Qershori i vitit 2015 do të shënojë fillimin e një epoke të re të transmetimeve numerike dhe fundin e epokës së transmetimeve analoge ne Shqipëri. Me këtë kalim Televizioni Publik Shqiptar, me platformat e tij multipleks, do të ketë avantazhe dhe mundësi shumë më të mëdha, qoftë edhe në pikëpamje të vetëmjaftueshmërisë së fondeve. Është për këtë arsye që, siç edhe orienton Organizata Europiane e Transmetuesve Publikë, të kërkohet një mënyrë më e qartë menaxhimi, me qëllim që RTSH-ja të organizohet si institucion me një format nga më të suksesshmit dhe me një platformë perëndimore, si për përmbajtjen e informacionit, të programeve, ashtu edhe për teknologjinë.
Si dilet nga kriza aktuale?
Fillimisht, për të dalë nga kriza,duhet sqaruar bilanci midis të hyrave në xhirollogarinë e RTSH-së dhe fitimit nga reklamat. Më tej kërkohet një reflektim më i detajuar, një qasje ndaj fenomenit të reformimit. Ky reformim duhet të bëhet së pari në kokat e njerëzve, me personazhe që i kërkon koha. Vetëm atëherë do të mund të flasim për një epokë normale të gazetarisë publike. Ka shumë gjasa që me forcimin e shtetit, edhe RTSH-ja do të stabilizohet me ardhjen e një drejtori rezistent dhe të pa thyeshëm ndaj politikës. Ai duhet të vijë bashkë me respektimin e ligjit dhe duhet ta përcaktojë qartë kohën e reklamës dhe financimin nga shteti. Do të jetë kjo një mënyrë që do ta pastrojë RTSH-në nga reklamat dhe emisionet e padëshirueshme, të sponsorizuara fund e krye dhe pa asnjë element të gazetarisë publike. Në optikën time reforma në RTSH mund të konsistojë në krijimin e disa mekanizmave për të garantuar objektivitetin e informacionit. Për këtë është i nevojshëm hartimi i një Kodi Etik dhe i një rregulloreje, ku të sanksionohen të drejtat e gazetarëve dhe pavarësia e tyre në dhënien e informacionit. Këshilli Drejtues i RTSH-së mund të ndikojë në ndërtimin e një politike tjetër nga ajo e formimit të burimeve njerëzore dhe intelektuale të Radiotelevizionit aktual. Fjala është për ngritjen e sistemit të rekrutimit me konkurse të hapura publike, nëpërmjet një konkurrimi dhe gare jo vetëm për stafin e brendshëm gazetaro-teknik, por edhe për atë të jashtëm, duke ngritur kësisoj sistemin e karrierës. Unë nuk e shoh RTSH-në, thjesht, si një konkurrencë të mediave private, por e shoh edhe si plotësues të hapësirave boshe që lë tregu privat. RTSH-ja duhet të jetë e para në garën për informacion, jo për sa i përket shpejtësisë së lajmit, por saktësisë dhe objektivitetit të tij. RTSH-së nuk i lejohet që për hir të shpejtësisë së informacionit të kalojë në gabime të tipit“thamë se ka humbur jetën, por në fakt ka mbetur gjallë”, siç ndodh me ndonjë media private. Për këtë arsye, është i domosdoshëm krijimi i një njësie të monitorimit të audiencës, duke përcaktuar në këtë mënyrë edhe një matës të brendshëm për programacionin dhe për të gjithë produktin e këtij televizioni. Nga ana tjetër medias publike i takon të jetë institucioni ku të amplifikohet zëri i personave që nuk paraqesin interes komercial për sa i përket transmetimit, (siç janë emisionet e ndryshme që transmetohen vazhdimisht nga mediat private, por që kanë edhe një lloj background komercial nga pas), ndërkohë që nuk dëgjohen zërat e njerëzve që nuk lodhen duke mbrojtur të drejtat e njeriut dhe të grupimeve të caktuara të margjinalizuara sepse nuk ka një amplifikator të vlefshëm për punën e tyre.
“JO” keqpërdorimit të parasë publike
Disa vite më parë, Gjykata Kushtetuese Gjermane mori një vendim në favor të bashkësisë së stacioneve që përbëjnë radio-televizionin publik gjerman, ARD dhe ZDF. Gjykatësit theksuan në vendimin e tyre se për të ruajtur pavarësinë e këtyre stacioneve, prej ndikimeve politike është e domosdoshme mbledhja e mëtejshme e taksës për radio-televizionin publik. Kjo taksë përcaktohet prej qeverive të LANDE-ve në bazë të rekomandimeve të një komisioni të pavarur që merret me shqyrtimin e nevojave financiare të stacioneve publike gjermane. A është e mundur që edhe televizioni ynë publik, « t’i tregojnë dhëmbët » atyre që keqpërdorin paranë publike? Jemi shoqëri e varfër; na ka humbur morali dhe etika njerëzore dhe duhet t’u përulemi atyre që vendosin për rrogat e nëpunësve të RTSH-së, atyre që duhet të vendosin për emisionet tona. Ky duhet të jetë shpëtimi për RTSH-në: që qytetarët ta paguajnë vetë programin e tyre. Por për ta bërë këtë, RTSH-së i duhet një bord profesionist, që të bëjë politikën e kësaj medieje dhe të sigurojë financat e saj, ashtu siç e kanë sot radio-televizionet publike në Evropë. Pastaj duhet të kërkohet transparencë e plotë nga stafi menaxhues me në krye Drejtorin e Përgjithshëm se si harxhohen taksat publike. RTSH-së i kërkohet sot të bëhet një radiotelevizion publik i besueshëm dhe i qëndrueshëm. Ky është një borxh ndaj Shqipërisë, brezave të shkuar, të tanishëm dhe atyre që do të vinë pas nesh.
Këshilli Drejtues i RTSH-së mund të ndikojë në ndërtimin e një politike tjetër nga ajo e formimit të burimeve njerëzore dhe intelektuale të Radiotelevizionit aktual, duke ngritur sistemin e rekrutimit me konkurse të hapura publike, jo vetëm për stafin e brendshëm gazetaro-teknik, por edhe për atë të jashtëm, duke ngritur kësisoj sistemin e karrierës.
Në optikën time, reforma në RTSH mund të konsistojë në krijimin e disa mekanizmave për të garantuar objektivitetin e informacionit. Për këtë është i nevojshëm hartimi i një Kodi Etik dhe i një rregulloreje,ku të sanksionohen të drejtat e gazetarëve dhe pavarësia e tyre në dhënien e informacionit.
RTSH-së i duhet një bord profesionist, që të bëjë politikën e kësaj medieje dhe të sigurojë financat e saj, ashtu siç e kanë sot radio-televizionet publike në Evropë. Pastaj duhet të kërkohet transparencë e plotë nga stafi menaxhues me në krye Drejtorin e Përgjithshëm, se si harxhohen taksat publike.