Profesioni i gazetarit: “Gati për rinisje”

13 Korrik , 2012 • Profesionalizmi në media • by

– Intervistë me autoren e librit “Gati pë rinisje”, Monika Shoshori Stafa –

Pas dy librash me studime historiografike, “Çështja e Shën Naumit” dhe “Monarkia kundër republikës” i paraqiteni publikut me një libër nga një fushë tjetër: reportazhe dhe publicistikë. Ç’është ky libër?

Në këtë vëllim përshihen reportazhe që i kam shkruar gjatë shërbimeve të mia nëpër vise të ndryshme të Shqipërisë; gjatë udhëtimeve jashtë vendit për të marrë pjesë në shkolla e kurse europiane formimi e riformimi. E titullova “Gati për rinisje”, sepse ky është rendi në gazetari: gjithnjë duhet të jesh me çantën e udhëtimit gati, gjithnjë të pret diku autovetura e redaksisë, mikrobusi i konferencave, avioni i udhëtimeve më të largëta. “Gati për rinisje” dhe “Up in the air”, ashtu si protagonisti i filmit me të njëjtin titull, sepse jeta e një gazetari dhe kërkuesi është aq intensive, sa shpesh duhet të mendosh si ta lehtësosh bagazhin tënd të udhëtimeve – gjërat më të domosdoshme dhe nisu! – e jo e kundërta. E dua shumë reportazhin, jo vetëm sepse më pëlqen si lloj i publicistikës, jo vetëm sepse gjithnjë e më pak e gjejmë në faqet e shtypit, por mbi të gjitha se reportazhi të del kudo që të nisin. Dikur pata provuar të ikja prej “unazës së Tiranës” duke qenë pjesë e një emisioni televiziv me titullin “Jashtë bulevardit”. Më pas, në të përjavshmen televizive “Exclusive” u përpoqa të sjell reportazhin prej viseve ku kurrë nuk kishin shkelur gazetarë e nuk ishin parë kamera, deri nga megapolis-et e Europës.

Pse kjo prirje juaja nga reportazhi?

Është e vërtetë, reportazhi dhe telereportazhi janë llojet më të preferuara për mua. Po të kisha mundur t’i shkruaja si reportazhe edhe mbi 50 dokumentarë që kam realizuar në “Top Media”, do të kisha tani dhe një vëllim të ri. Janë reportazhe të shkruara gjatë më shumë se tetë vjetëve, të botuara kryesisht në “Shqip”. Është kjo prirje e vetvetishme për mua, sepse kam vënë re se në gazetarinë shqiptare sot ka mungesë të madhe të publicistikës raportuese nga terreni. Gazetaria shqiptare është mbyllur në zyra, madje është mbyllur brenda unazës së Tiranës. Unë kam lëvizur shumë, brenda dhe jashtë vendit, si gazetare, si kërkuese, si pjesëmarrëse në veprimtari shkencore dhe kulturore, dhe e kam në natyrë që kudo që shkoj të njoh e të shkruaj. Ka jetë jo vetëm në megapolise e në metropole, ka jetë edhe në majë të malit, në Theth e në Lekas, në Dunicë e në Mirditë. Jeta e ashpër e vërtetë atje gjendet. Unë kam shkruar pikërisht për këto kënde të harruara të Shqipërisë, kënde të mënjanëta, për të cilat nuk kujtohet kush. Kam shkruar edhe për anët e panjohura të historisë shqiptare.

Çfarë i sjellin lexuesit reportazhet tuaj?

Në reportazhet e mia mendoj se ka karaktere njerëzore. Sigurisht, nuk ka karaktere me emër të madh si deputetët dhe ministrat, por ndoshta këto karaktere janë më të forta, sepse përballen me jetën me shumë kurajë dhe nuk munden prej dëshpërimit. Në librin tim mendoj se ka jetë, si të ketë qenë ajo: e bukur, e lodhshme, dramatike, ka jetë të vërtetë, të paëmbëlsuar. Nuk kam pasur tendencë, por kur e vërteta ka qenë paditëse, nuk kam ngurruar ta bëj. Nuk shkruaj kundër kujt, por kur e vërteta është kundër dikujt jam bashkuar me të. Gazetarisë së sotme i mungon informacioni, dhe kjo sëmundje kronike tashmë nuk mund të kalohet pa shkuar atje ku ndodhin ngjarjet. Ne po u japim shqiptarëve një Shqipëri aksidentale, sepse vetëm aksidentet tërheqin vëmendjen e korrespondentëve të gazetave e të televizioneve. Kjo sepse ka humbur nocioni për atë që quhet ngjarje dhe lajm. Lajmi i keq është lajm i mirë pse shet median, jo se është i mirë në vetvete. Ngjarje dhe lajm nuk ka vetëm në zyra. Ky është një kurth i madh që i kemi krijuar vetes. Të gjitha gazetat e mëdha në botë kanë reporterë. Janë reporterët e luftës, reporterët e rrezikut, reporterët e hetimit, reporterët e varfërisë. Po cilët janë sot reporterë të tillë në Shqipëri? Në librin tim jeta është e të tjerëve, ngjarjet janë të të tjerëve, por mendimi për to, emocionet e provuara dhe gjuha e të shkruarit janë të miat.

Botuar më 2 Qershor 2012, Gazeta Shqip

Send this to a friend