Liria e shprehjes në rrezik

15 Dhjetor , 2019 • Media dhe Politika, Shkrimet më të fundit • by

Dy projektligje të iniciuara nga qeveria Rama si “paketa antishpifje” synojnë të vendosin nën kontroll mediat online. Edhe pse janë kundërshtuar fort nga organizatat e gazetarëve dhe nga organizmat ndërkombëtarë, ligjet po shkojnë drejt miratimit në Kuvend. Pse kryeministri kërkon me ngulm krijimin e Zyrës së Censurës? A krijon kjo premisat për rrëshqitje në autoritarizëm dhe sa rrezikon liria e fjalës? Flasin për MAPO gazetarët Koloreto Cukali, Alfred Lela dhe Gjergj Erebara.

Dy ligje të reja për mediat të iniciuara nga qeveria Rama, kanë sjellë një reagim të fortë publik dhe janë krijuar menjëherë disa barrikada kundërshtuese me organizatat e gazetarëve dhe organizmat ndërkombëtarë. Të quajtura paketa “antishpifje” këto ligje tentojnë të rregullojnë mediat online duke i dhënë një zyre të posaçme pranë AMA-s, atributet e një gjykate në vendosjen e gjobave të larta dhe ekzekutimin e tyre brenda 72 orëve. Këto masa i vendosin këto media nën presionin e mbylljes.

Kritikët e shohin këtë paketë si një tentativë të pastër të qeverisë për të mbyllur zërat kritikë dhe si një shkelje të pastër të lirisë së shprehjes. Gazetarët u mblodhën dje në një tryezë të përbashkët, ku i kërkuan qeverisë të tërhiqet nga kjo nismë duke e cilësuar atë jodemokratike dhe të panevojshme.

Sipas gazetarëve, media e lirë nuk mund të kontrollohet nga një organ shtetëror, këtë duhet ta bëjnë organet vetërregulluese.

Po çfarë parashikon paketa antishpifje?

Kjo paketë ligjore synon kryesisht median në internet e cila do të vendoset nën policimin e AMA-s dhe AKEP-it

Konkretisht AMA që deri më sot ka kontroll vetëm mbi median Audiovizive do të ketë akses edhe në fushën e internetit; ku përfshihen portalet, faqet e mediave të shkruara apo edhe blogjet individuale. Kësisoj, ligji parashikon ngritjen e Këshillit të Ankesave pranë AMA-s për të kontrolluar përmbajtjen e medias elektronike.

Nga ana tjetër, AKEP-it i jepen kompetenca të reja për ndërhyrjen në përmbajtje të këtyre mediave si dhe të vendosë gjoba marramendëse deri në bllokimin e aksesit, pra mbylljen e medias. “Në nenin 132 të ligjit, mediat jo vetëm që detyrohen të publikojnë “formulën e ndjesës” sipas formës dhe përmbajtjes së përcaktuar nga AMA dhe heqjen e shkrimit të mëparshëm, por në faqen e tyre do të shfaqet përmes AKEP-it njoftimi i mësipërm në formën e një “pop up”-i.

Gjobat shkojnë nga 100 mijë deri në 1 milion lekë të rinj, për konkluzionet e Këshillit të Ankesave për shkelje të privatësisë, dinjitetit, integritetit të të miturve dhe 800 mijë lekë të rinj për mosrespektimin e vendimit të Këshillit të Ankesave. Po ashtu, gjoba janë parashikuar edhe në ligjin “Për komunikimet elektronike..”, për personat fizikë deri në 10 milionë lekë, dhe për personat juridikë deri në 100 milionë lekë.

Kundërshtarët e këtyre ligjeve pretendojnë se këto masa dhunojnë lirinë e shprehjes dhe i akordojnë AMA-s dhe AKEP-it kompetencat e një gjykate. Sipas tyre, ka ligje të tjera që rregullojnë çështjet kur media shkel të drejtat e të tjerëve.

Lidhur me këto nisma të qeverisë, Gazeta Mapo, ka intervistuar përfaqësuesit e medias, Koloreto Cukali, Alfred Lela dhe Gjergj Erebara.

