Gazetarët në Kosovë në vend të hapin dhjetë dyer për ta pasuruar shkrimin e tyre problemor, në pjesën më të madhe përtojnë të hapin një web faqe që do t’u merrte pesë minuta kohë!
Gazetaria në Kosovë është në pozitën e njëjtë më atë të shoqërisë. Përpëlitjet e tranzicionit, i cili po zgjatet tërkuzë pa ia parë fundin, kapitalizmi i egër, që duhet ta kalojmë si fëmijët kollin e fruthin, dhe sistemi i pa konsoliduar, ku secili grupim më i fuqishëm mund të veproj si t’ia thotë mendja pa iu druajtur ligjit, kanë ndikuar që gazetaria të jetë në një pozitë më delikate se sa segmentet e tjera të shoqërisë. Gazetaria do të duhej t’u printe fenomeneve, por nuk e bënë një gjë të këtillë, sepse është e mbarsur me presionet negative; gazetarët do të duhej të luftonin dukuritë e shëmtuara: krimin e organizuar, korrupsionin, prirjet kaotike të shoqërisë sonë, por është e pamundur ta bartin këtë barrë, meqë janë në thumb të kreut të veprimeve devijante; mediet do të duhej të jenë të pavarura nga ndikimi i partive politike apo nga qeveria, ndërsa nuk janë autonome, sepse financohen nga partitë politike, nga grupet e interesit apo madje edhe nga pushteti- me reklama, më shpalljen e konkurseve apo me format e tjera të financimit të tërthortë.
Janë edhe disa forma të tjera më pak të dukshme, të cilat ndikojnë që gazetarët dhe gazetaria të mos e kryejnë misionin e tyre, kështu që, kur e nisin paraqitjen e ndonjë problemi në opinionin, është e çuditshme se si e trajtojnë, është edhe më e çuditshme pse e lënë në gjysmë, pa e ndjekur ngjarjen deri në fundin e vet. Gazetarëve tonë, në pjesën më të madhe u mjafton ta nxjerrin në opinion “të pabërën”, ta rrahin disa ditë në faqet e gazetës, apo të emisioneve televizive dhe, më kaq e mbyllin. Na ka rastisur të lexojmë apo të shikojmë sa e sa herë se si e mbërthejnë mediet tona ndonjë grup apo individë të cilin e kanë vënë në shënjestër, duke e ngarkuar me aq shumë akuza, saqë ke përshtypjen se ai kurrë më s’do të del nga burgu. Dhe pas “histerisë “ fillestare mediatike, ai grup apo ai individë lirohet- i pafajshëm. Kur duhet të shtrojmë mëdyshjet për këtë kthese të papritur, medieve u mjafton ta japin një lajm të shkurtër. E baltosen dhe e fyen fatkeqin, pa i kërkuar falje, ndërsa ia vënë kapakun me një lajm të shkurtër, a pa te fare.
Të ne sikur nuk e njohin gazetarinë hulumtuese apo të shkojnë -gjurmëve të lajmit Nuk marrin mundin ta hulumtojnë në mënyrë të pavarur nga prokuroria a policia, për të shkuar gjurmëve të fillimit dhe për ta zbardhur: ishte fajtor apo jo ai grup, bëri atë që ia veshën apo ishte i pafajshëm. Më fjalë të tjera i ranë në qafë kot sa për ta turpëruar publikisht, apo shpëtoi, sepse pati mbështetjen e të fuqishmeve. Kështu, opinioni nuk e ka të qartë gati asnjë rast të kësaj natyre. Ndërkaq, jo rrallë bëhen lojëra politike e lojëra të tjera kundër lirisë së individit dhe kundër dinjitetit e integritetit të tij fizik. Gazetaria nuk i trajton këto çështje, sepse nuk ia ka vënë në pjatë askush! Gazetaria hulumtuese nuk ekziston në Kosovë, sepse është e vështirë, e kushtueshme dhe e rrezikshme. Redaksitë nuk e duan, nuk e mbështesin, nuk e kultivojnë, prandaj gazetarët nuk i hyjnë fare hulumtimit që s’ia vlerëson as nuk ia boton askush.
