Gazetarët nuk dalin nga kutia

26 Shkurt , 2012 • Gazetaria e Medias, Media dhe Politika • by

Drejtuesja e emisionit “Tonight”, Ilva Tare i qëndron gazetarisë si një pasion që thotë se ka filluar kur ishte 17 vjeçe dhe me gjithë kritikën e ashpër, ajo është optimiste për formatet si ai që moderon. E ikur dhe e kthyer disa herë në ekran, gazetarja hedh dritë mbi disa hije të medias televizive shqiptare, ato që i quan “vel mashtrimi”.

Në më shumë se 15 vjet emisione të debatit politik, si mendoni se kanë evoluar ata, cila është rruga që kanë bërë?

Media dhe programacionet kanë evoluar më shumë sesa politika, e cila shpesh ka bërë regrese ndërsa media, gazetarët janë rritur. Nëse më lejon të flas për veten dhe mendoj që kjo është pritshmëria juaj, do thosha se pasioni im për gazetarinë ka nisur që 17 vjeçe në TVSH dhe sot më shumë sesa pasion është një mision, një punë që nuk më lidh ëndrrat njëra-pas tjetrës, por ndonjëherë më lidh këmbët në zyrë, në internet, në libra, dokumentarë. Modestia nuk del kurrë nga moda, por duhet ta pranojmë që disa prej nesh, shumë pak, patën fatin të ndërtojnë gazetarinë e lirë. Kur bëj një emision të mirë, kam atë ndjesinë që merr dikush kur në radio del një këngë e bukur. Zgjat pak sepse unë karakterizohem nga paranoja produktive.

Në historinë e televizionit ka mbi dhjetëra emisione debati dhe bisedimesh politike, një sërë prej tyre janë mbyllur, por janë zëvendësuar menjëherë nga të tjerë, cilat mendoni se kanë qenë kriteret dhe kushtet që kanë çuar në mbyllje?

Në çdo cep të botës ka emisione që mbyllen dhe hapen. Duhet kuptuar që jo çdo mbyllje duhet parë si dështim dhe jo çdo nisje vjen me çelës suksesi. Është procesi i krijimit të marrëdhënies së besimit dhe shikueshmërisë nga publiku që vendos për fatin e programeve televizive. Ka pasur raste që emisione të ndryshme të mos jenë më pjesë e programacionit të ndonjë televizioni, por kërkohen ende nga publiku dhe janë formate që kur arrijnë të gjejnë autorët e duhur për t’i realizuar janë formula të garantuara pëlqyeshmërie. Suksesi dhe dështimi ecin paralelisht në profesionin tonë, ku gara me kohën dhe presioni për të rendur pas evolucionit teknologjik janë të pandalshëm edhe pse kriteret e Shqipërisë janë të ndryshme. Mbyllja nuk vjen kurrë nga audienca, e cila deri më sot nuk matet dhe është një nga të metat më të mëdha. Është si në politikë që fiton edhe kur s’je i votuar, kështu ndodh dhe me median tonë, suksesi nganjëherë vjen edhe kur s’të shikon njeri. Ndodh që drejtuesi ose emisioni propagandohet bareve, inboxeve apo BBM të Blackberry-t. Është ngritur një mekanizëm që funksionon si bankë favoresh. Nuk e shoh si mallkim, por deri diku ka doza mashtrimi dhe manipulimi.

Në retrospektivë, si i shihni këto emisione dhe çfarë i kanë sjellë ato publikut dhe njëkohësisht medias shqiptare?

Publikun e kanë lodhur deri diku, por edhe e kanë kequshqyer sepse duket sikur publiku është mësuar me një model. Kemi një publik shumë të vogël që kërkon emisione sqimatare, shumica kërkon sherr, skandale, dhe gazetarët nuk dalin nga kutia (Tirana). Median e kanë ndihmuar që të miqësohet me politikën, t’i shërbejë asaj dhe ta sulmojë atë. Emisionet politike janë si një urë ku ti gjen barrikada ose jo. Varet nga gjatësia, zhdërvjelltësia e ndonjëherë edhe fati nëse i kalon apo mbetesh aty. Unë besoj se një gazetar i mirë nuk kalon vetëm nga një shteg. Për gazetarin, bota është një hartë në dorë dhe mjaft të nxitosh me një ipad, video mesazh apo status facebook-u apo Twitter-i dhe mund të përçohen tek publiku mesazhet e realitetit.

Cila është e ardhmja e emisioneve si ai që drejtoni ju?

Nuk e di, vërtet që s’e di. Unë mendoj që emisionet të kenë dhe të meritojnë të tashmen sa për të ardhmen dyshoj se gjithçka ndryshon. Do të rriten brezat dhe media do të jetë e detyruar t’i shërbejë audiencës, kërkesave të saj. Ndoshta, pas disa kohësh nuk do ketë veteranë të Luftës Nacional-Çlirimtare, as militantë të politikës. Gjërat po ndryshojnë dhe media nuk do ketë ku t’ia mbajë. Do t’i duhet të bëjë zgjedhjen e madhe në një ditë të afërt. Nuk kam frikë nga e ardhmja, kam vetëm kureshtje të bukur.

Pa shumë mundim mund të numërosh mbi 15 emisione televizive me bazë debati politik apo mbi tema politike dhe jo rrallë ndodh që i njëjti i ftuar të jetë duke debatuar live në një emision dhe të jetë në transmetim pas një regjistrimi në një tjetër.A nuk duket sikur ka tepri të transmetimeve të kësaj natyre?