Koloreto Cukali: Ligjet e Ramës synojnë zhdukjen e fjalës së lirë

Mazhoranca qeverisëse në Kuvend pritet të votojë dy projektligje të cilat amendojnë ligjet ‘për median audiovize’ dhe ‘komunikimet elektronike’, të kundërshtuara fort nga organizatat e mediave dhe ndërkombëtarët duke i konsideruar si cenim të “lirisë së fjalës”.  Sipas jush çfarë parashikojnë këto drafte dhe çfarë do të ndodhë nëse miratohen?

Draftet janë një sulm i planifikuar për të kontrolluar vetëm median online. Arsyeja është e thjeshtë: media online operon në një hapësirë falas e të lirë, si web-i, me kosto më të ulëta se mediat tradicionale, ndaj nuk i kanë “asnjë borxh qeverisë”. Ato operojnë në një lloj hapësire lirie që është e vështirë të blihet me leje ndërtimi apo me koncesione. Ndaj, e vetmja mënyrë për t’i kontrolluar është me dhunë, d.m.th., me një paketë ligjore si kjo. Nëse miratohen draftet, do ndodhë ajo që pamë gjatë tërmetit: pa asnjë transparencë do goditet çdo zë kritik, në mënyrë të diskriminuar.

Procesi i gjykimit të shpifjes (aty ku ka) i hiqet gjykatës e i jepet AMA-s. Pra, vendos qeveria se çfarë është shpifje, çfarë është joetike, kush duhet dënuar dhe sa.

Me këto 2 ligje qeveria mund të falimentojë çdo media online brenda 72 orësh, me anë të gjobave të kripura pas të cilave vjen Përmbarimi duke çuar automatikisht në mbylljen e tyre, pa lënë kohë për rekurs në gjykatë. Pra, me censurë ose me vetëcensurë, fjala e lirë në atë hapësirë që ka mbetur do të zhduket.

Këto drafte vijnë në një kohë kur kryeministri i vendit ka ashpërsuar tonet deri në kërcënime ndaj medias, a besoni se hartimi i tyre është frymëzuar pikërisht nga kjo retorikë?

Retorika e Kryeministrit dhe ligjet që ka propozuar janë shenja më e qartë që kemi hyrë tashmë jo vetëm në një periudhë jodemokratike për Shqipërinë, por dhe banale e jo civile. Problemi është që në gropë rrëshqet kollaj, për të dalë andej është vështirë. Ndaj, rikuperimi i lirisë e i demokracisë për shqiptarët në përgjithësi e gazetarinë në veçanti do jetë akoma më i vështirë.

Nga ana tjetër vetë kryeministri ka ngritur një media me emrin e tij duke u bërë një rast unik në botë ku sinjali i tij shfaqet live në të gjitha ekranet e televizioneve informative në vend. Sa e dëmton kjo lirinë e medias?

Kjo nuk e dëmton lirinë e medias. Kjo, e ka asgjësuar lirinë e medias. Koha kur lajmet vinin nga një televizion i vetëm në vendin tonë ka qenë vetëm koha e Enverit. Dhe kjo e sotmja.

Edhe pa hartimin e dy drafteve ligjore për të cilat debatohet sot, liria e medias në Shqipëri ishte në kuotat më të ulëta, ku censura, vetëcensura dhe lidhjet e pronarëve të medias me shtetin e kanë bërë pothuajse të pamundur gazetarinë e lirë. A do të jetë miratimi i tyre një kapitullim i plotë i lirisë në këtë rast?

Liria e shtypit është nën sulm nga të katër anët, nga Trumpi tek Erdogani, nga Kina te Rusia e Turqia. Autokratëve u leverdis një botë pa shtyp të lirë. Ata, nuk duan që ti të marrësh vesh të vërtetën. Sikurse z. Rama, ata pretendojnë që ka vetëm një të vërtetë, atë që u pëlqen atyre.Media shqiptare ka shumë probleme. Por, retorika e Kryeministrit; shto lajmet e rreme që ai vetë përhap vazhdimisht; shto fabrikat e trolls-ave – njerëzve që paguhen (mbase dhe me paratë tona) për të sulmuar online në mënyrë masive këdo që është kritik me qeverinë; kanë krijuar perceptimin që faji është vetëm i gazetarëve. Jo, problemi më i madh i medias janë pronarët dhe lidhjet e tyre shpesh të nëndheshme me pushtetin. Ata e kanë deformuar gazetarinë, dhe pushteti ka luajtur rol parësor në këtë deformim. Miratimi i këtyre ligjeve është një hap përpara i së keqes globale. Por, nuk është kapitullim. Kapitullim do jetë kur dhe gazetari i fundit serioz të lërë gazetarinë e të merret me ndërtime.

