Dezinformatat për COVID-19, trajektorja dhe globalizimi i tyre

11 Tetor , 2020 • Kryesoret, Profesionalizmi në media, Shkrimet më të fundit • by

Kosova është një prej vendeve me terrenin më të përshtatshëm për shpërndarjen e dezinformatave përderisa të mos ketë veprime të mjaftueshme institucionale për ta luftuar dezinformimin dhe te një pjesë e shoqërisë vazhdon të mungojë aftësia për të pasur gjithmonë gjykim kritik ndaj përmbajtjeve mediale.

Në këtë periudhë pandemike dezinformimi është shpërndarë tok me virusin, madje nganjëherë edhe më shumë e më shpejt sesa vetë virusi. Alarmimi për të pasur kujdes nga dezinformatat është një thirrje që duhet të përsëritet, mbi të gjitha për shkak se shpërndarja e tyre po vazhdon edhe pas afro 8 muajve ballafaqim me COVID-19 dhe nuk ka arsye të besohet se nuk do të vazhdojë përhapja e tyre.

Intensiteti i dezinformatave ka qenë i ndryshueshëm gjatë kësaj periudhe. Në fillim pati shpërthim të dezinformatave sepse shoqëria ishte shumë e interesuar të informohet sa më shumë rreth një të panjohure dhe, në qarkullimin e shumë informacioneve për atë se çka është COVID-19, prej nga erdhi, kush janë më të rrezikuarit, cilat janë masat mbrojtëse, gjithashtu u shpërndanë edhe të pavërteta rreth çështjeve të njëjta. Më pas u kalua në dezinformata se kush e bëri dhe për çfarë arsye, duke ndërtuar teori të ndryshme konspiracioni, të cilat gëlojnë në situata të tilla pasigurie, ku shoqëria mëton t’i japë kuptim diçkaje që po ndodh dhe e cila është e rrethuar me pikëpyetje. U shfaqën teori konspiracioni për burimin e virusit, për luftën e shteteve të fuqishme dhe se e gjithë kjo ishte bërë qëllimisht, për teorinë se Bill Gates kishte shpikur virusin për t’u vënë njerëzve mikroçip e kështu me radhë.

Në gjithë këtë kohë, që te ne përfshin periudhën mars-maj, intensiteti i dezinformatave ishte i lartë. Ato u përqendruan në frikë dhe panik, çka i bënte të kenë edhe ndikim te shoqëria. Megjithatë, me përmirësimin e situatës në Kosovë, me rënien e numrit të të infektuarve dhe me lehtësimin e masave të ndërmarra nga Qeveria, ra edhe interesimi i qytetarëve për COVID-19, çka ndikoi që edhe numri i dezinformatave të jetë më i vogël.

Mirëpo, nga fundi i qershorit dhe gjatë verës, kur ndodhi një shpërthim i virusit, me qindra të infektuar e numër dyshifror të të vdekurve, interesimi i qytetarëve për COVID-19 u rrit, bashkë me të edhe shpërndarja e dezinformatave. Prapë kishte dezinformata që ushqenin frikën, derisa te një pjesë e shoqërisë, e cila vazhdonte të mos besonte se virusi ekziston, bëri që t’ua forconte këtë bindje të gabuar. Kjo kishte ndikim tejet negativ te ta, sepse duke mos e besuar virusin i ekspozoheshin edhe më shumë rrezikut për t’u infektuar dhe për ta shpërndarë atë edhe më shumë. Pra, e vënin në rrezik shëndetin, jetën e tyre dhe të njerëzve përreth tyre.

Një karakteristikë e dezinformatave që u shpërndanë gjatë kësaj periudhe pandemike është globalizimi i tyre. Pra, dezinformata që prodhoheshin në vende e në gjuhë të ndryshme arrinin në të gjitha anët e botës. Në këtë kontekst, edhe në Kosovë qarkulluan dezinformata të ndryshme, të përkthyera në gjuhën shqipe nga gjuhë të tjera. Krahas këtij globalizimi të dezinformatave, kishte edhe dezinformata lokale, si përdorimi i hudhrës së Rahovecit etj.

E vetëdijshme për ndikimin dhe rrezikun që paraqet dezinformimi, para pak ditësh Organizata Botërore e Shëndetësisë u kërkoi shteteve të ndërmarrin veprime më të fuqishme për të ndaluar përhapjen e dezinformatave.

Nëse kthejmë sytë te shteti ynë, atëherë shohim se Kosova është një prej vendeve me terrenin më të përshtatshëm për shpërndarjen e dezinformatave – për sa kohë të mos ketë veprime të mjaftueshme institucionale për ta luftuar dezinformimin dhe te një pjesë e shoqërisë vazhdon të mungojë aftësia për të pasur gjithmonë gjykim kritik ndaj përmbajtjeve mediale.

Në këtë situatë pasigurie, kur qytetarët ende nuk dinë çfarë të mendojnë për COVID-19, nuk dinë çfarë të bëjnë dhe kur disa sillen sikur virusi është i rremë, atëherë dezinformimi do të jetë efektiv në thellimin e konfuzionit në shoqëri.

Ky opinion është shkruar në kuadër të projektit “Promovimi i Edukimit Medial dhe Forcimi i Gazetarisë së Pavarur në Ballkanin Perëndimor”, i cili realizohet me fonde të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Bashkuar përmes British Embassy Pristina.

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, , ,

Send this to a friend