Mediat e Polonisë dhe dieta mediatike e qytetarëve polakë po bëhen gjithnjë e më të polarizuara. Një studim i ri ka zbuluar se përdoruesit e mediave polake, në vend që të kërkojnë për informacion nga i gjithë spektri politik, po konsumojnë gjithnjë e më shumë lajmet e atyre mediave që janë në të njëjtën linjë me bindjet e tyre politike.
Këto zhvillime e kanë origjinën në reformat e ndërmarra nga qeveria e djathtë polake (e drejtuar nga Partia Ligj dhe Drejtësi -PiS dhe Partia për Drejtësi). Gjatë viteve të fundit qeveria e PiS ka marrë nën kontroll transmetuesit shtetërorë duke premtuar një kthim të tyre nga media publike në media “kombëtare”. Këto masa nxitën protestat dhe krijuan pakënaqësi tek institucionet europiane dhe tek organizatat e shoqërisë civile nga e gjithë bota.
Gjithsesi polarizimi i dietës mediatike nuk është vetëm një fenomen polak. Vitet e fundit shumë ekspertë kanë theksuar se ndarja në rritje dhe konfliktet mes partive politike si dhe mes vetë shoqërisë, janë mbështetur nga pluralizmi mediatik i jashtëm dhe reflektojnë edhe polarizimin dhe radikalizimin e komunitetit të gazetarëve. Në vend të krijimit të kohezionit social dhe zbutjes së konflikteve, organet e mediave janë akuzuar shpesh për një thellim edhe më të madh të ndarjes së shoqërisë.
Studimi i ri me titull “Konsumi i lajmeve dhe preferencat ndaj partive politike në Poloni” i ndërmarrë nga Michał Wenzel bën një përpjekje për të kuptuar më mirë këto fenomene nga perspektiva polake. Wenzel analizon efektin e mediave polake tek preferencat politike të votuesve polakë – si dhe përpiqet të gjejë lidhjet mes “dietës mediatike” ditore të qytetarëve polakë dhe pozicionimit e sjelljes së tyre përkundrejt kompartimenteve më të rëndësishme shoqërore dhe politike të vendit.
Interneti ndryshoi për mirë modelin e konsumit të lajmeve politike
Studimi i Wenzel konfirmoi se mediat online janë shndërruar në burimin më të madh të informacionit politik në Poloni. Veçanërisht mediat sociale kanë gjetur një përdorim shumë të gjerë. Facebook rezultoi të jetë burimi më i përdorur i lajmeve për më shumë se 75 % të të pyeturve. Gjithsesi përdoruesit nuk e shohin Facebook si burimin më të rëndësishëm. Kanalet televizive sërish vazhdojnë të prijnë në këtë lëmë, të paktën sipas anketimit të Wenzel. Por ka të ngjarë që rezultatet të preken nga metodologjia e përdorur nga Wenzel, i cili i realizoi anketat online, duke lënë jashtë popullsinë në moshë të madhe që ka prirjen të jetë edhe më konservatore.
Për nevoja të studimit Wenzel i ndau të anketuarit në katër grupe – sipas preferencave të tyre partiake – votuesit e Ligj dhe Drejtësi, votuesit e Platformës Civile (PO) dhe të Partia Moderne (Nowoczesna);, votuesit e partive të tjera jashtë dy grupimeve të mëdha, konkretisht Kukiz’15, Partia Fshatare Polake (PSL), Aleanca e të Majtës Demokratike (SLD), partia Së bashku (Razem) partia e Lirisë (Wolność); si dhe një grup i katërt që përbëhej nga të anketuarit politikisht pasivë, të pavendosurit dhe të atyre që nuk votojnë.
“Fllucka informacioni” të veçuara
Njëherësh ai bëri një ndarje edhe të mediave: mediat publike (të kontrolluara nga partia në pushtet PiS); mediat kryesore private (zakonisht pro opozitës) dhe një grup të veçantë për portalet më të rëndësishme online – duke pretenduar që ndarjet në media të përputhen me preferencat politike. Të anketuarve iu kërkua që të shënojnë të gjitha mediat që ata përdorin për të marrë informacion si dhe të përzgjedhin burimet më të rëndësishme të informacionit politik.
Siç parashikohej, secili nga grupet kishte qasje të ndryshme të konsumit mediatik. Gjithsesi, diferencat më të mëdha u vunë re mes votuesve të Ligj dhe Drejtësi në njërën anë dhe votuesve të Platformës Civile dhe Partisë Moderne – dy partitë më të mëdha të opozitës, nga ana tjetër. Wenzel gjithashtu vë në dukje se “përdoruesit që e kanë Facebook si burim kryesor informacioni, përbëjnë një kategori të veçantë të depolitizuar”. Anketimi tregoi se “përdorimi i tij si burim kryesor informacioni, ndikon për keq në përdorimin e programeve të lajmeve të TVP and TVN, dy qendra të ekosistemit të informacionit. Ata që përdorin Facebook priren të shpërfillin televizionin”.
Njerëzit besojnë tek mediat që ata përdorin
Ç’është më e rëndësishmja, diferencat në preferencat ndaj burimeve të informacionit janë të lidhura drejtpërdrejt me vlerësimin dhe besueshmërinë tek media të ndryshme. Përshembull, votuesit e PiS shprehen më së shumti pozitivisht për performancën e mediave publike – dhe kanë një qëndrim negativ ndaj mediave private. Votuesit e PO dhe N zakonisht shfaqin një opinion negativ për mediat publike dhe shprehen më pozitivisht për mediat private. Të anketuar të tjerë gjenden diku midis këtyre dy grupeve. Ndërkohë preferencat e grupit të tretë dhe të katërt duken të jenë më pranë votuesve të PO dhe N se sa votuesve të PiS, të cilët, sipas Wenzel “jetojnë në një botë të ndryshme komunikimi”.
Studimi i Wenzel konfirmon edhe disa pretendime të kërkuesve apo të vëzhguesve të debatit publik polak. Është e dukshme se ndarja në rritje si në shoqërinë polake edhe në arenën politike si dhe radikalizimi i diskursit të medias, janë reflektuar gjerësisht si dhe mbështetur nga media që nga koha e rënies së avionit presidencial në Smolensk dhe pas zgjedhjeve parlamentare të vitit 2015.
Rrëzimi i avionit, gjatë të cilit humbi jetën presidenti Lech Kaczyński dhe 96 të tjerë, duket se ka qenë një ngjarje e rëndësishme që ndryshoi dinamikat e debatit publik polak. Edhe pse u bashkua menjëherë pas tragjedisë, shoqëria polake sot duket të jetë edhe më e ndarë kur bëhet fjala për shkaqet potenciale të rënies së avionit. Siç thotë edhe gazetari polak Krzysztof Dzięciołowski kjo ngjarje “e ka shtyrë gazetarinë polake drejt një qasjeje më partizane, më të politizuar dhe më të polarizuar”. Studimi i Wenzel tregon se në këtë kurth duket se kanë rënë edhe përdoruesit e mediave polake.
Artikulli i plotë gjendet këtu.
Tags:mediat, ndarja, polarizimi, politika