Alfred Lela: Rama synon të ngrejë Zyrën e Censurës si në komunizëm

Mazhoranca qeverisëse në Kuvend pritet të votojë dy projektligje të cilat amendojnë ligjet ‘për median audiovizive’ dhe ‘komunikimet elektronike’, të kundërshtuara fort nga organizatat e mediave dhe ndërkombëtarët duke i konsideruar si cenim të “lirisë së fjalës”. Sipas jush çfarë parashikojnë këto drafte dhe çfarë do të ndodhë nëse miratohen?

Draftet parashikojnë përpjekjen për të kontrolluar një territor mediatik ende të pakapur nga pushteti dhe shumë divers siç është media online. Pretendimi se ato përhapin shumë “fakenews” është pjesërisht i vërtetë, por nuk është kjo shenja e tyre më shquese. Nëse “fakenews” është parametri që marrim për të matur kundravajtjen, atëherë palët politike, me qeverinë në distancë të madhe në këtë garë, emetojnë më shumë lajme të rreme se media.

Nëse parabola e lajmeve të rreme bie, ku qëndron synimi atëherë?

Mendoj se te trysnimi me anë të kërcënimeve ligjore që do t’i bëjë mediat e reja të vetëcensurohen. Atë që nuk e bën autocensura do ta bëjnë deponimet ligjore, zvarritja nëpër procedura burokratike e forma të tjera shantazhimi.Lajmi i rremë nuk është fenomen shqiptar, shqiptare është vetëm metoda për të zhbërë me anë të ndërhyrjes së shtetit.

Nëse miratohet ligji në Shqipëri do të instalohet një Zyrë e Censurës, siç ka qenë dikur në komunizëm. Gazetarët do të shkruajnë duke pasur në mendje këtë zyrë dhe censorët shtetërorë.

Këto drafte vijnë në një kohë kur kryeministri i vendit ka ashpërsuar tonet deri në kërcënime ndaj medias, a besoni se hartimi i tyre është frymëzuar pikërisht nga kjo retorikë?

Retorika dhe projektligjet bashkëjetojnë. Mendoj se kryeministri ka patur përherë një padurim me gazetarët dhe analistët, të cilin eka shprehur pa drojë. Tërmeti i dha një platformë shumë të mirë për ta rikthyer këtë përplasje, duke e ditur se psikologjikisht pas një fatkeqësie kërkohet një shpëtimtar dhe një fajtor. Duke mbajtur për vete rolin e shpëtimtarit ai iu la gazetarëve atë të fajtorit. Unë mendoj se gazetarët nuk janë as njëra dhe as tjetra duke qenë të dyja nga pak, pra as nuk na shpëtojnë dhe as na fundosin. Ne jemi sigurisht pjesë e problemit, por jo vetë problemi. Duke qenë se ne jemi target i lehtë, publiku na sheh, na dëgjon dhe na lexon, duke na nënkuptuar si pjesë të elitave dhe të establishmentit, Rama shkarkon prej vetes një pjesë të barrës qeverisëse duke na bërë fajtorë. Ai sigurisht bën lojën e vet dhe neve na duhet të bëjmë qëndresën tonë.

Nga ana tjetër, vetë kryeministri ka ngritur një media me emrin e tij duke u bërë një rast unik në botë ku sinjali i tij shfaqet live në të gjitha ekranet e televizioneve informative në vend. Sa e dëmton kjo lirinë e medias?

Nuk mendoj se ERTV cenon lirinë e medias, madje mund të thuhet se është pjesë e saj. Gjuha radikale e kryeministrit, ky mjet komunikimi dhe jo ERTV si platformë komunikimi, e bën dëmin më të madh. Rama na ka lëshuar në shpinë audiencën e tij e cila duhet thënë nuk është e vogël. Sigurisht cenimi ndodh, jo për fajin e kryeministrit, por të televizioneve që i hapin sinjalin çdo komunikimi të tij. Aktivitetet e tij, politike ose jo, i gjen paralelisht në disa televizione në të njëjtën kohë. ERTV ka zëvendësuar kasetat e dikurshme. Por në këtë pikë unë nuk gjej fajtor Ramën, por editorialitetin e medias.

