Çfarë ofron RTSH në sistemin dixhital

3 Korrik , 2012 • Ekonomia e Medias, Media dhe Politika • by

Prej disa ditësh, Televizioni Publik Shqiptar ka filluar të transmetojë në sistemin dixhital. Drejtori i Përgjithshëm i RTSH-së, Petrit Beci, në një intervistë për gazetën “Panorama” shpjegon se çfarë përfitojnë shikuesit përmes këtij sistemi, ku ndryshon nga shërbimet që ofrojnë mediat private dhe çfarë duhet paguar për ta pasur.

Prej disa ditësh, RTSH ka dalë në sistemin e transmetimeve dixhitale, çfarë i ofron kjo shikuesit?
Prej dhjetë vitesh në Shqipëri kanë filluar platformat dixhitale, si Sat+, Dixhitalb, Tring, të cilat ofrojnë shërbimin e tyre në një transmetues me shumë kanale, por kundrejt pagesës (dekoderit dhe kartave). Dallimi mes daljes dixhital të TVSHsë, si çdo media tjetër publike në Europë, dhe atyre private, është që e ofron këtë shërbim falas. Gradualisht RTSH do të fillojë të ofrojë shumë kanale. Ndërkohë kemi dalë vetëm në kanalin RTSH 1 dhe RTSH HD për atë pjesë që do të transmetojmë në HD, si ndeshjet, olimpiadat dhe çdo gjë që merret në HD, pasi sot për sot RTSH do të prodhojë pak gjëra në HD vetë, pasi duhet ndryshuar teknologjia gradualisht. Por detyrimi kryesor është që, në bazë vendimit të Komunitetit Europian, brenda datës 30 qershor 2015 duhet që çdo anëtar i Europës të jetë patjetër në dixhital. Kjo do të thotë se i gjithë sistemi do të jetë i unifikuar. Sistemi dixhital është i ndërlikuar dhe në Shqipëri ka filluar me vonesë, por prej 3 vjetësh është krijuar një komision ad hoc, i kryesuar nga ministri i Teknologjisë dhe Rinovimit Genc Pollo, i cili ngriti një komitet teknicienësh, që hartuan strategjinë e dixhitalizimit nga ana teknike. Strategjia në total është miratuar në muajin maj në Qeveri dhe me VKM është përcaktuar një komitet ndërministror për zbatimin e kësaj strategjie. Qysh në 2007-n, RTSH-së i janë dhënë dy frekuenca për të dalë në dixhital. Dy frekuenca në teknologjinë e sotshme do të thotë se mund të dalësh në shumë kanale dhe në varësi të potencialit financiar mund të dalësh deri në 16 kanale për frekuencë.
Ju thatë se është një shërbim që ofrohet falas, por si do të funksionojë, si mund të vijë në ekranet tona?
Ky është një proces i gjatë dhe tashmë ne kemi dalë në sinjalin dixhital për të gjithë ata që e shohin në aparate televizive të konvertueshme, sepse edhe TVSH duhet të shihet përmes dekoderave. Pas miratimit të zbatimit të strategjisë do fillojë të zbatohet në praktikë mënyra e shitjes dhe furnizimit me dekodera të popullatës, në bazë të përhapjes. Tani kemi filluar në Tiranë dhe Durrës, ku është edhe përqendrimi më i madh i popullsisë, por ku e kemi dhe më të thjeshtë për shkak të afërsisë me Dajtin.
Pra, gjithsesi do të paguajmë…
Në konceptin e deritanishëm mendohet që një pjesë e dekoderave të falen për atë pjesë të popullatës që ka vështirësi, të tjerë do të shiten. Dekoderat do të jenë të unifikuar për të gjithë sistemin dixhital, jo vetëm për RTSH-në, por edhe të tjerët. Europa këmbëngul që në qendër të vëmendjes të çdo qeverie, pavarësisht se në ç’moment ndodhet dhe ç’sistem ka, media publike duhet të forcohet e të dixhitalizohet, sepse u ofron shërbim (informim, edukim dhe argëtim) shumë më të lirë qytetarëve, për arsye se nuk do të paguhet taksa e shërbimit, por e aparatit, e cila do të rritet. Me rritjen e të ardhurave për frymë të popullatës, kjo taksë do të vijë në rritje. Ajo është një taksë që i vjen indirekt TVSH-së. Është një taksë për aparat, si ajo që paguhet për makinën, shtëpinë, biznesin. Këtë taksë shteti ia afron TVShsë për shërbimin e saj.
Çfarë do të ofrojë RTSH?
