullatore kombëtare të sipërpërmendura. Qëllimi i mbledhjes së këtyre të dhënave është të kontribuojmë me sa mundim, për një kuptim më të gjerë të konceptit që ka të bëjë me ‘gjuhën e urrejtjes’, apo dhe të përcaktojë se çfarë është dhe çfarë nuk është ‘gjuha e urrejtjes’.

Sot pas më shumë së 27 vitesh që nga liberalizimi i sistemit vetërregullues në mediat audiovizive bazuar në konventat europiane, sistemi i vetërregullimit mbetet një proces i vështirë për t’u përpunuar, pavarësisht nga përpjekjet e shumta të ndërgjegjësimit të autoriteteve, organizatave joqeveritare dhe organizmave ndërkombëtare. Sot ne kemi diskutime sërish mbi çështjet e etikës në media e megjithëkëtë ende nuk ka tek to një strukturë mbikëqyrëse vetërregulluese që të mund të veprojë mbi akte të veçanta shkeljesh apo tendencash të tilla. Përmbajtjet ligjore në këtë fushë ruajnë standardet europiane dhe gjykohen se janë të mira, por zbatimi i tyre mbetet sërish një sfidë, të cilën na duhet ta kapërcejmë, por duke konstatuar më parë pengesat, të cilat janë gjetjet/rezultatet që duhet të vijnë prej studimeve dhe anketave realizuar prej ekspertëve të fushës.

  • “ARTICLE 19”, një model perëndimor

“ARTICLE 19” është një organizatë britanike që operon në fushën e të drejtave të njeriut me një fokus specifik në mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së shprehjes dhe atë të informimit në mbarë botën, e themeluar në vitin 1987. Organizata e ka marrë emrin prej Nenit 19 të Deklaratës Universale të të Drejtave të Njeriut, i cili thotë: “Gjithkush ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe shprehjes; e drejta përfshin lirinë për të pasur opinione pa ndërhyrje si lirinë për të kërkuar, pranuar dhe dhënë informacion/ ide nëpërmjet çdo mediumi pavarësisht prej kufijve.”

Organizata ‘Article 19’, monitoron kërcënimet që mund t’i ndodhin lirisë së shprehjes në të gjithë globin; ajo lobon me qeveritë të miratojnë ligje që përputhen me standardet ndërkombëtare të lirisë së shprehjes; dhe harton standarde ligjore që forcojnë pavarësinë editoriale në media, në transmetuesit publik, shprehjen e lirë dhe aksesin në informacione, të cilat qeveria i konsideron pjesërisht transparente.

Në fillim të muajit mars të vitit 2018 kjo organizatë publikoi raportin e saj hulumtues dhe krahasues të politikave ligjore mbi ‘gjuhën e urrejtjes’ nisur nga gjetjet e 6 vendeve anëtare të BE –së si, Austria, Italia, Gjermania, Hungaria, Polonia dhe Mbretëria e Bashkuar. Raporti konstatoi se ‘gjuha e urrejtjes’ mbetet një problem i konsiderueshëm në të gjitha vendet. Përkundër disa shembujve të praktikave të mira, kuadri ligjor dhe rregullator në këto vende po dështon në adresimin e duhur të këtyre problemeve.

‘Gjuha e urrejtjes’ nuk është një problem i ri brenda Bashkimit Evropian; megjithatë, ai mbetet një shqetësim në rritje. Gjatë dy dekadave të fundit, incidentet e ‘urrejtjes’, të motivuara për arsye të ndryshme, janë rritur në shumë vende evropiane. Kjo prirje, sipas ekspertëve duket të jetë nxitur nga kriza e gjatë ekonomike që ka përfshirë botën dhe numri në rritje i emigrantëve dhe refugjatëve që vijnë në Evropë. Edhe një diskurs politik i tensionuar që rrethon BE-në në përgjigje të kësaj, apo dhe retorika ‘euroskeptike’ ka luajtur, gjithashtu, rolin e saj.