Edhe pa hartimin e dy drafteve ligjore për të cilat debatohet sot, liria e medias në Shqipëri ishte në kuotat më të ulëta, ku censura, vetëcensura dhe lidhjet e pronarëve të medias me shtetin e kanë bërë pothuajse të pamundur gazetarinë e lirë. A do të jetë miratimi i tyre një kapitullim i plotë i lirisë në këtë rast?

Jo, liria si e tillë nuk do të kapitullojë, edhe nëse ky projektligj miratohet. Nuk është mungesa e lirisë por e cilësisë së saj që do të theksohet. Siç kemi parë, çdo gjë del, në një formë apo tjetër. Defekti është se del më shumë si reagim politik se sa mediatik. Nëse marrim për shembull rastin e skandalit të Unazës, ishte kombinimi deputet i opozitës/televizion që e shpërtheu skandalin, pa harruar këtu as interesat ekonomikë të protagonistëve të ndryshëm, protagonistë që kanë aksione ose fuqi mediatike të madhe.

Gazetaria vuan. Liria jo, duke qenë se është likuide dhe shprehet, në mos në një hapësirë, në një tjetër. Individualisht, sigurisht, është gjë tjetër. Dua të them se një gazetar që zbulon një skandal qeveritar do të vuajë nëse punon në një media afër qeverisë, ose nëse pronari i medias ka interesa të ngushtë me qeverinë. Nuk do të jetë ky rasti i një gazetari në një media joqeveritare ose antiqeveritare.Këto të fundit gjenden vetëm në hapësirën e medias së re (aka portaleve) që Kryeministri kërkon të ‘rregullojë’ me anë të projektligjit në fjalë.

Gjergj Erebara: Me këto ligje shkojmë drejt autoritarizmit

Mazhoranca qeverisëse në Kuvend pritet të votojë dy projektligje të cilat amendojnë ligjet ‘për median audiovize’ dhe ‘komunikimet elektronike’, të kundërshtuara fort nga organizatat e mediave dhe ndërkombëtarët duke i konsideruar si cenim të “lirisë së fjalës”.  Sipas jush çfarë parashikojnë këto drafte dhe çfarë do të ndodhë nëse miratohen?

Të dyja draftet janë të paprecedenta në botën demokratike dhe të dyja synojnë të krijojnë një mekanizëm për të gjobitur dhe falimentuar median kritike, ndaj të cilave kryeministri Edi Rama ka përdorur gjithmonë si alibi pretendimet për shpifje sa herë që është përballur me situatë të vështirë përballë opinionit publik. Aktualisht ka tri variante të projektligjeve dhe parlamenti, që të gjitha janë mjaftueshëm keq dhe pavarësisht se cili variant miratohet, dita kur socialistët do të ngrenë kartonin pro këtyre ligjeve, do të shënohet në histori si një kthesë e madhe drejt autoritarizmit. Shqipëria vlerësohet aktualisht si vend me regjim hibrid, as demokraci dhe as diktaturë nga FreedomHouse. Ngjarjet e muajit të fundit me arrestimin e një përdorueseje Facebook-u dhe mbylljen pa urdhër gjykate të një faqeje interneti, bashkë me projektligjet në fjalë, ka gjasa që do të mjaftojnë që Shqipëria të bjerë në kategorinë e regjimeve autoritare të pakonsoliduara.

Kushdo që ka ndopak njohuri nga historia e lirisë së shprehjes që nga epoka e Iluminizmit me idetë e JohnMilton më pas, e ka të qartë se këto ligje përbëjnë një gur themeli drejt autoritarizmit. Dhe kushdo që ka ndopak njohuri nga jurisprudenca Europiane, e di se këto ligje përbëjnë shkelje të rëndë të lirive themelore të njeriut.

Përkundrejt këtij konteksti, fakti që socialistët kanë vendosur të bëjnë shurdhët përballë thirrjeve nga institucionet ndërkombëtare, organizatat shqiptare dhe ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, sugjeron se pasojat do të jenë më të gjera dhe afatgjata për vendin. Sa për fillim, këto ligje do të ushqejnë një argument shumë të fortë mes vendeve të BE-së kundër hapjes së negociatave me Shqipërinë.

Këto drafte vijnë në një kohë kur kryeministri i vendit ka ashpërsuar tonet deri në kërcënime ndaj medias, a besoni se hartimi i tyre është frymëzuar pikërisht nga kjo retorikë?