Të ne veprojnë disa lloje të gazetarisë: qeveritare, partiake, të grupeve të interesit, gazetaria e biznesit, pastaj gazetaria e mediet që janë në mbrojtje të ambicieve politike e biznesore të individëve me pretendime politike. Natyrisht asnjëra prej medieve nuk vepron vetëm në kuadër të një lloji, por format e punës janë të përziera.
Gazetaria në Kosovë, në pjesën më të madhe është gazetari përtace. Nëpër redaksi tekstet kryesisht i sajojnë nga kumtesat e ndryshme- qeveritare e joqeveritare, nga deklarata të përgatitura me shkrim, me intervista të gatshme në pyetje e në përgjigje. Kështu e kanë trajnuar gazetarin e ri. Ndryshe nuk ka vend në medie. Deklaratat e subjekteve në konflikt nxirren në opinion në stilin- filani tha këtë e ketë, ndërsa kundërshtari iu përgjigj: nuk është e vërtet!. Thua të jetë kaq e thjeshtë ky konfrontim i tyre? Gazetat e thjeshtësojnë kur duan. Rrallë apo fare nuk verifikohen deklaratat apo “dokumentacioni” diskreditues, i dërguar nëpër redaksi për baltosje të kundërshtarit. Ka rastisur që gazetarët të botojnë një thes shpifjesh të sajuara nga një institucion shteti pa e dokumentuar me asnjë fakt.
“A u solli dëshmi institucioni për këto akuza”, i pyet i akuzuari. “Nuk ka nevojë institucioni të sjell argumente, ai është institucion”, përgjigjet gazetari, ndërsa gazeta e tij pretendon se është opozitare!
Redaksive u mjafton teksti i sajuar nga copat e deklaratave, ndërsa kur ai tekst pretendon diçka më shumë se sa regjistrimi zyrtar, atëherë del një sajesë frankeshtajne si ajo që e bëri Dr. Xhekilit në filmin “Frankeshtajni” ku monstra e tij tmerroi botën nga qepja e keqe.
Gazetarët në Kosovë në vend të hapin dhjetë dyer për ta pasuruar shkrimin e tyre problemor, në pjesën më të madhe përtojnë të hapin një veb faqe që do t’u merrte pesë minuta kohë! Në vend të konsultojnë disa burime informimi, apo disa subjekte njëkohësisht, gazetarët jo rrallë nuk e përfillin subjektin tjetër, apo e mbërthejnë me pyetje policore. Në vend të konfrontojnë subjektet në konflikt, ata e plasojnë kryekëput burimin zyrtar, pa kërkuar fare përgjegjësi nga zyrtarët të cilët japin deklarata të gënjeshtërta. Në përzgjedhjen e njëanshme mediet, në vend të konfrontojnë individë a subjekte për të zbardhur të vërtetën, ia hedhin topin njërit subjekt, ndërsa e lidhin duarsh subjektin tjetër që të mos ketë mundësi të mbrohet.
Meqë me ka rastisur këto vjet të kem punë drejtpërdrejtë më të gjitha këto lloje e qasje të gazetarisë po e jap një shembull konkret.
Nga pozita e të parit të institucionit të cilin e udhëhiqja dhashë këtë deklaratë: “Dua të plotësoj shkrimet e disa gazetave, sepse ka një pasaktësi, kur thuhet: nuk dihet fati i 300.000 eurove! Shpifja sistematike e zyrtarëve të MKRS-së sikur ka filluar të zë rrënjë edhe nëpër gazeta. Po e theksoj edhe një herë se shuma prej 300.000 eurosh kurrë nuk është dhënë nga MKRS, Nuk ka gjë më të lehtë se sa të vërtetohet. Në pasqyrat e buxhetit të qeverisë për vitin 2004, 2005 nuk gjendet askund kjo shumë, sepse nuk është dhënë nga buxheti i Qeverisë së Kosovës”.