Mos vallë shqiptarët prodhojnë më shumë politikë se sa mund të konsumojnë? Kjo është një pyetje me mend në kokë e këmbë në tokë. Është absolutisht varfëri! Nuk mendoj se në Shqipëri s’ka kush flet. Ne kemi shumë mendje dhe shpirtra të lirë, por banka e favoreve ka krijuar një rreth vicioz dhe pa dashje disa njerëz të mirë të këtij vendi kanë rënë në kurthin e pranimit të heshtjes. Të gjitha përpjekjet e mia dhe të stafit të “Tonight Ilva Tare” kanë hasur në rezistencën e ekspertëve, intelektualëve, profesionistëve më të vlerësuar të vendit për t’i ulur ata në karriget e bardha të studios. Fatkeqësisht, mendjet jashtë rrethit vicioz janë dorëzuar përpara faktit se gjërat në Shqipëri nuk kanë gjasa të ndryshojnë dhe se asnjë dalje e tyre në debate nuk mund të ndryshojë apo ndikojë në përmirësimin e realitetit. Gazetarët nga ana tjetër duke qenë nën trysninë e transmetimit lëshojnë pe, të mos përmendim këtu edhe një lloj mungese ndërgjegjeje. Politika është në qendër, jo se e duan gazetarët apo publiku, janë të tjerë që e drejtojnë këtë. Është një vel mashtrimi, jua thashë dhe më lart. Gjërat do ndryshojnë dhe kanë filluar të lëvizin. Jam optimiste.

Shpesh ndodh që tema të caktuara, edhe mjaft të rëndësishme, në ekran konsumohen me shpejtësi (pa u sqaruar mirë), kjo është vallë vetëm falë kërkesës për të sjellë gjithmonë diçka të re, apo edhe shenjë e konkurrencës dhe tentativës për të qenë gjithmonë ndryshe nga rivalët?

Që një debat të përfundojë pa u sqaruar mirë, faji është i ndarë në gjysmë. Gjysma e mollës është e drejtuesit dhe gjysma tjetër e të ftuarve. Ka sekrete të vogla që të ndihmojnë si t’i bësh të ftuarit të flasin, por asnjë sekret sado magjik s’i bën dot ata më të kthjellët. Ka njëfarë nxitimi sigurisht, që më së shumti përqendrohen tek “lajmi” dhe fatkeqësia është të ngopesh me lajmin. Lajmi s’ka fund. Është si trupi ynë që s’i mbarojnë lëkurët, duhet vetëm ta qërosh ngadalë. Nuk mjaftojnë burimet, as vërtetësia, shpesh duhet të shohim të vërtetat e dyta dhe të treta. Duhet të edukojmë publikun tonë, audiencën tonë fikse dhe rastësore se nuk jemi vetëm një grumbull ballkanasish të nxituar por dimë të jemi elegantë dhe kureshtarë.

Meqë jemi te rivalët, cila është marrëdhënia me kolegët që drejtojnë emisione të ngjashme?

Një mikeshë e imja më tha një ditë që donte të realizonte një dokumentar me të gjithë ne. Jeni “monstra” që të gjithë, më tha me humor, por dhe me kast. Si një orkestër pa dirigjent. Ndoshta bën mirë ta realizojë, por do e ketë të vështirë të dallojë violinën nga violinçeli! Ndodh shpesh që tema të njëjta të trajtohen në dy emisione njëkohësisht, edhe pse nga njerëz të ndryshëm. A nuk sjell kjo një lloj përsëritjeje të panevojshme? Kakofoni? Rastësi, por edhe aktualitet. Ndodh. Lidhur me pyetjen e parë, a ka të dhëna mbi shikueshmërinë e këtyre emisioneve? Do ketë! Jam në dijeni të një projekti pilot që ka filluar matjen shkencore të audiencës dhe besoj se muajt e ardhshëm perceptimet do t’u lënë vendin përqindjeve dhe shifrave konkrete, që mund të rezultojnë të ndryshme nga realiteti përpara të cilit shqiptarët dorëzojnë telekomandat e televizorëve të tyre.

Ka zëra të një konkurrence të fortë mes llojit, d.m.th., mes gazetarëve që përgatisin emisione të kësaj natyre, si qëndron kjo sipas jush, sa është brenda normales?

Konkurrenca është diçka organike. Është ajo që të thashë më lart, paranoja produktive. Ndonjëherë i kalon kufijtë e normales, por sa më shumë e mendoj them: A ka mbetur më ndonjë gjë anormale?! Jam imunizuar nga frontet e verdhë. Cilat janë anët e mira dhe të këqija të një emisioni me debat? Debati nxjerr të vërteta. Por kur ai shkon në drejtimin e gabuar, personalizohet, hutohet, delirohet, atëherë ta dish që pulti të ka thënë lamtumirë për sonte. Çfarë ndodh në prapaskenën e përgatitjes së këtyre emisioneve, sidomos kur bëhet fjalë për të pasur një rrëfim ekskluziv? Ke frikë se mos diçka e sekondës së fundit do prishë magjinë e asaj që po ndodh. Pasi e mbaron, nis e mendon për pas-skenat. Ato janë herë komike sepse ti dallon se xhelozia ka dalë nga sythi. Por rëndësi ka që të arrish të jesh jo vetëm ekskluziv dhe jo iluziv. Të jesh i fortë mjaftueshëm për të përballuar suksesin dhe i dobët për të dëgjuar zërin e publikut.

Botuar në MapoOnline, datë 26 shkurt 2012

Shënim i redaksisë: Shkrimet e publikuara në këtë faqe shprehin mendimin personal të autorit dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e redaksisë së EJO në shqip

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend