Rrjetet sociale dhe roli që luajnë në media. Moda e politikanëve për deklarata on line dhe prirja e medias për tu bërë qejfin, duke pasqyruar vetëm atë çka shkruhet në profilet personale pa i cytur problemet më tej. Flasin Artan Fuga dhe Remzi Lani
Edi Rama ndoqi këtë javë pikë për pikë axhendën e takimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pa i lënë asgjë mangut rrjetit on line që ka më për zemër këto kohë, Twitter. Të mërkurën paradite ai postoi në faqen tij se sapo kishte përmbyllur “një bisedë shumë miqësore me kongresmenët Engell e Peters, ku folëm për programin tonë të ri dhe gjendjen në Shqipëri përgjithësisht”. Rama raportonte për një axhendë të ngjeshur të asaj dite, në qendër të së cilës do të ishin diskutimet për programin e PS-së, për një “rilindje shqiptare”! Për cilindo që nuk është i regjistruar në Twitter, erdhën në ndihmë gazetat dhe agjensitë që përditësojnë lajmet on line. Brenda pak çastesh, “takimi i suksesshëm” i Ramës lexohej gjithandej dhe shumë pak orë më vonë, ata që i kishin qëndruar larg kompjuterit dhe internetit atë paradite, u informuan me lajmin që vetë kreu i PS-së përcillte nga Amerika, nga kanalet televizive informative. Më të vonuarit, axhendën e Ramës, të freskuar kohë më vonë, patën mundësinë ta lexojnë nëpër gazeta të nesërmen.
E thënë thjeshtë dhe duke marrë si shembull jo lajmin më të rëndësishëm të dalë nga profili i një prej politikanëve kryesorë në vend, ky është rrethi ku këto kohë vërtitet lajmi nga mediat shqiptare. Sidomos debati politik, por jo vetëm, është mbështetur në brinjët e një trekëndëshi: Zyra dhe performancat e kryeministrit Berisha, llogaria në Twitter e kreut të opozitës dhe tre-katër studio televizive ku shfaqen të njëjtit të ftuar, politikanë dhe analistë. Duke lënë mënjanë të parën dhe të fundit, si debate më vete, sidomos këto muajt e fundit, mbase qysh në momentin kur Rama zbuloi magjinë e rrjeteve sociale, politikanët (kryesisht ata të majtë), po shfaqen një e nga një, më pasionantë për rrjetet sociale duke i përqëndruar vetëm aty energjitë për të lëshuar sulme ndaj kundërshtarëve të tyre politikë, ndonjë deklaratë që ka lidhje me çështje të nxehta të ditës apo përgjigje me spec për emra të përveçëm kolegësh të krahut të kundërt ose jo.
Deri këtu asgjë nuk duket të jetë e jashtëzakonshme e aq më pak e gabuar. Interneti dhe teknologjia në përgjithësi kanë bërë të fryjnë erëra ndryshimesh në mbarë botën. Dhe në kohën kur diskutohet zhdukja e librit klasik në letër dhe zëvendësimi i tij me librin elektronik e çudira teknologjike nga më magjepsëset, asgjë të keqe nuk ka që personat publikë të shfrytëzojnë të gjitha mundësitë për të komunikuar me publikun, drejtëpërdrejtë (postimet on line dhe komentet për to), dhe nëpërmjet medias. Përkundrazi. Megjithatë për këtë të fundit mund të ngrihet që ç’ke me të një debat. Sepse duket sikur media shqiptare ka ndalur në rrugëtimin e saj dhe ka ngritur sytë dhe veshët për të lexuar dhe raportuar më pas, vetëm atë çka shkruhet brenda rrjeshtave të limituar të një statusi në Twitter ose Facebook dhe kaq. Në këtë mënyrë është bërë pothuaj e zakonshme që në faqet e të përditshmeve apo edicionet informative të thuhet e shkruhet që aksh politikan lëshoi këtë deklaratë në profilin e tij diku on line dhe lajmi apo raportimi të fillojë dhe të mbetet aty. Pothuaj askush nga profesionistët e pushtetit të katërt nuk duket të tundohet ta çojë më tej se vetëm disa rrjeshta virtualë problemin apo çështjen për të cilën flitet dhe hidhen deklarata. Kamerat televizive apo reporterët rrallë dalin në terren për të përballur me realitetin ato që thuhen on line. Axhenda e tyre prej muajsh tashmë udhëhiqet vetëm nga rrjetet sociale, nga zyrat e shtypit dhe lajmet që lindin dhe vdesin on line, të cilat ofrojnë me shumicë batuta dhe premtojnë me një fjali se ata (politikanët e opozitës sidomos), mund të ofrojnë më shumë se qeveria, por se çfarë konkretisht dhe si, pakkush kujtohet të pyesë. Ne bombardohemi çdo ditë me lajme virtuale; të nesërmen e çdo dite, të përditshmet jetojnë me lajme të vjetra, të konsumuara një ditë më parë nga interneti dhe televizioni, dhe rrallë ndodh të lexojmë diçka më të zgjeruar se postimet e kreut të opozitës apo përkrahësit e tij. Media është katandisur në përgjigje dhe kundërpërgjigje thumbash duke përjashtuar përfundimisht pjesëmarrjen e publikut që i ndjek, qoftë edhe në atë që ekspertët e kësaj fushe i përkufizojnë si media e re. Pra, a mos vallë kjo media shqiptare po e përdor në mënyrën më të keqe atë çfarë teknologjia e ofron si mundësi të re?
“Nuk ka arsye, mendoj, që një politikan të privohet nga mjetet e komunikimit që ai mund të përdorë. Do të kishte qenë një fatkeqësi për të. Jo një kanal komunikimi, por të gjitha mund të përdoren në marrëdhëniet publike”, thotë prof. Artan Fuga, anëtar i Akademisë së Shkencave, përgjegjës i departamentit të gazetarisë dhe kominikimit në fakultetin Filologjik, në Universitetin e Tiranës. “Aq më shumë që nuk është se komunikimi në Facebook apo në Twitter medoemos kërkon punën dhe praninë e gjithëkohshme të politikanit. Ndihmësit e tij, apo “ekspertët” në komunikim, mund t’a bëjnë këtë gjë. Tjetër punë sesa ndiqen rrjetet sociale nga popullsia e një vendi, tjetër punë sesa publiku kërkon jo vetëm komunikimin e shkruar, por edhe figurën, zërin, praninë fizike, tjetër punë sesa dialogohet me publikun numerik që ndjek komunikimin në internet. Këto janë anë për t’u parë dhe gjykuar rast pas rasti. Por në parim, përse jo mediat e reja të përdoren nga politika? Me kusht, që edhe në këtë komunikim të kemi interaktivitet, dialog, demokraci”.
Në ndarjen mes mediave të reja dhe atyre klasike, Fuga sqaron se në këtë të fundit, qytetari nuk është i pranishëm. “Me demokracinë pjesëmarrëse mediat klasike e kanë humbur betejën. Është i përjashtuar qytetari andej. Vetëm e dëgjon politikanin kur flet, por nuk ka mundësi të marrë pjesë në bisedë. Pra, sikurse quhet nga sociologjia e komunikimit, qytetari në hapësirën publike të diskutimit të ndërtuar nga mediat klasike të shtypura apo audiovizuale, ka një status inferior, është në atë që quhet strukturë të nënshtruar dialogu, ka të drejtë të dëgjojë, por jo të flasë. Ja, këtë mund t’a zgjidhin mediat e reja, me kusht që ato të mos administrohen si media klasike. Sepse shpesh në blogje shihet që publiku reagon ndaj shkrimeve në gazeta, kurse autorët e shkrimeve nuk përgjigjen. Sigurisht edhe mediat e reja në internet kanë kufizimet e tyre, por nuk ka të keqe, përkundrazi mund të përdoren shumë saktë politikisht”.
