Liria e lexuesit

5 Janar , 2018 • Kryesoret, Liria e medias, Shkrimet më të fundit • by

EU Media Days në Tiranë – një event që ndoshta do t’i kthehem, por po e nis me pak vërejtje nistore.

Para eventit dhe në fjalën përshëndetëse, Komisioneri Hahn, e vuri theksin te “liria e shprehjes si vlerë thelbësore e BE-së dhe gur themeli për procesin e zgjerimit, me një shtyp të fortë dhe të pavarur si forcë tërheqëse të transformimit demokratik.”

Liria e shprehjes – dakord, por kaq nuk mjafton. Eksperienca në Shqipëri dhe besoj edhe gjetiu, sidomos në kontekstin e revolucionit teknologjik të mediave dixhitale dhe të rrjeteve sociale, tregon se liria e shprehjes në vetvete nuk garanton gjë, në qoftë se nuk përcaktohet, ushtrohet dhe verifikohet më në hollësi.

Duke filluar nga vetë konsumatorët –lexuesit a përdoruesit – e mediave: mund t’i quajmë edhe publiku i mediave. A marrin këta pjesë në përpjekjen për liri të shprehjes? Për ta formuluar ndryshe: a mund të flasim edhe për një liri të leximit (në kuptim të gjerë), e cila rrezikohet në mënyra ta ndryshme nga çfarë ndodh me lirinë e mediave vetë, ose të diskursit mediatik? Dhe më tej akoma, a mund të flasim për kundër-publik në Shqipëri, si një reagim i dëshpëruar dhe in extremis ndaj rrafshimit (konformizimit) të publikut nga mass media komerciale?

Analiza nga perspektiva e lexuesit ose e recepsionit detyrohet të marrë parasysh dukuri të tilla si censura e tërthortë, ose nëpërmjet kakofonisë dhe pseudo-pluralizmit; përzgjedhja e materialeve në burim; dhe homologimi i mediave përmes shpërfilljes së copyright-it (ose bashkëndarjes difuze të përmbajtjes).

Tek e fundit, këtu vjen në vështrim edhe ajo liri e lexuesit që sigurohet nëpërmjet rrjeteve sociale – ose iluzioni se publiku (konsumatori) mund ta krijojë vetë përmbajtjen; çfarë e mënjanon, madje ndonjëherë e përjashton rolin e profesionistit të medias a gazetarit. E megjithatë, kemi të bëjmë më shumë me një iluzion, që nuk e ndihmon lirinë e lexuesit vetë, dhe aq më pak atë të shprehjes, meqë shpesh statuset (dhe tweets) nuk janë veçse shkalla zero e diskursit mediatik.

Këtu mund të shkojmë edhe më thellë, për të argumentuar se liria e lexuesit, për t’u angazhuar në komunikimin mediatik, kushtëzohet edhe nga veglat që zotëron lexuesi, duke filluar nga gjuha që ai përdor, për të dekoduar mesazhin që i vjen nga media. Tek e fundit, ti si autor mund të jesh tërësisht i lirë që të artikulosh mendimet e tua, por leximi – konsumi – dhe interpretimi i tekstit tënd do të varen nga kodi që zotëron lexuesi.

Kur flas këtu për gjuhë, nuk kam parasysh gjuhën shqipe si të tillë dhe as shqipen e publicistikës; por një sistem specifik – leksikor, sintaksor, stilistik – që mundëson artikulimin dhe komunikimin e një diskursi le ta quajmë “europian bashkëkohor”, ose të tillë që të na ndihmojë të ndihemi pjesë e Europës duke komunikuar sipas të njëjtave parametra. Kjo gjuhë specifike nuk është e dhënë, por duhet përvetësuar me punë të gjatë, këmbëngulje dhe frymëzim.

Vetëm se nevoja për një “shkollë” të diskursit mediatik shoqërohet me një rrezik serioz: kush do ta kontrollojë instrumentin, kush do t’ia sugjerojë dhe do t’ia mësojë publikut? Aq më tepër kjo në Shqipëri, kur palët që marrin pjesë në komunikimin mediatik janë ende thellësisht të kolonizuara nga diskursi totalitar dhe populizmi?

Çështja do trajtuar veçan nga zotërimi i të njëjtit mjet a instrument nga autorët dhe mediat vetë; sepse Shqipëria gjithnjë ka pasur një elitë të nivelit të mirë, që mund të artikulohet në “europianishte”; por e ka bërë këtë ose për të folur vetmevete, ose për t’iu provuar “donatorëve” se mund ta bëjë. Mirëpo sot, kur prodhimi i diskursit mediatik varet gjithnjë e më pak nga kontributet financiare të publikut (në kuptimin që lexuesit nuk paguajnë më për çfarë konsumojnë në mediat), atëherë mediat nuk shqetësohen më shumë, për t’i aftësuar këta lexues me aspektet më delikate të diskursit mediatik.

Analfabetizmi mediatik i publikut (media illiteracy) është, nga ana e vet, në gjendje të ndikojë drejtpërdrejt mbi prodhimin e teksteve mediatike; meqë shumë producentë duan të arrijnë një masë të madhe lexuesish (dhe të tërheqin një numër maksimal klikesh), duke e përçudnuar diskursin sipas një modeli që ata e përfytyrojnë si “të kapshëm” nga sa më shumë lexues (konsumatorë). Kjo është natyrisht shumë më e lehtë, se përpjekja për ta angazhuar publikun në një proces të korruptuar, ku komunikimi i dyanshëm zëvendësohet nga manipulimi dhe argëtimi konstant i lexuesit.

Në këto rrethana, liria e lexuesit reduktohet në lirinë për t’u argëtuar; ndërsa ofruesve të diskursit mediatik serioz, refleksiv dhe të artikuluar u mbetet iluzioni se po mbeten të përgjegjshëm ndaj një publiku që, në fakt, rrezikohet të mos ekzistojë më.

 

Print Friendly, PDF & Email

Tags:,

Send this to a friend