Kur flasim për mënyrën se si e shohin gazetarët veten në raportimin e tyre të përditshëm, deri tani ka mbizotëruar modeli i “rojtarit„ (Gatekeeper): gazetari vendos jo vetëm për përmbajtjen që përçohet në media, por bën edhe seleksionimin dhe përpunimin e informacioneve të botueshme apo të transmetueshme. Kjo ka qenë praktikisht aureola që e ka shoqëruar profesionin e gazetarit të medias tradicionale, deri sa u shfaq interneti. Moria e informacioneve që vërshojnë nga web nga burime të ndryshme, ka nxjerrë në pah një detyrë të re të gazetarëve: renditjen dhe sistemin e përmbajtjes së informacioneve. Kështu që sot “Gatekeeper” po kthehet përherë e më shumë në një “Gatewatcher” dhe “mbështetës”.
Ky dimension i ri i gazetarit e ka vendosur atë në një marrëdhënie të re me platformat mediale ekzistuese. Nëse deri dje platforma mbizotëruese ishte media gjeneraliste, fokusimi te ngjarjet dhe temat e mëdha „të prodhuara“ kryesisht nëkryeqendrat e banimit, sot ky raport është prishur. Duke sjellë kësisoj një disbalancimtë raportimitnë qendër dhe periferi. Me anë të disa modeleve të reja interaktive, siç janë platformat hiperlokale, të cilat shfaqen në formën e gazetave apo formateve të tjera të medias lokale që ofrojnë informacione shtesë dhe mbi të gjitha, informacione alternative, bëhen më të prekshme pikat e dobëta të gazetarisë sot: një gazetari e fiksuar tek “e madhja” që lë pas dore të përditshmen.
Platformat hiperlokale vs. media gjeneraliste
Në një farë mënyre, hiperlokaliteti në media, edhe pse nuk është trajtuar më vete, nuk do të thotë se nuk ka ekzistuar deri tani. Atë e kemi ndeshur në formën e gazetave të përditshme apo të përjavshme në qytete dhe krahina larg qendrës, por që nuk patën jetëgjatësi.
Media gjeneraliste e fokusuar në jetën sociale dhe politike të përqendruar në kryeqytet siç është rasti i Shqipërisë, nuk ia del dot më të përfaqësojë shoqërinë e gjerë si të tillë. Lajmi lokal merr vëmendjen e medias gjeneraliste vetëm kur vlera e tij përcaktohet nga redaksia si “e lartë”, në këtë rast, reduktimi bëhet kryesisht në katastrofa të bujshme natyrore dhe njerëzore.
Po kaq të lëna pas dore janë edhe komunitetet e margjinalizuara brenda qendrës, të cilat mbulohen vetëm sporadikisht nga mediat gjeneraliste dhe sidomos pas një fushate reklamuese të vetë këtyre komuniteteve. Të paktën në formën e gazetës së shtypur, qasja profesionale ndaj tyre ka qenë dhe mbetet e vështirë deri sot.
Por interneti duket se e ka kaluar këtë distancë. Sa më shumë gjeneraliste bëhen mediat, aq më shumë duket se lexuesi kërkon dhe i mungon e përditshmja, një komunitet ku të gjejë dhe rigjejë vazhdimisht vetveten dhe të tjerët në raport me të. Modeli hiperlokal i Everyblock iniciuar fillimisht në Boston vite më parë dhe i aplikuar ndërkohë me sukses në qytete të mëdha europiane tregon nevojën për identifikim më të madh të shoqërisë me mjedisin ku jeton, të cilën mund ta përkufizonim edhe me termin “nevojë për afërsi sociale”.
Duke përmbledhur sa thamë deri tani, me media hiperlokale do të nënkuptojmë portalet informative apo të lajmeve online që merren kryesisht me nevojat e një komuniteti lokal në aspektin gjeografik, por edhe me ato të grupeve të margjinalizuara. Në krahasim me mediat tradicionale që mund të kenë vepruar në rrafsh lokal dhe rajonal, platformat hiperlokale kanë një fokus më të ngushtë dhe specifik. Për hir të kostove të ulëta të produksionit ato trajtohen ndërkohë si pjesë e rëndësishme e gazetarisë online.
Studiuesit e medias i ndajnë këto platforma hiperlokale në tre kategori të rëndësishme.
Së pari, kemi faqet autoriale ose redaksionale (pra, që drejtohen nga një person apo redaksi e caktuar).
Së dyti, kemi faqet agregate, të cilat nuk bëjnë gjë tjetër përveçse mbledhin lajme dhe informacione hiperlokale nga website-e të tjera, dhe këto i transmetojnë dhe ndërmjetësojnë më tej.
Dhe së treti, kemi faqet e gazetarisë qytetare (Citizen Journalism) që fillon me blogjet e individëve të ndryshëm.
Lajmi hiperlokal: E ardhmja e gazetarisë?
Përse media gjeneraliste nuk ia ka dalë deri tani të përfaqësojë plotësisht komunitetet e ndryshme shoqërore në larminë e tyre?
Përgjigjia e kësaj pyetjeje është e rëndësishme sepse hedh dritë mbi funksionet e platformave hiperlokale. Mungesa e burimeve njerëzore, por edhe financiare ka sjellë mosmbulimin në kohë dhe cilësi të ngjarjeve të jetës së përditshme.