Të njëjtës linjë i qëndron edhe drejtori i Institutit Shqiptar të Medias, një institucion i lindur bashkë me gazetarinë e lirë në Shqipëri, Remzi Lani. “Askush nuk mund t’i injorojë sot rrjetet sociale, të cilat quhen ndryshe edhe si social media apo media sociale. Në këtë kuptim, kur televizionet apo gazetat marrin një deklaratë në të një politikani, ato bëjnë punën e tyre. Nëse Edi Rama apo Lulzim Basha lëshojnë mesazhe me interes për publikun, sigurisht që këto duhen raportuar”, thotë ai duke shtuar se megjithatë puna nuk duhet të mbetet këtu. “Nuk mund të kthehemi në replika të mediave sociale, apo qoftë edhe të televizionit (nuk janë të pakta rastet kur lajmet e gazetave në fakt nuk janë gjë tjetër veçse lajmet e televizioneve, por pa figurë). Media tjetër, le të themi media tradicionale, ka për detyrë të shkojë përtej këtij raportimi, të depërtojë më thellë, të shtrojë pyetje që nuk marrin përgjigje në 150 karakteret e Twitterit apo në mesazhet e Facebook”.
Gjë që ndodh përherë e më rrallë. Më së shumti vihet re ajo e vjetërimit të lajmit ende pa mbërritur në studiot televizive apo gazetat e së nesërmes. A do të thotë kjo se media e ka humbur qëllimin e saj, atë të informimit dhe sa zgjidhje mund të japë në këmbim fuknsionimi klasik i saj? “Duhet të biem dakord që qasja që ju e quani klasike ka marrë fund një herë e mirë”, shton Lani. Jetojmë në një botë tjetër, ku realja dhe virtualja bashkëjetojnë. Por, pavarësisht kësaj, ndërsa flasim për media të reja, dilemat dhe sfidat që shfaqen janë në fakt të vjetra. Teknologjia nuk ka bërë gjë tjetër, veçse i ka nxjerrë më në pah këto dilema, sidomos ato etike. Përsa i përket lajmit, nuk është se ai ka humbur, puna është se ai tani vjetërohet shpejt”.
Ndërsa Artan Fuga është më i drejtëpërdrejtë kur vjen puna për një analizë mbi median, të re apo tradicionale qoftë. Syrit të atij që drejton klasat prej nga dalin të diplomuarit e rinj më diplomën dhe titullin “gazetar” nuk mund t’i shpëtojë fenomeni gjithnjë e më i shpeshtë i furnizimit të redaksive nga zyrat e shtypit; monopolizimi i tregut dhe sfidat që mbeten të hapura. Për Fugën nuk është vetëm tek gazetarët apo përtacia e tyre për të ndjekur më shumë se një daklaratë on line lajmin. Problemi duket më i koklavitur se kaq.
“Përsa më përket mua, jam i mendimit se ne si shoqëri rrezikojmë të humbasim industrinë e informacionit, pikërisht nga prapambetja në konceptimin e mediave në kushtet e sotme teknologjike, ekonomike dhe kulturore globale. Ne kemi industri informacioni, por gjithnjë e më shumë, ndihet që kemi industri pa informacion”, thotë Fuga. “Këtu sigurisht kemi edhe anën parazitare të gazetarit, që nuk është një çështje subjektive, por ka të bëjë me administrimin e medias. Media gjithnjë e më shumë, ajo klasike, po ushqehet në politikë, nga zyrat e marrëdhënieve publike. Nuk është përtacia e gazetarëve, por vjen nga lidhja e industrialistëve të medias me “industrialistët” e politikës, vjen nga mangësitë e rënda buxhetore të mediave në kushtet e krizës, vjen nga mungesa e kulturës mediatike dhe profesionale, si edhe nga marrja peng e audiencës e cila nuk ka mundësi të ketë media alternative. Tregu është monopolizuar duke u përqëndruar keqazi. Te ne agjendën e medias e bëjnë zyrat e komunikimit të partive politike. Kur ka arritur puna që edhe në emisionet informative të lajmeve informacionin për eventet elektorale t’a sjellin partitë politike dhe “ekspertët” e tyre të komunikimit – gjendja është bërë e rëndë dhe ka arritur pikën më të ulët”.
