Në Shqipëri nuk ka shtyp të lirë

6 Maj , 2012 • Liria e medias, Media dhe Politika • by

Një vit më parë, pronari italian i grupit ‘Edi Sud’, Carlo Bolino, që kishte në pronësi: ‘Gazeta Shqiptare’, ‘Balkanweb’, ‘News 24’ i shet të gjitha këto tek dy pronarë shqiptarë. ‘Unë nuk doja që të shiteshin. Por nuk isha unë pronari”, sqaron për gjithë hamendësuesit Carlo Bollino, thjesht ish-drejtor i këtij grupi mediatik në Shqipëri, tani i transferuar në Bari të Italisë si drejtor po i ‘La Gazzetta dell’Mezzogiorno’, aty ku ka hedhur hapat e tij të parë si gazetar.

Erdhi një ditë, pas gati njëzet vjetësh në Shqipëri, latë gjithë mediat që drejtonit, Tiranën si qytet, Shqipërinë si vendqëndrim kryesor. Çfarë ndryshoi rrënjësisht këto raporte të forta të Carlo Bollinos?

Isha shumë i lodhur. Përvoja ime në Shqipëri ishte zhvilluar mjaft dhe unë kisha dëshirë të eksploroja, shkoja tjetërkund nëpër botë. Këtë e nisa që në vitin 2001 e për shtatë vjetë isha korrespondent lufte, por qendrën e kisha prapë në Tiranë. Por vjen një ditë që dëshiron të rikthehesh edhe në shtëpi, në Italinë ku jam lindur, rritur, pas kaq kohe si një ish-emigrant larg saj. Më ofruan të drejtoja ‘La Gazzetta dell’Mezzogiorno’ në të cilën kam punuar në fillimet e mia, e ku aktualisht jam drejtor i saj.

Pak për ata që nuk i dinë fillesat e lidhjes suaj me Shqipërinë?

Kam ardhur për herë të parë pa u shpallur pluralizmi. Në korrik të ’90-ës, kur 2000 shqiptarë u futën nëpër ambasada, edhe në atë italiane. Si gazetar u bëra kureshtar dhe u nisa me një traget turistësh Otranto-Vlorë. Pronari i ‘La Gazzetta dell’Mezzogiorno’, ku punoja në Bari, Giuseppe Gorjux, kishte pasur babain, që në kohën e mbretit Zog kishte pasur një filal të kësaj gazete në Shqipëri. Kur kthehem, i hedh idenë për ta rihapur dhe në 23 prill të 1993 ia dolëm të realizojmë numrin e parë të ‘Gazetës Shqiptare’. Por ish-pronari i parë shiti gjithçka në vitin 1998.

Dhe suksesi bën që në vitin 2009 të merrni Medaljen e Mirënjohjes “Për kontributin në zhvillimin e medias shqiptare”, dhënë nga Presidenti Topi. Edhe vetë gazetarët shqiptarë ua rezervojnë një rol shumë të madh në profesionalizimin e mediave shqiptare. Ju vetë?

Ka qenë çast shumë emocionues për mua kjo medalje. Thjesht importova nga vendi im një mënyrë pune me të cilën isha mësuar, gjithçka unë dija, modelin e një gazetarie europiane. Shumica e gazetave fotokopjonin atëkohë menabotë që solla unë, dhe ka që ende punojnë kështu. Apo modelin e ndarjes së lajmit nga opinioni, shumësinë e lajmeve të shkurtra. Në tastierë, për shembull, nuk ekzisonte gërma ‘ë’. Më vajti mendja që të përdorej ‘ë’ në vend të ‘ë’-së dhe pastaj të zëvendësoheshin me një komandë. I dhashë rëndësi sektorit të kronikës, pasi në Shqipëri ai ishte i paprekur. Por gjithë bota, edhe përvoja italiane, e ka këtë në qendër të gazetave. Kjo është sa humane, aq edhe për efekt tregtar. Gazetat shqiptare atëkohë më shumë i mëshonin politikës dhe ngjarjet e kronikës i botonin me gjashtë-shtatë ditë vonesë. Por ky stil u keqinterpetua dhe u mor si mënyrë për të dhënë imazh të keq.

Keni pësuar edhe sulme të vazhdueshme nga qeveritë e djathta. Ku i gjeni shkaqet dhe si i përballuat?

Nuk i mendova në fillim vështirësitë që do më prisnin. Them se sulmet ndaj meje kanë qenë keqkuptime. Në thelbin dhe natyrën e çdo gazetari është të jetë në opozitë. Por edhe të raportojë çdo lloj lajmi. Vetëm pse shkruajta që në Itali u pezullua çështja ndaj firmës Levan Co, e cila merrej me ndihmat humanitare për të cilat u dënua Fatos Nano, më bënë mik të ngushtë të tij, të cilin gjithsej e kam takuar 4-5 herë. Unë thjesht bëra punën time si gazetar. Por nisën sulme me fushata shpifjesh të tmerrshme ndaj meje prej vitit ’94-’05. Ishin të frikshme, sepse demokracia ishte e sapolindur. Dhe ata sulmonin, ne mbroheshim.

Edhe Italia është një vend i përfolur për mungesë të lirisë së shtypit. Por ju që njihni thellësisht edhe shtypin shqiptar edhe gjendjen e kolegëve tanë në Itali, ç’analiza sintetike krahasuese mund të bëni?

Në Shqipëri ka liri të shtypit, por nuk ka shtyp të lirë, sepse ka shtyp të varfër. Ky, i shtrënguar të mbijetojë, ka nevojë për mbështetje nga politika. E kësisoj bëhet një shtyp jo i lirë. Në Itali shtypi është më i pasur. Kësisoj ka më shumë liri. Por ka edhe atje botues, që kanë edhe biznese të tjera, e bëhen të varur prej interesave të mëdha ekonomike.

Shqipëria dhe shqiptarët për ju pas kaq vitesh?

Shqipëria është një atdhe i dytë. Nuk e shoh më këtë vend si i huaj. Nuk arrij të gjykoj dot as italianët, as shqiptarët, sepse i dua. Nuk kam shkruar ende një libër për Shqipërinë. Kur të mos vij më, të jem larg saj, ndoshta. Pasi sa kohë je i përfshirë, është më e vështirë.

Ka shumë vështirësi, por më pëlqen energjia, ritmi, rinia e këtij vendi. Shqipëria është një vend që rritet, ndërsa Italia është një vend i plakur. Për punë është më mirë në Shqipëri, ndërsa për pushime në Itali. Nuk është e vërtetë që shqiptarët nuk punojnë. Madje punojnë më shumë se italianët. Por nuk janë shumë të organizuar dhe disiplinuar. Janë më anarkikë dhe kjo i bën të lirë, por edhe disiplina është shumë e rëndësishme në punë. Këtë jam përpjekur ta bëj. Por Shumakeri nuk do të ishte ai që është pa Ferrarin. Edhe unë pa stafet me shqiptarë.

Marrë me shkurtime nga gazeta „Shekulli“, 28 Prill 2012. Shkrimi në origjinal ndodhet në linkun:

http://www.shekulli.com.al/shekulli/2012/04/28/rikthimi-i-carlo-bollinos/

Shënim i redaksisë: Shkrimet e publikuara në këtë faqe shprehin mendimin personal të autorit dhe nuk përfaqësojnë pikëpamjet e redaksisë së EJO në shqip

 

Print Friendly, PDF & Email

Send this to a friend