Dilemat e Gazetarisë së Medias në Shqipëri

30 Nëntor , 2011 • Gazetaria e Medias • by

Teorikisht roli i mediave cilësore është orientimi i publikut përmes xhunglës së informacioneve dhe modelimi i diskursit politik.  Këtë deri tani në Shqipëri e kanë bërë analistët, të cilët në gazeta, revista, Radio, TV dhe sidomos internet kanë evidentuar probleme të gazetarisë.

Por edhe ky raportim është shoqëruar nga probleme, ndër të cilat e ashtuquajtura dilemë e efektit serës është më e dukshmja. Gazetarët që kritikojnë median përmes medias futen rëndom në konflikte interesash ekonomike sidomos kur u duhet të kritikojnë median ku ata punojnë ose një tjetër të afërt me të. Model ideal për këtë mbetet media amerikane ku një sërë Media-Watchdog-s gëzojnë lirinë e plotë të kritikës edhe brenda institucionit të tyre mediatik. Në rastet kur preket kjo liri, atëherë ndodh efekti i serës: Gazetari përdoret si zëdhënës i medias, pra, instrumentalizohet për interesa të kompanisë mediatike. Rasti i Baxhakut që citova në fillim, pasuar atëkohë edhe nga zëra të tjerë mbetet i veçuar. Përgjithësisht, gazetarët përmendin me emër çdo politikan të akuzuar për korrupsion, apo  diçka tjetër, gjë që nuk e bëjnë kur bie fjala për kolegët!

Nëse marrim rastin e Shqipërisë, media shqiptare vuan fort sidomos nga dy “sëmundje”: Jepet pas scoop-eve dhe lajmeve sensacionale duke lënë gjithçka tjetër me rëndësi për publikun jashtë ose atë që Bourdieu e quan “thjeshtim të anës përmbajtësore”. Sikurse vuan edhe nga “censura e padukshme”, jo vetëm në përzgjedhjen e personazheve dhe ekspertëve nga ana e gazetarit apo mediumit, por sidomos në përzgjedhjen e informacioneve që i ofrohen publikut me justifikimin se disa lajme janë më të lehta për t’u kuptuar, ndërsa disa të tjera jo. Ajo që Bourdieu e quan “koncepti i fshehjes përmes shfaqjes” dhe “censurë e pamëshirshme” ndaj Publikut! Ndërkohë që aktorët politikë dhe mediatikë bashkëpunojnë në një farë mënyre me njëri-tjetrin.

Duke analizuar emisionet televizive, Bourdieu flet për një “përqendrim të jashtëzakonshëm të pushtetit të medias” dhe një “mirëkuptim” mes gazetarit të famshëm të TV dhe politikanit që ka ftuar. Mes tyre thotë ai ndodh ajo që quhet doxa politike, para publikut shkëmbehen ide të përcaktuara më parë së bashku me politikanët (takimet në Davos), ndërsa spektatorit i krijohet përshtypja se loja politike u lihet në dorë profesionistëve. Kësisoj, në mënyrë të pavetëdijshme, gazetaria luan rol kyç në mbylljen e Fushës Politike, dhe ruajtjen e Status-Quo-së, apo thellimin e kufijve mes fushave të tjera.

Por edhe pse Bourdieu mund të ketë të drejtë në shumë nga kritikat e tij për gazetarinë dhe cilësinë e saj, mbase marrëdhënia mes të dy fushave, asaj politike dhe asaj gazetareske mund të shihej si një biznes me “leverdi të dyanshme”, meqë tekefundit të dyja instancat janë të interesuara në burimet e njëra-tjetrës (informacioni dhe dëshira për akses dhe njohje), dhe për këtë edhe bashkëpunojnë me njëra-tjetrën.

Për t’iu kthyer prapë Shqipërisë, gazetaria kritike vuan edhe prej mungesës së profilizimit të objektit të saj vëzhgues dhe kritikët mediatikë janë në një konflikt të përhershëm për sa i përket rolit të tyre – varësisë nga kompania mediatike, dhe lojalitetit. Gazeta “Shekulli” u orvat e para të krijonte pozicionin e një lloj Ombudsmann-i etik që në lindjen e saj, por dikur kjo përpjekje e ndryshoi objektin dhe në fund dështoi.

Më tepër mund të themi se problemet e medias bëhen aktuale kur preken interesat e aktorëve në fushën mediatike dhe atë politike. Shembuj për këtë janë debatet për mbylljen e gazetës Tema, apo së fundi për refuzimin apo jo të kasetave elektorale të partive politike në zgjedhje. Rreziku është që gazetarët, të cilët kritikojnë median përmes medias mund të hyjnë rëndom në konflikte interesash ekonomike dhe gazetari mund të përdoret si zëdhënës i medias, pra, instrumentalizohet për interesa të kompanisë mediatike. Nga ana tjetër kritika mbi cilësinë e medias është më së shumti kritikë e produkteve promocionale të aktiviteteve të tjera të kompanisë mediatike. P.sh një gazetë pasqyron pozitivisht formate televizive të TV respektiv. Në këtë rast, kufiri mes gazetarisë dhe PR zvogëlohet ose zhduket krejt, duke e kthyer Gazetarinë e Medias në një organ PR-i të mediumit.