Sistemi i unifikuar në Shqipëri ka gjithsej 8 frekuenca, dy prej të cilave me ligj i janë dhënë RTSH-së. Të gjitha këto duhet të kenë një platformë shpërndarjeje, ose disa platforma shpërndarjeje në 12 lotuse. Këta 12 ishuj numerikë nuk përzihen me njëritjetrin. Ajo çka do të transmetohet në RTSH në Tiranë, nuk është e njëjtë me atë që do të transmetojë në Shkodër, pasi aty do të futen edhe lokalet e rajonalet e Shkodrës. Në Tiranë do të transmetohen detyrimet që kemi ne për kanalet tematike, mediat nacionale, mediat lokale të Tiranës dhe kanale të tjera që ne kemi të drejtë t’i marrim, si media publike, si RAI, ZDF-ja etj., me të cilat ne bëjmë marrëveshje me anëtarët e EBU-së, por edhe të gjithë botës, pasi EBU-ja jonë ka lidhje me EBU-të e gjithë botës. Vend kryesor do të zënë mediat anglishtfolëse, italiane, franceze.
A do të mundet RTSH ta kapë ritmin që kërkon dixhitalizimi?
RTSH-ja, prej kohës që kam ardhur në këtë pozicion, kishte disa synime themelore. Së pari duhet të përmirësonim nivelin e pagesave të punonjësve dhe, krahasuar me vitin 2006, jemi 75% më shumë në nivel pagese. Së dyti, duhet të ndryshonim tërësisht konceptin e punës, të shtonim prodhimin dhe të vinim njerëzit në punë, pasi këtu punonjësit ishin dyfish nën presion, së pari nga zhvillimi i mediave private, që ecën me shpejtësi skëterre dhe së dyti nga pamundësitë që ka RTSH-ja për të vepruar, sepse në shpenzime funksionon me tendera. U desh një periudhë konvertimi 2-vjeçare dhe fuqizimi financiar. Punuam në marrjen e të drejtave televizive, që ishte shumë e rëndësishme, sepse ky televizion nuk jepte më asnjë lloj sporti dhe nuk prodhonte vetë sport. Pjesa tjetër ishte të ulte moshën mesatare të punëtorëve, të thithte “gjak të ri”, me mentalitet ndryshe, të konvertuar në teknologjinë e sotshme, duke i trajnuar. Dhe sot këtu punojnë jo më pak se 120 veta, pjesa më e madhe e të cilëve është konvertuar pozitivisht. Të gjitha këto paralele lidhur me stabilizimin e financave, të cilat nuk ishin të stabilizuara.
Jemi në kohë krize, si arrin të mbahet ky institucion mediatik?
Ky institucion ka 4 burime të ardhurash të miratuara me ligj. Së pari, buxheti i shtetit, i cili gjithashtu paguan në 4 drejtime: 1)për të paguar satelitin, që të gjithë shqiptarët ta shohin kudo falas; 2) për të paguar Orkestrën e RTSH-së si një vlerë kombëtare; 3) për të paguar projektet kombëtare dhe mbarëkombëtare që ka ky institucion, që janë dy kryesisht: Festivali i RTSH-së dhe pjesëmarrja në Eurosong, por nuk mund të përjashtojmë edhe ndonjë financim filmi, koncertin e “3 Tenorëve”, festivalin “Marije Kraja” etj., ose aktivitete sportive të mëdha. Por financimet nga buxheti i shtetit kanë ardhur duke u ulur, pasi janë rritur financimet nga burimet e tjera. Një grup tjetër të ardhurash është taksa e aparatit. Deri në janar 2007, kjo taksë nuk ishte mbledhur kurrë. Në bashkëpunim me qeverinë shqiptare dhe mekanizmat ndërkombëtarë, taksa u fut brenda faturës së energjisë elektrike. Edhe sot kjo taksë mblidhet në masën 45%, sepse jo gjithë popullata paguan energji elektrike, por dhe ajo që paguhet jo e gjitha vjen te ne. Megjithatë, kjo e ardhur vjen në rritje dhe ka ndihmuar në krijimin e mundësisë për blerjen e teknologjisë së re dhe blerjen e të drejtave të mëdha teknologjike. Një burim tjetër të ardhurash është publiciteti, i cili është 7-8 fishuar në krahasim me 2006-n. Dhe burimi i katërt vjen nga shfrytëzimi i resurseve të mëdha që ka ky institucion, si sistemi i shpërndarjes së valëve radiofonike të shkurtra dhe të gjata, nga i cili arkëtojmë rreth 3 milionë dollarë në vit, për të vazhduar me sistemin e shpërndarjes së radiove në institucione të rëndësishme (burgje, dogana, stacione policie). Një e ardhur që është ndërprerë nga viti 2004, është ajo e vendosjes së mediave private elektronike te ne. Këto të ardhura janë 80% më të mëdha se në 2006-n. Kjo ka bërë që të rriten rrogat, të rritet prodhimi maksimalisht dhe janë bërë investime të pafundme në teknologji.
