A shitet serioziteti? Kësaj pyetje, përgjigja e së cilës motivon drejtuesit e mediave për të tabloidizimin e gazetave në Shqipëri, njëri prej aktorëve më të rëndësishëm në fushën e medias dhe gazetari me përvojë Remzi Lani i përgjigjet qartë. Po. Përveç problemeve specifikisht shqiptare që paraqet skena e gazetave në Shqipëri, tabloidizimi e bën këtë skenë unike në të gjithë botën. Drejtori i Institutit Shqiptare të Medias, Remzi Lani sapo është kthyer nga forumi i Gazetarisë Lindje-Perëndim në Gjermani dhe krahas problemeve globale të medias diagnostifikon edhe shtypin shqiptar.
Ju sapo jeni kthyer nga Forumi i Gazetarise Lindje Perendim në Berlin. Çfarë është ky Forum, çfarë diskuton, kush mori pjese dhe cili ishte shqetësimi themelor?
Forumin e Gazetarise Lindje-Perëndim e organizon Fondacioni Robert Boch, i cili krahas të tjerave zhvillon edhe disa programe në fushën e medias. Pjesëmarrësit janë gazetarë, ekspertë te medias, nga Lindja dhe Perëndimi, janë kryesisht përfaqësues të shquar të medias gjermane si dhe gazetarë apo ekspertë të medias nga vendet ish-komuniste: Polonia, Hungaria, Republika Ceke, Rumania, Serbia, Shqipëria, e kështu me radhë. Këtë vit u diskutuan dy çështje kryesore: e para a mund të mbijetojnë gazetat në kushtet e zhvillimit të teknologjive të reja, të përhapjes së gjerë të facebookut dhe e dyta, si paraqitet gjendja e lirisë se shprehjes në Europë, parë në kontekstin e zhvillimeve të fundit në Hungari, por edhe të disa imitimeve të tij në vende perëndimore si Franca dhe Italia, dhe më shumë në demokracitë e reja në vende si Maqedonia, Shqipëria, Rumania, Serbia etj.
Pati ndonjë pikë të nxehtë?
Në fakt ishte shumë interesant të shihje debatin e nxehtë midis dy grupeve të rëndësishme të medias në Gjermani. Njëri grup që përfaqesohej nga Die Zeit, një nga gazetat më cilësore dhe më të sukseshme në Gjermani dhe grupi tjeter, ai i mediave të Shtutgardit, të cilët duken se kanë një rivalitet cilësie me njëri tjetrin. Çështja është a do të mbijetojnë gazetat? A po vjen fundi i epokës së gazetave, në formën e tyre klasike, te printuara ne leter?Die Zeit mbron tezën që gazetat do të mund të mbijetojnë. Shembulli i tyre që konsiston në krijimin e një modeli biznesi që kombinon reklamën në gazetë me reklamën në internet, madje edhe me aktivitete të tjera që nuk janë domosdoshmërisht mediatike, ka rezultuar i sukseshëm. Në anën tjetër, përfaqësues të tjerë, jo vetëm nga Gjermania, por edhe nga vende të tjera thonë që gazetat nuk do të mund të mbijetojnë. Gazetat do te detyrohen së shpejti të kalojne në variantet online. Ky është një diskutim interesant se këtu ndërhyn edhe elementi kulturor. Mendohet që në vendet e Mesdheut, tradita e asaj qe quhet coffe-culture, pra zakoni i njerëzve për të marrë dhe lexuar gazetën në mëngjes, në kafe apo në metro,është aq i fortë, sa do të mund t’i mbajë gazetat gjallë. Dhe unë jam i prirur ta besoj këtë. Por, në vende të tjera si SHBA, përvoja po tregon që përveç ndonje rasti si Neë York Times gazetat e tjera po mbyllen me shpëjtesi dhe nuk do të mundet t’i mbijetojnë kësaj vale.
Çfarë mund të ndodhë në Shqipër në këto rrethana dhe me këto zhvillime globale?
Në rastin e Shqipërisë diskutimi është tjetër. Në vendet e tjera fjalakyçe është fjala “treg”, “market”. Në rastin e Shqipërisë, unë hezitoj të përdor fjalën “treg”, dhe përdor fjalën “skenë”. Pse? Nëse flitet për treg ka disa rregulla, rregullat e tregut. Nëse do te zbatoheshin këto rregulla të tregut nuk do të mund të mbijetonin 26 gazeta. Tregu shqiptar me 3 milion banorë, me gazeta që shkojnë deri diku tek 20 mijë kopje më e madhja dhe 1 mijë kopje disa ta vogla, nuk mund të mbajë kaq shumë gazeta. Me një treg reklamash gjithashtu mjaft të kufizuar, 60 milion euro, nga të cilat në gazeta nuk shkojnë më shumë se 7-8 milion nuk ka asnjë logjikë tregu që do të mund të justikonte ekzistencën e kaq gazetave. Gazetat në Shqipëri mbijetojnë për arsye ekstra-mediatike, ato mbijetojne për shkak të interesave të pronarëve të medias, jo per shkak të audiencës. Në këtë kuptim në Shqipëri është vështirë të bësh prognoza. Megjithatë unë mendoj që Shqipëria, hyn tek modeli mesdhetar jugor, që përfshin vende si Franca, Spanja, Italia, ku ka një kulture të konsoliduar të gazetës dhe kafesë së mëngjesit dhe nuk besoj që njerëzit do të hapin kompjuterin të parin, siç ndodh në vende të tjera. Kështu që unë jam relativisht optimist dhe nuk besoj se gazetat do të vdesin. Nuk do te kemi 25, por vetem 5 dhe uroj të kemi 5 gazeta të përditeshme. Fragmentimi ekstrem i skenës së shtypit të shkruar zor se mund të quhet pluralizëm. Ne fakt ajo që kemi është një kakofoni shurdhuese dhe kontraproduktive edhe nga pikepamja e lirisë së shprehjes.