Rritja e paragjykimeve dhe intolerancës në shumë raste mund të lidhet drejtpërdrejt me politikat dhe strategjitë e komunikimit të qeverive përkatëse. Përfaqësues partish politike, zyrtarë publikë, dhe në disa vende, edhe ministra kanë përdorur gjuhë urrejtje dhe nënçmuese para publikut të tyre duke shënjestruar pakicat e ndryshme, refugjatët dhe emigrantët, si dhe duke përbuzur edhe vetë axhendën e BE-së. Nisur prej këndej ka pasur një vullnet minimal politik për të minimizuar shembuj të ‘gjuhës së urrejtjes’ që janë shfaqur në shoqëri. P. sh., në Mbretërinë e Bashkuar, ‘gjuha e urrejtjes’ ndaj emigrantëve në BE ishte një tipar dallues gjatë fushatës së referendumit në vitin 2016. Kjo solli më pas edhe vendimin e britanikëve për t’u larguar nga BE; në Poloni dhe Hungari, autoritetet qeverisëse qenë shumë të zëshme në retorikën e tyre kundër BE-së dhe emigrantëve. Në të vërtetë, të dyja vendet shënojnë një rekord historik problemesh me garantimin e të drejtave të minoriteteve racore, etnike dhe fetare, ndërsa grupi LGBTI janë të mbrojtur prej diskriminimit; në Itali, Gjermani dhe Austri emigracioni mbetet fokusi i debatit publik gjatë fushatave të tyre zgjedhore. Gjatë retorikave të tyre partitë e krahut të djathtë, politikanët dhe zyrtarët publikë, si dhe pjesëtarë të lëvizjeve ksenofobe në retorikën e tyre nxisin armiqësi ndaj pakicave, veçanërisht ndaj emigrantëve dhe refugjatëve për të fituar politikisht.

Nisur prej këndej, ligji ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, u kërkon shteteve të sipërcituara dhe gjithë anëtareve të tjera të BE-së, të mbrojnë dhe promovojnë së bashku të drejtat e lirisë së shprehjes dhe të drejtën për barazi: një e drejtë nuk mund të jetë prioritare kundrejt një tjetre dhe çdo tension midis tyre duhet të zgjidhet brenda kufijve të ligjit ndërkombëtar të të drejtave të njeriut. Siç është përcaktuar, shteteve u kërkohet të ndalojnë forma veçanërisht të rënda të ‘gjuhës së urrejtjes’, të cilat në rrethana të jashtëzakonshme mund të bëhen përmes ligjit penal. Ata, gjithashtu, janë të detyruar të krijojnë një mjedis të përshtatshëm për ushtrimin e të drejtave të lirisë së shprehjes dhe të barazisë duke nxjerrë një sërë masash pozitive për mbrojtjen e këtyre të drejtave.

Në të vërtetë raporti i fundit i publikuar prej organizatës së mirënjohur britanike në mbrojtje të lirisë së shprehjes ‘ARTICLE 19’, gjen ndër të tjera mangësi mbi ‘gjuhën e urrejtjes’ në të gjithë kornizat kombëtare të gjashtë vendeve sa i përket përputhshmërisë me standardet e aplikueshme ndërkombëtare të lirisë së shprehjes, si dhe mospërputhje në zbatimin e legjislacionit në dispozicion. Nisur prej pikëpamjes së saj, ‘ARTICLE 19’ mendon se këto mangësi e bëjnë kornizën ligjore të hapur ndaj çdo abuzimi politik, duke përfshirë pikërisht ato grupe minoritare që ligji i mbron. Ndër të tjera, raport i publikuar nga ‘ARTICLE 19’, përmban rekomandime për shtetet anëtare të BE-së për mënyrën e sigurimit të mbrojtjes sa më të mirë të të drejtës për lirinë e shprehjes dhe të drejtës për barazi. Ky hulumtim, u krye si pjesë e projektit “Media kundër Hate”, një fushatë sensibilizuese në mbarë Evropën e iniciuar nga Federata Evropiane e Gazetarëve dhe një koalicion i organizatave të shoqërisë civile, duke përfshirë Institutin e Diversitetit të Medias, “ARTICLE 19”, Shoqata e Gazetarëve kroatë, Forumi i Komunitetit të Mediave në Evropë, Instituti i Komunitetit të mediave në Europë dhe Bashkëpunimi për Zhvillimin e Vendeve në Zhvillim.

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, ,

Send this to a friend