Si keni ecur në këtë drejtim?
Së pari është bërë sistemi i unifikuar në të gjithë sistemin e prodhimit dhe transmetimit. Në sistemin analog që ishim, para 4 vjetësh filluam ta bënim gjithçka në dixhital, si montazhet, kamerat, pultet, ndriçimet e përshtatshme, u shtua shpërndarja e sinjalit. Sot janë rreth 13 antena të reja që transmetojnë në sistem analog dhe konvertohen menjëherë në dixhital, në të gjithë territorin e Shqipërisë. Por arma më e fortë e këtij institucioni është arkivi, i cili është një thesar. Por është shumë i ndërlikuar, pasi ka disa teknologji brenda: film, Ampex, Bosch, Beta, dixhitali. Që të konvertohen këto të gjitha në dixhital, duhen shumë investime dhe shumë para. Më vonë, RTSH do të ketë kanalet e veta, si RTSH opera, dokumentar, bujqësia, edukimi etj., ku do të shfrytëzohet i gjithë prodhimi që ne kemi. Teknologjia e vjetër është e pakonvertueshme. Ka laboratorë enkas për këtë dhe ne e kemi gati projektin dhe do të fillojmë nga shtatori për konvertimin e dy teknologjive që janë të mundshme beta dhe dvcam, si dhe fonotekën e Radios. Kemi kohë që punojmë bashkë me institucione ndërkombëtare. Por shumë e rëndësishme është edhe përgatitja e stafit dhe po punojmë me mundësitë që kemi në bashkëpunim me institucione të tjera për trajnimin e tyre jashtë vendit, por duke filluar nga janari 2013 kemi mbyllur një projekt të rëndësishëm për trajnimin këtu të të gjithë punonjësve me anë të lektorëve të specializuar.
Çfarë humbasim nëse nuk e kapim dot 30 qershorin e 2015- s?
Ai është një problem që u takon më shumë drejtuesve të institucioneve shqiptare. RTSH po bën pjesën e vet. Koha është shumë e kufizuar, ne jemi ende në hapat e parë, sepse punët që kemi përpara janë shumë të vështira, por mendoj që ka një optimizëm brenda institucionit, nuk është më pesimizmi i dikurshëm i punonjësve të RTSH-së. Gradualisht mendoj se, me shumë sforco dhe punë të përditshme, RTSH ka rritur marshin e punës së vet dhe ka hyrë në ca shina që nuk ka më kthim mbrapa dhe automatikisht mekanizmi do të ecë më me shpejtësi. Ky institucion ka probleme të jashtëzakonshme, nuk është e thënë që me hyrjen në dixhital problemet e tij morën fund. Ka probleme me shtimin e financave, me raportin me politikën, të autocensurës së gazetarëve, të prodhimit cilësor… Nuk di të them nëse do ta arrijë ose jo, por nëse nuk mundet, atëherë shqiptarët nuk do të shohin dot mediat shqiptare në televizion. Të paktën tani për tani ky është vendimi që ekziston në Europë. Këtë njerëzit duhet ta kuptojnë. Fakti që kohët e fundit është lëvizur shumë për zbatimin e strategjisë, të ligjit për mediat, të projektit teknik të dixhitalizimit, do të thotë se është kuptuar. Shqipëria ka një shtrat dixhital dhe kjo është një eksperiencë që do shërbejë në këtë rrugë.
Mendoni se do ta rifitoni shikuesin e humbur me daljen e mediave private?
Njerëzit do t’i kthehen traditës. Media private ishte një gjë e munguar në Shqipëri, aq më tepër pas një politizimi të gjatë që i vuan pasojat edhe sot e kësaj dite. Shumë media private janë hapur e mbyllur, por publiku do të jetë gjithnjë. Nuk mund të privatizohet RTSH, siç ka pasur ca ide të marra. Është luftuar shumë që kënga fituese e festivalit të RTSH-së të mos shkojë në Eurosong dhe është si të mos shkojë Kombëtarja e futbollit në kampionat. Nuk ka asnjë drejtor që të mund të ndryshojë formulën në EBU, se do të thotë se do të rrënojë festivalin e vet. Detyra jonë është të rrisim nivelin e festivalit, siç dhe po ndodh dhe të prodhojmë një këngë sa më të mirë. Dhe, si në festival, po punojmë dhe në çdo sektor.

Botuar në gazetën “Panorama, datë 2 korrik 2012

 

Send this to a friend