Lindja e Mesme: Ndarjet dixhitale ngushtohen, shqetësimet e privacisë rriten

14 Nëntor , 2016 • Liria e medias, Shkrimet më të fundit • by

Sipas një studimi të ri, përdorimi i internetit në Lindjen e Mesme po vjen në rritje dhe njerëzit po i braktisin gradualisht praktikat tradicionale të të dëgjuarit dhe të shikuarit. Studimi Media Use in the Middle East (Përdorimi i medias në Lindjen e Mesme) i vitit 2016 zbuloi se ndarjet dixhitale po ngushtohen, jo vetëm midis vendeve të Gjirit Persik dhe fqinjëve të tyre rajonalë, por edhe midis gjeneratave dhe klasave sociale brenda këtyre vendeve. Studjuesit intervistuan 6000 njerëz në gjashtë vende: Egjipt, Liban, Tunizi, Arabia Saudite, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Duke u fokusuar në aspekte të ndryshme të përdorimit të medias, përfshi këtu sjelljet kulturore, censurën dhe median sociale, ata zbuluan se depërtimi i internetit është rritur në të gjashta vendet në tre vitet e fundit, por më shumë në Egjipt dhe Liban. Përdorimi i internetit në Tunizi është më i ulti ndër vendet e anketuara. Pothuajse të gjitha nacionalitetet në vendet arabe e përdorin internetin.

Studimi gjithashtu zbuloi se përdoruesit e mediave janë bërë më të hapur ndaj kulturave të tjera nëpërmjet mundësisë së një game të gjerë të filmave ndërkombëtarë dhe të programeve televizive. Më shumë se një një e treta (36%) e të anketuarve përfshijnë një kanal në gjuhë të huaj në listën e tyre të kanaleve që shohin rregullisht.

Studimi, i drejtuar nga Northwestern University në Katar në bashkëpunim me Institutin e filmit Doha, është pjesë e një projekti afatgjatë krahasues i organizuar çdo vit nga ky universitet. Ai arrin në përfundimin se aksesi i rritur në kulturat e tjera – ose nëpërmjet platformave ndërkombëtare tokësore apo dixhitale – nuk ka ndikuar që audienca të refuzojë mediat e tyre rajonale ose nacionale. Përkundrazi, siç thuhet në studim: “Ne ndeshim në shumë prova që flasin për përdorimin e rritur të mediave që lidhen me identitetin e dikujt, bashkë me zgjerimin e mundësisë së përmbajtjes ndërkombëtare”.

Arabishtja është gjuha e preferuar online e rajonit dhe numri i njerëzve që e aksesojnë internetin në anglisht po bie, shton studimi.

Sjelljet kulturore

Studjuesit zbuluan se audiencat duan më shumë përmbajtje për historinë dhe kulturën e tyre, duke filluar nga 52% e tunizianëve deri tek 80% e banorëve të Katarit. Shumica e njerëzve e konsumojnë argëtimin e mediave në gjuhën arabe. Përdorimi i anglishtes është shumë më i ulët dhe po bie. Konsumi i filmit, televizionit dhe muzikës nga SHBA ka rënë duke nisur që në vitin 2014.

Censura dhe rregullimi ligjor

Shumica e egjiptianëve dhe e banorëve të Katarit deklarojnë se është përgjegjësia e qeverisë që të bllokojë përmbajtjet e papranueshme nga interneti. Megjithatë, libanezët, tunizianët dhe banorët e Emirateve thonë se individët duhet të kenë të drejtën të zgjedhin çfarë të shohin. Mbështetja për lirinë e shprehjes në Tunizi dhe Egjipt është rritur në krahasim me vitin e kaluar, por ka rënë pak në Arabinë Saudite. Shumica (54%) e individëve të intervistuar në të gjitha vendet thanë se ata besojnë në lirinë për të shprehur idetë e tyre online, edhe në rastet kur këndëvshtrimi i tyre nuk është shumë popullor.

Përdorimi i mediave sociale

Facebook dhe WhatsApp janë platformat sociale më të përhapura në rajon, por ka edhe përjashtime (si për shembull vetëm 3% e tunizianëve përdorin WhatsApp). Instagrami po bëhet gjithnjë e më popullor kudo. Të paktën 40% e tunizianëve nuk e përdorin Twitterin kurse 15% e banorëve të Katarit nuk përdorin Facebook-un. Hulumtimi gjithashtu konfirmoi se numri i përdoruesve të Facebook dhe Twitter kishte rënë në Arabinë Saudite dhe Liban.

Privacia mbetet një shqetësim në të gjithë rajonin. Afërsisht një e treta thonë se janë të shqetësuar se qeveria mund të kontrollojë aktivitetin e tyre online. Ndërkohë edhe më shumë (42%) janë të shqetësuar se kompanitë kontrollojnë aktivitetet e tyre online. Pothuajse tre çereku i të anketuarve thanë se ata kanë ndryshuar mënyrën se si i përdorin mediat sociale për shkak të shqetësimeve të privacisë.

Një pjesë e të anketuarve thanë se ata ishin të gatshëm të paguanin për përmbajtjet online (26%), kurse një numër më i vogël (17%) thanë se kishin paguar për përmbajtjet online gjatë vitit të kaluar.

Ky artikull u botua pë herë të parë në faqen e Arabic Journalism Observatory (që botohet në Arabisht dhe Frengjisht)

pic credit: Flickr CC licence: Paul Keller

Tags:, , ,

Send this to a friend