Dhe nuk duket se mbyllet me kaq. Sepse sipas Fugës e gjithë kjo nuk bën tjetër veçse shton barrën e medias vetë dhe është po ajo që në fund do t’i paguajë faturat. “Sidoqoftë komunikimin e politikanëve të ndryshëm në mediat e reja, e shoh edhe si një lloj “hakmarrjeje” që iu bëhet disa mediave, apo si një lloj sfide që iu hidhet atyre për të kaluar në media konkurrente që në fakt iu takojnë vetë partive apo personave politikanë. Nga njera anë këtu kemi një rikthim edhe te mediat e partive, edhe më të politizuara, sepse në Twitterin e një politikani nuk ka atë kulturë dhe tolerancë të krishterë që të vendosen edhe deklarata të rivalëve të tij politikë, por nga ana tjetër “mirë” t’iu bëhet atyre mediave që nuk e luajnë si duhet rolin e tyre të shërbëtorit të publikut, pra si përçuese e transparencës mbi politikën”, thotë ai. “Kur mediat klasike vetëm i botojnë këto deklarata në mediat në linjë dhe nuk i përdorin pastaj për të zhbiriluar, kritikuar, pozicionuar në mënyrë alternative, mirë t’iu bëhet që bëhen “bisht” që mbledh mbetjet e komunikimit, apo “hedhjet” si karema të informacioneve të partive politike apo politikanëve të caktuar”.
Si do t’i shkojë filli kësaj pune? Në rastin më të mirë, pasi të ngopet me këtë metodë të re pune, edhe media shqiptare do t’a shërojë veten; media e re do t’i shtojë kërkesat ndaj vetes dhe mbase një erë e re do të fillojë të fryjë. Në rastin më të keq mediat “bisht”, siç i quan Fuga, do të jetojnë aq sa politika ka nevojë për to dhe në treg do të mbijetojnë vetëm ato që do ta kuptojnë se pse dhe si duhet të funksionojë një media.
Pa hierarki
Nuk është vetëm çështje e pasqyrimit të të njëjtit status politikani në median on line, televizive dhe atë të shkruar një ditë më vonë. Këto kohë po ndodh që postimet në Twitter apo Facebook përkthehen në tituj të mëdhenj kryesorë në faqet e para të gazetave dhe edicionet televizive, paçka se çdo fjalë e postuar mund të jetë konsumuar me kohë në internet dhe nuk sjell asgjë te re. Edhe për këtë Fuga e ka një përgjigje: “Natyrisht që do t’a zenë këto deklarata vendin e parë në media. Përse? Sepse kur një njeri publik flet, shpesh nuk është lajm përmbajtja e asaj që ai thotë. Jam dakord me ju që shpesh përmbajtja mund të mos ketë ndonjë element të ri. Por, mos harrojmë, përmbajtja mund të mos ketë peshë, por ka peshë lajmi që dikush me status të rëndësishëm social dhe politik ka folur. Edhe nëse flet, por nuk thotë ndonjë gjë të rëndësishme, është lajm pikërisht kjo gjë, që ai apo ajo foli dhe nuk është se tha ndonjë gjë. Por, unë mendoj se kur një politikan flet, diçka thotë gjithmonë, edhe kur do edhe kur nuk do. Lexohet nën rrjeshta. A do të ishin më funksionale metodat klasike të informimit? Nuk ka hierarki në këtë punë. Varet sesi përdoren. Informimi duhet të plotësojë së paku dy gjëra. Ai duhet të jetë shumë i shpejtë, jo domate e kalbur, dhe këtu mund të ndodhë që një vajzë filmon me celularin e vet një ngjarje dhe e dërgon në media shumë më shpejt sesa një ekip televiziv i trashë dhe i dhjamosur mund të zhvendoset për të mbërritur në vend ngjarje. Ka humbur imazhin. Së dyti, informacioni duhet të jetë i vërtetë, pra jo të shitet sapuni për djathë, dhe i interpretuar. Njësoj është sikur politikani që deklaron në Facebook, por nuk dialogon me publikun numerik, ashtu edhe kur politikani shkon në një “media klasike” dhe i përgjigjet pyetjeve të një gazetari, që vetëm pyetje nuk janë, janë “ngritje topi” për t’u gjuajtur nga politikani si në një lojë volejbolli. Pra, nuk ka hierarki, por është shpesh mënyra sesi përdoren ajo që vendos.
Botuar në revistën “Klan”, 30 Mars 2012
Shënim i redaksisë: Shkrimet e publikuara në këtë faqe shprehin mendimin personal të autorit dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e redaksisë së EJO në shqip