Mendoni se kjo logjikë do të kapë edhe Televizionin, apo do të qëndrojë vetëm në gazeta në letër?
Duhet të biem dakord që nëse në Shqipëri kemi një krizë të medias së shkruar, media e cila është ndoshta më e dobëta e rajonit, për median elektronike unë mund të them se është nga më të mirat e rajonit. Jo vetëm në pikëpamjen teknologjike, që është mjaft e avancuar. Nuk gjen TV si Klani apo Top Chanel, në asnjë vend të Ballkanit. Edhe këtu ka fragmentizim, ka shume zhurme dhe një numër të panevojshëm, megjithatë në median elektronike ka më shumë një logjikë tregu se sa në median e shkruar.
A mundet të na tipizoni dy-tri vlerat me pozitive dhe dy-tri dobësitë më të mëdha të medias shqiptare?
E para duhet të theksoj një bindje timen. Media e lirë përbën arritjen më të qartë të demokracisë shqiptare. Nëse ka një gjë që në Shqipëri është e vërtetë, nuk është falso, është media. Jo se media nuk ka probleme. Në fillim po përmend ato që janë pozitive tek media jone. Në një masë të madhe mund të thuhet qe media është nje ëatch dog i qeverisë dhe i politikës. Nëse je kryeministër, president, kryetar Bashkie, apo kryetar opozite në këtë vend, nuk fle rehat. Dhe nuk fle rehat jo prej opozitës, apo shoqërisë civile, por pikë së pari prej medias. Media gërmon, kerkon, vëzhgon dhe kjo është një arritje e rëndësishme. E dyta shpejtësia e raportimit.
Shqipëria është një vend ku mund te informohesh shumë shpejt dhe për gjithçka. Nganjëherë duket sikur vendi është një Big Brother i madh,ku gjithçka është në monitorim të vazhdueshëm dhe në ekran. E treta, media diskuton. Në shtypin shqiptar, dhe në median elektronike më shumë ka debat, ka diskutim.
Nëse duhet të identifikoj tre dobësi,e para është klientelizmi. Kemi një media klienteliste. Sigurisht që edhe përplasja e 2-3 klientelave çon tek e vërteta. Media përdoret, keqpërdoret nga politika. Fenomeni tjetër negativ është politizimi ekstrem. Çka në njërën anë reflekton politizimin e shoqërisë, por në anën tjetër e thellon më shumë këtë politizim. Media jone eshtë një media shumë partizane. Dhe e treta është tabloidizimi i medias. Në Shqipëri nuk kemi “The Guardian” dhe “The Sun” të ndara, por i gjen nën të njëjtën titull. Çdo gazetë në Shqipëri sipër ka një lajm serioz që lidhet me Presidentin për shembull dhe poshtë kanë një lajm rozë. Këto gjëra shtypi perëndimor i ka ndarë. Është një fenomen qe e gjen vetem tek ne. Edhe në Bosnjë po të shohësh gazetat serioze dhe tabloidet jane te ndara. Çështja është: A shitet serioziteti? Unë mendoj që në analizë të fundit, Po. E kuptoj që tabloidizimi lidhet me shitjen, me tregun. Sigurisht. Se ka një treg që e kërkon këtë. Por, siç thotë një kolegu im nga Bosnja lidhet edhe me atë që ai e quan Axhenda e Anestezisë, pra dikujt i konvenon kjo gjë. Unë kam pasur rastin të shkoj disa herë në vendet e Afrikës së Jugut dhe aty përshembull ishte shumë serioz fenomeni i brain ëash (shplarja e trurit) me sport.
Një pyetje të fundit, në tërë këtë tronditje të shtypit të shkruar, cila konsideron shqetësimet më të mëdha të korporatës se gazetareve?
E vërteta është që nuk them se jemi në një periudhë parakapitaliste,por jemi në një periudhë të kapitalizmit të egër, ku ekziston një proletariat i medias i cili ka shume probleme. Kemi një korporatë që punon në të zezë, pa kontrata dhe paradoksalisht ngre zërin për punën e zezë të minatorëve apo fasonistëve dhe vetë punon në të zezë. Kjo është e papranueshme. Edhe këtu nuk operojnë forcat e tregut. Do të duhet të citoj Lutfi Dervishin që thotë se jemi i vetmi vend në Evropë pa asnjë gazetar të papunë. Në momentin kur ka punë për të gjithë, mungon presioni i nevojshëm për cilësinë. Në rastin e Shqipërisë gjërat janë ndërmjet. Nuk mund të thuash se janë dramatike për keq, por nuk mund të thuash se janë shumë mirë. Nuk mendoj se jemi si Hungaria, por nuk mendoj se jemi as si Suedia. Dhe rastet e ndërmjetme janë më të vëshira për t’u trajtuar. Psh kemi lënë pas represionin, por jo presionin. Represioni është një fenomen që është lehtë të merresh, shkruhen letra, bëhen demostrata. Presioni është i përditshëm, është jo vizibël, nuk e sheh dot. Thënë ndryshe, represioni lidhet më ngjarje, presioni lidhet me procese. Më përpara kishim rastet e kontrollit të medias. Tani kontrolli është paksa jashtë mode, është problematik. Tani ka fenomenin e influencës, qe me elegancë ndodh pak nga pak, çdo ditë. Në këtë kuptim problemet në Shqipëri janë bere më komplekse. Mund të jenë më pak të dhimbshme, por janë më komplekse.
Bisedoi: Artan Fuga