Në mes të debatit të ngritur në Shqipëri prej projektligjit Harito mbi mediat online, mbërrin lajmi se gjyqi i famshëm Hulk Hogan vs Gawker përfundoi në fitoren e ërestlerit të famshëm Hulk Hogan dhe një dëmshpërblim masiv prej 115 milionë dollarësh.
Pavarësisht se në pamje të parë mund të duket sikur ministrja Harito mund të ketë të drejtë për të ngritur debatin, në fakt çështja në fjalë ia vlen të sillet pranë lexuesit shqiptar sepse mbart disa detaje shumë interesante mbi debatin “fjala e lirë online” kundrejt “e drejta private”.
Në vitin 2012 blogu “Gawker” publikoi një video ku ërestleri Hulk Hogan filmohej në një skenë seksi me Heather Clem. Hulk Hogan i shkruajti disa herë blogut (praktikë e njohur me emrin cease-and-desist në USA, tek ne thjesht raportim) për të hequr videon nga faqja e tyre ç’a u refuzua sistematikisht.
Në prill 2013, blogu “Gawker” njoftoi se ishin urdhëruar nga një gjykatës që të hiqnin videon nga faqja e tyre por që kishin refuzuar dhe nuk kishin ndërmend ta hiqnin.
Më 18 mars 2016, dje, një juri në Florida vendosi në gjyqin e radhës se blogu “Gawker” i detyrohej ërestlerit shumën 115 milionë dollarë si dëmshpërblim, të ndara midis 55 milionë për dëm ekonomik (karriera e tij u dëmtua pas daljes së videos) dhe 60 milionë për stres!
Gjyqi nuk është akoma tërësisht i mbyllur dhe brenda fundit të marsit juria do të vendosë dhe mbi dëme ndëshkuese (sipas CNN).
“Gawker” e bazoi mbrojtjen e vet mbi amendamentin e parë të Kushtetutës së ShBA që mbron lirinë e shtypit. Pikërisht për këtë arsye vendimi i jurisë si dhe i tërë procesi kishin një peshë të madhe në të ardhmen e mediave online.
Mund të vërejmë në një vëzhgim të parë që:
– video nuk u hoq edhe pse u kërkua nga një gjykatës
– faqja nuk u kërkua të mbyllej dhe akoma sot është në përdorim të përditshëm e masiv
– një gjykatë me juri vendosi për dëmin
– i tërë procesi mori disa vite – video u filmua në 2006-ën, u publikua më 2012-ën, vendimi për dëmin erdhi më 2016-ën.
Shpresojmë që ministrja Harito, apo ndokush tjetër të na lexojë sot dhe të reflektojë mbi një çështje madhore.
Është e qartë që duke qenë se sistemi gjyqësor shqiptar është nën akuzë të përditshme (me të drejtë!) duket sikur të kalosh nga drejtësia do të jetë një rrugë e gjatë për një çështje të ngjashme në Shqipëri. Por në cdo rast është shumë më mirë se të kalosh nga rrugët e trishta të burokracisë shqiptare, si p.sh Alcirt (enti i mbrojtjes kibernetike shqiptare, 6 punëtorë, asnjë nuk shquhet për aftësi apo specializim në çështjet e online) apo ndonjë tjetër strukturë e re që mund të mendohet nga halli…
Burimi: respublika.al