Me një përjashtim të vetëm, shumica e medieve të shkruara e elektronike nuk e citojnë fare këtë deklaratë. Disa gazeta e medie elektronike në vend të sqarimit të munguar, e vënë titullin- shpifje: “Ende nuk dihet fati i 300.000 eurove!”. Kështu lexuesi jo vetëm është i painformuar për ngjarjen në tërësi, por është i keqinformuar apo i mashtruar. Kjo është gazetaria e instrumentalizuar që manipulon duke hequr deklaratat e kundërshtarit dhe duke vënë në spikamë spekulimet.
Gazetaria tjetër, gazetaria përtace në vend të hulumtoj, pra i duheshin vetëm pesë minuta ta gjente faktin në veb faqe të Qeverisë, i mjaftoi të botoj deklaratën në stilin ai po thotë, ndërsa për “baraspeshë” e plotëson me burimin tjetër: kundërshtari e hedh poshtë këtë deklaratë.
Gazetarinë e instrumentalizuar e kanë paralizuar të paraqes tekste hulumtuese e të baraspeshuara. Synimi kryesor nuk duhet tw jetw skandali, a rritja e tirazhit me gjëra të paqena, por zbardhja e problemit, zgjidhja e tij. Jo rrallë kjo lloj gazetarie shumë e pranishme ndër ne, krijon atmosferë paralizuese. Ndërkaq, pjesë e kësaj gazetarie është gazetaria defetiste, e cila jo vetëm nuk e mobilizon opinionin të jetë opozitë e vendimeve të padrejta qeveritare, por duke e kultivuar ndjenjën se, të gjithë po vjedhin, madje edhe atëherë kur vjedhja nuk është në pikëvështrim, e paralizojnë opinionin të gjykoj drejtë apo ta luftoj vjedhjen e krimin e organizuar. Me vet faktin që e kultivojnë ndjenjën se nuk ka personalitete të ndershme, nuk ka institucione të ndershme dhe nuk ka parti qytetare të pakorruptuar, ata sikur i japin hapësirë e mundësi pikërisht grupimeve të krimit të organizuar, organeve qeveritare dhe institucioneve të tjera të veprojnë në mënyrë arbitrare apo kurruptive. Nga shkrimet e gazetave, asnjëherë nuk e merr vesh të vërtetën, pavarësisht faktit që i zgjasin shkrimet me vazhdime si teleseritë bezdisëse latinoamerikane e turke. Mediet nuk sqarojnë problemet, por i ngatërrojnë ato. Duke u përpjekur të fusin ndonjë fjali manipulative, duke i dhënë hapësirë njërit, ndërsa ia cenojnë thelbin e deklaratës tjetrit, apo ia vënë në gojë një fjali parazite, një pjesë jo e vogël e medieve bëjnë luftë klanore, ose përpiqen të paraqiten faktor, ndërsa do të duhej të ishin pasqyrë e prezantimit dhe sqarimit të problemeve. Duke ndjekur parimin e skandaleve të shpikura ata nuk i shkojnë problemit deri në fund, nuk bëjnë gazetari hulumtuese, sa përpiqen të bëjnë gazetari manipulative.
Jo rrallë në këtë gazetari të manipuluar a përtace, servile apo defetiste, hidhen në opinion edhe gjëra në formën, kinse u përvodh një lajm nga brenda institucionit, ndërsa në fakt është institucioni i shtetit ai që ua ka hedhur lajmin medieve për të diskredituar individin që nuk është i torishtës së tyre. Kjo formë e mashtrimit të opinionit kohën e fundit është bërë dukuri, ndërsa gazetat me vetëdashje bien pre e këtij mashtrimi, vazhdojnë më mashtrimin tjetër, kinse fal aftësisë së tyre e zbuluan skandalin brenda institucionit qeveritar.
Botuar në Gazeta 55, datë 20 maj 2013