Këtë mungesë të punës gazetareske, në epokën e internetit, ka në dorë ta mbushë vetë publiku, në rolin e lexuesit, dëgjuesit apo shikuesit. Lajmi hiperlokal kryesisht në web e kthen lexuesin e tij në “gazetar”, formulues dhe seleksionues, dhe mbi të gjithë në një shpërndarës të tij. Nëse për gazetarët kritika më e madhe në dekadat e fundit ka qenë shkëputja e kontaktit të tyre personal dhe fizik nga lexuesit, lajmi hiperlokal përpiqet ta vendosë sërish këtë kontakt.
Në një treg mediatik si ai shqiptar ku gazetat lokale janë gati inekzistente, një platformë hiperlokale kthehet në një alternativë të vërtetë pasi e çliron konceptin nga financimi si dhe nuk është e lidhur me mungesat e burimeve njerëzore.
Kohët e fundit të bien në sy kryesisht platformat hiperlokale të aplikuara në disa qytete shqiptare, si Saranda, Vlora, Shkodra, por edhe në rang rrethi apo komune. Portali “Saranda Web” për shembull e përkufizon misionin e tij, si: “Një faqe për të gjithë sarandiotët dhe adhuruesit e saj”. Aty mund të gjesh njoftime për aksidente dhe ngjarje tragjike, njoftime për ndeshje sportive dhe aktivitete të tjera të kësaj natyre, por edhe problematika sociale, projekte për të ardhmen e qytetit, oferta turistike etj. Gjithashtu një element shtesë është interaktiviteti i lexuesve dhe “miqve” të faqes, të cilët raportojnë, por edhe vlerësojnë, apo kritikojnë informacionet e paraqitura. Autorët e faqes janë një grup i vogël i përbërë nga gazetarë – që kanë punuar deri para pak vitesh në median lokale të Sarandës dhe zonave përreth, por edhe si korrespondentë të mediave gjeneraliste në kryeqytet – dhe menaxherë kulturorë që kanë kontribuar pranë bashkisë së qytetit apo në organizata jofitimprurëse. Vetë krijuesit e kësaj platforme e shohin punën që bëjnë si një përzierje mes gazetarisë profesionale dhe punës reklamuese me publikun (PR), duke bashkuar interesat e konsumatorit dhe biznesit vendas.
Ndërsa për këtë platformë hiperlokale mund të themi se ajo i përafërohet shumë modeleve simotra në gjithë botën për nga misioni dhe shërbimet ndaj komunitetit të qytetit e më gjerë, qytete të tjera të Shqipërisë si Shkodra, Elbasani, Korça, Durrësi etj, janë ende në fazën e parë të zhvillimit. Ofertat hiperlokale janë më shumë në formën e blogjeve personale, nga individë që personifikohen me qytetin apo komunitetin e tyre, por pa u kthyer ende në një motor gjenerues dhe bashkëpunues mes aktorëve pjesëmarrës në komunitetet nga ata vijnë. Kështu që del nevoja e orientimit të këtyre faqeve drejt nevojave të përdoruesve.
Ndërkohë shumë pozitiv po rezulton përdorimi i platformave hiperlokale nga organizatat jofitimprurëse dhe institucionet e tjera që operojnë në vend. Pothuajse të gjitha janë prezent në rrjetet sociale. Duke sjellë vetëm një apo dy shembuj: qendra për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve CRCA (Children’s Human Rights Centre of Albania) publikon vazhdimisht aktivitetet që bën dhe kërkon mendimin e publikut dhe të të interesuarve për projekte dhe tema relevante në të ardhmen. Përditësimi i vazhdueshëm me lajme dhe informacione lehtëson punën e gazetarëve në mediat gjeneraliste, të cilët mund të kenë akses në materialet e publikuara pa qenë nevoja të paraqiten fizikisht. Po ashtu marrëdhënia ndërnjerëzore mes autorëve të faqes online dhe të interesuarve, qofshin këta gazetarë apo të tjerë, siç e dëshmojnë të dyja palët është më dinamike, më e shpejtë dhe e dobishme.
E njëjta gjë nëse do të vëzhgonim platforma të tjera hiperlokale me një fokus tematik shumë të ngushtë siç është për shembull faqja online “Animal Rights in Albania, Now!“ që merret me të drejtat e kafshëve në vend, por edhe me adoptimet e kafshëve apo njoftimet për kafshë shtëpiake të humbura. Faqja ndiqet momentalisht nga rreth 15.000 persona. Të drejtat e kafshëve tematizohen shumë pak në median gjeneraliste, ndërkohë që nga mesazhet që shkëmbehen në komunitetin e personave që mbrojnë këtë kauzë të krijohet përshtypja se interesi për këtë fushë është gjithnjë në rritje.
Pra, platformat hiperlokale forcën e tyre e kanë sidomos në këto anekse të lëna pas dore nga media tradicionale që përjeton sot krizën e saj jo vetëm financiare, por mbi të gjitha një krizë besimi. Gazetaria tradicionale duket se është shkëputur nga lexuesi.Platformat hiperlokalepo pozicionohen fillimisht si burime alternative krahas mediave lokale, si një zë i dytë për shoqërinë, dhe pesha e tyre do të rritet, sa më shumë të ulet cilësia e këtyre të fundit.
Nga ana tjetër, ky zhvillim përbën një shans edhe për gazetarët e mediave lokale, të cilët duke publikuar në mënyrë krosmediale, jo vetëm mund të rrisin të ardhurat e tyre, por edhe ta mbajnënë jetë profesionin e gazetarit.