Çipa: Media pësoi goditje të rëndë nga pandemia

18 Korrik , 2020 • Ekonomia e Medias, Kryesoret, Profesionalizmi në media • by

Media në Shqipëri është ndikuar shumë nga COVID-19, kështu thotë, Aleksandër Çipa, kryetari i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë. Në një intervistë për Portalb.mk, Çipa thekson se media ka pësuar goditje të rëndë nga pandemia dhe efektet financiare do të ndihen edhe më shumë në pjesën e mbetur të vitit. Çipa tregon se mbi 40 gazetarë humbën vendin e punës ndërkaq rreth 40% e gazetarëve pësuan ulje të pagave.

Intervista u realizua nga Dren Gërguri

Si po e transformon COVID-19 gazetarinë në Shqipëri?

Çipa: Është një transformim i cili ka nisur më herët. Dekada e fundit ka qenë një kohë e ritmit të lartë ndryshues të praktikave raportuese, komunikuese dhe kërkuese për komunitetin e reporterëve dhe disa kategori gazetarësh në strukturat redaksionale të krejt spektrit multimedial. Kjo është e lidhur me ritmin zhvillues të teknologjive të komunikimit dhe industrinë e medias në përgjithësi. Por periudha e pandemisë së shkaktuar prej COVID-19  solli një situatë dhe marrëdhënie krejt të re.
Gazetarët e terrenit duke shfrytëzuar mjetet e komunikimit ekspres, përshtatën praktikën raportuese të mundësuar së pari informativisht.
Rrjetet sociale u përdorën si një infrastrukturë e zhdërvjellët dhe kohëfituese për reporterët, duke evituar proceset tradicionale të distribuimit në redaksitë e lajmeve dhe kalimin në procedurat tradicionale redaksionale dhe edituese. Kjo e shumëfishoi garën raportuese, pasuroi numerikisht mediat dhe versionet e online-it në Shqipëri, numri i të cilave shkon në rreth 800 portale dhe versione të tjera shumëllojshme, si dhe transformoi format e komunikimit brenda redaksive.

Nga këndvështrimi juaj, institucionet dhe kompanitë a publikojnë më shumë të dhëna në internet në krahasim me më parë dhe a keni vënë re dallim në kualitetin e të dhënave dhe të informacioneve?

Çipa: Volumi i të dhënave që institucionet dhe kompanitë qarkullojnë në hapësirat online është shtuar ndjeshëm. Por kjo  nuk e ka rritur  transparencën dhe informimin e publikut me atë lloj informacioni për të cilin ka interes. Institucionet dhe kompanitë nuk ofrojnë informacion specifik për kostot, burimet njerëzore, kriteret e rekrutimeve njerëzore dhe profesionale si dhe për aspekte të tjera administrative. Kjo mundësi e shtimit të volumit informues ka shmangur cilësinë e raportimit dhe ka përjashtuar raportimin e thelluar. Në këtë situatë është bërë shumë më e vështirë mbërritja tek burimi i përgjegjësisë apo te protagonisti administrstiv i institucioneve apo i kompanive. Ka shumëfishuar propagandën dhe PR e imponuar dhe nuk krijon terren e mundësi per investigimin e çështjeve dhe kryesisht operacioneve financiare e investuese qq kryen prej tyre.

Cila është përshtypja juaj – besimi i audiencës në raportimin e medieve është rritur, është zvogëluar apo ka mbetur i pandryshuar gjatë periudhës së pandemisë?

Çipa: Gjatë periudhës së pandemiss së COVID-19 konstatohet se është shumëfishuar audienca virtuale dhe ajo e mediave audiovizive. Por nga ana tjetër është shumëfishuar edhe pabesueshmëria ndaj mediave online, pasi shumica e tyre në Shqipëri nuk administrohen nga redaktorë dhe gazetarë profesionistë. Ato janë investuar nga individë dhe grupe interesi të cilët kanë dallueshëm katër arsye përfshirjeje në pronësinë dhe administrimin e mediave të reja: e par për t’i përdorur si mjet oresionit, e dyta për të sulmuar kundërshtarët apo rivalët në punë, objektiva apo edhe në biznese, e treta për të realizuar mbështetje të hapur partiake dhe politike dhe e katërta për të siguruar edhe benefice informale përmes shantazhit, përbaljtjes, fake neës-it etj. Keqpërdorimi dhe abuzimi përmes online-it  e ka shtuar kaosin dhe anarkinë informuese si dhe ka goditur besueshmërinë ndaj mediave dhe gazetarëve  të cilët  shpesh po ngatërrohen edhe prej ndërhyrjes së qytetarëve gazetarë.

Si ka ndikuar COVID-19 në qëndrueshmërinë e mediave dhe sigurinë e punës së gazetarëve në Shqipëri?

Çipa: Gjatë periudhës së pandemisë në Shqipëri u prekën rreth 12-13 për qind e numrit të përgjithëshëm të punonjësve mediatikë. Mbi 30-40 për qind e gazetarëve gjatë tre muajve mars-qershor 2020, pësuan ulje të pagave dhe shpërblimeve financiare mujore. Shtypi i shkruar 14 ditore ndalën për një muaj botimin dhe qarkullimin dhe punonjësit e tyre u kyçën në banesa. Industria e medias pësoi një goditje, efektet e së cilës financiarisht do të ndihen edhe më shumë gjatë periudhës së ardhme të këtij viti. Kjo situatë dhe efektet e pandemisë po iniciojnë operacione reduktuese mbi strukturat dhe stafet e redaksive dhe programacionet mediatike. Nga ana tjetër sektorët e marketingut dhe menaxhimit të mediave njoftojnë se po vështirësohet respektimi i kontratave me kompanitë e biznesit dhe subjektet e marketingut.

A janë mbyllë media gjatë kësaj periudhe, a janë zvogëluar pagat e gazetarëve dhe a ka gazetar që ka humb vendin e punës?

Çipa: Ka pasur ulje të pagave mujore të gazetarëve deri në masën 30 për qind. Janë mbyllur disa media online dhe të printuara si dhe radio. Ndërkohë që ka pasur disa emisione televizive të ndërorera dhe të mbyllura. Sipas statistikave të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë gjatë periudhës së pandemisë ka pasur rreth 47 gazetarë që kane humbur vendet e tyre të punës. Numri i punonjësve mediatikë është edhe më i madh disa herë.

Cilat metoda në luftën kundër dezinformatave praktikohen në mediet e Shqipërisë?

Çipa: Periudha e pandemisë ka sjellë sfida dhe risqe të reja për gazetarët. Sikundër ka riaktualizuar sfidat e vjetra etike, por ka shfaqur edhe të reja. Praktikat e dizinformimit , precedentët e keqinformimit dhe të shpërndarjes së panikut social, të frikës masive dhe të keqinformimit si dhe fake neës kanë qenë më të shpeshta gjatë këtyre ditëve. Shpesh thashethemet dhe lajmet e rreme kanë qenë të publikuara dhe shumëshoërndara në mediat e reja dhe fatkeqësisht edhe në ato tradicionale. Ka munguar  ndjesa dhe raportimi i plotësuar.

Në jo pak raste ka pasur ndotje të shpeshta etike dhe nuk është bërë përpjekje e mjaftueshme për ruajtjen e anonimatit të të prekurve nga virusi si dhe për  mbrojtjen e parimeve deontologjike, respektimin e vërtetësisë së lajmit dhe ikjen prej konspiracioneve dhe shmangien e fake news-it.

Kush janë burimet kryesore të dezinformimit në Shqipëri?

Çipa: Burimet kryesore të dezinformimit gjatë kësaj periudhe kanë qenë rrjetet sociale, prsktikat e të ashtuquajturit qytetari digital apo polici digital që ndiqen prej faqeve të peronave publikë dhe lidereve politikë si dhe kategoritë lumpene në hapësirën virtuale. Nuk perjashtohen agjentë të huaj, media propaganduese , kryesisht faqe të ndryshme online si dhe rrjeti i madh i anonimëve të angazhuar.

A është intensiteti i dezinformatave i njëjtë tani, si para fillimit të pandemisë si dhe çfarë mendoni për llojin e dezinformatave të shpërndara gjatë kësaj periudhe?

Çipa: Mendoj që është shtuar intensiteti i dezinformimit gjatë periudhës kohore të pandemisë. Janë dezinformime të natyrave të ndryshme: së pari që burojnë prej kanaleve propagandistike të partive apo udhëheqësve politikë, prej mediave online që financohen nga shtet të huaja, nga invedtitorë me qëllime dhe synime ndikimi mbi opinionin publik vendas, nga grupe interesi dhe subjekte të ndryshme religjionare e ekonomiko-financiare si  grupe e palë konkuruese per tregjet, sektorët dhe fushat e ndikimit në sektore të ndryshëm të jetës.

Cilat kërcënime për lirinë e medieve janë shfaqur gjatë periudhës së pandemisë?

Çipa: Ka pasur disa akte kërcënuese dhe rrezikuese të lirisë raportuese gjatë kësaj periudhe pandemike. Për një periudhë gati gjashtë mujore organizatat e gazetarëve në Shqipëri kane qenë në resgime, protesta dhe kontestime të forta të një pakete të ashtuquajtur antishpifje që qeveria e vendit nismoi nën pretekstin për uljen e ndotjes etike në mediat online dhe ato elektronike në përgjithësi. Kjo paketë ligjore përbën një rrezik të madh për lirinë e shprehjes dhe i njeh atribute të shumta administrative entit rregullator Autoritetit të Mediave Shqiptare.

Në këtë periudhë  ka pasur disa penalizime për media dhe gazetarë nga entet publike me pretekst per mosrespektim të distancimit social në redaksi dhe studio televizive. Permendim rastin e gjobave ndaj TV Ora. Një kohëaisht ka pasur mbi katër raste të dhunës dhe cënimit të integritetit fizik të gazetarëve që kanë tentuar te raportijnë nga mjediset spitalore dhe ato të shëndetësisë publike për raste dhe situata pandemike.

 

Burimi: https://vertetmates.mk/cipa-media-pesoi-goditje-te-rende-nga-pandemia-mbi-40-gazetare-humben-vendin-e-punes-nderkaq-rreth-30-e-gazetareve-pesuan-ulje-te-pagave/

Tags:, , ,

Send this to a friend