Struktura gazetareske shqiptare

Duke u mbështetur te një model fillestar i studiuesit Weischenberg për rolin e gazetarëve dhe të medias, por të modifikuar nga unë për të paraqitur një lloj strukture të cilësisë së gazetarisë në Shqipëri mund të mund të veçojmë disa aspekte në formën e shtresave të “qepës”, duke filluar nga brenda-jashtë:

Homogjeniteti: Sipas parimit “për të ditur se çfarë do të thonë disa, duhet të dish se çfarë kanë thënë të tjerët”, kronikat dhe lajmet janë gati të ngjashme nga njëra media te tjetra, sepse në të shumtën e rasteve bazohen mbi të njëjtat deklarata për shtyp. Madje edhe stili i të shkruarit është uniform dhe i ngjashëm me formulimet e gatshme të një zyre shtypi.

Falsiteti: Debatet false mes njerëzve brenda një grupimi apo fushe që funksionon me të njëjtën logjikë ekonomike dhe organizative (debatet dhe grindjet e politikanëve para kamerës), të cilat formojnë një rreth të mbyllur duke promovuar dhe mbështetur vazhdimisht vetveten! Aktorit politik i jepet pra mundësia ta kumtojë lirisht mesazhin e tij.

Mungesa e vetë-reflektimit:  Mbase këtu ndikon edhe mospasja e një tradite të vërtetë të vetë-reflektimit kritik në media. Kështu që mediumet kritike që krijohen (rasti i revistës AKT) janë të ndërtuara më tepër si reklamë e emisioneve të caktuara sesa si reflektime serioze mbi përmbajtjen e emisioneve të ndryshme televizive.

Pafuqia e medias: Pothuaj në të gjitha ngjarjet e rëndësishme (Gërdeci, 21 janari etj.) media është shfaqur si një zgjatuese e lojës politike duke mos marrë një rol hulumtues dhe duke mos qenë transparente. Kjo është shoqëruar pastaj me humbjen e vazhdueshme të besueshmërisë te publiku.

Interneti si alternativë për Gazetarinë e Medias?!

Një formë më efektive të Gazetarisë së Medias paraqesin blogjet, të cilat në rolin e Watchdog-ut online mund të transmetojnë informacione me anë të mjeteve teknologjike, interaktivitetit, hipertekstualitetit dhe raportimit në kohë reale. Por këto mbeten forume të paorganizuara qartë dhe shpesh pa hulumtimin e duhur gazetaresk. Dhe mbi të gjitha të varura nga mjetet ekonomike. (Kujtojmë këtu mbylljen e parë të blogut Respublica., “për arsye financiare”). Edhe pse studiuesit thonë se “kriza financiare e gazetave është vetëm një simptomë e humbjes përherë e më të madhe të realitetit të Gazetarisë së Medias” (Ruß-Mohl/Fengler 2005).

Duke pasur nga njëra anë një prurje të madhe të informacioneve dhe nga ana tjetër një fragmentarizim të burimeve dhe kanaleve që transmetojnë lajmin, media-watchdog online mund të shërbente si foltore për të gjithë ata që për arsye të ndryshme nuk kanë akses në median gjeneraliste, ose për të tjerë që nuk mjaftohen me informacionet që transmeton media dhe kërkojnë burime alternative.

Një rol tjetër i rëndësishëm i Watchdog-ut-online mund të ishte ndihmesa për të dalë nga një lloj homogjenizimi global i kulturës së gazetarisë, ndaj të cilit medias lokale si ajo shqiptare nuk u mbetet veçse të ndjekin një model, kryesisht atë amerikan. Media kritike online mund të shërbente si një mjet transformues duke nxjerrë në pah aspektet tipike të gazetarisë në vend.

Duke e zgjeruar teorinë e Marshall McLuhan për efektet e mesazhit dhe mediumit, interneti ofron pra, një mundësi efektive për prodhimin e lajmit dhe të informacionit duke konkurruar median klasike, pa e ndryshuar aspak kredon e profesionit të gazetarit që mbështetet te raportimi i lajmit dhe produksioni, vlerat dhe standardet etike.

Kjo merr një rëndësi të madhe sot po të mendohet që shoqëria e sotme karakterizohet nga një sasi e madhe informacioni që përqendrohet në duart e një numri përherë e më të vogël organizatash mediatike, të cilat ndjekin para së gjithash synime ekonomike.

Marrë me shkurtime nga revista Optime Nr. 2, 2011. Titulli i punimit plotë:Gazetaria e medias ShqipëriWatching the watchdogs!

Send this to a friend