Kërcënimet e Ramës gjatë të ashtuquajturës gjendje e jashtëzakonshme ngjanin më shumë si përpjekje e dëshpëruar për të gjetur një armik për t’u marrë ndërkohë që banorët e dëmtuar nga tërmeti shihnin dhe vijojnë të shohin nga qeveria se çfarë do të bëhet me jetët e tyre. Retorika e Ramës kundër medias ka qenë, së paku që nga viti 2016, një alibi e përsëritur sa herë që është përballur me pikëpyetje mbi seriozitetin e tij si politikan, për lidhje të dyshuara të socialistëve me elementë të krimit të organizuar apo me dyshimet për korrupsion në qeverinë e tij. Në fakt Rama ka që më 2015 që duket se ëndërron të ketë fuqinë të mbyllë median apo të burgosë kritikët e tij. Nëse e mbani mend, më 2015 Rama propozoi personalisht krijimin e një vepre të re penale, “Shpifja ndaj zyrtarëve të lartë”, dhe dënimin me 3 vjet burg. Ai u detyrua të tërhiqet atëherë nga presioni vendas dhe ndërkombëtar. Nismat e mëpasshme të tij duket se pavarësisht tërheqjes, nuk i ka ikur dëshira të kontrollojë çdo lloj medieje që ekziston.

Nga ana tjetër, vetë kryeministri ka ngritur një media me emrin e tij duke u bërë një rast unik në botë ku sinjali i tij shfaqet live në të gjitha ekranet e televizioneve informative në vend. Sa e dëmton kjo lirinë e medias?

Misioni i shtatë organizatave ndërkombëtare që vizitoi Shqipërinë korrikun e kaluar arsyetoi se ky është një rast i paprecedent nëpër botë, gjë që e rendit gjendjen e lirisë ekonomike në Shqipëri shumë më keq nga sa mendohej më parë.

Edhe pa hartimin e dy drafteve ligjore për të cilat debatohet sot, liria e medias në Shqipëri ishte në kuotat më të ulëta, ku censura, vetëcensura dhe lidhjet e pronarëve të medias me shtetin e kanë bërë pothuajse të pamundur gazetarinë e lirë. A do të jetë miratimi i tyre një kapitullim i plotë i lirisë në këtë rast?

Ky mund të jetë kapitullim i plotë, por mund të jetë edhe dita kur media shqiptare ringrihet për të kryer funksionin e saj në demokraci, të mbajë llogaridhënës personat në pushtet. Pavarësisht të gjitha problemeve që ka struktura e medias në tërësi në Shqipëri, ajo që vërehet dhe të jep shpresë është që gazetarët dhe redaktorët vijojnë të punojnë çdo ditë për të bërë më të mirën në kushte shumë të vështira. Aktualisht jam i prirur të besoj se do të ndodhë kjo e dyta. Në anën pozitive, projektligjet, nëse miratohen, pritet të diskreditojnë në tërësi të gjithë mazhorancën socialiste, përfshirë disa burra e gra që kanë pretendime për të qenë njerëz civilë apo që merren me libra. Të gjithë deputetët një më një do të diskreditohen deri në atë pikë sa dyshoj se ata do të jenë në gjendje të shohin më veten si qenie shoqërore normale. Të hedhësh votën në favor të krijimit të një regjimi autokratik në vendin tënd, mendoj se pavarësisht se sa pak ndërgjegje mund të presësh nga njerëzit e palirë në radhët e deputetëve socialistë, ata do ta kenë të vështirë të shohin në sy bashkëqytetarët e vet pa u ndjerë vemje.

Në instancë finale, dy projektligjet e Ramës vështirë se do të përkeqësojnë një situatë që është sakaq shumë keq. Presionet, kërcënimet me gjendjen e jetesës apo me vendin e punës apo kërcënimet me procese gjyqësore të pabarabarta dhe të lodhshme, këto janë gjëra që gazetarët i kanë pasur edhe para këtyre ligjeve. Ndoshta këto dy projektligje do të jenë pika që çon kupën e të këqijave në pragun e derdhjes.

——————–

Burimi: https://gazetamapo.al/liria-e-shprehjes-ne-rrezik/

Print Friendly, PDF & Email

Tags:, , , , ,

Send this to a friend